Vëllezërit Luma – krenari e Sharrit plak
Të paktë ishin ata të cilët ishin të lidhur aq shumë me vendin e tyre, si ishte Avdilgafur Luma,. Gafuri, apo Gafa, siç e quanin shkurt, Në çdo rast ai i thurte lavde Sharrit dhe fshatit të tij të lindjes, Qafëshqipes, nga i cili nuk mund të largohej asnjëherë. Nuk mund të largohej, sepse në shpirt kishte dashurinë e tij të madhe për vendlindjen dhe për Atdheun, sepse ishte i mishëruar aq shumë me idealin për çlirimin e vendit të tij nga robëria shekullore.
Gafuri ishte i lindur e i rritur në këto anë, në këto male të larta të Sharrit plak, nën Lybetenin plisbardhë, në fshatin e bukur malor. Por, ishte rritur bonjak, me skamje e vuajtje, duke i pasur edhe hallet e familjes në krye. Dhe, jo vetëm të familjes. Ai tashmë i kishte bërë të vetat edhe hallet e Kosovës.
Qysh si nxënës i shkollës së mesme në Kaçanik, duke qenë në grupin e nxënësve përparimtarë e atdhetarë, ai nuk do të qëndrojë anash, nuk do të frikësohet për asnjë çast, por do t’i kushtohet e përkushtohet, me zell çështjes sonë madhore kombëtare. Kështu, edhe futet në organizmat e fshehta të kohës, për ta dhënë edhe Ai kontributin e tij të madh, veçanërisht në propagandimin e ideve dhe të idealeve kombëtare. Dhe, për pikëpamjet e tij atdhetare e demokratike, për veprimtarinë e fshehtë politike, regjimi okupues Gafurin do ta dërgojë në burg, do ta dënojë e do ta torturojë mizorisht.
Burgun e mbajti, por, në vend se të “risocializohet”, ai merr përvoja edhe më të mëdha, mëson në shkollën e madhe të jetës. Njihet e shoqërohet me atdhetarë të shquar të kohës nga e tërë Kosova, kompletohet me përvojë e njohuri, me cilësitë e një revolucionari të vërtetë, i gatshëm dhe i aftë t’i shërbejë Atdheut me forcë e përkushtim në çdo kohë e në çdo vend. Kështu, burgu i bëhet shkollë e jetës dhe e veprimit, që Gafurin nuk mundi ta thyejë kurrë. Përkundrazi, do ta bëjë një patriot edhe më të kalitur e të përkryer.
Pas lirimit nga burgu, për Gafën do të fillojë një kohë tjetër, ajo e marrjes me veprimtari atdhetare, duke e kombinuar shumë mirë veprimtarinë e fshehtë dhe veprimin e hapur, ilegalen dhe legalen. Në të vërtetë, Gafuri i nevojitej ilegales aq shumë, sidomos kur ishte problemi i kalimit të kufirit sapo të krijuar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë. Ky kufi përshkonte, si një gjarpër i zi, tokën tonë andej e këndej vetëm disa qindra metra larg nga shtëpia e tij.
Shumë nga veprimtarët e dalluar, të cilët rrezikoheshin të qëndronin në Kosovë dhe për t’u ikur ndjekjeve, burgosjeve apo vrasjeve, ia mësynin të arratiseshin drejt kufirit dhe patjetër ia mësynin fshatit dhe shtëpisë së Gafurit. Kurse, Gafuri, pa hezituar fare, me ndihmën edhe të vëllezërve dhe të familjes së tij, i mirëpriste dhe u dilte gjithnjë në ndihmë. Gafuri, prandaj, nuk ishte i vetëm në familje që merrej me veprimtari atdhetare. Ai i kishte me vete tre vëllezërit e tij, të cilët ndihmonin në çdo kohë, duke kryer detyra dhe veprime me përgjegjësi të lartë, që ua caktonte vëllai i tyre më i madh. Ato detyra ishin: të përcilleshin andej e këndej atdhetarë të shquar për ta kaluar në mënyrë klandestine kufirin “shtetëror”, për të ndihmuar për bartjen, kalimin dhe strehimin e armëve, që i sillnin me vete ata.
Ishte tërë familja që i ndihmonte. Ishte edhe nëna që u ndihmonte bijve të vet, ishin motrat, ishte edhe nusja e tij, të cilën Gafa njëkohësisht e kishte edhe shoqe të idealit. Por, Gafurit do t’i ndihmonte sidomos vëllai i tij më i vogël, Qani zemërzjarrti, i cili asnjëherë fjalën nuk ia bënte dy. Ai ishte aq i shpejtë e i vendosur, kur duhej të kryente një punë a një detyrë.
Gafuri ishte i angazhuar edhe në veprimtari të hapur politike legale në fshatin e tij dhe në komunë, sidomos pas “legalizimit” të pluralizmit edhe në Kosovën tonë të robëruar. Ishte përfshirë në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në Këshillin Komunal për Financim, në Degën e LDK-së në Kaçanik etj. Kudo ku kërkohej, aty gjendej Gafuri. Sidomos, Ai i mbante lidhjet mes fshatit të tij të largët dhe strukturave komunale në Kaçanik. Në fshatin e tij udhëhiqte të gjitha aktivitetet, si ato politike, ashtu edhe ato humanitare, kulturore, për të drejtat e njeriut etj.
Gafa njihej për urtësi e aftësi organizuese. Ishte tip politikani dhe diplomati, por që aftësitë e tij nuk mundte t’i zbatonte, përveç në biseda dhe në punë konkrete me shokët e tij të idealit e të veprimit. Kështu, si udhëheqës lokal i LDK – së në fshat dhe si anëtar i Kryesisë së Degës në Kaçanik, nuk ishte i kënaqur me punën që bëhej, sidomos me pozicionin politik të partisë, të cilës i takonte. Në prag të luftës së armatosur, partia e tij paraqitej si një parti e vendnumërimit dhe e mosveprimit. Prandaj, edhe e kishte lëshuar atë, i zhgënjyer tej mase, në fillimin e vitit 1998, kur në Kosovë gjithandej po vinte era e luftës, të cilën Ai do ta nuhaste me kohë dhe për së afërmi.
Ishte Gafuri ai që kontribuoi drejtpërdrejt për organizimin dhe zhvillimin e kësaj lufte. Armët dhe luftëtarët e kalonin andej – këndej kufirin me ndihmën e tij. Ai madje merrte përsipër strehimin e armëve të UÇK-së për kohë të caktuar në afërsi të fshatit, në malet e Sharrit. I kishte ndihmuar edhe vet komandantit të UÇK-së, Azem Sylës, pastaj pothuaj të gjithë anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, si Hashim Thaçit, Sokol Bashotës, Rexhep Selimit, Nait Hasanit, Bislim Zogajt dhe kush e di kujt, pasi as vet Ai, për shkak të konspiracionit, nuk ua kishte mësuar emrat.
Pikërisht, duke e parë autoritetin e tij të madh dhe duke e pas parasysh veprimtarinë e tij atdhetare, regjimi okupues serb kishte vendosur ta likuidonte e me këtë akt mizor, ta dëmtonte rëndë Lëvizjen në rrethinën e Kaçanikut e më gjerë. Me gjithë torturat e rënda në hetuesi, Gafuri nuk kishte zbuluar asgjë, asgjë nuk ishte nxjerrë prej tij. Pa fakte relevante, megjithatë, gjyka e instaluar serbe në Prishtinë e kishte dënuar dhe e kishte dërguar në mbajtje të dënimit, me qëllimin e fundit, likuidimin e tij. “Fajet” që i ngarkoheshin ishin krejt të ndryshme nga “fajet” që vërtet i kishte bërë.
Regjimi serb e kishte ditur se NATO-ja do ta bombardonte Burgun e Dubravës, ngase më parë ai u kishte shërbyer si bazë forcave policore e ushtarake serbe. Ndaj, si e tillë, si bazë e forcave serbe figuronte edhe në dokumentacionin që dispononte Aleanca Veriatlantike. Kështu, nga të gjitha burgjet në Kosovë dhe nga ato të Serbisë, regjimi serb i mblodhi të burgosurit shqiptarë, pavarësisht nga vepra e tyre, dhe i dërgoi në Burgun e Dubravës, për t’i bërë kështu, si thuhet, mish për top.
Dhe, vërtet NATO e kishte bombarduar burgun. Nga predhat e saj kishin pësuar rreth njëzet të burgosur. Por, kriminelët serbë të burgut, qofshin ata zyrtarë apo të burgosur, kishin vendosur t’i likuidojnë edhe ata të cilët u kishin shpëtuar bombave të NATO-s. Autoritetet e shtetit okupues serb e kishin organizuar masakrën më makabre, masakrën në Burgun e Dubravës, ku, bashkë me mbi 120 të tjerë, me pushkë snajpere, kishin vrarë edhe Gafur Lumën, trimin e madh të Sharrit plak dhe të Kaçanikut legjendar.
Veprimtaria e Gafur Lumës, për shkak të konspiracionit të thellë të veprimit, nuk ka mundur ende të zbardhet sa e si duhet. Ajo mbetet të zbardhet nga ata me të cilët ka bashkëvepruar. Ndaj, mbesim të shpresojmë se shpejt personaliteti i tij do të paraqitet i kompletuar, çfarë edhe ishte, me të gjitha të bëmat e tij në favor të kauzës kombëtare e të luftës sonë çlirimtare.
Derisa Gafuri ishte burgosur dhe po mbahej nëpër burgje, vëllai tjetër i tij, Qaniu i ri, i ishte bashkangjitur nga të parët radhëve të UÇK-së, të cilat tashmë operonin edhe nëpër malet e Sharrit, në afërsi të drejtpërdrejtë të shtëpisë dhe të fshatit të tij. Qaniu energjik, i kompletuar me idealet atdhetare nga Gafuri dhe familja e tij, ishte gjithnjë në radhët e para, i gatshëm prore të flijohej për Atdhe. Predhat e armikut e zënë në një moment në ballë të luftës dhe e bëjnë Dëshmor të Kombit.
Dy vëllezërit Luma, si të gjithë dëshmorët e kombit, janë bërë sot simbole të lirisë së Kosovës, janë bërë sinonim i jetës në Kosovën e Lirë. Duke i pasur dëshmorët e kombit tregues të rrugës së lirisë, në mesin e të cilëve janë edhe Gafuri e Qaniu, ne duhet dhe do ta ndërtojmë një Kosovë të re e të bukur, ashtu siç e kishin ëndërruar ata, Gafuri, Qaniu e mijëra dëshmorë tjerë të Atdheut e të lirisë.
add a comment