Lëvizja\UÇK

“Kushtrim Brezash”: Konferenca që bashkoi kombin pa dallim ideje, feje e krahine në LANÇ

16 Shtator 1942 – 80 vjet – 16 Shtator 2022
Konferenca e Pezës ngjarje kulmore në historinë e LANÇ të popullit shqiptar
Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” shokut ODHISE PORODINI mbajtur sot në Pezë
Të dashur veteranë e pasardhës të LANÇ,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit qendror, deputetë dhe pushtetit lokal,
Të dashur pjesëmarrës, vëllezër e motra pezakë, si dhe pjesëtarë të familjeve të Dëshmorëve të LANÇ dhe të Dëshmorëve të tjerë të Atdheut!
Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, që, në emër të Kryesisë së Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, t’ju sjell përshëndetjet e
përzemërta vëllazërore dhe urimet më të mira me rastin e 80 vjetorit të Konferencës historike të Pezës dhe 78 vjetorit të Brigadës XXII Sulmuese Partizane, krijuar në trevën e Pezës.
Gjatë këtij viti kemi përjetuar ngjarje të rëndësishme të lidhura me historinë e lavdishme të LANÇ. Të tilla kanë qenë: 80 vjetori i Debatik –ut, viti i Heroit të Popullit – Qemal Stafa, 80 vjetori i rënies së Heronjve të Popullit Misto Mame e Mihal Duri, 79 vjetori i Kongresit historik të Përmetit, 77 vjetori i formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ANÇ, 80 vjetori i çlirimit të Çorovodës, 79 vjetori i daljes në një ditë partizane të 68 vajzave e grave fierake. Më 2 dhjetor të këtij viti do të përkujtojmë 80 vjetorin e vendimit historik të udhëheqësve të Koalicionit të Madh Antifashist Botëror
Anglo – Sovjeto – Amerikan për njohjen e luftës heroike Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë.
Por, e një rëndësie të veçantë, ka qenë e mbetet Konferenca historike e Pezës, mbajtur më 16 shtator 1942 këtu në Pezën heroike, e cila këtë vit mbush 80 vjet.
Konferenca e Pezës, për nga momenti historik në të cilën u mbajt, për nga pjesëmarrësit në të, për nga mesazhet që përcolli ajo dhe, për nga vendimet që mori përbën një ngjarje kulmore e të rëndësishme në historinë e LANÇ e të popullit shqiptar.
Nuk ishte rastësi që kjo Konferencë u mbajt pikërisht këtu në Pezë. Krahina e Pezës, gjithë rrethinat dhe populli i saj kanë një histori me tradita të lashta patriotizmi dhe atdhedashurie, guximi e trimërie, ndershmërie e besnikërie. Këtë ata e kanë treguar në të gjitha periudhat historike, por këto virtyte të larta u shpalosën fuqishëm, sidomos gjatë epopesë së lavdishme të LANÇ, ku, të udhëhequr nga biri i tyre legjendari, Myslim Peza, ngritën të parën çetë antifashiste në Shqipëri e më gjerë, duke u shndërruar në qëndresën e fuqishme të kësaj lufte çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Si e tillë, Peza dhe rrethinat e saj u bënë një mburojë e pathyeshme, për të siguruar zhvillimin me sukses të punimeve të Konferencës historike të Pezës.
Në Konferencën e Pezës për herë të parë u hodhën themelet e pluralizmit shqiptar, për shkak se në përbërjen e saj pati përfaqësues nga të gjitha shtresat dhe rrymat politike të kohës.
E një rëndësie të jashtëzakonshme ishte platforma e hartuar aty nga të gjithë përfaqësuesit, sipas së cilës në luftën kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e vendit do të përfshiheshin të gjitha shtresat dhe formacionet politike të shoqërisë shqiptare, pa dallim feje, krahine dhe ideje, si një thirrje emblematike gjithëpërfshirëse.
Ndër vendimet e rëndësishme që mori Konferenca e Pezës ishte edhe ai i krijimit të Frontit Antifashist NÇ, si dhe krijimi i këshillave ANÇ në të gjithë territorin e vendit, të cilat do të zëvendësonin ato të regjimit të vjetër, si dhe ato të ngritura nga pushtuesit e huaj.
Në zonat akoma të paçliruara, këshillat ANÇ do të mobilizonin të gjitha potencialet njerëzore, materiale dhe ekonomike në ndihmë të LANÇ. Ndërsa, në zonat e çliruara funksionet e tyre do të ishin të një pushteti që do të administronte çdo veprimtari për ruajtjen e rendit dhe atë të rindërtimit etj.
Konferenca e Pezës ka qenë dhe mbetet guri i provës për të gjitha formacionet politike që morën pjesë në të, sepse, me përjashtim të përfaqësuesit të PKSH me Enver Hoxhën në krye, e cila ishte dhe inisiatore e kësaj Konference, që u qëndruan besnik dhe i zbatuan deri në fund
vendimet që u morën aty, përfaqësues të forcave nacionaliste, Legaliteti dhe, më pas, të Ballit Kombëtar i abandonuan ato, dhe, siç dihet, u vunë në shërbim të pushtuesve të huaj nazifashistë, kundër ushtrisë ANÇ dhe popullit patriot shqiptar.
XXX
Një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme e ndodhur në Pezë ishte edhe krijimi i Brigadës XXII Sulmuese Partizane më 18 shtator 1944, në të cilën u përfshin 4 batalione me 1236 partizanë, Brigadë, që brenda pak ditëve, në sajë të një lufte me guxim e trimëri të rrallë, së bashku me popullin e kësaj zone bënë të mundur çlirimin e gjithë krahinës së Pezës. Partizanët e kësaj
Brigade, drejtuar me kompetencë e trimëri të rrallë nga Komandant e Komisar trima e largpamës, të paharruarit Sali Verdha e Tonin Jakova, zhvilluan një sërë betejash të ashpra jo vetëm në disa rrethe të vendit e gjer në çlirimin e Shkodrës më 29 Nëntor 1944, por edhe tej kufijve shtetërorë për çlirimin e vëllezërve tanë kosovarë e deri në Vishegradin e largët. Në këto beteja, ata shpalosën akte të larta heroizmi e trimërie e, ndër ta, i rrallë është rasti i heroizmit i pionierit 14 vjeçar Met Hasa – Hero i Popullit, si dhe i Mine Pezës – Heroinë e Popullit nga rrethinat e Pezës, të cilët, duke dhënë jetën, u ngritën në piedestalin e pavdekësisë.
Duke i përkujtuar me shumë nderime këto ngjarje me rëndësi të veçantë historike, kryejmë një mision të lartë atdhetar. Nga njëra anë, mbajmë gjallë atë epope të lavdishme, gjakun e të rënëve dhe sakrificat e mëdha që bëri populli patriot shqiptar; ndërkohë përcjellim edhe mesazhe të rëndësishme për brezin e ri të vendit tonë, për t’i njohur e frymëzuar nga kjo epope. Ndërsa nga ana tjetër, u japim një goditje e demaskim të fuqishëm neoballistëve dhe neofashistëve, si dhe disa pseudohistorianëve, analistëve e mediave në shërbim të tyre, të cilët këto kohët e fundit kanë ngritur veshët dhe po përpiqen që të falsifikojnë e të denigrojnë LANÇ, luftëtarët e dëshmorët e saj, me qëllim që të rehabilitojnë kolaboracionistët dhe kriminelët e djeshëm dhe që, për çudinë e të gjithëve, në këtë fushatë janë përfshirë dhe disa institucione, që marrin pagë nga taksapaguesit shqiptarë!
Tezat e hedhura kohët e fundit për të ashtuquajturin “dekomunistizim” të Shqipërisë kanë për qëllim goditjen dhe shkatërrimin e simboleve të LANÇ, të luftëtarëve dhe dëshmorëve të saj, por dhe çdo vlerë patriotike të krijuar pas çlirimit të vendit. Por a do ta lejojmë ne këtë veprimtari antihistorike e antishqiptare, si ato që bënë kur erdhën në pushtet pas vitit 1990?!
Kurrën e kurrës! Ata do të dështojnë me turp sikundër etërit e tyre dje, që përfunduan në koshin e plehrave të historisë, si tradhtarë të vendit të vet.
Në demaskimin e tyre, një kontribut të veçantë po japin Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ, ajo e Dëshmorëve të LANÇ dhe e Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, e Invalidëve të LANÇ, e Ushtarakëve në Lirim e në Pension, si dhe e mjaft shoqatave të tjera atdhetare e kulturore.
Por, është e domosdoshme, që, për ta paralizuar këtë fushatë antihistorike e antishqiptare, lipset doemos që të angazhohen seriozisht edhe disa nga organet ligjvënëse e shtetërore, si dhe vet Qeveria.
Lavdi 80 vjetorit të Konferencës historike të Pezës!
Lavdi partizanëve heroikë të Brigadës XXII Sulmuese!
Lavdi Dëshmorëve të Brigadës XXII Sulmuese dhe gjithë Dëshmorëve të Atdheut!
Rroftë populli patriot i Pezës heroike!
Rroftë populli shqiptar!
Faleminderit!