Lëvizja\UÇK

Shukrie Rexha: Bahri Fazliu – Heroi i LËVIZJES dhe i Shqipërisë

Sot, njëzet e katër vjet..! Dhimbja dhe mosbindja n’a vjen e njëjtë ..!
Hero i Kombit – Bahri Fazliu
(31 gusht 1971 – 7 Maj 1998)
Të kujtojmë Bahri me buzëqeshjen e lehtë e të dlirë në fytyrë, me qëndrimin burrëror dhe mendimet e veprimet konsekuente për çlirim dhe ribashkim kombëtar, me energjinë e pashterrshme për zgjimin dhe mobilizimin e masave, me betimin tënd të dhënë në heshtje, me dashurinë e madhe për atdheun, për njerëzit..!
Me dashurinë e madhe për Rilindasit dhe patriotët shqiptarë, motiv për vazhdimësi..!
Me respektin dhe shkrimet për Jusufin, Kadriun, Bardhin, Rexhepin e Nuhiun, Afrimin e Fahriun..!
Me studimet serioze dhe analizat e historive të popujve liridashës, me dashurinë për shkrimtarët e mëdhenj botëror, me bisedat plotë entuziazëm për Hygon, me at intelektualitet e kulturë që secilin që të kishte pranë e bëje të ndjehej mirë dhe të vlerësuar..!
Të kujtojmë Bahri, me at energji të pashterrshme për çlirim nga pushtuesi serbosllav dhe luftën edhe me penë kundër eleborateve të Çubrilloviqëve e Andriqëve..!
E kujtojmë Bahri, trimërinë tënde edhe në ato netë të thella, kur ti me armën e ngjeshur në brez, i bije kryq e tërthor atdheut për të ngjallur edhe të vdekurit në luftën e domosdoshme për çlirim..!
Ti, bir i zgjuar i këtij populli! Ti, luftëtar e atdhetar i madh!
Sot, 24 vjet dhe dhimbja e mosbindja na vjen e njëjtë..!
Më 7 Maj 1998, në Bjeshkët e Bogiqes, afër Plavës, në trekufirin alogjik shqiptaro-shqiptar, në një luftë të pabarabartë me forcat serbosllave, ra heroikisht militanti dhe luftëtari i lirisë, veprimtari i madh Bahri Rrahman Fazliu. Me gjak ujiti at trekufi shqiptar për ta vulosur idealin e Tij për çlirim dhe ribashkim kombëtar.
Pushkën, penën, çiftelinë e këngën na i la amanet!
Që të tria, të kordinuara mirë, i kishte vënë në shërbim të lirisë dhe sa mirë i zotëronte..!
Një popull u ngrit në këmbë për ta pritur Gëzimin e ilegales së kryeqytetit..! Heshtja ishte e rëndë e në qiell u shfaq një ylber at ditë..!
Sa shumë kujtime..! Sa e freskët dhimbja..!
Jeton në zemrat tona, përgjithmonë i ri!
Shfletohet në faqet e lavdishme të historisë, në breza!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprimtarisë atdhetare të Heroit të Kombit, Bahri Fazliu!
Lavdi gjithë të rënëve për liri e Shqipëri!