Mërgatë

Mehmet Bislimi: Premtimet e partive politike përballë mërgatës

Premtimet e partive politike përballë mërgatës
Disa nga partitë politike, si LDK, PDK, AAK dhe LVV, kanë vënë në lëvizje
potencialin e tyre politik e njerëzorë, duke dashur që për mes mërgatës të rrisin
reputacionin e tyre, madje të vjelin edhe ndonjë votë aty-këtu, në kohë
zgjedhjesh etj. Tani, sa do të jetë frytdhënëse kjo, mbetët për të parë-
hamendësohem unë, dhe për këtë ka disa arsye të cilat i qëndrojnë aktualitetit.
Para së gjithash, subjektet politike të Kosovës, mërgatën e kanë injoruar, më
thjeshtë e kanë parë vetëm si një levë prurjesh, dhe kjo ka dhënë efektin e
pasivitetit- për të mos thënë zhgënjimit të saj.
Së dyti, ata asnjëherë nuk kanë marrë mundin që mërgatën tonë, ta trajtojnë si
qytetarë të denjë të këtij vendi, për të cilin kanë dhënë aq shumë, duke u nisur që
nga familjet e veta e deri tek obligimet përballë shtetit tonë, madje shumë nga
ata, kanë lënë edhe luksin e Evropës dhe kanë rënë në gjirin e atdheut!
Së treti, mërgata jonë shqiptare gjithandej në dyert e botes së madhe, ka dhënë
shembullin e mirë të punës, shkollimit të fëmijëve të tyre, ka shumë kuadro që
janë shtyllë e shoqërisë atje ku jetojnë, dhe kjo çmohet e respektohet- në fakt sa
gjest i lig ky, kur në vendlindje pameritueshëm fyhen dhe injorohen!
Së katërti, mërgata sot, nuk përfaqësohet askund në Institucionet e vendit, nuk e
ka të drejtën e fjalës, të vendimmarrjes, të qasjes së mundësive të barabarta etj.
Mërgimtari i thjeshtë, fare lehtë e vëren këtë indiferencë pa mbulesë të shoqërisë
sonë e cila mbushët e zbrazët pandërgjegjshëm, vetëm në kohë vjelash e
përvjelash të mërgatës…
Së pesti, krejt e natyrshme, sjelljet e pandërgjegjshme të ndonjë mërgimtari në
vendlindje, nuk pasqyrojnë më shumë së edukatën e tij personale, madje i takon
familjeve tona, pra sojit tonë- fatmirësisht, këta nuk janë shumicë, dhe gabimi
ynë trashanik bëhet kur ne i përgjithësojmë, qoftë edhe për ndodhitë, si:
– “Shihi këta të jashtmit, që janë quar peshë!”…
Së gjashti, ligji i natyrës nuk e kursen as mërgatën, pra gjeneratat-breznitë, kanë
ndërruar edhe atje. Kjo është shumë e logjikshme; lidhja emocionale me
atdheun, ndryshon mes gjeneratave të rritura në dhe të huaj, pa dyshim dallimet
e lidhjes emocionale me atdheun, vërehen edhe në Kosovë!…
Së shtati, mendoj së jetëgjatësia e riorganizimit të njësiteve partiake të shtrira
gjithandej nëpër Lande, Regjione dhe Kantone me degë e nëndegë, nëpër gjithë
shtetet e Evropës, Australisë dhe Amerikës së largët, nuk të jap shpresa afatgjate
për një angazhim politik të qëndrueshëm.

Duke u nisur edhe nga shembulli i dy dekadave të kaluara, së partive politike,
mërgata iu duhet vetëm sa ta kalojnë lumin!- një shembull i keq ky, që ka lënë
shije të hidhur edhe tek brezat që po rriten jashtë atdheut.
Në vazhdim, anëtarët ose simpatizantët fanatik të ndonjërit prej subjekteve
politike, duke dashur që të tregojnë një përkushtim të lartë për subjektin e
caktuar, me mbushjet dhe zbrazjet e mllefit të tyre politik, ata para së gjithash
vrasin këtë riorganizim me dorën e vet- mbase nuk janë të vetëdijshëm për këtë.
Me pak fjalë, çdo përkushtim që bëhet mbi bazën e fanatizmit, është humbës i
arsyes së veprimit pragmatik, dhe është i dedikuar të dështoj.
Si ligj i pashkruar dhe i pashmangshëm; të gjitha këto grupime politike të
organizuara në dhera të huaja, me kohë dhe në kohë, do ta humbin kuptimin e
ekzistencës së tyre, dhe do të pushojnë së vepruari në heshtje, në fakt do të
humbin kuptimin e ekzistencës në vendet e huaja përkatëse, ku ata jetojnë e
veprojnë, dhe kjo është e pashmangshme, përjashto këtu komunitetin kulturor, si
gjuha, tradita, etnosi, melosi, kostumografia, tradita e kuzhinës, ritet etj.
Si përfundim:
Mërgata jonë, dhe pa përjashtim, të gjithë mërgimtarët e botës, në fakt ata
atdheut të tyre nuk i marrin kurrë asgjë. Ata, si edhe mërgimtarët tanë, të të
gjitha kohëve, atdheut i kanë sjellë të mira materiale, politike dhe etike. Mërgata
jonë, nuk do, dhe nuk po kërkon shpërblim për asgjë, jo ngasë ne, ia kemi borxh
moral familjeve dhe atdheut tonë të dashur.
Mërgata kërkon respekt dhe mirëkuptim, edhe kur ata nxjerrin ndonjëherë
dhembjet e shpirtit (pa dashjen e tyre), lëmshi që i është mbledhur në grykë, larg
atdheut me zemër të plasur, ata e thonë me tërë fuqinë e shpirtit:
KOSOVË – ATDHEU YNË I DASHUR!
Edhe Gjergj Kastrioti, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, F. Noli,
Konica e dhjetëra bijë tanë gjithandej tokave shqiptare, ishin të Syrgjynosur,
arratisur e mërguar e nakatosur. Të gjithë këta, sollën përvojat më të mira nga
vendet e zhvilluara, bënë dhe ngritën lartë e më lartë shtetin dhe emrin e
Shqipërisë!…
Gusht, 2022