Vështrim/Analizë

Ibish Neziri: EDHE 25 VJETË PAS RËNIES, PEJËS I MUNGON NJË RRUGË ME EMRIN E ADRIAN KRASNIQIT

Me shkas

EDHE 25 VJETË PAS RËNIES, PEJËS I MUNGON NJË RRUGË ME EMRIN E ADRIAN KRASNIQIT

Peja, qyteti për të cilin jam lidhur prej pak më shumë se 50 vjetësh. Ishte fundvere  e vitit 1972 kur me dëftesën e shkollës fillore, me të gjitha pesa, trokita në dyert e gjimnazit, atëherë „11 Maji“ e tani „Bedri Pejani“ dhe që nga ajo kohë ngado që shkova një pjesë të madhe të Pejës e pata me vete. Aty e krijova edhe emrin tim, aty e krijova edhe identitetin tim, edhe dashurinë e madhe si për çdo cep të atdheut dhe për këtë qytet. Pas Bardhaniqit Peja u bë pothuajse vendlindja ime e dytë. Çdo gjë që ndodhte në këtë qytet më interesonte ashtu sikurse edhe sot. Nuk ka rrugë a rrugicë nëpër të cilën nuk kam kaluar të paktën një herë. Edhe tani njësoj, tamam sikur të isha një bredhacak pa fill e pa cak shetis nëpër rrugët e Pejës kur më ipet rasti e mundësia dhe më duket sikur shpirti më pushon nëpër ato rrugë, por ka diçka që shpirtin ma trazon dhe jo pak. Emërtimët e rrugëve.  Kjo është shqetësuese.

E di se ishte një komision komunal për emërtimin e rrugëve, por shtrohet pyetja nëse e kreu punën e vet apo jo me nderë e përgjegjësi dhe përgjigja nuk mund të jetë ndryshe pos jo, nuk e ka kryer as me nderë e as me përgjegjësi.

Kriteret për emërtime do të duhej të ishin të ashpra, por jo kritere të ashpra, por asnjë kriter nuk ka pasur ky komision, anëtarët e të cilit unë as i njoh e as i di. Ka rrugë që bartin emra që asgjë dhe asnjë vlerë nuk e përfaqësojnë. Ka ermra rrugësh që janë përplot gabime drejtshkrimore, emra që unë nuk mund ta kuptoj se pse janë marrë për rrugët e Pejës, të cilat shpeshherë janë larë me gjak atdhetarësh dhe atdhetarët janë anashkaluar, nga kush tjetër pos nga Komisioni Komunal për Emërtimin e rrugëve, lagjeve, institucioneve dhe janë zëvendësuar me anonimusë…

Në një rrugë të lagjes Dardania ka jetuar për pak vite njëri ndër luftëtarët e orëve të para të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës, Myrtë Zeneli dhe asaj rruge dy-tri herë i është ndërruar emri, por asnjërën herë edhe përkundër propozimeve të banuesve nuk i është vënë emri i Myrtë Zenelit.  Po në këtë lagje ka jetuar edhe ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i pari i rënë me uniformën e lavdishme të kësaj ushtrie Adrian Krasniqi dhe ku me ditë edhe sa të tjerë.

 

Unë në përvjetorin e 25 të rënies së Adrian Krasniqit, më 16 tetor pata shkruar në profilin tim në FB: „Sot familjarët, bashkëluftëtarët, bashkëveprimtarët, miqët dhe shokët, mes të cilëve jam edhe unë, e kujtojnë 25 vjetorin e rënies heroike të Adrian Krasniqit. Sot në sheshin mes Korzës së Pejës dhe Sheshit Haxhi Zeka madhështore ngrihet shtatorja e Adrianit, e cila i jep madhështi dhe e zbukuron qytetin e Pejës, por për turpin dhe faqen e zezë të Komisionit Komunal për Emërtimin e Rrugëve dhe tonin që heshtim, nuk gjendet një rrugë me emrin Adrian Krasniqi.“

Përsëri edhe sot po e riaktualizoj këtë temë dhe po pyes pse nuk u gjend një rrugë në Pejë që ta bartë këtë emër që i bëri nderë Pejës, Kosovës, gjithë hapësirës gjeografike shqiptare?

Të thuhet se është gabim shtypi është më shumë se nonsens, është përpjekje për ta arsyetuar një lëshim, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet dhe nuk mund të jetë i paqëllimshëm. Dikujt i pengon emri i Adrian Krasniqit, dikujt i pengon emri i heroit të Kosovës, dëshmorit të parë të rënë me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e mbase edhe vetë emri Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kur e pata aktualizuar çështjen e mungesës së një rruge në Pejë me emrin Adrian Krasniqi, pat përpjekje aq basurde për ta arsyetuar dhe për të më bindur mua se rruga nga „Duhlia deri te Tranziti e bartë emrin e Adrian Krasniqit“ dhe nuk ishte vetëm një përpjekje e tillë. Dikush tha është shkruar gabim, por gabimi nëse nuk korrigjohet, merr peshë të dyfishtë. Dikush tjetër tha, se është rruga me këtë emër, duke menduar për të njëjtën rrugë. Në Pejë ka rrugë që e bart emrin Ardian Krasniqi dhe me këtë emër quhet rruga nga stadioni i qytetit deri te udhëkryqi në Tranzit. Ka edhe rrugë tjera që e bartin emrin, ta zëmë Ardian Kelmendi, apo edhe ndonjë Ardian tjetër, plotësisht i bindur me meritë, por ku është rruga me emrin e Adrian Krasniqit, pse nuk është një rrugë me emrin e Adrian Krasniqit?

Në përpjekje për të gjetur ndonjë reagim të paktën lidhur me mungesën e rrugës me emrin e Adrianit e gjeta një reagim të OVL së UÇK-së të datës 22 gusht të vitit 2021, por çka pas atij reagimi?

Sigurisht se asgjë. Pejës vazhdon t’i mungoj rruga me emrin e Adrianit, për turpin e të gjithë neve.

Ardian Krasniqi, emër ky që e bartë rruga e lartëcekur mund të jetë dëshmor apo hero, para emrit të të cilit, nëse është i tillë përkulem me shumë respekt, por ku është rruga me emrin e Adrianit.

Edhe një herë po i kthehem „gabimit të shtypit“ gjë që nuk mund të jetë i tillë ngase të dy emrat, Adrian dhe Ardian janë emra të ndryshëm, gjuhësisht krejt në rregull, por nuk është e njëjta gjë dhe nuk mund të dëshmohet se është „gabim shtypi“ e as të arsytohet.

Ky është vetëm një gabim, për bindjen time krejtësisht i qëllimshëm,  para të cilit duhet të turpërohemi përderisa nuk korrigjohet!

Pejës po i mungon edhe 25 vjetë pas rënies rruga me emrin Adrian Krasniqi e ku me ditë edhe sa qyteteve tjera iu mungon rruga me këtë emër dhe emra tjerë të merituar.