Shqipëria/Aktualitet

Abas Goxhaj: Kurbeti shokë kurbeti kush vajti dhe nuk mbeti

KURBETI SHOKË KURBETI, KUSH VAJTI DHE NUK MBETI
JETË, O JET’ E SHKURTËR,
GATUAR PLOT HALLE,
HALLALL QË TË GJITHA,
VEÇ MOS KISHTE NDARJE…!
Akrepat e orës porsa regjisrtuan orën 07.20. Hapet pa trokitur dera e shtëpisë! E pabesueshme! Surprizë! Hyjnë djali me nuse dhe me vajzën e tyre 6 muajshe. Kurbetllinj. Vinin nga Greqia. Befasi! Porsa i pamë, nuk e shprehim dot se ç’farë ndjesie na pushtoi. Gëzimi na mori gojën. U perqafuam e u puthëm me mall, por nuk na vinte akoma goja. Qanim. Veç qanim. Qanim nga gëzimi. Ata ishin lotë dashurie përzier me lot malli. Nuk e bënim dot dallimin ce cili lot ishte më i dhimbshëm. Gëzonim dhe shmalleshim, mbasi kishim një vit që nuk i kishim takuar….
Na zgjoi nga ai moment i përhumbur cicërima e mbesës, që na shikonte qetësisht, sikur na kishte parë ç’do ditë dhe sikur na qortonte: ”Ej, gjyshër, jam edhe unë këtu. Kam ardhur edhe unë, mysafiri më i ri në këtë shtëpi, prandaj lerni ata…”, – sikur na thoshte me atë shikim tërë ëmbëlsi e buzëqeshje me kate që buzëqeshja ka te fëmija. Ndriti gjithë shtepia..!
E, gjyshi ,e mori në duar duke i kënduar:
Syri –xixëllonjë
Ndrin në errësirë,
Buzëqeshja –maj
“vrau” pleqërinë..!
Mbas 20 vjetësh kurbet, familarisht në Greqi, për të cilin kam shkruar e kënduar shumë e shumë, më në fund vendosën të kthehen në vatanin e tyre, në tokën mëmë, duke e mallkuar kurbetin:
O kurbet, t’u vëntë zjarri,
Je një brengë që nuk shërohesh,
Je kafashata më e hidhur,
Je një mall, që nuk peshohesh..!
MËMË, qepallat kurrë s’i mbylle,
Të ësht’ arratisur gjumi;
Meraku, mëndjen t’a bloi
Si bregun që bluan lumi..
Sot perjetova e ndjeva, atë që nuk e kishim provuar e ndier më parë, mbasi nuk ishim ndarë më parë kaq gjatë me fëmijët. Ndjeva atë, që nuk e kam hedhur dot në vargje, që prindërit, mbas ëndrrave të trazuara e pagjumësisë, të presin me padurim, të cilëve u tretet syri tek dera, duke pritur t’u vijnë femija nga kurbeti. Kur koha e moskthimit nga kurbeti zgjatet shumë, ndodh që kur vinë, të duken edhe si mysafirë; por, kur të vinë fëmijët nga kurbeti të çelet shtëpia, sepse të ka ardhur gëzimi; të harrohen hallet ngaqë të fluturon zemra prej gëzimit…Për një moment, harron se kjo do jetë një “ëndërr” e shkurtër, por pernjëherësh, vjen pyetja, që e pret me ankth. . . .:
– Sa ditë e keni lejen..?
Sa meson se janë pak ditë, të cilat të duken si pak minuta, gjithë kënaqesia e madhe, e gatuar me ç’mallje e lot gëzimi, sikur venitet; mëndja të shkon tek momenti i keq i ndarjes me perqafime, me puthje e përsëri me lotë, por lotë hidhërimi, lotë ndrjeje; nga ai moment, ata lotë të zjarrtë do të vaditin pemën e MALLIT që do të rritet e do të hedhë shtat në zemër, bile më shumë netëve të pagjuma e me ëndrra gjumëprishëse…
Eh, kurbeti s’është gjë tjetër veç një nëmë e madhe; dhe vjen një ditë dhe prindërit thonë duke psherëtirë:
Male djemtë, po s’i gëzojmë;
Nuse plot, por s’i urdhërojmë
Nipat e mbesat si zogjtë
Veç në ëndër i shikojmë….!
Ndarje, o moj ndarje,
S’na u ndave kurrë,
Çast’ që nuk përtypesh
Katarakt në lumë..!
Kur ndahesh nga MËMA
Prishet edhe HËNA;
Zjarr, gjith’ kraherori,
Gjaku del nga zëmra..!