Lëvizja\UÇK

Mustafë Krasniqi: Shoqëria LËVIZJA ka shënuar 40 – vjetorin e bashkimit në të gjitha trojet shqiptare

Shoqëria LËVIZJA mban Akademi Falënderimi, në të gjitha trevat shqiptare,
aty ku ka pasur rezistencë dhe veprimtari çlirimtare

Në Komunën e Kastriotit, më datën 20.12.2022, Shoqëria LËVIZJA, bashkë me komunën e Kastriotit, kishte organizuar Akademi Mirënjohjeje dhe Falënderimi, në shenjë të 40-vjetorit të unifikimit të organizatave atdhetar e patriotike, të cila vepruan deri në krijimin e UÇK-së nën ombrellën e “Lëvizjes Popullore të Kosovës”. Akademia u hap me Interpretimin e himnit kombëtar dhe  me fjalimin e Ambasadorit në Japoni Sabri Kiçmari, i cili përshëndeti akademinë dhe të pranishmit, duke shpalosur qëndrimin e vendosur të bijave dhe bijve të popullit, me themelimin e organizatës çlirimtare, që nga kjo doli edhe UÇK-ja.

Akademinë falënderuese e përshëndeti edhe kryetari i Kastriotit Xhafer Gashi, i cili ndër të tjera tha: – Kosova, por
edhe qyteti i Obiliqit, përherë pati mendje të ndritura dhe gatishmërinë për të punuar për lirinë që ne sot e gëzojmë, njëkohësisht ndjehem krenar që edhe unë isha një nga aktivistët e këtyre lëvizjeve për çlirimin e vendit, tha z. Gashi.
Ndërsa veprimtari, ish i burgosuri i çështjes kombëtare Xhemail Pllana, në emër të Shoqërisë “Lëvizja” përshëndeti të pranishmit,  kryetarin e  komunës, z. Xhafer Gashin, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Japoni, z.Sabri Kiçmari, kryetarin e Shoqërisë “Lëvizja”, z. Xhevat Bislimin, familjarët e dëshmorëve, të invalidëve dhe veteranë të UÇK-së, e veprimtarë të LPK-së, i cili më tej shtoi duke thënë: – Shoqëria “Lëvizja”, i ka vënë vetës për detyrë që ta promovojë veprimtarinë dhe vlerat çlirimtare të popullit tonë, në veçanti vlerat e “Lëvizjes Popullore të Kosovës”, e cila ka marrë për obligim që ta përcjellë porosinë e domosdoshme të brezave që vijnë, se në trojet tona të pushtuara ka pasur rezistencë aktivitete të pandalshme, demonstrata të fuqishme, djem e vajza të guximshëm e sypatrembur; Ka pasur luftë çlimtare, për të cilën është derdhur lumgjaku, për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë, për lirinë e pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ne po e bëjmë këtë dhe do ta bëjmë për hir të luftës së lavdishme të popullit, Rinisë sonë heroike.  Që sot,  sikur qëllimisht po heshtet kjo veprimtari e lavdishme, nga institucionet tona, ato arsimore e shkencore, të pasluftës çlirimtare. Edhe pas 24 vitesh, të pasluftës së UÇK- së, ende nëpër shkollat tona nuk mësohet për këtë pjesë të historisë sonë të lavdishme. Andaj, ne i vlerësojmë e i nderojmë me pietet e mirënjohje të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës, tha Pllana. Gjatë këtij viti, sipas Pllanës, janë mbajtur me dhjetëra akademi mirënjohjeje, të mbështetura nga kryetarët e komunave, pavarësisht se nga cili subjekt politik e kanë pasur pushtetin, në Kosovë e në Maqedoni. Po ashtu Shoqëria “LËVIZJA”,  ndër të tjera ka vendosur, në qendër të Prishtinës, banerinën e madh me fotot e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, si dhe po vazhdon të vendosë në gjithë hapësirën shqiptare, të cilat ato do të mbesin monumente historike. Ngaqë LPK-ja ishte organizata, në themelet e sëciës qëndron gjaku i udhëheqësve të popullit kryengritës, i Jusuf e Bardhosh Gervallës dhe i Kadri Zekës. Më tej shoti z. Pllana; duhet theksuar se heroi i kombit, Xhavit Haziri, nga Druari i Vushtrrisë ishte njëri nga veprimtarët më të devotshëm të LPK-së të viteve 80-a e 90-ta. Ai ishte dhe njëri ndër themeluesit kryesorë të UÇK-së, i cili në shtator të vitit 1998 është kidnapuar nga policia sekrete serbe dhe më nuk dihet asgjë për fatin e tij. Po ashtu vlen të thesohet se në Kastriot, në shtëpinë e Sylejman e Rahime Krasniqit, ishte vendosur baza e shtypit, shtypshkronja e Lëvizjes, ku kanë milituar kolosët e Lëvizjes sonë kombëtare-Ahmet Haxhiu, Afrim Zhitia, Fahri e Bahri Fazliu, Fadil Vata me shokë e shoqe.
Në fund të fjalimit, në emër të  Shoqërisë “Lëvizja”,  Xhemail Pllana falënderoi kryetarin Xhafer Gashi dhe stafin e sektorit të kulturës, për mbështetjen e Akademisë dhe për vendosjen e pllakës përkujtimore, te familja e nderuar Krasniqi, e cila u vendos në rrugën “Kruja”. Vendosjen e pllakes e përshëndetën Sabri Kiçmarit, Ramadan Avdiu dhe Shaban Muaj…

Në këtë Akademi, z. Naser Grajcevci në mënyrë kronologjike bëri një përmbledhje të ngjarjeve historike të veprimtarisë, që nga viti 1910-1912, për demonstratat e vitit 1968/81 dhe për luftën UÇK-së. Konkretisht foli për Konferencës e Bujanit 1943/44, kryengritjes së Drenicës, për  procesin e Prizrenit të vitit 1945 dhe për LNDSH dhe për periudhën e udhëheqësit të lavdishëm Adem Demaçin, i cili e sfidoi sistemin policor serb, duke u mbajtur në burg padrejtësisht mbi 28 vite. Gjithashtu foli edhe për grupin e të rinjve “Kosova në Lëvizje” me pas “Kosova e Re”,  që veproi gjatë viteve 1981-1984, të cilët arritën ta botonin edhe gazetën e përmuajshme “PERPJEKJA” nga z. Naser Grajçevci, znj. Akile Dedinca, z. Salih Konjusha, z. Zijadin Bajcinca, znj. Suzana Basha, z. Halit Berisha, z. Nexhmedin Gerguri, z. Bujar Zogijani, znj. Sanije Bullatovci e tj. Gjithashtu, konkretisht foli për UÇK-në, Adem Jasharin dhe për mbështetjen e gjere të popullit. Konkretisht, u fol për rezistencën e Komunës së Fushë Kosovës
dhe të Kastriotit, gjatë luftës së UÇK-së, në mbrojtje të kësaj treve kishte pesë togje ushtarake: Të Bardhit të Madh, të udhëhequr nga komandanti z. Isak Qolli, Togu i Grabocit me komandantin Abedin Sogojeva-Dini, Togun e Hades me komandant Imer Grajcevci, Togu i Hamidisë me komandant Bajram Kelmendin dhe Togu i Grabovcit të Epërm dhe Shipitullës me komandant Fehmi Mjekiqi.
Për veprimtarinë ilegale të vitit 1988-1998 të LPK-së, për këtë periudhë, në pamundësinë të jetë pjesë e akademisë falënderuese, Mustafë Krasniqi dërgoi këtë fjalim: Në emër të shokëve, të cilët janë të pranishëm dhe të atyre që nuk janë të pranishëm për shkaqe të ndryshme, ju përshëndes duke e falënderuar Shoqërinë “Lëvizja”, e cila ka marrë përsipër një aktivitet të rëndësishëm, për t’i respektuar, veprimtarët e “Lëvizjes Popullore të Kosovës” (LPK), veteranët, dëshmorët dhe familjet e tyre. Për këtë veprimtari ilegale e patriotike, për çlirimin e atdheut nga pushtuesit serbosllavë, si shumë këshilla popullore dhe ato të rretheve, që kanë vepruar në të gjitha viset e trojeve shqiptare, ka vepruar edhe Këshilli i Rrethit të LPRK- së (LPK-ës), për Kastriot (ish Obiliq) dhe Fushë-Kosovë, e për një pjesë të Vushtrrisë. Që fillet e këtij organizimi ishin nga viti 1988, ku dhe u vunë themelet e këshillave popullor, përmes Mustafë Krasniqit, i cili ishte në lidhje me Bardhyl Mahmutin dhe më vonë me Ramadan Avdiun, themeloi Këshillin Popullor me veprimtarët: Behxhet Kelmendi, Florim (Xhemail) Kelmendi, Fadil Mirena dhe Ejup Thaçi. Po ashtu, pas shtrirjes së këshillave popullor në fshatrat: Hade, Sibovc, Bardh i Madh, Stanovc, Sllatinë, Shipitullë etj., me kërkesën e qendrës së LPRK-së (LPK), u krijua Këshilli i Rrethit të LPRK-së (LPK-ës) për Kastriot (Obiliq) dhe Fushë-Kosovë, me anëtarët: Mustafë Krasniqi-kryetar, Behxhet Kelmendi, Florim Kelmendi, Ejup Thaçi, Fadil
Mirena, Emin Mirena, Isak Qolli ( dhe me shumë anëtarë tjerë, nëpër Këshillat Popullor). Që gjatë kësaj periudhe filloi rritja e radhëve, me anëtarë të rinj si dhe filluan përgatitje ushtarake. Këto përgatitje, teorike, u bënë në Prishtinë të udhëhequra nga Shemsi Veseli, ndërsa ushtrimet praktike u bënë në Qyqavicë. Këshilli i Rrethit për Kastriot (Obiliq) dhe Fushë-Kosovë, anëtarët e saja ishin në detyrën e veprimit konkret dhe ato propagandues e organizativ. Gjithashtu përfaqësohej në Mbledhjen e Tretë Konsultative në Kollare të Kërçovës, nga përfaqësuesi Mustafë Krasniqi. Pas Mbledhjes Konsultative, Këshilli i Rrethit për Kastriot (Obiliq) dhe Fushë-Kosovë kishte marrë disa aksione konkrete dhe veprimtari tjera kundër politikës pushtuese të ish-Jugosllavisë dhe së voni të Serbisë.
Pas Mbledhjes Konsultative dhe themelimit të GOR-it, filloi periudha e riorganizimi i LPRK-ës dhe ndërgjegjësimi, se pa luftë nuk do të kemi liri. Në këtë drejtim u morën hapa konkretë, ku në Prishtinë -Tauk- Bahqe, nga Xhavit Hazirit u bë ndarja në sektorët ushtarakë, për Këshillin e Rrethit për Kastriot (Obiliq) dhe Fushë-Kosovë. Ndërsa në Mbledhjen e Tretë, që u mbajt në Prishtinë, merr pjesë Ejup Thaçi. Pas kësaj mbledhje u burgosën disa shokë të LPK-së, ndër ta edhe Xhavit Haziri, njëri me të cilin kishte lidhje të drejtpërdrejta me Këshillin e Rrethit të LPK-së për Kastriot dhe Fushë-Kosovë. Kjo trevë historikisht ka dhënë shumë luftëtarë e dëshmorë, në të gjitha luftërat çlirimtare, por edhe si organizatë ilegale e deri në shkrirjen e saj në UÇK i qëndroj besnik çlirimit, e cila i doli
përballë regjimit fashist dhe gjenocidial të Beogradit, që  së bashku me miqtë tanë dhe NATO- n arritëm çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999.

Në fund Shoqëria “Lëvizja” duke i respektuar dëshmorët, heronjtë dhe veprimtarët, ua ndau mirënjohje:
Akile Dedinca-Zhegrovës, Aziz Bicit,
Behxhet Kelmendit, Agron Xhemajlit,
Ahmet Bllacës,Abaz Pllanës, Xhafer
Gashit, Sylejman Qyqallës, Sevdije
Krasniqi-Makollit, Selvete
Grajqevcit, Mustafë Krasniqit, Emin
Kelmendit, Emin Mirenës, Isak
Qollit, Hysen Grajqevcti, Naser
Grajçevcit, Ziajdin Bajçincës, Salih
Konjushës, Xhavit Mustafës, Idriz
Bajçincës, Zeqir Berishës.

Ndërsa, Xhemajl Kelmendi, Fadil Mirena, Arben Krasniqi dhe Sahit Krasniqi, Mirënjohjet i kanë tërhequr në Zvicër.