Lëvizja\UÇK

Smajl Latifi: Kur një populli i mohohen liritë dhe të drejtatë kombëtare lufta për liri është e drejtë themelore

Sot, në 23-vjetorin e rënies heroike, përkujtuam dëshmorët e kombit, Visar Hoti dhe Safet Latifi, të cilët në kohën kur Kosova kishte nevojë më së shumti, kapën armët dhe luftuan kundër pushtuesit.
(Më poshtë, gjeni fjalimin tim të plotë, që iu kushtua kësaj ngjarjeje)
Liria e mohuar ndaj një populli është padrejtësi.
Padrejtësia ndaj nesh ka vazhduar që nga copëtimi i tokave shqiptare prej fqinjëve grabitqarë e me ndihmën e fuqive të mëdha. Prej vitit 1913 e deri në ditët tona, kur Shqipërisë iu morën me dhunë gjysma e tokave për llogari të fqinjëve, në këtë truall mbeti e pashuar si pishtar përpjekja, rezistenca dhe lufta për liri e bashkim. As vrasjet, as burgosjet, as përndjekjet, as dëbimet e dhunshme, por as masat e egra të pushtuesve ndaj shqiptarëve, nuk arritën ta ndalin rrugën e lirisë. Historikisht, asnjë qëllim i madh, nuk është arritur pa ideal të fortë, pa vendosmërinë për të ecur, pa guximin për t’u përballur me pengesa, vështirësi e rreziqe, pa përkushtimin e bijve dhe bijave më besnike, pa vullnetin për të vepruar të brezave për t’i hequr prangat e robërisë, pa jetën dhe gjakun e luftëtarëve që iu kundërvunë pushtuesve dhe aparatit të dhunës që ata kishin dhe makinerisë vrastare të tyre. Në këtë truall, fara e atdhedashurisë është hedhur nga më të mirët e këtij populli, nga më të guximshmit, nga më të vendosurit, nga më trimat, nga vazhduesit e tyre, nga ata që nuk lanë gur pa lëvizur për ta fituar luftën e gjatë, për ta fituar lirinë.
Historinë e re të luftës së gjatë për çlirim nga zgjedha e robërisë sllave, e shkruan me përpjekje të mundimshme, me guxim dhe pa ngurrime, djemtë e ri të brezit të luftëtarëve që nuk kursyen, as mundin, as jetën dhe as gjakun, për liri. Është brezi i Visarit, Safetit e shokëve të tyre, të cilët ishin të përcaktuar që me armë në dorë të luftojnë kundër pushtuesve të cilët kishin epërsinë e madhe si në pajisje edhe në armatime, për të na mbajtur nën zgjedhë. Brezi i Visarit dhe Safetit, Sahitit, Naserit, Lulit, më herët i Jahës e i Shkelzenit e shokëve të tyre, kishin ëndrrat dhe planet e tyre, por ata u përcaktuan deri në fund të ecin rrugës për ta bërë realitet çlirimin – toka të bëhet e lirë e shqiptarët e këtij nënqielli të jetojnë, të ëndrrojnë, të punojnë e të ndërtojnë jetën e tyre, pa frikën e kërcënimit nga pushtuesi.
Visari, Safeti dhe shokët e tyre, edhe mund të zgeidhnin rrugë të tjera, siç edhe ndodhte në ato vite të rënda e të pashpresë. Mirëpo, Safeti, Visari me shokë, zgjodhën t’i mposhtin vështirësitë, duke u organizuar në Lëvizjen tonë Kombëtare, që synim kishte të bënte luftën për liri me armë, për ta fituar paqen e vërtetë populli ynë. Shokët e organizuar në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, vepronin në rrafshin e sqarimit dhe vetëdijësimit, se Serbia do të largohet nga Kosova, vetëm përmes luftës sonë të armatosur. Djemtë e kësaj treve, e bënë Lëvizjen çlirimtare të fortë e të organizuar, sepse e kishin me një mendje. Visari, Safeti e bashkëveprimtarët e tyre të rreshtuar drejtë e në vijën e organizimit të luftës, kishin barrë të rëndë e detyra të vështira. Por, pa këtë ndërmarrje të organizuar të djemve që punonin err e terr, lufta jonë çlirimtare do të ishte edhe shumë më vështirë.
Veprimet e organizuara për t’u përgatitur lufta, ishin edhe të vështira, edhe të lodhshme, edhe me plot rreziqe. Shpërndarja e Çlirimit, natën, në kohë të caktuar, lëvizjet nëpër fshatra, në qytet e në komuna të tjera, vetëm ata që i kanë kryer këto detyra të domosdoshme, dinë t’i shpjegojnë dhe me siguri kanë rrëfime e kujtime të paharruara. Pritjet dhe përcjelljet në zonën kufitare, lëvizjet dhe qarkullimi me armatime në zona të kontrolluara e nën vëzhgimin e rreptë të forcave armike, nuk i ndaluan dot djemtë e Lëvizjes Kombëtare që të veprojnë si bartës e pjesëmarrës në kryerjen e detyrave për çlirimin e Kosovës. Pa këta djem që bënin veprime politike, propagandistike e shpërndanin rreze çlirimi, pa veprimet organizative dhe veprimtarinë ilegale të tyre, as nuk do të kishim armatime, as municione dhe as veprime të suksesshme luftarake çlirimtare. E, 18 prilli 1999 na dëshmon një shenjë dhe vulë trimërie ku Zatriqi po mbrohej nga luftëtarët e lirisë, që me aktin heroik të tyre nderuan veten dhe luftën, pasuruan traditën e luftarake të shqiptarëve dhe i dhanë jehonë këtyre bjeshkëve, pa u tundur për së gjalli nga pozicionet e veta përballë armiqve të tërbuar, i cili i vrau me nga një plumb nga largësia, sepse nuk mund t’i vrisnin trimat tanë nga afër.
Historia e luftës çlirimtare, e UÇK-së dhe djemve të kësaj lufte që mundësoi lirinë, na shërben për të marrë energji të reja nga vepra e dëshmorëve që e vulosën emrin e tyre. Për Visarin e Safetin dhe veprimtarinë e tyre dhe trashëgimia që lanë për ne, është e gjallë, e prekshme dhe jeton gjithmonë. Te Visari e Safeti, te dëshmorët dhe heronjtë, kemi shembujt më të mirë të vlerave tona njerëzore, morale dhe kombëtare. Institucionet tona kanë shumë punë për të bërë derisa të sigurohemi, se ato kurrë nuk do ta braktisin të kaluarën tonë, porse punojnë dhe bartin mbi supe barrën e ndërtimit të një të ardhmeje siç e projektuan bijtë dhe bijat, që derdhën gjakun në themelet e lirisë. Bashkëluftëtarët e Safetit e Visarit, e mbajmë mend mirë, se dikur përkushtimi, vullneti, gatishmëria dhe vendosmëria për t’i shërbyer atdheut dhe popullit, i dha kuptim ndryshimeve vendimtare të cilat sollën lirinë e më pas edhe pavarësinë, sovranitetin, të cilat tashmë e kanë garanci shtetin tonë. Dikur shquheshin gatishmëria për të çarë përpara me dinjitet, pa u thyer pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve që i dilnin atdhedashësve në rrugën e lirisë. Të tillë janë Visari dhe Safeti dhe shokët e tyre, të cilët qysh në moshë të re na kujtohen mirë, se si ishin skalitur në mendjen dhe shpirtin e tyre qëllime dhe ideale të larta. Përpara misionit rrugëtuan krenar, ballëlartë dhe pa u dorëzuar asnjëherë. Rininë e tyre ia falën duke përshkuar rrugë të mundimshme, me vetëdije, e më 18 prill 1999 bien heroikisht në logun e nderit duke luftuar me formacione të organizuara serbe, të cilat me djallëzi kishin qëllim të futeshin në pozicionet e UÇK-së në Zatriw. Visari dhe Safeti u bënë mburojë e pakapërcyeshme për armiqtë, e në përleshje të ashpër ata ranë duke luftuar dhëmbë për dhëmbë.
Sa herë që kujtojmë vitet e kthesës së madhe, zhvillimet e rëndësishme që përmbysën pushtimin e gjatë fizik e shpirtëror të popullit tonë, na sfidojnë vlerat e kombit, mundimet e panumërta, gjaku i trimave që derdhej për të dalë Kosova nga kthetrat e grabitqarëve që vranë, prenë dhe shkatërruan jetën e një populli të lashtë. Nga vuajtjet dhe mundimet, asnjëherë nuk u shua shpresa dhe vullneti për liri. Sa e sa herë u ngrit ky popull për ta fituar të drejtën për liri, të drejtën për të jetuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tij në trojet e veta!
Visari dhe Safeti i takojnë atij brezi të luftëtarëve të gatshëm për përballje me të keqen deri në vetëmohim, për kryengritjen e armatosur çlirimtare. Prandaj, lufta çlirimtare ka vlerën e madhe. Në gjerdanin e luftës sonë japin shkëlqim gurët florir i- dëshmorët. Të përkushtohesh aq mirë në një moshë kaq të re, siç ishin Safeti dhe Visari dhe shokët e tij të idealit, duke i lënë mënjanë ëndrrat djaloshare dhe të hidhesh në aksionin e vështirë, kur jeta jote i nënshtrohet vdekjes për çlirimin e vendit, vërtet është nder, burrëri, kurajë dhe detyrë aspak e lehtë.
Visar Hoti ishte djalë i ri, i zgjuar dhe i etur për dije. Nxënës i mire, i dalluar, i veçantë në sjellje dhe shumë energjik në përhapjen e ideve çlirimtare. I gatshëm për të hyrë në veprime të vështira. Atij nuk i mjaftonin detyrat që i kryente sepse gjithnjë kërkonte më shumë, shumë më shumë. Në mesin e studentëve dallohej për aktivitete të shumta që kryente në shpërndarjen e Çlirimi-t në popull. Para se të bëhej student i fakultetit ekonomik në Prishtinë, e kaloi kufirin e padrejtë që me dhunë e kishte ndarë nënën Shqipëri me Kosovën, për t’u regjistruar në Tiranë. Mendjen e kishte të regjistrohej në akademi ushtarake në Shqipëri – ky profesion i flinte në shpirt dhe mund t’i shërbente më shumë dhe më mirë atdheut tonë. Nuk pati sukses që të regjistrohej në Tiranë. E, Prishtina për Visarin dhe atdhetarët e tjerë, shokë të tij, ishte mundësi për të studiuar, por përtej kësaj, shfrytëzohej si mundësi e lidhjes me studentë e shokë nga viset e ndryshme të Kosovës. Visari u bë tashmë pjesë përbërëse e organizuar e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, duke qenë njëkohësisht edhe një djalë që lëvizte natën e ditën për të organizuar liridashësit në rrugën e luftës për çlirim. Fakti që kishim besim te Visari dhe shokët me të cilët ai nuk ndahej, do të thotë se Visari nuk iu bashkua luftës për çlirim, por ishte pjesë përbërëse ndërtimit të bazës për luftën çlirimtare. Me angazhimin e tij konkret, arriti që të bëjë pjesë aktive në rrugën e luftës shumë shokë e bashkëmoshatarë të tij. Kjo ia shton peshën dhe vlerat e Visarit, i cili sakrifikojë veten në moshën e re për t’u bërë shembëlltyrë i një burri të pjekur para kohe, për të jetuar ndër breza vepra e tij atdhetare.
Safet Latifi, djalë që s’fliste shumë, por sjellja e tij dhe veprimtaria e vazhdueshme në shërbim të luftës çlirimtare, mbetet një dëshmi e fortë e atdhedashurisë dhe besnikërisë për t’i kryer detyrat e një luftëtari të lirisë, me faqe të bardhë e me nder. I mishëruar me veprimtarinë e fshehtë të LKÇK-së, ai nuk u ndal së vepruari për përballimin e ashpër me Serbinë. Për të kryer detyrat atdhetare, ai ka shtegtuar maleve, kodrave, shtigjeve që çonin në rrugën e vetme të drejtë, rrugën e lirisë, duke e hedhur çdo hap me dinjitet, vendosmëri, guxim dhe motiv të madh. Mbante lidhje të vazhdueshme me shokët, pavarësisht sa larg ishin ata dhe sa të rrezikshme ishin të mbaheshin lidhjet. Di që shpesh ka ndodhur që Safeti – Zeneli nisej me detyra për furnizime me armë e fishekë të bazave ilegale të luftës, në kohën kur mund të priste vdekja nga pushtuesi: në shtëpi, në rrugë, në arë e kudo tjetër. Safeti ishte prej djemve të Lëvizjes sonë Kombëtare që ka kaluar një mal pengesash deri në fillimin e luftës së armatosur, duke vazhduar përpjekjen me pushkë në dorë, kudo që kishte nevojë, e pas 12 majit 1998 edhe si luftëtar shembull në UÇK. Një luftëtar i ri në moshë, por i bujshëm në veprimtari atdhetare çlirimtare, siç ishte Safeti, skaliti emrin e tij në bjeshkën e Zatriqit, ku së bashku me Visarin, me zemër dhe pushkë çanë mjegullën dhe të ftohtët e mëngjesit, por jo edhe rrethimin, ngase ranë duke luftuar trimërisht, për një rreze dielli – për diellin e lirisë që po na ngroh të gjithëve, për gati 23 vjet.
Safeti, Visari – të gjithë dëshmorët e lirisë, janë mësimi më mirë, se si duhet të përballemi me të keqen pa u dorëzuar asnjëherë, se si të shkrijmë fuqinë dhe dijen tonë për ta çuar përpara Kosovën, se si duhet të jemi shembull në aksion, se si nuk duhet lëshojmë pe dhe as të flemë të qetë, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm. Visari e Safeti besonin thellë në drejtësinë e luftës çlirimtare, besonin në vetvete dhe ishin të bindur se nga lufta jonë, nga lufta e UÇK-së, Kosova do të fitojë – atdheu do të çlirohet nga pushtimi sllav.
Le të na shërbejë vepra e tyre lajtmotiv për të çarë përpara të gjithë ata që duan të japin shembullin e vet duke i shërbyer pa hile dhe pa hamendje atdheut dhe kombit. Vërtet, Visari dhe Safeti e dëshmorë të tjerë, nuk lanë fëmijë, nuk patën jetë bashkëshortore, por vepra e tyre është kurorë ndër breza, që të kenë lumturi dhe ta gëzojnë jetën në liri. Lavdi!