Reagimi i Heroit të Mendjes, Rexhep Qosja, kundër atyre që do të donin ta përjetësonin copëtimin e Shqipërisë e të kombit shqiptar është me vend. Kosova dhe çdo pëllëmbë e tokës shqiptare në Iliri (Deri aty ku bukës i thonë bukë e ujit ujë) është Shqipëri dhe në Shqipëri. Rrjedhimisht edhe Kosova dhe trojet tjera Verilindore janë në Shqipëri. Republika e Shqipërisë përfshin vetëm një të tretën e Shqipërisë. Pavarësia e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 ishte Shpallur për Shqipërinë që përfshinte mbi 90 000 km katrore… Shtetet fqinje, me miratimin e Fuqive të Mëdha, pushtuan dhe shkëputën me zjarr e hekur nga TRUNGU dy të tretat e Shqipërisë. Prandaj, Lëvizja Kombëtare Shqiptare u përpoq me penë e me pushkë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre me TRUNGUN – shtetin AMË. Edhe Lufta Çlirimtare e LPK – UÇK – së dhe e kombit shqiptar u bë për çlirimin e tokave të pushtuara nga Jugoserbia dhe bashkimin e tyre me Republikën e Shqipërisë. Ky ishte dhe mbetet vullnet i një Atdheu dhe një populli të copëtuar dhunshëm, me terror, masakra e gjenocid. Kosova e deshqiptarizuar nuk është dhe nuk do të jetë kurrë vullnet dhe as interes i popullit të saj shqiptar. Kosova është Shqipëri dhe në Shqipëri. “Kosovarizimi” i saj ishte dhe mbeti dëshirë dhe vullnet i shovinistëve pushtues dhe i armiqve të kombit shqiptar. Shqiptarët kanë një ATDHE, një gjuhë e një flamur, një Shqipëri. Nuk ka dhe s’ka si të ketë shqiptarë pa Shqipëri. Ata që Kosovën e konsiderojnë “atdhe të vetëm” deri dje e konsideronin Kosovën dhe popullin e saj shqiptar pjesë të Jugoserbisë dhe Jugosllavinë e Tito-Rankoviçit atdhe të tyre, ishin “patriotë jugosllavë”!! Prandaj, siç u shemb Jugoserbia e tyre do të shembet edhe “projekti” i tyre për një Kosovë të pavarur nga TRUNGU i saj, Republika e Shqipërisë… (Redaksia e GL)
Një a dy Atdhe i kanë shqiptarët?
Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!
Gabim i dyfishtë.
Fjala At- dhe vjen prej fjalës toka, dheu i babait, i gjyshit, i stërgjyshit. Dhe i të parëve të tjerë.
Prejardhja, domethënia dhe kuptimi i fjalës At – dhe nuk lidhej me shtetin, siç lidhet sot në disa vende, më të vogla, më të reja, a më të mëdha, por lidhet me babanë, me atin, me gjyshin e stërgjyshin.
E Kosova, toka e saj, banorët e saj ishin gjatë, me shekuj, me mija vjet pjesë tokësore, gjeografike dhe demografike, e tërësisë gjeografike dhe etnike ilire, arbërore, shqiptare. Kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk e ka vendosur Zoti, as shqiptarët, por pushtuesi shekullor – Serbia!
Pse e thotë dhe e rithotë tash, pa ia kërkuar kush, se Kosova është i vetmi Atdhe i yni? A nuk është më e drejtë, më e drejtë dhe më e arsyeshme shkencërisht dhe etnikisht dhe historikisht të thuhet sot se Kosova, Kosova e Shqipëria janë Atdheu i ynë, janë dy Atdhetë tanë? Po, po, padyshim: Po.
Ata që thonë se Kosova është i vetmi Atdhe i yni janë, për fat, në numër shumë e shumë më pak sesa ata që e thonë, që e mendojnë dhe që e ndiejnë, se Kosova dhe Shqipëria janë Atdheu ynë. Dhe do të jenë Atdheu ynë, i pëlqeu a nuk i pëlqeu pakicës së papërfillshme, edhe kur gjendet në karrige të përfillshme.
Nuk ka dyshim se edhe për pasardhësit e atyre që thonë sot se Kosova është i vetmi Atdhe i tyre, pashmangshëm do të vijë dita kur do të thonë se Shqipëria e bashkuar me Kosovën, se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, është Atdheu i tyre, siç ishte kurdoherë. Mospajtimi me këtë ideal kombëtar domethënë mospajtim me kohezionin shpirtëror, shoqëror, moral e kombëtar të shqiptarëve që është kusht i zhvillimit e i përparimit të tyre.
Të thuash, prandaj, siç thotë ajo se Kosova është i vetmi Atdhe i yni, domethënë të bësh atë që e ndëshkon e përtashmja dhe historia kombëtare: veprim kundër vetvetes!
add a comment