Komenti

Xh. Gjini: Kosova shqiptare si plaçkë tregu

KOSOVA SHQIPTARE SI PLAÇKË TREGU

(JO MË!)

Kosova – Dardania, si krahinë e Trungut shqiptar – Shqipërisë, jo shumë moti kishte mbi 30 000 km katrore. Kurse sot, pas pushtimit të dy të tretave të kësaj krahine të Shqipërisë, Kosova ka rreth 11 000 km katrore (10 887)! Kufijtë aktual të Republikës së Kosovës nuk janë dëshirë dhe vullnet i popullit shqiptar. Madje, edhe shteti i Kosovës, që është rezultat i përpjekjeve dhe luftës së kombit shqiptar, nuk  ishte dëshirë e jona… Kufijtë iu imponuan Kosovës nga pushtuesit jugoserbë me dhunë, terror, vrasje e masakra dhe me spastrim – sllavizim të tokave të Shqipërisë. Pas Luftës së Dytë Botërore tokat e ripushtuara të Shqipërisë (Kosova) u copëtuan në tri republika për ta sunduar dhe shkatërruar më lehtë popullin e pushtuar shqiptar! Prandaj, përpjekjet shekullore, lufta dhe sakrificat e një kombi u bënë natyrëshëm për “çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre me shtetin Amë”… Edhe Lufta Antipushtuese Çlirimtare e LPK – UÇK – së, që fitoi përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës Perëndimore, sidomos të SHBA – ve, u bë me këtë përcaktim programor: …”për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre me shtetin AMË”…

Raporti i forcave nuk qe i favorshëm për zgjidhjen e drejtë dhe të plotë të çështjes shqiptare… Ndërhyrja e NATO – s i dha fund (përkohësisht) luftës shqiptaro – serbe… Vendosja e administratës unmikiane (UNMIK) u bë pengesë për shkëputjen e plotë të Kosovës shqiptare nga Serbia! Kjo administratë unmikiane dhe prania tjetër ndërkombëtare enklavizuan Kosovën, e shpikën Veriun(!) dhe po pengonin pavarësimin – shkëputjen e Kosovës nga vrasësja e saj, Serbia! UNMIK – u dhe prania tjetër ndërkombëtare po këmbëngulnin dhe po angazhoheshin për një Kosovë me “autonomi substanciale”, “konform” Rezolutës 1244 të OKB – së!! Ky në fakt ishte plani franko – gjerman i vitit 1997 (për ata që kanë harruar)!…

Populli shqiptar me ngjarjet e Marsit të vitit 2004 e “tronditi” planin franko – gjerman – rezolutën 1244 për “autonomi substanciale”!… Shpërthimi mbarëpopullor i Marsit 2004 (jo klasa e mjerë politike!)i bindi Fuqitë e Mëdha Perëndimore të hiqnin dorë nga projekti i tyre për një “autonomi substanciale”. Nisën negociatat në Vjenë… Grupi negociator i Kosovës shqiptare në Vjenë u tregua shumë “gjeneroz” në këto bisedime! E para (fundamentale), ky grup negociatorësh, në emër të popullit shqiptar në Kosovë (i marroftë i madhi zot!), hoqi dorë nga e drejta jetike: e drejta për t’u bashkuar me shtetin AMË!! E dyta, ky grup pranoi të gjitha kërkesat e Serbisë (Shih “Planin e Serbisë për Kosovën”) për ndarjen e Mitrovicës, për krijimin e komunave dhe të zonave të mbrojtura “serbe”, pranoi krijimin e themeleve të një entiteti (“asociacioni”) serb në Kosovë, sipas “Planit të Serbisë për Kosovën”, të miratuar në Kuvendin e Serbisë, vetëm një muaj pas ngjarjeve të Marsit 2004!!

Një klasë politike e kombinuar nga pjesa kolaboracioniste dhe nga pjesa “patriotike”, e kapur, po “administrohej” lehtësisht nga prania ndërkombëtare dhe nga qendrat e vendosjes… Kosova shqiptare (95 %) u “shndërrua” në “Kosovë multietnike”!!? Premtimi i një Pavarësie të kushtëzuar për “Kosovën multietnike” i bëri të fluturonin nga gëzimi jo vetëm taborrin e kolaboracionistëve, por edhe taborrin e “patriotëve” të kapur!! Me “miratimin” e Planit të Ahtisarit Kosova hyri në një fazë të re! Kosova shpalli pavarësinë… Zelli i klasës së mjerë politike vendore për ta zbatuar Planin e Ahtisarit, ani pse Serbia s’e kishte pranuar, ishte i paparë! Me shpejtësi dhe “efikasitet” të plotë u themeluan komunat dhe zonat e mbrojtura “serbe”!! Pakica serbe fitoi super të drejta!! Gjuha serbe u bë “gjuhë e barabartë me gjuhën shqipe”!!

Arritja me kaq lehtësi e super të drejtave për pakicën serbe e inkurajoi Serbinë dhe i inkurajoi aleatët e saj strategjikë për ta rritur presionin mbi Kosovën dhe për t’i shtuar kërkesat!

Prania ndërkombëtare dhe klasa politike mediokre, me koncesionet e mëdha, e favorizuan Serbinë që të kalonte në ofanzivë agresive kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës… Rezultat i shpejtë i kësaj ofanzive ishin fusnota dhe rihapja e pakos së Ahtisarit!! Rrethanat dhe favoret që kishte krijuar OPINIONI i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i jepte të drejtë Kosovës për të qenë e pavarur dhe sovrane, nuk u shfrytëzuan fare nga klasa politike dhe qeveritare e Republikës së Kosovës!! Kjo defanzivë, më saktë, ky dorëzim i klasës shtetërore të Republikës, rezultoi me marrëveshjen e Brukselit për “asociacionin” (minishtetin serb) në Republikën e Kosovës!! Bota po shkilte me të dyja këmbët Kushtetutën e saj ahtisariane! Serbia po realizonte fazën e fundit të “planit të saj për Kosovën”!! Politikanët vasalistë dhe të kapur nuk rezistuan fare! E dorëzuan sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe, me fusnotën, me listën serbe dhe me marrēveshjen për “asociacionin serb”, po rrezikonin lirinë e fituar me shumë mund, sakrifica e gjak të disa brezave!! Të gjendur para ofanzivës agresive politike e diplomatike të Serbisë, që kishte mbështetjen e Rusisë dhe aleatëve të saj, klasa politike dhe shtetërore e Republikës së Kosovës “finalizoi” kapitullimin e saj me krijimin e Gjykatës Speciale për dënimin e “krimeve të shqiptarëve” – Luftës Çlirimtare!! Të gjitha lëshimet e bëra në kurriz të Kosovës u kurorëzuan me arrestimin dhe dërgimin në Hagë të atyre që ishin bërë edhe krerët e Republikës!! Bota nuk i fali ata që patën origjinë  politike nga LËVIZJA dhe Lufta Çlirimtare… Të paprekur, si gjithmonë, mbetën ata që kishin origjinë politike nga “ndërmarrja e përbashkët kriminale” e kolaboracioniste kundër popullit të tyre shqiptar dhe kërkesave të tij liridashëse, demokratike e civilizuese!!

Plani “ndërkombëtar” kundër lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës ka “avancuar”!! Fushata – propaganda e koordinuar dhe e koncentruar kundër fryteve të Luftës Antipushtuese Çlirimtare ka hyrë në një fazë të re! Qendrat e vendosjes (Fuqitë e Mëdha) tashmë nuk po arrestojnë e akuzojnë vetëm luftëtarë lirie (ushtarë, komandantë e drejtues të UÇK – së) por, ato po këmbëngulin e po angazhohen për “arrestimin”, “burgosjen” dhe dënimin e lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e cila është njohur dhe pranuar nga 112 shtete të botës…

Plani i fundit ose plani i ri franko – gjerman për Kosovën dhe presioni ndaj popullit shqiptar dhe institucioneve legale e legjitime të Republikës do të duhej të ishte shqetësim i madh për secilin shqiptar në Kosovë, në gjithë Shqipërinë dhe kudo në botë. Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur sheh dhe dëgjon se në garën: kush mund t’i bëjë më shumë presion dhe kush mund t’i shantazhojë më shumë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin (edhe karakterin unitar të shtetit) e Republikës së Kosovës kanë hyrë dhe po vjellin helm edhe një  pjesë e partive politike dhe pjesa dërrmuese e mediave dhe OJQ – ve të mercenarizuara!! Tirana zyrtare, pavarësisht “karshillëkut” që po i bëjnë këta “guximtarët” e jugokosovarët, duhet të jetë e pranishme në Kosovën e saj dhe kudo në botë ku flitet për Kosovën dhe pozitën e saj…

Këto ditë mbi Republikën e vogël të Kosovës po ushtrojnë presion Fuqitë më të Mëdha të botës!! Midis tyre edhe shtete e qeveri që e kanë njohur Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran!! I gjithë presioni po bëhet që Kosova shqiptare t’i bëjë vend “asociacionit”  (“zajednicës”) të komunave “serbe”, me të cilin Serbisë do t’i “garantoheshin” interesat dhe prania e saj, kurse Republika e Kosovës nuk do të ishte shtet unitar dhe sovran, qe besa as i qëndrueshēm dhe funksional!! Tensionet dhe konfliktet do të ishin “bashkudhëtare” të Republikës së Kosovës… Koha e fundit që Kosova të dalë nga ky udhëkryq: të mobilizohet,  të kalojë në kundërofanzivë dhe t’i dalë zot lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të Republikës… Koha e fundit që tri qendrat shqiptare: Tirana, Shkupi e Prishtina dhe gjithë bota shqiptare ta bëjnë ÇËSHTJE Kosovën Lundore  dhe pozitën e popullit shqiptar atje, por edhe Sanxhakun dhe çështjen e popullit të tij të privuar nga çdo e drejtë kombëtare shqiptare… Është koha edhe që miqtë të “rifitojnë” statusin e tyre të miqve dhe ta kuptojnë se vendi ka zot popullin e tij. Kombi shqiptar nuk është komb “arixhinjësh”, por komb autokton e me kompaktësi territoriale e kombëtare dhe me kapacitete dhe aftësi për të qëndruar për liritë dhe të drejtat e tij. Paqja dhe siguria rajonale nuk mund të “blehen” më duke sakrifikuar lirinë, pavarësinë dhe tokën e popullit shqiptar si të ishin plaçkë tregu…