Komenti

Xh. Gjini: Të thuhet me sa zë kemi (komente ditore)

TË THUHET ME SA ZË KEMI
Pranimi i kërkesës së Serbisë për vendosjen e 1 000 ushtarëve në territorin e Republikës së Kosovës përbën shkeljen, kërcënimin dhe fyerjen më të rëndë që nga përfundimi i luftës shqiptaro – serbe për Kosovën! Pranimi i një kërkese të tillë do të thotë njohje e pretendimeve territoriale shoviniste të Serbisë dhe përkdhelje – joshje e këtyre pretendimeve, por edhe mohim të shtetit të Kosovës! Deklarata se “po shqyrtojmë kërkesën e Serbisë” është fyese për ndjenjat liridashëse, evropiane dhe demokratike të popullit shqiptar! Me këtë deklaratë po shantazhohen liria dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Sjellje dhe deklarata të këtilla po bëhen me qëllim që ta gjunjëzojnë Republikën e Kosovës para presioneve, kërcënimeve dhe ndërhyrjeve brutale të Serbisë shoviniste! KFOR – i dhe as një mision apo organizëm në botë nuk ka mandat ta nxjerr në treg lirinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Mandati i KFOR-it është të garantojë siguri për të gjithë qytetarët, në gjithë territorin dhe të garantojë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në tërë territorin. Kaq është mandati i tij. KFOR-i ka dështuar të garantojë siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovën Veriore. Nën “ombrellën” dhe tolerimin e tij dhe të pranisë tjetër ndërkombëtare Serbia “shpiku” Veriun dhe me strukturat e saj shtetërore bllokon rrugët dhe lirinë e lëvizjes sa herë vlerëson ta bëjë për ta shantazhuar dhe destabilizuar Republikën e Kosovës. Barrikadat e Serbisë në Kosovën Veriore tolerohen dhe “mbikëqyren” nga KFOR-i, EULEX-i dhe një zyrë “simbolike” e UNMIK-ut! Forcat policore dhe ushtarake pengohen të vendosen dhe garantojnë siguri dhe liri të lëvizjes edhe në atë pjesë të Kosovës!! Provokimet, sulmet dhe shantazhet ndaj Republikës së Kosovës po rriten me të vetmin qëllim që Republika e Kosovës të lejojë krijimin e një mini Serbie (“asociacioni”) në tokën e saj ose të heq dorë nga Kosova Veriore!!? Turp i madh për qendrat e vendosjes dhe për “miqtë” tanë! Shumë më turp e faqja e zezë për atë pjesë të mediave dhe politikës së mercenarizuar në Prishtinë, që po i mbajnë “ison” pretendimeve të Serbisë!
Republika e Kosovës (institucionet e saja kushtetuese, legale dhe legjitime) ka qenë dashur dhe duhet t’u dërgojnë notë proteste të gjitha qendrave të vendosjes dhe të bënin punë diplomatike ofanzive kundër pranimit të kërkesës së Serbisë nga KFOR-i, provokimi më i rrezikshēm që nga përfundimi i luftës… Kjo po tregon se prania “ndërkombëtare” në Kosovë është vendosur për t’i frenuar dhe për t’i bërë zap pretendimet dhe ambiciet legjitime liridashëse të kombit shqiptar dhe jo pretendimet dhe ambiciet shoviniste e hegjemoniste të Serbisë në rajon !!
Kosova shqiptare nuk do të duhej të mbyllte sy e veshë në këtë situatë dhe nuk do të duhej të besonte qorrazi, por do të duhej të gumzhinte nga kundërshtim dhe protestat kundër “diplomacisë” së nëntokës, që po vazhdon të luhet në dëm të popullit shqiptar dhe të interesave të tij në rajon…
LUM I FORTI E MJERË I LIGU (I PAFUQISHMI)!
Rasti i Gjykatës Speciale është dëshmia më e mirë se ç’është në gjendje të bëjë i FORTI, nga njëra anë, dhe sa shumë mban shpina e të dobtit (të pafuqishmit), në anën tjetër!! Gjykata speciale për persekutimin dhe dënimin e Luftës Çlirimtare (edhe të luftëtarëve të saj…) u themelua nga “përfaqësuesit” e popullit tonë (të zgjedhur me votën e lirë!) dhe në emër të popullit tonë!! Prandaj, kjo gjykatë speciale (antishqiptare dhe raciste) edhe shqiptimin e dënimeve për luftëtarët e lirisë po e bënë “në emër të popullit”!! Luaje macë kryet e buallit!