Kryetari i Ukrainës po dëshmon se është një burrështeti me mendje të kthjellët, me vendosmëri, me guxim dhe heroizëm në përballjen e pabarabartë me ushtrinë e Rusisë putiniste. Ky njeri, me kurajon e tij fitoi simpatinë dhe nderimin e gjithë botës demokratike dhe të popujve liridashës… Ai “shkundi” edhe mendjet e atyre shqiptarëve, që për vite e dekada i kanë thurrur himne frikës, qyqarllëkut, nënshtrimit, mjerimit politik, dorëzimit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit – puthjes me pushtuesin!!
Kjo pjesë e bashkëkombësve tanë, që janë rritur e përkundër në djepin e pushtuesit, për ta arsyetuar dhe fshehur mjerimin dhe qyqarllëkun e tyre politik, shpirtëror e kombëtar, e ngrinin në qiell njeriun që predikonte nënshtrimin dhe dorëzimin pa kushte (pa ia bërë kurrë “bam”!), sepse “Serbia, siç thoshte ai, na zhduk për 24 orë”!! Ky, edhe kur populli i organizuar nga LPK – UÇK – ja ia krisi luftën Serbisë, jo që nuk iu bashkua Luftës Çlirimtare të popullit të tij, por iku dhe kërkoi shpëtim në prehrin e kryekriminelit Milosheviç!!…
Prirja për t’i rehabilituar dhe ngritur në kult: frikën, qyqarllëkun, nënshtrimin, dorëzimin, mashtrimin, tradhtinë dhe kolaboracionizmin pas vitit 1990 ngriti krye dhe u imponua si “filozofi” dhe mendësi “shpëtimtare” për kombin dhe Atdheun tonë të copëtuar! “Intelektualë”, gazetarucë e kalemxhinj të të gjitha ngjyrave (pjellë e kolaboracionizmit) u turrën me energji të “shtuara” kundër figurave dhe ngjarjeve historike, që ishin referencë e vitalitetit dhe identitetit tone kombëtar, e qëndresës, e patriotizmit dhe e luftës kundër pushtuesve të Atdheut tonë, Shqipërisë dhe tokave të saj… Kjo pjellë kolaboracionistësh nuk lanë faqe të lavdisë dhe krenarisë kombëtare pa e “nxirë”, nga njëra anë, dhe nuk lanë figurë e ngjarje kolaboracioniste, tradhtare e qyqare pa e “ngritur” në piedestal, në anën tjetër!! Prandaj, sheshet e qyteteve shqiptare janë “stolisur” për turpin tonë, edhe me përmendore qyqarësh, kuislingësh, tradhtarësh, kolaboracionistësh e kriminelësh… Emrat e tyre u janë vënë edhe rrugëve, shkollave e bulevardeve në Tiranë, Prishtinë, Shkup e qytete tjera shqiptare!! Në Tiranë i është ngritur përmendore tradhtarit dhe vrasësit të atdhetarëve, intelektualëve dhe demokratëve më të mëdhenj të kombit, Ahmet Zogut, por jo burrit më të madh të kombit, Enver Hoxhës… Në Prishtinë i janë ngritur dy – tri përmendore njeriut simbol i qyqarllëkut dhe nënshtrimit e dorëzimit pa kushte në prehrin e pushtuesit, por jo Atit dhe arkitektit të lirisë e pavarësisë nga Serbia, simbolit të qëndresës shqiptare, Adem Demaçit!! Jo simbolit të Heroizmit shqiptar dhe të lirisë sonë, Adem Jasharit!! Jo, Kadri Zekës e vëllezërve Gërvalla!! Jo Rexhep Malës e Nuhi Berishës!! Jo Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut !!, etj. Pra s’na mbete tjetër veç të thërrasim: Lavdi marrëzisë!
add a comment