Lëvizja\UÇK

Agim Sylejmani: Libër për luftëtarin e madh të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Nazmi Hoxhën

Të nderuar pjesëmarrës, vëllezër e motra

Të nderuar pjesëtarë të familjes së veprimtarit të madh të çështjes kombëtare Nazmi Hoxha. E nderuara zonja Zijavere

Ndjehem shumë i nderuar me një pjesëmarrje të këtillë. Prandaj, e kam pak të vështirë të flas për shkak të emocioneve.

Sepse ne nuk jemi mbledhur sot këtu thjesht sa për të promovuar një libër. Për më tepër ne jemi mbledhur sot për figurën e një veprimtari të madh të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Nazmi Hoxha. Aq më tepër që ky promovim libri është vetëm shkas për të përkujtuar 70 vjetorin e lindjes së këtij veprimtari, e njëherësh edhe 40 vjetori i arrestimit të tij, por njëherësh edhe 20 vjetori i ndarjes së tij nga jeta. Pra, ky libër sot është vetëm një shkas për të na mbledhur këtu dhe për të kujtuar e nderuar këtë veprimtar të madh të luftës për çlirim e bashkim kombëtar. Vetë prezenca juaj sot këtu e madhëron këtë nderim e kujtim për Nazmi Hoxhën. Shto kësaj edhe faktin se ndodhemi në prag të festave të mëdha të Nëntorit, atëherë ky takim me plotkuptimin e fjalës është ngjarje e veçantë, jo vetëm për familjarët, por për të gjithë ne.

Shkrimtar ynë i madh, Rexhep Qosja, i kishte thënë shokut Mehmet Hajrizi, me rastin e botimit të librit tim të parë, romanit “Rrugëtimi i një vigani”, roman të cilën ia kushtoja kolosit të Lëvizjes Kombëtare dhe luftëtarit të palodhshëm të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, Rexhep Malaj, se „Të shkruash për njerëz të mëdhenj është shumë e vështirë“. Fjala pra, ishte për romanin „Rugëtimi i një vigani“. Prandaj edhe unë gjithnjë e më tepër po bindem dhe jam plotësisht i vetëdishëm se kjo ndërmarrje ime për të shkruar për kolosët e Lëvizjes sonë Kombëtare është jo vetëm e vështirë por tejet e vështirë, tejet e guximshme dhe sfiduese. Sepse, tek e fundit, unë vetëm po ndriçoj pak nga thesari i pafund i veprimtarisë së tyre, sa për të grishur kurreshtjen e studjuesve dhe për të nxitur ata të merren me studimin e gjithanshëm të këtyre figurave të mëdha të kombit, të cilët trasuan rrugën që brezat pas tyre i ndoqën me një besnikëri e vendosmëri të pashoq, për të kulmuar me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, falë të cilëve ne sot po frymojmë shqip dhe po jetojmë shqip. Pa veprimtarinë e këtyre pishtarëve të lirisë edhe lufta e popullit tonë nuk do të kishte kahjen që e mori.

Unë me këtë vepër jam përpjekur që sado pak të përçoj tek brezi i sotëm dhe ata që do vijnë më vonë, mesazhin se si duhet ta duam Atdheun dhe kombin, se si duhet të luftojmë për bashkimin kombëtar dhe krijimin e një shteti shqiptar të bashkuar me të gjitha viset shqiptare, në një Shqipëri të bashkuar, as të vogël e as të madhe. Kjo nuk është kurrfarë nacionalizmi, siç kanë prirje titistët dhe pinjollët e tyre ta quajnë, por është një atdhetari e pastër, e kulluar.

Në Lëvizjen tonë Kombëtare kemi shumë figura të mëdha të kombit, jo vetëm të Kosovës, prandaj është detyrë e gjithë studiusve dhe shkrimtarëve të mbarë hapësirës kombëtare të merren me këto figura të papërsëritshme. Këtu bën pjesë edhe Nazmi Hoxha, i cili ka lënë gjurmët e tija jo vetëm në Kosovë e vise tjera shqiptare të pushtuara nën ish Jugosllavinë, por edhe në trungun amë Shqipëri.

Duke e shfrytëzuar rastin për fjalën time si autor i librit monografik, kam një porosi për shumë shokë e miq të cilët ishin gjithashtu shokë e miq të shumë veprimtarëve të asaj plejade të artë të veprimtarisë atdhetare dhe përpjekje titanike për të trasuar rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar, këtë aspiratë brezash. Mos ngurroni të shkruani për ata që patët rastin t’i njihni nga afër dhe mos u frikësoni se do i ngrisni më lart se veten dhe hija e tyre t’ua zë diellin. Duke ndriçuar veprimtarinë e shokëve tanë, duke i nderuar ata që nuk janë më në mesin tonë, ne nderojmë tek e fundit vetëveten, nderojmë punën, mundin dhe angazhimin tonë bashkë me ta për një ditë më të mirë për kombin dhe atdheun.

Mos harroni se brezat do kërkojnë llogari nga ne që po ua lëmë trashëgim një histori gjysmake dhe të errësuar, sepse nuk po ua lëmë të shkruar për ata shokë tanë, bashkë me të cilët edhe ne morëm pjesë në historibërjen e dekadave të fundshekullit XX, duke e shporrur njëherë e përgjithmonë lukuninë serbe nga trojet tona. Një histori gjysmake nuk është histori e plotë, sikur mozaiku të cilit i mungojnë shumë gurëz të vegjël, e kështu të shkaktojnë zbrastësira e me këtë edhe kokëqarje për studiuesit e ardhshëm të historisë sonë në pjesën e dytë të shekullit XX. Duke mos ndriçuar figurat dhe veprimtarinë e tyre në përpjekje të vazhdueshme për çlirim e bashkim kombëtar, ne po u lëmë hapësirë që ata që kolaboruan me pushtuesit tanë titistë të shkruajnë historinë tonë sipas apetiteve serbosllave. Prandaj, shkruani për atë luftë të pakompromis me titistët për çlirim  e bashkim kombëtar, e me ketë do të kontribuoni edhe në ndriçimin e atyre figurave që bartën barrën e drejtimit të këtyre përpjekjeve, e njëkohësisht t’ua ngushtoni hapësirën e manipulimit të falsifikatorëve të historisë.

Në këtë libër për jetën dhe veprimtarinë e Nazmi Hoxhës nuk janë thënë të gjitha. Këtu është vetëm një pjesëz e gjithë asaj veprimtarie të ngjeshur atdhetare në shërbim të luftës për bashkimin tonë kombëtar. Nga ky libër mund të ngelet ndonjë i pakënaqur, por nuk i është thurrur askujt gardhi për të vazhduar edhe me libra tjerë për Nazmi Hoxhën, sepse për të ka edhe shumëçka të thuhet e të shkruhet.

Unë shfrytëzoj rastin të falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan me materiale dhe të dhëna të panjohura për Nazmiun, sidomos bashkëshorten besnike të Nazmiut, Zijavere Hoxhën, por edhe Shefqet Hoxhën, kusheri dhe shok i Nazmiut. Një falënderim i veçantë është për drejtorin e Arkivit Ndërkomunal të Gjilanit, Nazmi Muja, pa ndihmën e të cilit nuk do bëhej ky libër.

Pjesëmarrës të nderuar ju falenderoj nga zemra që keni gjetur kohë të ndani me ne emocionet me rastin e promovimit të kësaj monografie, por edhe të kujtimit dhe nderimit të figurës së veprimtarit Nazmi Hoxha, të cilin po e kujtojmë e nderojmë me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij si dhe 40 vjetorin e arrestimit dhe 20 vjetorin e ndarjes nga jeta.
Mirë u pafshim së shpejti me veprën time të radhës, gjithashtu për një dëshmor tjetër të kombit, të rënë në demonstaratat e vitit 1989. Ju uroj nga zemra festat e mëdha të Nëntorit! Ju falem nderit.