Komenti

Xh. Gjini: Mbrojtja e Kosovës shqiptare është e pandarë nga shteti ynë AMË

MBROJTJA DHE SIGURIA E KOSOVËS SHQIPTARE ËSHTË E PANDARË NGA SHTETI YNË AMË

Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij në një shtet të vetëm shqiptar. (UKSHIN HOTI)

Krijimi i një Fondi për Siguri ka nxjerr në sipërfaqe (sidomos në rrjetet sociale) edhe njëherë ndarjen dhe përcaktimin e shoqërisë edhe mbi baza partiake! Çështje si mbrojtja dhe siguria zakonisht i bashkojnë njerëzit e një vendi a kombi, sepse janë jetike për zhvillimin dhe përparimin e atij vendi a kombi. Ndoshta ne na mungon tradita dhe kultura e konsoliduar shtetërore edhe për arsye objektive… Ishim komb i pushtuar ndër shekuj. Fati nuk ishte në anën tonë… Edhe sot jemi komb e vend i copëtuar në gjashtë shtete dhe me miliona bashkëkombës anembanë botës. Katër shtete fqinje mbajnë të pushtuara toka të Shqipërisë. Pavarësia, më 28 Nëntor 1912, ishte shpallur për të gjithë Shqipërinë (mbi 90 000 km katrore), por shtetit shqiptar iu lanë vetëm 28 740 km katrore!! Mbi 60 000 km katrore u pushtuan nga shtetet shoviniste fqinje! Pas gati 90 vitesh populli shqiptar me LPK – UÇK-në e tij ia doli t’i çlirojë edhe afër 11 000 km katrore tokë të Shqipërisë (e pushtuar nga Jugoserbia). Shpresa, frymëzimi, përkrahja dhe forca e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në tokat e pushtuara të Shqipërisë ishte shteti AMË… Prandaj, edhe sot, në kohën kur çështja shqiptare ka fituar edhe përkrahjen e popujve dhe shteteve të mëdha, si SHBA -të, shteti ynë AMË mbetet qendra e mbështetjes dhe sigurisë sonë… Kush e harron këtë fakt kalon me ose pa vetëdije në anën e gabuar të historisë! Hapja e një fondi nuk mund t’i mbulojë dobësitë dhe gabimet e Qeverisë aktuale për marrëdhëniet e “ngrira” me shtetin AMË, që është anëtar i OKB -së (edhe i Këshillit të Sigurimit), anëtar i NATO -s dhe partner me besueshmëri i SHBA-ve… Kryeministri shqiptar dhe përfaqësues tjerë të shtetit tonë AMË janë pjesë e takimeve, këshillimeve dhe vendimeve për politikat e mbrojtjes dhe të sigurisë globale… SHBA-të me Republikën e Shqipërisë thirrin mbledhjen e Këshillit të Sigurimit dhe të Asamblesë së OKB-së, si dhe hartojnë projektrezolutēn për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, kurse krerët e institucioneve të Kosovës nuk pranojnë ose ngurrojnë t’i bashkërendojnë dhe harmonizojnë politikat e jashtme dhe ato të sigurisë me shtetin e tyre AMË!! Në vend të kësaj krijojnë një Fond të karakterit populist sa për t’i kënaqur pritjet e militantëve të tyre të sinqertë deri në naivitet!!
Rrethanat e krijuara në botë gjatë këtyre 7 – 8 ditëve janë më të favorshme se kurrë për t’u “pajtuar” me Tiranën dhe për t’i thënë lamtumirë konceptit dhe ideologjisë kosovocentriste, që në thelbin e saj është ideologji jugokosovare – antishqiptare… Albin Kurti duhet të shkëputet prerazi nga ata që përfaqësojnë këtë koncept dhe këtë ideologji në Qeverinë dhe partinë e “koalicionin” e tij. Duhet parë me përparësi mundësia e “integrimit” të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes me ministritë përkatëse të shtetit tonë AMË si hap i parë drejt “integrimit” (fuzionimit) të plotë të institucioneve tjera… Kuptohet në marrëveshje e bashkërendim me miqtë tanë, sidomos me SHBA-të, me të cilat Qeveria shqiptare sot ka marrëdhënie të shkëlqyera. Kjo është rruga për sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës shqiptare dhe të tokave e krahinave të pushtuara të Shqipërisë. Ecja në drejtim të kundërt me zhvillimet e këtyre ditëve në botë dhe kënaqja me krijimin e ndonjë fondi do të ishte e gabuar dhe e dëmshme për mbrojtjen dhe sigurinë e kombit tonë në Iliri (Ballkan)…