Kulturë\Letërsi

Albulenë Halili: Buzmi dhe kërshëndellat

Buzmi Bujar dhe Kërshëndellat
Sipas Profesor Eqrem Çabejit fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi e Majeri e nxirrnin nga latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjëje. Për herë të parë fjala përdoret në veprën e Buzukut “mbas Kreshendellsh”. Budi e përdor në trajtën “Natecë Kërshëndellesë”.
Në Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmëve që para Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rëndom për kremtimin e lindjes së Krishtit, me gjasë është një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.
Cila është tradita e lashtë shqiptare e festës?
Kërshëndellat zëvendësuan festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi është simbol i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera. E nisë jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja e me tambël të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë. Festa e Buzmit, ose Buzmi bujar, është festa pagane e ringjalljes së hyjit Diell, festë që përkon me solsticin dimëror ose mesin e dimrit më 21 dhjetor. Pas datës 22, ku është dhe piku i natës, dita fillon e zgjatet, dhe Dielli “ringjallet” për popujt e veriut, pasi del përsëri në horizont. Në trojet shqiptare njihet si Buzmi bujar dhe rituali është mbajtur gjallë edhe në ditët e sotme. Njihet dhe me emrat festa e mesit të dimrit ose «nata e buzmit» (Dukagjin Nikaj-Mërtur), Kshnellat, Kërshëndellat, ditëknellja (Mirditë), mjedisi i dimrit (Lumë), që bëhet në 24 dhjetor, kur fillon zgjatja e ditës, «kthimi i diellit prej verës». Karakteristikë e kësaj feste është «buzmi bujar», një trung i madh që vihet në vatër dhe ndizet në këtë natë. Buzmi me zjarrin, ngrohtësinë dhe ditën e tij shëmbëllen diellin, prandaj e përgëzojnë dhe e gostisin si të ishte njeri që po u sjell verën.
Kisha këtë ritual të lashtë e zëvendësoi me lindjen e Krishtit duke mbajtur ca nga ritet pagane, por besimi i lashtë ilir ende jeton në trojet shqiptare me një numër shqiptarësh që e festojnë atë sipas ritit të lashtë iliro-arbëror pa marrë parasysh përkatësinë fetare.
Poeti Ndrevashaj i thur vargje kësaj nate:
“O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí
te këto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,
E me duhma t’ortekut ktu për bri!
Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”
Për shumë mote Buzmin e Kërshëndella të bardha!
Gëzuar!

Postimet e fundit !