TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë – Durrës kanë nisur me largimin e shinave të vjetra.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi sot pamje nga nisja e punës në këtë vepër të rëndësishme dhe të shumëpritur prej vitesh.
“Nis puna për hekurudhën e re Tiranë-Durrës me largimin e shinave të vjetra”, thekson Rama.
Projekti për hekurudhën e re Tiranë-Rinas-Durrës ka një vlerë investimi prej 90.45 milionë euro. Sipas këtij projekti, aksi Tiranë-Rinas do të përshkohet për 12 minuta, ndërsa Tiranë-Durrës për 22 minuta, me një shpejtësi prej 160 km/orë.
Projekti për ndërtimin e hekurudhës do të zbatohet nga kompania italiane INC spa, e cila u shpall fituese një vit më parë me një ofertë 69.7 milionë euro.
Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Agjendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Evropën dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.
/k.s/j.p/r.e/