Vështrim/Analizë

Albulenë Halili: Gruaja shqiptare historikisht ka luftuar në dy fronte

Sot, në Ditën për eliminimin e dhunës kundër gruas, kujtojmë se gruaja shqiptare historikisht ka bërë dy luftëra njëkohësisht.
E para, lufta që e kanë bërë shumica e grave të botës, si lufta për barazi gjinore, ajo kundër dhunës në familje, kundër patriarkalizmit, paragjykimeve gjinore e ngjashëm, dhe
E dyta, lufta e saj vetëm sepse është shqiptare.
Ndaj, në hapësirën shqiptare, mendoj se ditët si kjo duhet shënuar në dritën e kësaj të fundit. Pra, femra shqiptare si cak i doktrinës sllave e veçanërisht asaj gjenocidale serbe, e cila në thelbin e saj kishte sulmin ndaj shqiptarit vetëm sepse është i tillë.
Shnjerëzimi i femrës u përdor si mjet lufte nga Serbia vetëm para dy dekadave dhe për këtë krim, sikur edhe për të tjerat, ajo nuk është gjykuar e dënuar akoma.
“Ky akt, përveç se si armë lufte, u përpunua edhe si strategji, si doktrinë, madje si përjetim estetik”, shkruan Kadare.
Shnjerëzimi është njohur si mjet lufte, me dokumentet e OKB-së, për krimet e këtilla të kryera në Bosnjë e Ruandë, por jo edhe në Kosovë.
Gruaja shqiptare bashkë me organet e aftësinë e saj reprodukuese si dhe djepin që ajo përkund, përbënin cakun e doktrinës gjenocidale serbe.
Njëri ndër artikujt që më së miri i përgjigjet pyetjes: përse femra shqiptare? mban titullin “Fytyra, barku dhe shkolla e të çarmatosurve” dhe është shkruar në vitin 2013 nga kryeministri i tanishëm i Kosovës Albin Kurti, pas sulmeve kundër të rinjve shqiptarë në Shkup, në mesin e të cilëve edhe një nxënëse shqiptare 16 vjeçare.
“Të maskuarit që flisnin në gjuhën maqedone e kishin therë Arlinda Bajramin një herë në fytyrë dhe herën tjetër në bark. Në fytyrë që t’i mbetet shenjë për tërë jetën, t’i kujtohet dhuna, por edhe t’ua kujtojë dhunën e përjetuar të afërmve e të dashurve të saj, shoqeve e shokëve të saj. Dhe, në bark, aty ku supozohet që do të zhvillohet e, më pas, edhe të lind një tjetër foshnje shqiptare e padëshiruar për sulmuesit me thika. (…) Kështu pra, në njërën anë, kemi meshkuj maqedonë me fytyrë të maskuar kurse, në anën tjetër, fytyra e njomë e prerë e vajzës shqiptare që shëmtohet përjetësisht; mandej, në njërën anë, thika në dorën e mashkullit ndërsa, në anën tjetër, barku i therur i femrës; dhe, së fundi, në njërën anë, shkolla me emër maqedonas kurse, në anën tjetër, nxënësit e padëshirueshëm shqiptarë. Nga pikëvështrimi i sulmuesve shënjestra është e trefishtë: fytyra si pamje dhe dinjitet, barku si riprodhim dhe shkollimi si arsimim dhe edukim. Mbase, asgjë e re: të gjithë agresorët dhe okupatorët përgjatë historisë këtë hall kishin me shqiptarët: dinjitetin dhe identitetin e tyre, shtimin e tyre dhe njerëzit e arsimuar të tyre. Dihet që ankesat e ‘akademikëve’ e politikanëve serbë te diplomatët ndërkombëtarë gjatë shekujve XIX e XX mbi natalitetin e lartë të shqiptarëve kanë çuar te bajonetat që çajnë barkun e shtatzënave shqiptare. Sulmuesit maqedonas po shkojnë edhe një hap më larg se kaq: nga krimi më mizor mbi shtatzënat te parandalimi kriminal i shtatzënisë.”
Plagët e plagomat janë akoma të pranishme në trupat e mendjet e grave të cilat fizikisht rrojnë ende, por dhe në mendjet që nuk harrojnë e nuk do të harrojnë kurrë.