Arkiv / Ripublikim

Ismail Gashi: Një fotografi sa një histori

NJE FOTOGRAFI-NJE HISTORI

Shkruan: Ismail Gashi Sllovia

    Shikoj fotografinë fituese të vitit 1990. I shtrir Nasim Elshani, i vrarë nga ushtria sërbe. Për rreth kufomës së tij, sipas traditës, qëndrojnë ulur farefisi, gratë e gjakut, nëna, pamje trimërore e qëndrim stoik, me qëndrim krenarie, nuk qet asnjë lot. I ka ngelur shikimi në sutë mbyllur të të birit të vrarë. Ka bindjen e thellë se kjo vrasje është vrasje nga urrejtja e armiqësisë së vjetër. Ka parasysh kohën dhe ngjarjet e vitit 1990. Nasimin e vdekur, ajo e kujton lindjen dhe rritën e tij, tash e sheh të vdekur nga plumbi. Vërtet forcë e madhe qëndrushmërie. Nëna shpjegon pa fjalë biografinë e tij, ajo është biografi e popullit, është shkruar e po shkruhet me vrasje, me gjak. Në pamje e qëndrim e hasim bashkarisht, krenarinë dhe pikëllimin. Grua mes grash me qëndrim trimëror. Pikëllimin dhe vajin e bëjnë të tjerët për te për vdekjen e birit të sajë. Ajo ngushëllon të tjerët për vdekjen e biri të saj, veçanti e madhe. Ajo është Dodona, plleshmëria e trimërisë, krenarisë e tokës së mirësisë.

Aty pranë motra qanë për vëllanë. Ajkuna e legjendave tona të lashta sot në mesin tonë, me ne dhe në ne. Ajkuna e sokolesha janë bijat tona të përnjëherë. Sot, të gjithë jemi shndërruar  në legjendë, legjendën e qëndrimit e të rezistencës, por tash për çështjen e madhe për kauzën kombëtare. Aty pranë piskamës së motrës, rrudhat dhe lotët e një plake të thyer në moshë e të tjerave plaka, të gjitha pamje të veçanta, ngjarje të poasaçme, pjesë e një tërësie, e një historie të madhe. Plakë e thelluar në kohë, në përkujtim ngjarjesh. Plakë që ka shkruar në fytyrë ngjarjet e jetës, me lavra rrudhash. Çdo rrudhë një thellësi e kuptimësi, ka një arkivë.

Kontraste ngjarjesh kanë edhe kontrastet e pamjeve, këto pamje i shohim në  fotografi të vitit 1990, i ka pa dhe i ka vlerësuar bota shpirtërore. Artin e vdekjes. Ato shohim krajata, habitje, befasira,pikëllim, piskamë e mbi të gjitha, aty shohim qëndrim burrëror, fortësi para dhëmbjes. Shohim dhe vërejmë forcën, mos të vajtohet vdekja! Tragjedia të mbahet me forcë, ytë bir shndërrohet në krenari, dhembja të kthehet në forcë. Mos të qahen martirët e rënë për liri e atdhe.

Shqiptarët në jetë kanë dy gëzime; Njërin kur lindin e tjetrin kur vdesin, por kur vdesin për liri e atdhe ama! Këto vite kemi festuar vdekjet, jo lindjet. Kemi pasur më shpesh vdekje apo ndoshta vdekjet i festuam më tepër se lindjet. Madje sot po krenohemi  më tëpër me rëniet e tyre. Po i lakmojmë martirët, jemi bërë Tokë e kopshte martirësh! Vdekjet i kemi më të mëdha se lindjet.

P. S. Shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi”, e cila asaj kohe dilte në Prishtinë