Arkiv / Ripublikim

Ismail Gashi: Fletë ditari nga ditët e bombardimeve të NATO – s

Nga ditari
 
Më 25 mars 1999 / e enjte / ,-   Me të filluar të sulmeve të mbrëmshme, shqetësimi serb ishte i madh. Ngjarjet e mbrëmshme nuk mund të shënohen në pak rreshta e faqe. Sot po duket se kjo nyje e kulturës Ilire-Dardane-shqiptare, nuk ka vetëm traditë të lavdishme shqiptare, por këtu gjatë historisë janë ndeshur jo vetëm popujt, por edhe traditat e kulturat Ilire-Romake-Bizantine-Turke e ortodokse sllave. Këtu janë konfliktuar forcat mendore, politike e ushtarake. Praktikisht, Kosova është nyje ku janë shprehur lakmitë e të huajve që të rrëmbejnë nga shqiptarët trollin e begatshëm të Dardanisë, begatitë tokësore e nëntokësore dhe të përvetësojnë hapësira jetësore në këtë troje me klimë e natyrë përrallore. Ku shqiptarët gjatë kohërave dhe shekujve, duhej të mbronin gjithmonë vetveten dhe begatitë e tyre nga lakmia e të uriturve për gllabërim. Kosova ishte arena e mbrojtjes e ndeshjeve mes lakmisë për grabitje dhe domosdosë për mbrojtje, kur ndeshen skajshmëritë, konflikti është i ashpër. Edhe këtë kohë, bota nuk deshi, nuk diti, apo nuk mund të na kuptojë drejtë e me kohë. Për shumë kohë qendrat e vendosje botërore merreshin më ne vetëm në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriu, pa e marr arsyeshëm zgjedhjen e çështjes shqiptare. Kjo u veprua kështu, deri më 24 mars 1999, kur Aleanca Veriatlantike ndërmori veprim ushtarak për zgjedhjen e çështjes sonë që rrezikon katastrofë të mundshme njerëzore.

Sot pasi u ktheva në banesën time u përgatita e dola prapë në qytet. Në mëngjes në rrugët e qytetit nuk kishte njeri të gjallë, shiheshin vetëm pasojat e Natës së Bartolomeut, djegiet, kallet dhe plaçkitjet e pronave shqiptare, që serbët gjatë natës i kishin kryer në shenjë hakmarrjeje për sulmet e NATO-së mbi forcat e tyre ushtarake e policore. Kah ora 10-të kur u nisa të shkoja në Zyrë, siç ishim marr vesh me z. Xhevat Ollurin, takova Zyfer Aliun, dhe aty nga rreziku që paraqitej në ato qaste, kur serbët ishin dalur nëpër rrugë të armatosur dhe rrezikonin jetën dhe pronën shqiptare. Kërcnonin qenien biologjike dhe substancën tonë kombëtare. Zyferi me mori në veturë dhe shkuam deri në Smallushë, përkundër asaj që ishim marr vesh me Xhevatin, unë nuk u ktheva në zyrë, pasi tash ishin krijuar rrethana të rrezikshme të qëndrojmë ende në atë zyrë. Shkova në vendlindje në Sllovi, ku ditë më parë kanë ardhur bashkëshortja Fazilja, vajza Arieta dhe djali Shkumbini. Me të ardhur thirra Fadilin në Gjilan, mora vesh se ai kishte ngelur në Gjilan. E atë që thash në fillim në Kosovë, nyjën ballkanike evropiane, shumë lehtë mund të fillojë lufta, jo vetëm shqiptare-serbe, por ajo të zgjerohet në hapësirat ballkanike e më gjerë. Politika ndërkombëtare këtë nuk e ka llogaritur seriozisht, në të kundërten do të ishte përkushtuar zgjedhjes para se të eskalonte problemi në ketë shkallë të ashpërsimit. Në Sllovi u takova me disa nga aktivistët lokal të cilët u njoftova për angazhimin e tyre në kujdestari gjatë natës, se aty është ndërruar udhëheqësia lokle e fshatit me direktivën e SHP të UÇK-së. U njoftuam se pasdreke në Lypjan popullatës shqiptare iu është urdhëruar që deri në orën 16-të pasdreke të lëshojnë shtëpitë. Më njoftuan se banesa ime ishte thyer, diku kah ora 14-të. Nata na zuri në ankth, duke pritur sulmet serbe. Në Sllovi qarkullonin shumë persona të panjohur, epror ushtarak e policor serb. Popullata shqiptare të vetmin veprim nëse  mund t’i thuhet mbrojtës, e bënte me kujdestari nëpër lagje që në rast sulmi të koordinuar të tërhiqen.

 

            26 mars 1999/ e premte / ,- Këtu në fshat përcjellja e ngjarjeve të mëdha përcillet me kufizime, pa telefon, pa bashkëpunëtorë që jemi shpërndarë pike e pesë dhe pa mjete tjera komunikimi. Telerfonat që nga dje janë ndërprerë, por edhe mediat, pasi ka ndërprerje të shpeshta rryme, lajme nuk mund të përcillen gadi fare. Sulmet e NATO-së po vazhdojnë për çdo natë, ato kanë marr zgjerim edhe në tërë Jugosllavinë e mbetur, dëmtimet siç lajmërojnë mediat serbe janë të mëdha, por ka edhe kundërsulme nga  ushtria serbe. Nga forcat serbe, siç është paralajmëruar që para sulmeve të NATO-së, po sulmohen fshatrat dhe popullata shqiptare, popullata civile po çvendoset masovikisht, thuhet për qindra e mija shqiptarë të çvendosur dhe për qindra fshatra të kallura. Demolohen, plaçkiten e kallën pronat shqiptare. Jeta kudo në Kosovë për shqiptarët është krejt e pasigurt, dhuna serbe vepron pa asnjë rregull e kontroll. Tash nuk po dihet, kush sundon e kush vendos, nuk po dihet kush vjedh e kush vret. Që nga 24 marsi 1999, në Mitrovicë është vrarë Latif Berisha dhe një veprimtar sindikal, kurse në Prishtinë është vrarë avokat Bajram Kelmendi me dy djemtë. Ka masakra që janë pak të njohura, por ka shumë masakrime për të cilat nuk mund të informohet, sidomos nga pjesa e Dukagjinit, nga Prizreni e deri në Pejë e Rugovë, Drenicë Qendrore, Anadrini, Shala e Bajgores, Zona e Llapit dhe Prishtina me rrethinë. Nuk ka shpëtuar as rrafshi i gjerë i Kosovës që nga Hani i Elezit e deri në Stan Tërrg. Për të gjitha ka fort pak informacione, madje ato, mund të merren vetëm nga mjediset e afërta, sepse ashpërsia e dhunës kufizon mundësinë e shtrirjes së informacioneve. Edhe më tutje jemi në errësirë informative, janë ndaluar veprimet e gjitha mediave joserbe dhe puna e gjithë korrespondentëve. Për shqiptarët informacione të pakta po jepen nga mediat ndërkombëtare Evronjuiz, SNN. DW. BBC, veçanërisht po informon RTSH-ja. Kjo bllokadë ka pasoja të rrezikshme, sepse po krijon hapësirë për dezinformata, të cilat në popullatën shqiptare, kjo errësirë inforamtive në këto rrethana lufte, po shkakton dëme të mëdha, po krijohet shqetësim të  tepruar, ani pse edhe kjo është pjesë e strategjisë luftarake.

            Më 27 mars 1999 / e shtunë / ,- Moskonsolidimi i veprimeve politike e ushtarake te ne, tash sa kohë po na kushton shtrenjët si për vet politikën edhe për UÇK-në e sidomos shtrenjtë po i kushton popullit. Kjo po dëshmohet tash ditëve të bombardimeve në trojet dhe popullin tone. UÇK-ja  në regjionet e saj, sikur ka siguri të madhe, edhe pse për çdo kohë përjeton sulme të ashpra, por edhe mbrohet vendosshmërisht. Pjesa jashtë UÇK-së, popullata civile e  pambrojtur, madje e ngelur edhe pa atë “ushqimin” politik e moral “racion”,që e merrte para bombardimeve nga partitë politike shqiptare, tash më nuk dihet as ku janë. Kjo popullatë tash nuk ka asnjë strategji, as kohë e as mjete organizimi apo vetorganizimi për vetëmbrojtjeje, praktikisht, ka ngelur në udhë pa krye. Andaj ikja i ka hyrë në palcë dhe vetëm mendon si të ik, që të nxjerr kokën. Këtë kohë, pas apelit të Akademik Rexhep Qosjes, deri tash askush nuk u dëgjua, liderët politik shqiptar vet iken e popullin e lanë pa asnjë zgjidhje, për Dr.Rugova askush as nuk dijë e as ai nuk dëgjohet ku është. Profesor Qosja pas apelit shembullor, nuk dihet ku gjendet, apo ka pësuar. Për fatin e tij, janë të brengosur gjithë nivelet e shqiptarëve. Për Veton Surroin lajmërohet se ka shpëtuar kokën,  profesor Idriz Ajetin nuk thuhet asgjë ku gjenden. Pjesa politike e UÇK-së është në Tiranë apo është kthyer ilegalisht në Kosovë, kjo nuk thuhet preraz. Z. Hashim Thaçi, Ramë Buja dhe Jakup Krasniqi janë dukur e dëgjuar në mjete informative, sidomos në RTSH. Sulmet e NATO-së kanë vazhduar, informatat për vëllimin e pasojave janë shkapërderdhur, nuk ka informacione për efektivat e sulmeve të NATO-së dhe ushtrisë serbe ndaj popullatës shqiptare dhe UÇK-së. Forcat ushtarake, policore e grupacione të ndryshme të dhunës së organizuar nën kontrollin e zyrtarëve serb, të cilat masovikisht po largojnë popullatën shqiptare nga trojet e veta duke drejtuar atë matanë kufijve në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Gjithnjë në forma të organizuara dhe nën planet strategjike serbe për pastrim etnik të kësaj hapësire me mjete të dhunës barbare, masakrës e represionit.

            Më 28 mars 1999 / e diel / ,- Sulmet e NATO-së vazhduan sipas planit, por ndikimet e saj ende po tregohen të pakta . Sot Beogradi reklamon rrënimin e aeroplanit të NATO-së “ F-17” me feniksi, Kjo gjasë jo nga gjuajtjet serbe, por rrëzimi ishte pasojë teknike. Beogradi organizoi Koncert Provokativ dhe shumë protesta tjera në vende të ndryshme me kolorit fyes e jo civilizues ndaj NATO-së, Klintonit, Solanës dhe Kosovës e shqiptarëve. Miting në shenjë përkrahjeje për sulmet e NATO-së kishte në Tiranë, ku gazetarët tubuan dhjetëra e mija vetë në Sheshin “ Skënderbe” të Tiranës. Sot z. Thaçi bëri apel që këto tubime në shenjë përkrahjeje të mbahen kudo ku ka shqiptarë dhe ekzistojnë kushte për mbajtjen e tyre. Njëkohësisht edhe sot vala e të ndjekurve ka arritur në 500 mijë. Një pjesë e madhe e popullatës jeton nëpër gryka malesh nën sulmet e forcave serbe, kjo popullatë është pa ushqim e në kushte të rënda atmosferike e pa asnjë mbrojtje shëndetësore. Thjeshtë vdiset në male, vdiset nga uria, nga sëmundjet dhe nga sulmet serbe. Vdiset për së gjalli, i kthehet shpina i thehet kurrizi Kosovës, kur nga trolli i saj shkojnë fëmijët e saj, gratë e pleqtë, shkon populli dhe gjaku i saj. Përkohësisht vdes Kosova për tu ringjallur prapë, se vdekja e saj nuk lejohet kurrë, kurrë nuk   shuhet gjaku i saj e të zbrazet nga shqiptarët. Kosova i ka bijtë e vet, përkundër vështërsive e sakrificës së madhe, ata nuk lëshojnë tokën e të parëve, nuk e lënë djerrë Kosovën. Kosova thërret, Kthehuni në gjirin e në trollin tim. Këtu ka ngrohtësi, ende ka jetë, e jetë do të ketë gjithmonë dhe vetëm këtu mund të jetoni mirë. Mjegullat e errëta do të hiqen, gjakderdhja do të ndalet e kujtimet do të ngelin përgjithmonë. Mbani në mend amanetët, kujtesa historike është edhe një begati e virtytit të madh të Kosovës dhe shqiptarëve në te dhe për te.

            Më 29 mars 1999 / e hënë / , – Edhe sot nata na shkoi dhe na zuri mëngjesi me sulme të NATO-së, të cilat gjatë natës me pauzime të shkurtra u sulmuan shumë objekte ushtarake e policore të forcave serbe. Sulme kishte në shumë mjedise të Kosovës, si SUP-in në Prishtinë, Stacioni policor në Mëhallën e Muhaxhirëve dhe në Kodrën e Trimave. Sulme kishte në Gjilan e Prizren e të tjera. por edhe në disa qytete të Serbisë. Sot u mor lajmi se në vazhdën e likuidimeve, Serbia ka likuiduar profesor Fehmi Aganin e Baton Haxhiun, se kishte vrasje masive në Obiliq ku u vranë 20 anëtarë të familjes Ramaj. Likuidime ka thuaja në çdo mjedis kosovarë. Edhe këtu në Lypjan me rrethinë, Serbia po kërkon për likuidim veprimtarë e intelektual shqiptarë. Në media po lajmërohet për ndjekjen e popullatës shqiptare nga vendbanimet shqiptare, të cilat serbët po i plaçkitin e po kallin, Serbia shqiptarët nga Kosova po i drejton kah Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia. Po flitet se janë larguar 70 mijë, kurse janë çvendosur afro 500 mijë të tjerë. Luftime të ashpra janë kryer sot në Llap, Bajgorë, Drenicë Qendrore dhe Prishtinë me rrethinë, ku nuk dihet kush krejt ka pësuar nga barbaria serbe. Pasi aty si edhe në qytete tjera, policia dhe militarët me ndihmën e ushtarëve serbë veprojnë jashtë çdo kontrolle. Ata vjedhin dhe janë motivuar nga pushteti për vjedhje, kanë thyer e kallur shumë shtëpi shqiptare. Edhe në Lypjan, madje të enjten janë thyer shumë banesa shtëpi e lokale shqiptare. Tmerri nga shkallëzimi i dhunës serbe e barbaria sllave të këtyre ditëve, po habit edhe botën. Moti i ligë sot pengoi sulmet e parapara, kurse vala e të ikurve shqiptarë po merr rritje dhe është rrezik për zbrazjen e Kosovës, NATO sikur këtë nuk e ka parashikuar. Vetorganizimi shqiptarë për mbrojtje nuk është në nivelin e duhur. Sot delegacioni rus pritet të shkojë në Beograd, ndikimi i tyre është taktikë për ta hedhur në harresë Parisin. Ndihmat humanitare kanë filluar të vijnë në Shqipëri, por nuk ka asgjë për sigurinë dhe furnizimin e të ikurve brenda vet Kosovës. Vrasjet, ndjekjet dhe shkatërrimet materiale në Kosovë po shkallëzohen pa asnjë pengesë. Këtu, lypset të ndërmerret veprim konkret, përndryshe sulmet  këto pesë ditë, paralel kanë dëmtuar edhe më shumë shqiptarët.