NË POLITIKË NUK KA KURRË RASTËSI
Gazeta “Epoka e re” e Prishtinës, më datë 17 Nëntor 2022 ka botuar një reagim ndaj një shkrimi tim, me autor Eugjen Merlika, nipi i ish-kryeministrit kuisling, Mustafa Merlika-Kruja. Reagimi i Eugen Merlikës bëhet ndaj shkrimit tim me titull “Aspekte shqiptare nga lufta italo-greke”, duke e titulluar shkrimin e vet: “ Pavërtetësia e një shkrimi historik”. Dhe, në atë reagim ka një të vërtetë. Ai ka të drejtë kur thotë se: “nuk ishte Mustafa Kruja kryeministri kuisling shqiptar që nënshkroi vendimin e qeverisë kuislinge shqiptare për shpalljen luftë Greqisë”, e cila u sulmua nga Italia fashiste më 28 tetor 1940.
E falënderoj dhe i jap të drejtë për këtë korrigjim. Këtë “lapsus” e pata bërë ngaqë nuk e pashë të arsyeshme të meresha edhe me mëkëmbësin e Musolinit, Jakomonin, i cili në raportet e tij ka theksuar shpesh se “një ndihmë të madhe për sulmin kundër Greqisë japin jo vetëm anëtarët e qeverisë dhe funksionarët e lartë të Partisë Fashiste, por përgjithësisht propagandistët shqiptarë”, publicistët kuislingë dhe se, si më aktivi përmendet Mustafa Kruja, prandaj pas luftës italo-greke nuk ishte rastësi që Jakomoni e propozoi atë për Kryeministër. Mustafai, edhe pse ata muaj nuk kishte asnjë post në qeverinë kuislinge, por iridentizmi ishte tema kryesore në aksionin e tij politik, ku theksonte se Shqipëria etnike mund të arrihet vetëm me ndihmën e Italisë Fashiste, sepse: “Atje e ka burimin e largët Shqipnija e re, Shqipnija sabaude e fashiste, Shqipnija e përtrime në shpresat e saj të sigurta për fate ma të nalta”. (Shih:Mustafa Kruja, kryeartikull në gazetën “Tomori”, 23 mars 1940).
Por nipi i tij, Eugjeni ka të drejtë të indinjohet, ngaqë unë nuk i kam përmendur veprën tjetër “patriotike” shumë më të madhe të gjyshit të tij, pasi ishte Qeveria Kruja ajo që më 16 dhjetor 1941 i shpalli luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas 3 ditësh si u ul në karrigen e Kryeministrit kuisling. Ddhe nuk është rastësi që Kryetari i Institutit të Studimeve Fashiste emrohet Kryeministër kolaboracionist një muaj pasi ishte krijuar PKSH-ja! Edhe kjo nuk është rastësi pse nuk e përmend këtë koinçidencë nipi i tij! Atë “lapsus” unë e bëra për të vetmen arsye që të mos e ndaja Mustafa Krujën nga miku i tij i ngusht Qazim Koculi, si kur financoheshin nga Musolini kur ishin në emigracion ashtu edhe në kolaboracionizmin qeverisës, i cili, i frymëzuar nga shkrimet e ideologjisë fashiste të Institutit që drejtonte Mustafai, shkonte në atë prag lufte në Labëri për të kërkuar vullnetarë për ushtrinë pushtuese italiane kundër Greqisë.
Dhe nipi i tij Eugjen jo pa qëllim e shfrytëzon këtë “lapsus” timin, duke u munduar pasandaj të na bindi se Mustafa Kruja ka qenë një patriot i madh shqiptar, edhe pse ishte kuisling me vetëdije të plotë, prandaj dhe e emruan më pas italianët Kryeministër të Qeverisë Kuislinge, që do të thotë: tradhëtar. Dhe, midis të tjerave, në atë reagim z.Eugjen Merlika ka shkruar:
Ky shkrim “Mund të shmëzohet me zero nga ana historike kur thotë se Mustafa Kruja ishte kryeministri që firmosi aktet zyrtare për gjendjen e luftës me Greqinë, si pasojë e sulmit të saj nga ana e Italisë. Është një pohim krejtësisht i rremë, sepse n’atë kohë Mustafa Kruja kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare ( Fashiste), dhe ishte senator i Mbretërisë Italiane, edhe pse nuk kishte asnjë post qeveritar. Dihet mirë se Mustafa Kruja u emërua kryeministër më 13 dhjetor 1941 dhe dha dorëheqjen më 3 janar 1943…. Ky fallsitet historik e kthen në pluhur gjithë qëllimin e autorit për të vazhduar traditën e hershme të shtypit komunist në poshtërimin e personaliteteve atdhetare jo komuniste, që kanë vënë interesat e atdheut mbi gjithçka tjetër, mbi vuajtjet e tyre e të familjeve, mbi flijimet, mbi interesat e tyre vetiake….Ai dhe miku i tij Qazim Koculi, ashtu si dhe shumë atdhetarë të tjerë patën si synim kryesor të veprimtarisë politike pikërisht Shqipërinë etnike dhe shmangien e ardhjes së partisë komuniste në pushtetin e Shqipërisë.”
Për të vërtetuar se Mustafa Kruja dhe miqtë e tjerë kolaboracionstë të tij e kanë pas inatin me PKSH, apo me Shqipërinë e Pavarur, të cilën e kishin mohuar edhe pse kishin qenë firmtarë të saj, po mjaftohem me atë çfarë është e pasqyruar në WIKIPEDIA, për metamorfozën ideve politike të Mustafa Krujës:
* * *
“MUSTAFA ASIM MERLIKA, i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja (Krujë, 15 mars 1887 – Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958)… Ishte veprimtar aktiv i Kryengritjes së 1912 si sekretar i çetave të Abdi bej Toptanit. Me Neki Rulin, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Sali Nivicën, priti në Durrës përfaqësuesit e Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë: Rexhep bej Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Mid’hat bej Frashërin. Pasi iu bashkuan Abdi dhe Refik bej Toptani, u mblodhën në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, ku Abdi beu u lexoi një letër nga Syrja bej Vlora për një kuvend mbarëshqiptar.
Priti dhe shoqëroi Ismail Qemalin për në Vlorë ku u mbajt kuvendi dhe vetë përfaqësoi Krujën, kuvend në të cilin nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë me siglën Mustafa Asim Kruja dhe u caktua sekretar i parë i qeverisë. Më 1913 qe nënprefekt i Vlorës. Më pas, gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit, qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan. Pas shpërthimit të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, Thanas Floqi shkruan se e takoi në Rrëshen. Me kthimin e Esad Pashës, Merlika nuk i bindet, Pashai e burgos dhe autoritetet italiane e internojnë në ishullin e Favinjanës. Me shtjellën e ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore, lirohet dhe lejohet të shkojë në Caserta, ku ishte me shkollë i vëllai.
Mërgimi ndaj Zogut
Në mërgim bëhet anëtar i Konare-s, palë me Hasan Prishtinën, pro një federate ballkanike dhe italofilë. Pasi u bë e detyrueshme të kalohej politikisht majtas për të qenë në Konare, Grupi i Zarës me Merlikën në krye, u shkëputën dhe nuk morën më ndihma nga Bashkimi Sovjetik, por u ndihmuan nga Italia. Gjatë kësaj periudhe u mor me tregti duhani e cigaresh dhe studime gjuhësore, qëndroi tetë vjet në Zarë, tre vjet e gjysmë në një fshat pranë Gjenovas, dy vjet në Gjenevë dhe afro një vit ndër vise të tjera në Austri e Itali. Me nënshkrimin e Paktit II të Tiranës, Merlika i dërgoi një telegram urimi Musolinit për këtë arritje me Shqipërinë.
I konsideruar nga bashkëmërgimtarët si i përzgjedhuri i politikës italiane për të zëvendësuar eventualisht Mbretin Zog, u ngarkua nga Bashkimi Kombëtar për bisedime me përfaqësuesin e qeverisë italiane Giovanni Giro për një akord mes autoriteteve italiane dhe mërgatës shqiptare.
Pushtimi italian
U kthye në Shqipëri pas pushtimit italian, dhe me mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese më 12 prill 1939 emërohet një ndër katër senatorët fashistë shqiptarë të Mbretërisë Italiane. Në foltoren e teatrit Savoja në Tiranë deklaroi veten fashist të përkushtuar ndërsa Benito Musolinin “profetin e besimit tonë politik”. Kur Italia dhe më pas qeveria kukull e Tiranës i shpallën luftë Britanisë dhe Francës, Kruja u bëri thirrje shqiptarëve të bashkoheshin nën komandën e Musolinit në këtë luftë.
Më 1940 që prej krijimit, kryesoi Institutin e Studimeve Fashiste Shqiptare dhe me hartimin e një fjalori të përgjithshëm të gjuhës shqipe. Më 1940 merr pjesë në Komisionin për Rivendikimet Shqiptare, të kryesuar nga Xhemil Dino, Fejzi bej Alizoti, Dhimitër Beratti dhe Tahir Shtylla. U caktua kryetar i Komitetit të Rivendikimeve në ish-Vilajetin e Kosovës (Komiteti i Kosovës).
Kryeministër 1941-1943
Nëntorin e 1941 Jacomoni përgatiti zëvendësimin e qeverisë Vërlaci me Merlika-Krujën, për shkak të menaxhimit jo të mirë të Tokave të Lirueme. Konti Ciano në ditarin e tij e komentoi “Jakomoni propozon ndryshimin e qeverisë në Shqipëri. Kruja në vend të Vërlacit. Që do të thotë një lëshim të mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmit shqiptar”. Më 4 dhjetor 1941 u dekretua kabineti i tij dhe Kruja krijoi qeverinë e dytë kolaboracioniste shqiptare. Në 10 dhjetor 1941, Kruja paraqiti programin e qeverisë para Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. U shfaq si kryeministër i të gjithë shqiptarëve të bashkuar nën Perandorinë Fashiste italiane dhe e krahasoi gëzimin e kësaj dite të bashkimit me gëzimin e shpalljes së pavarësisë me 28 nëntor 1912. Për të siguruar mbështetjen e shqiptarëve, i kushtoi vëmendje çështjes së Kosovës. Ai premtoi se Kosova do të ishte problem prioritar i qeverisjes së tij.
Ai iu drejtua gjithë atyre që kundërshtonin regjimin e pushtimit italian, duke i paralajmëruar: “duem tu dalim hakut me të mirë para se të përdorim shpatën e nji shteti që s’e ka ndër mend m’u bamë loja e kurrkujt”.
Qeveria Kruja më 16 dhjetor 1941 u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në shkurt 1942 shkoi në Romë, ku u takua me Duçen, me Çianon dhe me Viktor Emanuelin III. U kërkoi, (për të mashtruar opinionin, D.G), korrigjimin e kufinjve me Malin e Zi, heqjen e simboleve të shtëpisë së Savojës nga flamuri shqiptar, një regjim më të lirë të autonomisë lokale, rivendosjen e Ministrisë së Jashtme shqiptare, rikrijimin i Forcave të Armatosura dhe Milicisë shqiptare. Më 19 shkurt mbajti fjalim në Senatin italian, i cili u transmetua në radio dhe u dëgjua edhe në Shqipëri. Fjalimi qe një apologji e fashizmit dhe e politikës italiane, ngjalli pakënaqësi në Shqipëri dhe u shfrytëzua nga partia Komuniste për ta diskredituar atë. Mëkëmbësi Jakomoni i dërgoi Duçes një promemorie në mbështetje të kërkesave të Krujës per flamurin, për rikrijimin e xhandarmërisë shqiptare, për shkrirjen e Partisë Fashiste dhe për amnistinë e pjesshme të elementëve antifashistë. Në 4 maj u miratua kërkesa e Krujës për flamurin dhe u hoqën shenjat e shtëpisë së Savojës. Kjo qe e vetmja nga kërkesat e tij që u plotësua nga Italia.
Mustafa Kruja u përpoq të përçajë frontin e rezistencës antifashiste. Ndryshimet e vogla që siguroi nga Roma ishin vetëm kozmetikë e lehtë e regjimit të pushtimit dhe politika e tij paqësore dështoi. Premtimet për mirëqenie nuk u realizuan dhe varfëria mbeti problem i madh. Partizanët dhe Myslym Peza hodhën poshtë ofertat e Krujës që t’i bashkohen atij hapur, dhe kështu vepruan edhe Abaz Kupi, Ali Këlcyra dhe Muharrem Bajraktari, PRANDAJ KRUJA, ASHTU SIÇ KISHTE PARALAJMËRUAR, ZHVESHI SHPATËN E QEVERISË SË TIJ KUNDËR GJITHË KUNDËRSHTARËVE TË REGJIMIT FASHIST. Dhe filloi terrorin: më 5 maj 1942 vrau në Tiranë; më vonë 22 qershor 1942 vriten në Shkodër Perlat Rexhepi, Branko Kadia dhe Jordan Misja; më 16 gusht 1942 vritet në Tiranë Misto Mame;më 7 tetor 1942 vritet Vojo Kushi në Tiranë; po atë muaj vriten në Topana, në Vlorë: Hajredin Bylyshi, Mumin Selami, Hiqmet Buzi e Barjam Tushi dhe shumë vrasje të tjera kundër kundërshtarëve të regjimit fashist. Si rrjedhojë, fryma e antifashizmit përfshiu një pjesë të mirë të qyteteve dhe u përhap shpejtë edhe në fshatra.Të rinjtë iu bashkuan çetave partizane.” – thuhet në WIKIPEDIA.
* * *
Si rrjedhojë, si kundërpërgjigje ndaj terrorizmit të Mustafa Krujës, gjatë vitit 1942 që ai ishte Kryeministër i fashizmit në Shqipëri, lindën këto formacione partizane: më 1 prill 1942 krijohet çeta e Kurveleshit; më 27 prill 1942 krijohet çeta e Gorës; 20 qershor 1942 çeta e Dibrës; më 27 qershor 1942 çeta e Skraparit dhe çeta e Mokrës; më 10 korrik 1942 çeta e Moravës; më 18 korrik 1942 çeta e Matit; më 24 korrik 1942 nxirret jashtë përdorimit i gjithë rrjeti telegrafik dhe ndërlidhjes në mbarë Shqipërinë e pushtuar;15 gusht 1942 çeta e Çermenikës; më 16 shtator 1942 zhvillohet Konferenca e Pezës; më 17 nëntor 1942 çeta e Oparit; më 22 nëntor 1942 në kinema “Savoja”, 6 ditë para 30 vjetorit të Pavarësisë, Mustafa Merlika-Kruja mbajti fjalimin në radio: “Na të qeverisë së sotshme s’i kemi lane kujt ma të voglin dyshim për rrugën tonë, dhe e kemi zgjedhur këtë rrugë me bindje të plotë, se asht e vetmia që e shpëton kombin prej katastrofës dhe shkatërrimit. T’i shtypim krimbat, kritikuesit e regjimit fashist. Fashizmi e çliroi Kosovën siç çliroi dhe Shqipërinë”; më 27 nëntor krijohet 1942 çeta e Vithkuqit; më 2 dhjetor 1942 çeta e Kuçovës; më 4 dhjetor 1942 çeta “Plakë e Vlorës”; më 12 dhjetor 1942 çeta “Çerçis Topulli”; më 26 dhjetor 1942 u dogjën depot e marinës fshiste në Radhimë të Vlorës.
Më 29 dhjetor Mustafa Kruja dërgon 1.000 mercenarë me në krye Halil Alinë për terror në Tragjas e Radhimë dhe në Lumin e Vlorës.
Këta mercenarë u pritën me armë nga forcat partizane, e që njhet me emrin “Lufta e Gjormit”, ku morën pjesë: çeta e Kurveleshit, çeta “Plakë e Vlores”, çeta “Plakë e Mallakastres” dhe shumë vullnetarë nga populli i atyre krahinave, te drejtuara nga Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Mustafa Matohiti e Jaho Gjoliku; ndërsa nga pala e armikut 1800-2.000 mercenarë e fashistë.
Ajo epope filloi më 30 dhjetor 1942, ku u zhvillua 4 dite luftime, ku u vra dhe gjenerali italian Xaxini si dhe nipi i Halil Alisë. Në ndihmë të mercenarëve shkuan prej Vlore një autokolonë prej 50-60 makina, autoblinda, tanke dhe 100 e ca motoçilketa, gjithsej 1.000 forca italiane. Armiku pësoi disfatë.
Me vrasjen prej Halil Alisë më 3 janar 1943 për hakmarrje, të miqve të Mustafa Krujës, kolaboracionistët: Qazim Koculin, i dërguari i jashtëzakonshëm të tij, dhe prefektin Lele Koçi, kuptohet edhe me urdhër dhe dijeni të fashistve italianë, për të përligjur disfatën, sepse gjoja këta paskishin qenë “bashkëpuntorë të rebelëve”´dhe, si të tillë mbajtkishin përgjegjësinë e kësaj disfate! Dhe fashizmi e urdhëroi Mustafa Merlikën të jepte dorëheqjen para Jakomonit.- kryeministri më i zgjuar e më dinak që kishte njohur deri atëhere vendi. Prej asaj epopeje pushteti fashist nuk funksionoi më kurrë në ato krahina.
* * *
“Pas kapitullimit Italian – vijon WIKIPEDIA – Mustafait më 2 tetor 1943 i bëhet atentat nga partizanët. Pas sulmit partizan kundër zogistëve në Shupal më 5 korrik 1944, Merlika së bashku me Fiqri Dinen dhe Mark Gjonmarkajn u takuan më 11 korrik me Bazin e Canës. Pas muajsh mosmarrëveshjeje, prania partizane i shtrëngoi drejt një ujdie në organizimin kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, ku ndërhyrjet e Merlikës ndihmuan kalimin e njerëzve të Abazit nëpër Shqipërinë e Mesme e Tiranë.U thirr në Vjenë, ku shkoi më 1 shtator 1944 për t’i qëndruar pranë djalit të vogël të sëmurë rëndë, Besimit, dhe nuk u kthye më në Shqipëri.
Në mërgim
U vendos në Itali ku së bashku me Ernest Koliqin rithemeloi “Bllokun Kombëtar Indipendent”. Pasi Abas Kupi merr vesh se Mustafai nuk e përballonte jetesën, e thërret në Egjypt, ku më 25 shkurt 1948 u pajtua për së afri me Mbretin Zog. Pak para rrëzimit më 1953 të dinastisë Faruk të Egjiptit, (me prejardhje shqiptare), M.Kruja kaloi në Francë dhe më pas në ShBA ku dhe ndërroi jetë pas një operacioni, në Niagara Falls, më 27 dhjetor 1958.”- përfundon WIKIPEDIA.
* * *
Dhe po shtojmë edhe diçka shumë “të vogël” për “patriotizmin” e Mustafa Krujës gjatë emigracionit pas Luftës së Dytë Botërore:
Në fund të gushtit 1952 ai, bashkë me Ahmet Zogun, i shfaqën Titos nga Egjypti, në emër të “Komiteti Shqipëria e Lirë”, mendimin se: “Jugosllavia mund të shërbente si shembull për popujt e prapambetur të Ballkanit, se vetë në sajë te Jugosllavisë, Shqiperia mbeti shtet i pavarur.”(!), – [me të cilën kanë dashur të mohojnë LANC-in Shqiptar, kur dihet botërisht se Shqipëria ështe i vetmi vend në Evropë që u clirua nga nazi-fashizmi me forcat e vete, pa u hedhur asnjë plumb nga aleatët antifashistë si dhe nga Ushtria e Titos, D.G]…. Duke kërkuar se:
“Një bashkëpunim me Jugosllavinë, ka mundësi të shënoi një kthesë, pra, të krijoi shumë shpejt kushtet për çlirimin e vendit nga regjimi i Hoxhës. Mbështetja e vetme e Shqipërisë duhet të jetë Jugosllavia. Prandaj të gjithë së bashku duhet të organizojmë një luftë frontale kundër Enver Hoxhës…”.
[Ky propozim drejtuar Titos na thotë se, edhe ngritja e monumentit si për Zogun dhe për Mit’hat Frashërin, ashtu dhe ideja aktuale e qeverisë së Tiranës për “Ballkanin e Hapur”, nuk janë rastësi!]…
Dhe dokumentat vijojnë: “Gjatë kohës së qëndrimit në Kajro, Zogu mbante marrëdhënie të regullta me ish ambasadorin Jugosllav në Tiranë, Gjonoviç…” (Shih:”Dosja sekrete e UDB. Emigracioni shqiptar 1944-1953”, Beograd, dhjetor 1953, “Koha print”, Prishtinë, 2004, f.261-273).
Dhe, për t’u siguruar se Titua do t’ua pranonte këto propozime, fillimisht i paraprinë duke dërguar në Beograd Abaz Kupin dhe Mit’hat Frashërin, në mesin e muajit korrik 1949, për të biseduar me Titon këtë problem. (Shih: BigFiend Operations-1.007.pdf)
* * *
Pra, sikur Mustafa Kruja të kishte vetëm nënshkrimin e shpalljes luftë Greqisë më 1940, dhe sikur të mos të kishte gjithjë të zezat e lartpërmendura kundër Shqipërisë, duke i bërë një mijë herë më shumë të zeza vendit, sesa akti i shpalljes luftë SHBA-së dhe gjithë Koalicionit Antifashist Botëror më 1941, ndoshta do t’i thoshnim, të paktën: shqiptar. Urrejtja e Mustafa Krujës dhe e Zogut ndaj 72 mijë çlirimtarëve të Shqipërisë, që ata i quajtën komunistë edhe pse vetëm 3 – 4000 partizanë ishin antarë të PKSH, [ edhe ata të panjohur si nga populli dhe partizanët, pasi PKSH vijonte të ishte e papublikuar deri në 1948, dhe se luftën e drejtonte Fronti Nacionalçlirimtar], të tjerët nuk e dinin se ç’ishte komunizmi, por gjithë inati i kolaboracionistve ishte vetëm pse partizanët e çliruan Shqipërinë nga nazi-fashizmi dhe nuk pranuan të nazifikohej Shqipëria, nuk mund të quhet ndryshe, veçse një akt kriminal i shpirtit të tyre kundër Pavarësisë së Shqipërisë, një vetëvrasje e vazhdueshme, prandaj ky dhe shpura e tij përbuzen nga kombi shqiptar. Dhe mos harroni, i nderuar nipi i tij, se përbuzja është ajo që i përmbys njerëzit; edhe pse rastësisht gjyshi juaj u ndodh në një ngjarje madhore kombëtare, sikundër ishte pjesmarrja e tij si firmëtar i Pavarësisë Kombëtare, vepra e tij pas v.1927 e ka përmbysur përjetësisht Mustafa Krujën. E gjithë vepra e tij prej atëhere duke I vënë vulën me kthimin në Shqipëri bashkë me pushtuesit fashistë, ka emrin: tradhëti. Dhe dijeni, o nipi i tij Eugjen Merlika, se tradhëtia më shpesh vjen nga dobësia, sesa nga qëllimi i theksuar për tradhëtar; tradhëtia është vetëm një bashkim i veseve të tij të këqija.
Z.Eugjen Merlika, besoj se e vëreni se deri në moshën 40 vjeçare të tij, Mustafa Merlika – Kruja ka bërë pjesë ndër ata personalitete që patën luftuar për një ideal kombëtar, por nuk duhet të ket qenë rastësi dërgoiMI telegram urimi Musolinit PAS Paktit II Tiranës, 1927, duke u bërë zjarrfikës i atij ideali për të cilin kish 15 vite që luftonte, duke e vdekur atë ideal pore dhe veten e tij para se t’i ndodhte vdekja natyrale. Dhe nuk është rastësi që edhe miku tjetër i tij, firmëtari i Pavarësisë, kolaboracionisti Bedri Pejani, i cili “u shkroi Hitlerit dhe Himlerit dhe u propozoi që të formohet korparmata SS, të cilën ta përbënin shqiptarët e rekrutuar.”, duke u bërë realitet krijimi i Divizionin 21 SS malor “Skënderbeu”, gjë që na e sqaron historiani Ali Hadri te libri “LANÇ-i në Kosovë 1941-1945”, Prishtinë, 1971, f.321.
Dhe nuk është rastësi që Enver Hoxha nuk i nderoi ish-firmëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë që u bënë tradhëtarë të kombit shqiptar. Por nuk është rastësi që sot shumë politikanë e intelektualë quajnë tradhëti atë mos-nderim prej Enver Hoxhës të asaj kategorie kolaboracionistësh, gjë që s’është gjë tjetër, veçse përpjekje për të instaluar në Shqipëri fashizmin.
Tiranë, 14 janar 2023
add a comment