Tefta Cami: Fjala e mbajtur në Institutin Albanologjik në përvjetorin e vdekjes së Ymer Jakës
DISA VLERËSIME NË INSTITUTIN ALBANALOGJIK NË PRISHTINE ME RASTIN E SESIONIT SHKENCOR TE ORGANIZUAR PER 10 VJETORIN E NDËRRIMIT TË JETËS TË TË NDIERIT YMER JAKA
Prishtinë,më 12 dhjetor 2019
Falenderoj drejtorin e Institutit Albanalogjik, prof. dr. Hysen Matoshin për ftesën, për të marrë pjesë në sesionin shkencor të organizuar me rastin e përkujtimit të 10 vjetorit të ndërrimit të jetës të të ndierit prof. dr. Ymer Jaka.
Çdo individ vlerësohet e mban përgjegjësi për punën, që bën e kontributin, që jep në kuadrin e sistemit politik, ekonomik e social dhe të politikës globale, që i ka takuar të punojë sipas principit sa dhe si i ka shërbyer vendit e popullit të tij. Individi s’e zgjedh sistemin, ndërsa sistemi e zgjedh individin, për t’u paraqitur sa më i besueshë ndaj popullit, kombeve dhe kombësive..
Në këtë kuadër e kam parë e vlerësuar prof.dr. Ymer Jakën, bashkëpunëtorin, shokun dhe vëllain tim, duke e vështruar në kohë dhe hapsirë. Atij i takoi të punonte në kohën e sistemit politik titist, kur Kosova ishte Krahinë Autonome e Republikës së Serbisë në kuadrin e RSFJ. Ne të dyve na takoi të punonim e bashkëpunonim në dy sisteme të kunderta politiko-shoqërore, megjithese ishim e jemi një komb dhe një etnokulturorë.
Ymer Jaka dhe unë e gjetëm rrugën e nisur të bashkëpunimit midis RPSSH dhe KSAK në fushat e arsimit, të kulturës, të shkencës dhe sporteve që nga viti 1968. Por, ne i zgjeruam dhe i intensifikuam akoma më tej marrëdhëniet institucionale me e pa protokolle e marrëveshje, si dhe drejtpërdrejtë, që ndikoi në shkrirjen e akullit e të ftohtësisë, që ishte krijuar nga ndarja për shumë vite e shqiptarëve përtej Drinit me shqiptarët këtej Drinit. (Me ka mbetur ne mendje ende thenia e te ndierit akademikut Pajazit Nushi gjate pritjes qe me beri si ministre se, “duhet te kapim kohen e humbur”. Vertete qe kishim kaluar shume vite shkeputjeje dhe, nese do te vazhdonte, do te ndodhte ndarja e perhereshme.
Si e kam njohur të ndjerin Ymer Jaka gjatë viteve të bashkëpunimit:
-Prof.dr. Ymer Jaka sintetizonte cilësitë e një patrioti të kohës, që kishte një strategji të qartë në interes të të gjithë shqiptarëve, që përfshiheshin në RSFJ, duke përfshirë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës. Programi i tij kishte karakter gjithëpërfshirës mbarëkombëtar. Ai synonte e shfrytëzoi të gjitha kushtet e mundësitë, që jepte kuadri ligjor i Kushtetutës jugosllave të vitit 1974, politikën e jashtme liberale të RSFJ,si dhe teorinë e praktikën e vetadministrimit dhe punoi që t’i tejkalonte ato gradualisht e që të dukeshin e zhvilloheshin marrëdheniet me RPSSH si të natyrëshme e normale.
-Ymer Jaka më ka parashtruar që, ne në Shqipëri të ishim më të hapur, për të pranuar vlerat që krijoheshin e realizoheshin nga inteligjenca krijuese shqiptare në Kosovë e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, si nga inteligjenca shkencore, ashtu edhe nga ajo letrare e artistike. Në Shqipëri e gjithë krijimtaria letrare e artistike përshkohej nga rryma e realizmit socialist, si dhe metoda nga udhehiqeshin studimet shkencore kishin karakter materialist. Ndërsa në Kosovë e viset e tjera shqiptare krijuesit praktikonin edhe rryma të tjera moderniste.
-Prof.dr.Ymer Jaka kishte një kulturë frankofone dhe njihte e qe influencuar nga iluministët francez, të cilët me idetë e tyre, patën ndriÇuar Rilindjen europiane. Ai njihte mirë edhe idetë e rilindësve tanë të mëdhej dhe,në kushtet e reja në të cilat u gjendën shqiptaret në 40-vjetëshin e fundit të shekullit të kaluar të XX-të, ai e shikonte të gërshetuar veprimtarinë kulturore e arsimore me veprimtarinë politike, si një nga veÇoritë e rilindësve tanë. Prandaj ai u jepte prioritet zhvillimit të arsimit e të kulturës kombëtare në nivel bashkëkohor në të gjitha trevat shqiptare në RSFJ, për ndriÇimin e mendjes së shqiptarëve dhe ringritjes së ndërgjegjes kombëtare, për të punuar e krijuar në interes të përbashkët mbarëkombëtarë dhe për të arritur në një administrim shtetëror të lirë e të pavarur. Ai kishte krijuar një atmosferë, që profesorati nga Shqipëria i UT dhe i Instituteve të Larta të plotësonin 80% të programit mësimorë dhe të përdoreshin tekstet e sistemit arsimor të Shqipërisë në të gjithë sistemin arsimor të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Vinin e i merrnin Çdo vit tekstet në Shqipëri dhe pasi i pastronin nga politizimet, i përdornin në shkollat e tyre. Merrnin literaturë shkencore e letrare dhe artistike nga Shqipëria. Jepeshin filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”. Koncetet e Ansambleve, Trupave të teatrove, të Ekipeve sportive, të Ekspozitat e arteve figurative, Konferencat shkencore e të tjera aktivitete nga Shqipëria krijonin një atmosferë entusiazmi shpërthyese në Kosovën e atyre viteve, që kanë ndikuar në ringritjen e ndërgjegjes kombëtare të brezit të ri dhe të të gjithë popullsisë shqiptare përtej kufirit.
Lufta dhe përpjekjet e asaj periudhe pati ushtarët dhe komandantët e saj, pati drejtuesit e frymëzuesit e lirisë e pavarësisë të Kosovës kreshnike. Ndër ta ishte edhe Ymer Jaka.Ajo periudhë pati edhe dëshmorët e saj, pati shumë që u ndoqën e persekutuan, u burgosën dhe u flijuan e derdhën gjakun për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
– Ai kishte vizione të reja bashkëkohore për zhvillimin e arsimit e të kulturës, Çmonte vlerat kuturore e shkencore, që kishin krijuar e krijonin kombet e kombësitë e tjera dhe ishte i hapur për të marrë e shfrytëzuar të gjitha vlerat botërore në interes të kulturës kombëtare.
Me misionin e shkollës e të kulturës e shkencës kombëtare shqiptare dhe të misionarëve të tyre, si dhe marrëdhëniet arsimore e kulturore me RPSSH shpjegohen edhe lufta e përndjekjet, që u bëheshin misionarëve patriotë në Kosovë nga shovinizmi serbomadh dhe yzmeqarët shqiptar lakej të tyre. Me të filluar protestat e demostratat e studentëve të UP dhe të shkollave të mesme në Prishtinë me kërkesa për përmirësim kushtesh nëpër konvikte në fillim dhe më vonë me kërkesa politike me parRullën :”Kosova Republikë”, i detyruan të japin dorëheqjen drejtuesit shtetëror të sektorit të arsimit dhe kulturës në Kosovë si Ymer Jakën, Pajazit Nushin e të tjerë drejtues institucionesh arsimore e kulturore si rektorë e drejtorë, pedagogë e shefa departamentesh e tjerë, duke i lënë pa punë. Janë të pafund dhuna e persekutimet, burgimet e bastisjet e shtëpive, djegiet e librave shkollore, letrare e shkencore shqipe si në mesjetë, apo vrasjet e pjesëmarrësve në demostrata.
-Ymer Jaka përfaqësonte gjakovarin me inteligjencë të gjërë e interesa sa shkencore, po aq popullore, që dinte të vlerësonte vlerat, por dinte të dallonte e pastronte antivlerat.
E njoha si një personalitet të menÇur, të matur e të ekuilibruar dhe me inisiativë e të guximshëm, kur duhej t’i shprehte ato. Për Çdo gjë ai përdorte arsyen dhe argumentet e pakundërshtueshme. Në konfidencë për përfitimet që kishin nga zbatimi i Kushtetutës të vitit 1974, ku Kosova ishte Krahinë Autonome në kuadrin e Republikës së Serbisë, më ka shpjeguar se, zbatimi i sistemit te vetadministrimit po shkon drejt decentralizimit të të gjitha strukturave ekonomike, partiake e shtetërore dhe, me siguri, do të përfitojmë edhe ne shqiptarët. Kjo do të Çojë edhe në dobësimin e tutelës e të paternalizmit të Republikës së Serbisë mbi Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në RSFJ si në linjë partiake e shtetërore, ekonomike, kulturore e sociale. Tani ne shqiptarët po po përpiqemi të përfaqësohemi në nivelet partiake e shtërore, ekonomike e sociale. Ne po përpiqemi, që ta shfrytëzojmë vetadministrimin në interes të shqiptarëve.
-Ymer Jaka përfaqsonte modelin e hulumtuesit skrupuloz, që zgjodhi e trajtoi temën kombëtare, duke e trajtuar e interpretuar me kritere shkencore dhe duke nxjerrë konkluzione të argumentuara e gjithmonë aktuale. Studimet e botimet e tij janë cilësore dhe janë e do të jenë pikë reference për studiusit e sotëm e të ardhëshëm.
– Ymer Jaka ishte vizionarë. Ka përkrahur e mbështetur inteligjencën krijuese e shkencore. Ai ka orjentuar e kërkuar, që të kapen e trajtohen problemet e tema me karakter kombëtar, me qëllim që inteligjenca shqiptare të hulumtonte e afirmonte tema kombëtare, për të ndriÇuar me argumente shkencore periudhat epokale të historisë e kulturës tonë dhe për t’ua bërë të njohur opinionit të brëndëshëm dhe atij ndërkombëtar. Ka bërë përpjekje, për t’u krijuar kushte pune dhe mundësi hulumtimi e krijimtarie brenda e jashtë Kosovës dhe kanë pasqyruar vlerat më të arrira në simpoziume e konferenca shkencore, në botime, në skenat e teatrove e të koncerteve, në ekspozita e festivale, në kinematografi etj. Të gjitha këto vlera kanë shërbyer e vazhdojnë t’u shërbejnë njohjes e afirmimit të të vërtetave historike kombëtare që nga lashtësia e deri në ditët tona.
-Ymer Jaka i ka kuptuar e nuhatur dhe, për vetë pozicionin e tij, i ka përkrahur e mbështetur inisiativat e rinisë studentore e shkollore në Kosovë, të cilët kërkonin të realizoheshin kërkesat legjitime të fitimit të lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, që të ishin të barabartë me të gjitha kombet e kombësitë e tjera në RSFJ, duke e shpallur Kosovën Republikë në kuadrin e RSFJ. Ishte koha e ishte krijuar bindja dhe po vinte momenti i duhur drejt luftës për Çlirimin e pavarësinë e Kosovës bashkë me viset e tjera shqiptare në RSFJ. Lufta për Çlirimin e pavarësinë e Kosovës e nisi rrugën e saj që me demostratat e vitit 1968 dhe veÇanërisht të vitit 1981 me parrullën “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë” me idenë,” o me bisedime, o me luftë”, që filloi armatosja e popullsisë dhe përfundoi me Luftën Çlirimtare të UÇK e NATO-s në vitin 1999 dhe më pas me pavarësinë e Kosovës, me fitoren zulmëmadhe të shqiptarëve në fillim të shekullit XXI.
– Ymer jaka mbartëte vlera krijuese të një studiusi e akademiku, që referonte në nivele shkencore dhe dëgjohej me vemendje si nga studentë ashtu edhe nga profesorë e akademikë. Ai mbartëte edhe vlerat e një personaliteti të thjeshtë, që dinte të ulej e të bisedonte gju më gju edhe nëpër konaqe e oda të burrave dhe shquhej për mendimin racional e të matur, si dhe aftësinë për të zgjedhur e këmbyer sentencat më më vlerë.
-Ymer Jakën e njoha dhe e kujtoj me shumë nderim e respekt si një personalitet të shquar, që ishte i mprehtë e inteligjent, i menÇur e i matur, i thjeshtë e buzagaz, i fjalës e i besës, i përkushtuar ndaj Çeshtjes shqiptare mbarëkombëtare.
Më vjen mirë për vlerësimin e disa kuadrove e të intelektualëve, që punuan gjatë sundimit titist. Në grupin e parë, hyjnë ata, që i shërbyen Çeshtjes kombëtare në ato kushte, ku përfshihet Ymer Jaka e disa të tjerë.
Tefta Cani-Cani
Ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës të RPSSH
Prishtinë, më 12 dhjetor, 2019