Redaksia e gazetës LËVIZJA do t’i botojë në vazhdime një pjesë të mijëra dokumenteve të gjetura, pas një pune hulumtuese shkencore, në arkivat e shtetit tonë AMË nga studiuesi i zellshëm Prof. Dr. Sabit Syla. Nga këto dokumenta lexuesit tanë mund të njihen më mirë me interesimin, përkushtimin dhe angazhimin e shtetit tonë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, për përmirësimin e pozitës së popullit të pushtuar shqiptar nga Jugosllavia dhe për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Iliri (Ballkan). Shteti shqiptar dhe personalisht Enver Hoxha interesohej për të gjitha shqetësimet dhe kërkesat që kishte pjesa e pushtuar e Shqipërisë dhe e popullit të saj, që vuante persekutimin, terrorin, burgimet, torturat, vrasjet dhe shpërnguljet (dëbimet) e pushtuesit jugosllavo komunist të Tito – Rankoviçit…
Në arkivat e shtetit tonë AMË është një mal me shkresa e dokumente që presin mendjen, vullnetin dhe dorën e studiuesve tanë për t’i hulumtuar, analizuar e publikuar. Studimi, analizimi, interpretimi dhe botimi i dokumenteve arkivore është shkencë më vete… Një pjesë të vogël të këtyre dokumenteve kemi patur rastin t’i shohim edhe ne në arkivin e Ministrisë së Jashtme (kryesisht të viteve 1981, 1982, 1983).
Shteti ynë ishte shpresa dhe përkrahja e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Shqipërinë e pushtuar në periudhën e viteve 1945 – 1990. Askush në botë nuk çante kokën në atë periudhë pse dy të tretat e një vendi e të një kombi ishin të pushtuara dhe grabitura nga fqinjët shovinistë, që kishin krijuar shtetet e tyre kryesisht në tokat e Shqipërisë! Falë shtetit të Enver Hoxhës dhe mbështetjes së tij të pa rezervë Lëvizja jonë Kombëtare e Çlirimtare ia doli të unifikohejë, të organizohejë dhe të konsolidohejë deri në atë shkallë sa të merrte përsipër organizimin e Luftës Antipushtuese Çlirimtare, duke krijuar UÇK – në. Përkrahja e shtetit tonë dhe e pjesës së lirë të popullit tonë ishte vendimtare edhe pas vitit 1990 dhe, sidomos, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së, që pati për rezultat çlirimin e Kosovës (pa vise) dhe përmirësimin e pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe në trojet tjera shqiptare… Roli i shtetit tonë AMË, Republikës së Shqipërisë, mbetet edhe më tej vendimtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare dhe për (ri)bashkimin e Shqipërisë në një shtet dhe me një Flamur kuqezi… (GL)
Prof. dr. Sabit Syla
DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Një interes të veçantë për opinionin publik shqiptar paraqet qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës. Hapja e arkivave shqiptare, ka sjellë një bollëk dokumentesh, një pjesë e mirë të panjohura më parë. Dokumentet e viteve ’50 dhe ’60 të shek. XX që po i ofrojmë lexuesit, pasqyrojnë në mënyrë të plotë dinamikën e qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, gjatë viteve në fjalë. Shteti shqiptar ka ndjekur në vazhdimësi politikën jugosllave në të gjitha drejtimet e saj karshi shqiptarëve e gjendjen e këtyre të fundit në të gjitha aspektet e zhvillimeve ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike. Këto dokumente janë përzgjedhur nga mijëra dokumente të hulumtuara në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punë të Jashtme dhe dokumente nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë viteve 2008 – 2023. Për të ruajtur origjinalitetin e dokumenteve nuk kemi ndërhyrë.
-8-
Legation De La Republique Populaire D’Albanie
Beograd, më 17/4/1955
Belgrad
N 78 Ministrisë së Punëve të Jashtme
Degës II, Tiranë
Mbi minoritetin shqiptar në Jugosllavi
Përveç sa ju kemi njoftuar me relacione e njoftime të ndryshme mbi minoritetin shqiptar në Jugosllavi, nëpërmjet shtypit e literaturës jugosllave, personave të ndryshëm që kanë frekuentuar këtë Legatë si dhe konstatimeve tona personale, kemi mundur të mësojmë edhe sendet e më poshtme mbi këtë minoritet:
- Mbi ndarjen administrative: Siç dihet minoriteti shqiptar në Jugosllavi që banon në Kosovë, përbën Krahinën Autonome të Kosovës e Metohisë brenda në Republikën e Serbisë, kurse pjesa tjetër e këtij minoriteti është në përbërjen e Maqedonisë e Malit të Zi. Në bazë të të dhënave statistikore jugosllave, në Jugosllavi gjithsej minoriteti shqiptar merr numrin 750 483, nga të cilët në Kosovë e Metohi banojnë 532 011 shqiptarë, në Maqedoni 197 413 dhe në Mal të Zi 19 425. Sipas këtyre të dhënave, shqiptarë ka edhe në Kroaci, Slloveni dhe Bosnje e Hercegovinë, që marrin numrin 1 634. Statistikat e më sipërme mund të jenë të vërteta vetëm pjesërisht, pasi numri i minoritetit shqiptar në Jugosllavi, sigurisht është shumë më i madh, duke ditur që: a) Shumë shqiptarë të shtyrë nga gjendja e keqe ekonomike janë detyruar të shpërndahen nëpër qytetet e fshatra të Serbisë dhe në të gjithë Jugosllavinë, ku merren me punë të ndryshme krahu, si: punëtorë të thjeshtë, druvarë, sheqerxhinj etj., që sigurisht nuk futen në statistikat e më sipërme dhe; b) Si rezultat i politikës armiqësore që është ndjekur e ndiqet ndaj minoritetit shqiptar në Jugosllavi për shkombëtarizim si në regjimet e mëparshme, ashtu edhe në regjimin e Jugosllavisë së sotme, shumë shqiptarë janë cilësuar si turq, të themi vetëm për atë se janë myslimanë. Kështu që, nga të 98 001 turq që sot numërohen në Jugosllavi (nga këta 95 987 në Maqedoni), një pjesë e mirë e tyre janë shqiptarë.
Karakteristikë është për t’i treguar opinionit publik, se shqiptarët që banojnë në Jugosllavi janë diçka tjetër si komb nga ata që banojnë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Në literaturën jugosllave, p.sh.: në librin “Pakicat nacionale në Jugosllavi”, nuk përmenden terma, si “albanac”, kurse kur flitet për Republikën tonë Popullore, kurdoherë përdoret vetëm termi “albanac”. Karakteristikë është edhe ajo se kur kemi pyetur kosovarë, që mbajnë shtetësinë jugosllave se ç’kombësi kanë, na janë përgjigjur se janë myslimanë dhe jo të thonë se janë shqiptarë, mbasi kështu u kanë thënë jugosllavët.
Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë është formuar qysh në vitin 1946. Qyteti kryesor i saj është Prishtina. Territori i saj i sotëm sipas ndarjes jugosllave, është 10 689 km katrorë. Në këtë krahinë banojnë 809 234 veta, nga të cilët 413 789 janë burra dhe 395 445 gra. Të gjithë këta banorë përbëjnë 127 223 ekonomi shtëpiake (familje). Në çdo km katror i bie 757 banorë. Përveç shqiptarëve, në këtë krahinë ka edhe serbë, malazezë dhe kombësi të tjera të Jugosllavisë, që sipas statistikave jugosllave përbëjnë 29.6% të gjithë popullsisë së Kosovës (70.4% janë shqiptarë). Organi më i madh i pushtetit në Kosovë e Metohi është Këshilli Popullor i Krahinës, i cili zgjidhet në tre vjet. Ky Këshill ka gjithsej 208 anëtarë, nga të cilët 131 janë shqiptarë. Këshilli përbëhet nga dy dhoma: Dhoma Krahinore dhe Dhoma e Prodhuesve. Funksionet dhe detyrat e çdo dhome janë si ato të skupshtinës federale dhe të republikave, me të vetmin ndryshim që këto ushtrohen nga ky këshillë vetëm në krahinë. Kryetari i të dy dhomave është Gjoko Pajkoviq, që është njëkohësisht dhe sekretar i Partisë për krahinën, kurse sekretar është Hivzi Sulejmani. Si organ ekzekutiv të përditshëm, Këshilli Popullor i Krahinës ka Këshillin Ekzekutiv të Krahinës. Si kryetar i këtij Këshilli është _[1] dhe nënkryetar Xhavit Nimani. Mbas Këshillit Krahinor vinë këshillat e rretheve, qyteteve me rang rrethi, komunat dhe komunat e qytetit.
Gjithsej në Kosovë e Metohi janë 18 rrethe. Nga këto një është qytet, Prishtina. Komuna gjithsej janë 201, nga të cilat 6 janë komuna qyteti. Rrethet e Kosovës e Metohisë janë: 1) Rrethi i Drenicës me qendër në Serbicë, ka: 11 komuna, 76 vende të banuara (fshatra, etj.), territori 546 km katrorë, 37 296 banorë (68.3 për çdo një km katror), 4 982 ekonomi shtëpi-jake (familje). 2) Rrethi i Gjakovës me qendër në Gjakovë, ka: 10 komuna fshati dhe një qyteti, 104 vende të banueshëm, territori 872 km katrorë, 61 639 banorë (70.7 për çdo një km katror), 9 264 ekonomi shtëpiake. 3) Rrethi i Gjilanit me qendër në Gjilan, ka: 13 komuna fshati, një komunë qyteti, 69 vende të banueshme, territori 580 km katrorë, 48 835 banorë (84.2 për çdo një km katror), 7 739 ekonomi shtëpiake. 4) Rrethi i Moravës së Sipërme me qendër në Viti, ka: 10 komunë, 42 vende të banueshme, territori 281 km katrorë, 30 633 banorë (109 për çdo një km katror), 4 679 ekonomi shtëpiake. 5) Rrethi i Gorskit me qendër në Dragash, ka: 5 komuna, 37 vende të banueshme, territori 432 km katrorë, 20 420 banorë (47.2 për çdo një km katror) 3 351 ekonomi shtëpiake. 6) Rrethi i Graçanicës, me qendër në Prishtinë, ka: 12 komuna, 79 vende të banueshme, territori 734 km katrorë, 45 747 banorë (62.3 për çdo një km katror), 6 908 ekonomi shtëpiake. 7) Rrethi i Istogut me qendër në Gjurakoc, ka: 14 komuna, 88 vende të banueshme, territori 708 km katrorë, 44 608 banorë (63 për çdo një km katror), 6 247 ekonomi shtëpiake. 8) Rrethi i Kamenicës me qendër në Kamenicën e Kosovës, ka: 13 komuna, 78 vende të banueshme, territori 562 km katrorë, 43 032 banorë (76.5 për çdo një km katror), 6 218 ekonomi shtëpiake. 9) Rrethi i Lapskit, me qendër në Podujevë, ka: 13 komuna, 78 vende të banueshme, territori 645 km katrorë, 47 033 banorë (72.9 për çdo një km katror), 6 881 ekonomi shtëpiake. 10) Rrethi i Nerodimskit, me qendër në Uroshevac (Ferizaj), ka: 14 komuna fshati dhe një qyteti, 97 vende të banueshme, territori 860 km katrorë, 60 283 banorë (70.1 për çdo një km katror), 9 556 ekonomi familjare. 11) Rrethi i Pejës, me qendër në Pejë, ka: 14 komuna fshati dhe një qyteti, 94 vende të banueshme, territori 738 km katrorë, 64 391 banorë (87.3 për çdo një km katror), 10 797 ekonomi shtëpiake. 12) Rrethi i Podrimskit me qendër në Orahovac, ka: 12 komuna, 73 vende të banueshme, territori 581 km katrorë, 39 351 banorë (67.7 për çdo një km katror), 5 516 ekonomi shtëpiake. 13) Qyteti i Prishtinës, komunë nuk ka asnjë, vend të banueshme ka vetëm 2, territori 29 km katrorë, 24 199 banorë (834.4 për çdo një km katror), 5 752 ekonomi shtëpiake. 14) Rrethi i Stiniҫkes me qendër në Lipjan, ka: 10 komuna, 93 vende të banueshme, territori 561 km katrorë, 46 890 banorë (83.6 për çdo një km katror) 7 167 ekonomi shtëpiake. 15) Rrethi i Suharekës me qendër në Suharekë, ka: 8 komuna, 48 vende të banueshme, territori 418 km katrorë, 29 578 banorë (70.8 për çdo një km katror), 4 129 ekonomi shtëpiake. 16) Rrethi i Shar-Pllanines, me qendër në Prizren, ka: 10 komuna fshati dhe një komunë qyteti, 77 vende të banueshme, territori 632 km katrorë, 61 576 banorë (97.4 për çdo një km katror), 10 322 ekonomi shtëpiake. 17) Rrethi i Vuçitërnës me qendër në Vuçitërnë, ka: 13 komuna, 75 vende të banueshme, territori 394 km katrorë, 39 529 banorë (100.3 për çdo një km katror), 5 975 ekonomi shtëpia; dhe, 18) Rrethi i Zveҫanakes, me qendër në Mitrovicën e Kosovës, ka: 13 komuna fshati dhe një qyteti, 185 vende të banueshme, territori 1 116 km katrorë, 64 202 banorë (57.5 për çdo një km katror) 11 741 ekonomi shtëpiake.
Në bazë të statistikave jugosllave, këshillat e organeve lokale në Kosovë e Metohi (të rretheve e komunave) përbëhen prej 6 976 vetash, nga të cilët 4 690 janë shqiptarë (këshillat e rretheve përbëhen prej 1 580 vetash, nga të cilët 1 007 janë shqiptarë).
- Mbi disa çështje politike: Qeveria e sotme jugosllave dhe njerëzit e saj, nëpërmjet propagandës së tyre, përveç tjerash, trumbetojnë se Jugosllavia është vendi “më demokratik” ku është “zgjidhur më së miri” çështja nacionale dhe e pakicave nacionale në Jugosllavi, ku ka “barazi” , “liri” etj., të cilat i përmendim edhe në kushtetutën dhe ligjet e tyre: por me sa kemi konstatuar gjatë kësaj kohe, mund të themi se nuk është kështu, në praktikë ndodh krejt ndryshe dhe është vetëm propagandë që ka për qëllim të gënjejë opinionin publik jugosllav e të jashtëm. Në lidhje me këtë, për sa i përket minoritetit shqiptar, me sa kemi konstatuar, mund të themi si më poshtë:
- Në organet e pushtetit ku është i përqendruar minoriteti shqiptar si në Këshillin e Krahinës, në këshillat e rretheve, komunave, fshatrave etj., pavarësisht se pjesa dërmuese janë shqiptarë, më tepër ka serbë se sa shqiptarë, me gjithë se statistikat që kanë publikuar këta tregojnë të kundërtën. Por, edhe sikur të jenë të sakta e të vërteta këto statistika, kjo mund të ndodhë vetëm në disa fshatra, ku nuk ka fare serbë, ose ata janë shumë pak. Por, edhe këtu kryetarët janë serbë dhe se shqiptarët në krye të tyre gjen vetëm të atillë që jugosllavët i kanë bërë për vete dhe tek të cilët kanë besim të plotë. Ndërsa, në organet e pushtetit të fshatit mund të jenë më shumë shqiptarë, por në ato të komunave e sidomos të rretheve e krahinave, janë jugosllavë. Edhe ata shqiptarë që janë nuk kanë pozita ose përgjegjësi kyçe, por, janë të themi si anëtarë të thjeshtë që nuk kanë asgjë në dorë. Edhe ata pak shqiptarë që kanë pozita të “rëndësishme” në këshillat krahinore, në radhë të parë janë besnikë qorra të jugosllavëve dhe të kompromentuar në luftë kundër minoritetit shqiptar, por megjithëkëtë, në fakt, politikën në këtë krahinë nuk e bëjnë këta, por krerët më të mëdhenj se ta në krahinë, jugosllavët si, Gjoko Pajkoviq-kryetar i Këshillit Krahinor dhe sekretar i Partisë për Kosovën, Dushan Mugosha, që është si këshilltar i Këshillit etj.
- E drejta e përdorimit të gjuhës shqipe në organet zyrtare politike, ekonomike, shoqërore, është formale, mbasi gjithë korrespodenca e ndryshme që del nga organet e pushtetit të krahinës së Kosovës e Metohisë bëhen në gjuhën serbe. Në shumë vende të Kosovës dhe gjetkë ku banojnë vetëm shqiptarë, me përjashtime shumë të mëdha, tabelat e institucioneve e ndërmarrjeve të ndryshme, dyqaneve, rrugëve, lajmërime të ndryshme që nxjerrin organet e pushtetit etj., janë vetëm në gjuhën serbe.
- Nëpër shkollat e ndryshme shqipe dhe institucionet arsimore, kulturore etj., flitet vetëm për Jugosllavinë dhe asgjë për Shqipërinë, për të kaluarën e të tashmen historike, për kulturën, artin shqiptar etj., që çdo ditë lulëzojnë e përparojnë më shumë në vendin tonë, sepse sipas politikës armiqësore jugosllave që është e ndjekur e ndiqet ndaj këtij minoriteti, shqiptarët në Jugosllavi janë diçka tjetër nga ata të Republikës Popullore të Shqipërisë, janë “arnautë”, “myslimanë”, “shqiptarë”, ose, “turq”. Në udhëheqje superiore dalin kurdoherë serbët edhe pse niveli kultural i masave shqiptare është shumë i ulët në krahasim me masat e kombësive të tjera dhe kjo për shkak të diskriminimit që i është bërë pakicës shqiptare në regjimet e mëparshme, metodë të cilën deri në një far shkalle e ka përdorur dhe e përdor edhe regjimi i sotshëm. Edhe shtypi që del në gjuhën shqipe, si gazetat: “Rilindja”, “Flaka e vllaznimit”, “Zëri i rinisë” (organi studentëve shqiptarë në Beograd) dhe revista “Jeta e re”, trajtojnë e flasin për “rezultatet” e arritura nën regjimin e Titos.
- Në përgjithësi shqiptarët, e kanë shumë vështirë të gjejnë punë pak a shumë të mira dhe kjo për arsye se janë shqiptarë, tek të cilët jugosllavët mund të themi se nuk kanë besim. Edhe ata që kanë qenë në punë të ndryshme në pushtet, tani janë shumë më pak nga që jugosllavët kanë spastruar aparatin e tyre nga këto elemente, duke mbajtur ata tek të cilët kanë besim se janë besnikët e tyre. Në masë për shqiptarët në Jugosllavi nuk ka as punë pak a shumë të thjeshta, kështu që përveç pjesës që merret në vendet e tyre me bujqësi, një pjesë e mirë bredh nëpër vendet e ndryshme të Jugosllavisë për të gjetur ndonjë punë, që edhe këtu është vështirë mbasi në të gjithë Jugosllavinë ka papunësi, kështu që detyrohen të punojnë në këto vende, si: druvar, hamall, sheqerxhinj, e të tjera punë të këtij lloji. Ekonomikisht minoriteti shqiptar në Jugosllavi është më i varfër e veshur keq.
- Politika dhe qëllimet e krajlëve të Serbisë për të shkombëtarizuar minoritetin shqiptar është ndjekur e ndiqet edhe nga Qeveria e sotme jugosllave. Siç dihet, jugosllavët kur kanë bërë regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë, me mënyra të ndryshme janë munduar që shqiptarët t’i quajnë e regjistrojnë si me kombësi turke, dhe këtu sidomos kanë shfrytëzuar injorancën e shqiptarëve të Maqedonisë, në të cilin i kanë lënë, se që janë myslimanë janë turq, kështu p.sh.: para ca dite erdhi në Legatë për të kërkuar vizë që të shkojë për disa ditë në Shqipëri e të kthehet përsëri në Jugosllavi, së bashku me shoqen e tij, Xhezair Memisheviqi, nga katundi Podgoricë i Strugës. E pyetem çfarë shtetësie ka dhe na u përgjigj se është jugosllav, por kur e pyetëm për kombësinë, na tha se jam mysliman e jo të thotë se jam shqiptar, që në realitet është “mysliman”, jo “kaur”, por “turk”. Po në këtë mënyrë e ka shënuar edhe në formularët që ka plotësuar. Jugosllavët kanë inkurajuar dhe inkurajojnë shkuarjen e shqiptarëve në Turqi. Përveç sa ju kemi njoftuar me relacionin tonë nr. 51, datë 21.10.1954, kur kemi qenë nga fillimi i këtij viti në Kosovë e Maqedoni, kemi mësuar se shkuarja e tyre në Turqi po vazhdon. Në këtë kohë ka pasur shpërngulje nga Shkupi, Tetova, Manastiri dhe sidomos Prilepi, ku ishin në pritje për t’u nisur 70 familje, kurse në Shkup 50. Këta shesin gjithë pasurinë e paluajtshme dhe marrin me vete atë që mundin. Shkuarja e tyre në Turqi bëhet nga që janë në gjendje të keqe ekonomike dhe se mendojnë se atje do rrojnë më mirë.
Konsullata turke në Shkup zhvillon një aktivitet të mirë në këtë drejtim, duke inkurajuar shkuarjen e tyre në Turqi. Turqit qenkan duke hapur toka të reja, siç kemi mësuar kur ishim në Maqedoni, nga të cilat u falin pjesë shqiptarëve të vajtur rishtas. Aktiviteti i saj gjen mbështetje në injorancën e shqiptarëve të Maqedonisë, se duke qenë myslimanë, konsiderojnë veten e tyre turq. Na kanë thënë se edhe sikur këta shqiptarë të mos figurojnë si shtetas turq, puna rregullohet shpejt sa për t’u bërë turq, sepse jugosllavët e jepnin pëlqimin menjëherë edhe pse mjafton që njerëzve të konsullatës turke atje t’ju jepet ndonjë gjë në dorë dhe çdo gjë është e rregulluar. Në këtë mënyrë kanë vepruar shumë shqiptarë që kanë ikur për në Turqi.
Përveç kësaj, turqit kanë organizuar nëpërmjet shqiptarëve që kanë shkuar atje, dërgimin e letrave prej këtyre të fundit, miqve dhe shokëve të tyre që banojnë në Maqedoni ose Kosovë, ku shkruajnë për “parajsen” e Turqisë, i thërrisnin që edhe ata të shkojnë dhe të rrojnë në “lumturi”, “begati” etj., por, në një bisedim që patëm me një kosovar, na tha se atje nuk rrojnë mirë, bile na solli një shembull konkret si i trajtojnë dhe tha se kur vajzën e një shqiptari, që ka shkuar në Turqi, e morën xhandarët turq, e mbajtën për disa ditë me radhë dhe mbasi e çnderuan, e lëshuan për të shkuar në familjen e saj?! Shpërnguljet më të mëdha deri më sot janë bërë nga shqiptarët e Maqedonisë, kurse nga Kosova ka shumë pak dhe kjo pse kosovarët janë pak më të zhvilluar dhe se janë më patriotë. Lidhur me shpërnguljet në Turqi, dy kosovarë të ndryshëm na kanë thënë se kohët e fundit jugosllavët kanë nxjerrë një ligj që ndalon shpërnguljet nga Jugosllavia dhe se për t’i shpëtuar këtij ligji, shqiptarët që dëshirojnë të shkojnë në Turqi, marrin shpërnguljet nga Kosova për në Shkup dhe atje e rregullojnë çështjen e shkuarjes së tyre në Turqi me anë të ryshfetit dhe mjeteve të tjera në konsullatën turke. Të dhënat e tyre në këtë drejtim ne nuk i kemi vërtetuar akoma dhe se as ligjin deri më sot nuk e kemi gjetur. E kemi parasysh për të ardhmen.
- Qeveria jugosllave për të ngjallur besimin dhe simpatinë e minoritetit shqiptar dhe te ngjallë urrejtje kundër vendit tonë, nëpërmjet propagandës së saj, të shoqëruara me terror, emigrantëve tradhtarë shqiptarë të shpërndarë në këto vende etj., ka zhvilluar një aktivitet të madh në ketë drejtim. Lidhur me normalizimin ky aktivitet ka rënë, por prapë ata e bëjnë punën e tyre me mënyra e metoda të tjera. Por, me gjithë punën që jugosllavët kanë bërë dhe e bëjnë në këtë drejtim, minoriteti shqiptar në Jugosllavi dhe sidomos ai i Kosovës, ushqen një dashuri e simpati të madhe për vendin tonë , për Shqipërinë e vjetër, siç thonë ata dhe urrejtje për Qeverinë jugosllave, për Serbinë. Siç dihet ata janë patriotë të kombit e vendit të tyre dhe se përveç shtypjes në përgjithësi, kanë edhe shtypjen nacionale. Si shembull në këtë drejtim mund të shfaqim rastin që na tregoi shtetasi shqiptar, Rustem Gjota, student i kursit të Institutit të Drejtësisë në Beograd, i cili ka plotësuar dokumentet për riatdhesim:
Nga fillimi i muajit mars të këtij viti, artistët e “Beogradska komedija” (Komedia e Beogradit), dhanë një shfaqje para studentëve të shkollave të larta të Beogradit që banojnë afër Zemunit, në “Beogradin e Ri” siç e quajnë këta. Midis këtyre studentëve ka edhe disa shqiptarë nga Kosova. Në këtë komedi paraqitnin policët gjatë kryerjes së shërbimit të tyre, të cilët rregullojnë lëvizjen e transportit automobilistik nëpër qytete të disa vendeve të botës si të Jugosllavisë, Ingliteres, Francës, Shqipërisë etj. Policin jugosllav në rrugë, e paraqitnin të veshur mirë dhe korrekt në çdo drejtim, me një fjalë në lartësinë e detyrës së tij. Po në këtë mënyrë paraqitej edhe polici francez e anglez, me të vetmin ndryshim që ky i fundit, mbasi i dha drejtimin e makinave, fillon e bën dashuri me vajza, megjithëse në shërbim, kurse, policin shqiptar e parqet në Tiranë, kur rregullon lëvizjen automobilistike atje. Ishte i veshur keq dhe në mes të rrugës kryq priste mos vinte ndonjë makinë, por gjatë nuk ka. Më në fund mezi kaloi një makinë dhe në mënyrë ofenduese e qesharake ky i jep drejtimin. Me të kaluar kjo makinë, hedh dorën në gji (trup), nxjerr një morr dhe e thyen, kurse nga ana tjetër i vareshin qurrat. Me pozat që artisti bënte, i paraqiste ata si budallenj e injorant, pa kurrfarë kulture, por të pa pastër e bashibozuk. Kjo i preku thellë dhe i zemëroi shumë studentët shqiptarë. Përshtypjen e tyre dhe urrejtjen ndaj jugosllavëve, ata e shprehen në bisedime njeri me tjetrin, bile edhe të nesërmen gjithë ditën.
III. Mbi disa çështje të arsimit: Me sa kemi mësuar në drejtim nga shtetasi shqiptar, Rrustem Gjota, që e përmendëm më lart dhe nga të tjera, në Kosovë ka këto shkolla të mesme: Në Pejë:
- a) Ka një gjimnaz shqip me rreth 1 200-1 300 nxënës. Krahas me këtë është edhe gjimnazi tjetër për serbë, i cili pothuajse po këtë numër nxënësish ka; b) Një shkollë normale me katër klasa, e cila nxjerr mësimdhënës për shkolla fillore shqipe. Në këtë shkollë futen nxënësit që kanë mbaruar tetëvjeçaren; c) Një shkollë e mesëm bujqësore, që quhet “Akademia Bujqësore”. Kjo shkollë nxjerr teknikë të mesëm bujqësorë dhe studiojnë, si kosovarë ashtu dhe serbë. Në Prishtinë: a) Një gjimnaz shqip dhe një tjetër për serbë; b) Një gjimnaz për mësues të shkollave shqipe; c) Një shkollë teknike, që nxjerr teknikë të ndryshëm të mesëm, në gjuhën serbe. Ka edhe serbë edhe shqiptarë. Përveç këtyre, në Prishtinë është edhe Instituti i Albanologjisë që merret me kërkime e shqyrtime në drejtim të albanologjisë. Gjimnaze shqipe ka edhe në Mitrovicë, Prizren e Tetovë, kurse në Gjakovë është një Normale. Këto janë shkollat e mesme të Kosovës. Numrin e nxënësve të tyre, përveçse treguam për të Pejës, nuk e dimë akoma. Në këto shkolla bëjnë lëndë të ndryshme, si: gjeografi, histori, fizikë etj. Në klasën e parafundit dhe të fundit të shkollave të mesme kanë si lëndë edhe nga historia e lidhjes së “komunistëve” jugosllavë deri në kohën e sotshme. Si gjuhë të huaj nëpër gjimnaze e normale, për ato që janë shqipe, është frëngjishtja, kurse për ato që janë serbisht, rusishtja ose frëngjishtja, sipas dëshirës së nxënësve. Të drejtën për të zgjedhur nuk e kanë nxënësit e shkollave shqipe, por iu është caktuar, siç e cekem, frëngjishtja.
Profesorët e gjimnazeve e normaleve shqipe, në shumicën e tyre nuk kanë mbaruar institutin, por shkollën e mesme, dhe se njëkohësisht vazhdojnë fakultete të ndryshme me korrespodencë, duke ndjekur njeri kursin e dytë, tjetri të tretin etj. Kështu p. sh.: në Pejë, vetëm një profesor është që e ka mbaruar albanologjinë dhe se të tjerët vazhdojnë me korrespodencë. Përveç shkollave të mesme, janë edhe shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Shkolla fillore ka si në qytete, ashtu edhe në fshatra dhe janë me katër klasa, kurse tetëvjeçare që është semimaturë, përveç qyteteve, ka edhe në 5-6 copë fshatra një të tillë. Atje ku përveç shqiptarëve, ka edhe serbë, krahas me shkollat shqipe, janë edhe shkollat serbe, që zakonisht të dyja ndodhen në një godinë. Frekuentimi nga ana e nxënësve dhe sidomos femrave në shkollat e mesme ato fillore e tetëvjeçare është shumë i ulët dhe me mungesa të mëdha prej 35-45% nga të regjistruarit, pa marrë parasysh numrin tjetër shumë të madh, që për njërën ose tjetrën arsyeje, nuk është regjistruar fare dhe kjo për arsye të gjendjes së keqe në të cilën ndodhet minoriteti shqiptar, për çështje fanatizmi etj., dhe se dhe jugosllavëve iu intereson ta mbajnë atë në injorancë. Përveç kësaj edhe numri i atyre që përsërisin klasën është shumë i madh.
Në Jugosllavi është i detyruar me ligj arsimi tetëvjeçar, por në vendet me popullatë shqiptare, siç folëm edhe më lart, ky ligj është formalisht. Numrit shumë të madh të analfabetëve në moshë madhore i shtohet çdo ditë edhe numri tjetër i analfabetëve të rinj. Për ata që nuk venë në shkollë, marrin masa të lehta, si gjoba në para dhe po qe në gjendje ta paguajë atë, me kaq merr fund puna dhe as njeri nuk i thotë gjë pse fëmija e tij nuk shkon në shkollë. Edhe statistikat e publikuara nga vetë jugosllavët, flasin mbi lejen në errësirë të minoritetit shqiptar, megjithëse ato e zbusin pak një gjendje të tillë. Kështu p.sh.: në librin “Të dhënat statistikore për gjithë Jugosllavinë, viti 1954”, midis të tjerave jepen edhe këto statistika në përqindje për analfabetët të minoritetit shqiptar të ndara në mosha të ndryshme: deri në 9 vjeç janë 73.7% analfabetë; prej 10-14 vjeç 42.8%; prej 15-19 vjeç 42.8%; prej 20-24 vjeç 28.7%; prej 25-29 vjeç 32.7%; prej 30 -34 vjeç 71.3%; prej 35-39 vjeç 78.3%; prej 40-44 vjeç 82.7%; prej 45-49 vjeç janë 88.7% analfabetë; prej 50-54 vjeç 91.5%; prej 55-59 vjeç 95 %; prej 60-64 vjeç 96 %; prej 65 vjeç e lartë 97.7 analfabetë.
Për sa iu përket shkollave të larta, në Kosovë nuk ka asnjë të tillë. Dimë se në Beograd, ashtu siç ju kemi njoftuar, në Institutin Filozofik është Fakulteti i Albanologjisë, i cili ka katër kurse, në të cilin mësojnë rreth 40 veta. Një fakultet tjetër i albanologjisë është edhe në Shkup, që nuk dimë akoma numrin e nxënësve, profesorëve etj. Në albanologji mësojnë kosovarë të ndryshëm, të cilët pasi e mbarojnë atë, shkojnë si mësues të shkollave të mesme shqipe. Tek-tuk, shqiptarë ka edhe në fakultete të tjera, si: drejtësi, inxhinieri etj., por shumë pak, që mund të numërohen, prej një deri në pesë apo dhjetë. Këto janë çështje dhe gjërat që kemi mundur të mësojmë rreth minoritetit shqiptar në Jugosllavi. Në të ardhmen, do të vazhdojmë ta ndjekim me kujdesin e duhur dhe herë pas here do t’ju mbajmë në korrent. Për bërjen e këtij relacioni është përdorur material dhe nga librat “Të dhëna statistikore për gjithë Jugosllavinë, viti 1954” dhe libri, “Pakicat nacionale në Jugosllavi”, të cilat iu a kemi dërguar me postat e mëparshme.
Ky relacion siç shihet është një informacion nga të dhënat që është mundur të sigurohen dhe ka shumë gjëra që duhen zhvilluar e sqaruar më mirë, të cilat do të sigurohen më tepër duke vajtur më poshtë.
K.M.S
D.M.S Ministri Bato, Karafili
2.K 09.04.1955
-9-
De La Republique Populaire D”Albanie
Belgrade
Nr. 59. Sekret
Ministrisë së Punëve të Jashtme, (Degës së Dytë) Tiranë
Udhëtimi në Maqedoni dhe Kosovë
Udhëtimin në Maqedoni dhe Kosovë ne e bëmë pasi bëmë vizitën në Krahinën Autonome të Vojvodinës, siç udhëzoi ajo Ministri. U nisem, më 22 dhe u kthyem më 28 prill. Qëllimi i udhëtimit në këto krahina ishte që të vërtetonim ne, sa nga minoriteti shqiptar largohet për në Turqi, të njiheshim më mirë mbi gjendjen e minoritetit shqiptar që jetonin në Krahinë Autonome të Kosovës e Metohisë, të shikonim si reagojnë të arratisurit shqiptarë në Jugosllavi pas shpalljes së amnistisë dhe të interesoheshim për riatdhesimin e tyre. Gjatë udhëtimit që bënim dhe vizitat protokollare e presidentit të Maqedonisë dhe kryetarit të Këshillit të Kosovës, gjithashtu në këtë udhëtim të vizitonim edhe disa qendra të ndryshme ekonomike, kulturale edhe nga kuriozitetet e ndryshme në këto vende.
Në këtë relacion do flasim mbi vizitat protokollare, objektet e ndryshme që vizituam dhe si u pritem, do flasim edhe mbi largimin e njerëzve nga minoriteti shqiptar për në Turqi. Për sa i përket çështjeve të tjera, ne kemi folur në tre relacione të veçanta, si p.sh.: në një relacion flasim mbi sektorët ekonomikë në Kosovë e Metohi, në një mbi arsimin dhe kulturën në krahinën e Kosovës, dhe tjetri mbi të arratisurit shqiptarë në Jugosllavi. Në këto relacione, ne jemi munduar të flasim dhe të jemi sa më objektivë, duke shfrytëzuar konstatimet tona në vend, bisedimet me personalitetet jugosllave dhe gjithë materialin që dispononim.
Gjatë udhëtimit dhe në gjithë vizitat e ndryshme titullari është i shoqëruar nga sekretari i dytë Myslim Sinoimeri. Më 24 prill, ne i bëmë vizitën protokollare presidentit të Maqedonisë, Kolishevskit. Na priti në zyrë, na afroi pije dhe u tregua i gatshëm për të na dhënë mundësi të njiheshin sa më tepër me rezultatet e arritura në Maqedoni. Na ftoi të vizitonim ndonjë fabrikë si atë të sheqerit në Tetovë, fabrikën e lëkurave në Bitol, një kooperativë bujqësore të cilën e konsideroi më të mirën në Jugosllavi etj., dhe ngarkoi zv. sekretarin e Veces ekzekutive të Maqedonisë si dhe një përkthyes që të na shoqëronte gjatë vizitave në qytet. Gjithashtu mur masa për të na pritur dhe shoqëruar në Bitol. Kolishevski u interesua për disa problem konkrete siç janë:
1) Për shfrytëzimin e ujërave të liqenit të Pogradecit. Për këtë ai u tregua i pakënaqur nga përgjigja e Qeverisë tonë d.m.th. kërkonte përgjigje konkrete për liqenin e Pogradecit duke e justifikuar këtë, se për atë interesohej ai, qëndrimi i tij është në kundërshtim me atë të Ministrisë së Jashtme jugosllave, e cila kërkon që më përpara të përfundojmë konventën e pastaj të kalohet në çështjet konkrete. Kolishevski shfrytëzimin e fuqisë energjetike të liqenit të Pogradecit e lidhë edhe me evitimin e inondimeve që sot sjellë lumi i Drinit në Strugë etj. Aty tha se bërja e hidrocentralit në lumin e Drinit nuk e ndryshon nivelin e liqenit të Pogradecit, kështu që edhe pala shqiptare mund të marrë ujin e nevojshme nga ky liqen, e me këtë ai la të kuptohet se këta duan të ndërtojnë nga ana e tyre hidrocentralin dhe vetëm për interesat e tyre. Ne i thamë se në lidhje me propozimin e Qeverisë jugosllave, Qeveria jonë e dha përgjigjen e sajë dhe presim nga ju për fillimin e bisedimeve. Për sa i përket mënyrës së shfrytëzimit Komisioni me specialistët e të dy vendeve tona do ta studiojnë dhe propozimet e tyre do t’ia paraqesin qeverive përkatëse.
2) Së dyti, Kolishevski u interesua për shfrytëzimin e ujërave vaditëse në fshatrat kufitare dhe solli si shembull ujin në fshatin e Banishtës dhe Ostenit të Vogël. Për këtë i thash: “Nuk më kujtohen vendet konkretisht, por dy ujëra që ka propozuar Komisioni i përbashkët Shqiptaro-Jugosllav, Qeveria jonë ka qenë dakord një vit më parë dhe mua sekretarit, më ka thënë që edhe pala jugosllave është dakord. Mendimi im është se në parim ne jemi dakord për shfrytëzimin e këtyre ujërave nga të dyja vendet”. Ai shtoi se nga ujërat vaditëse ne kemi shumë të ardhura, sepse, fshatari i paguan shtetit taksën e cila për vitin 1956 është rritur mjaft.
3) Së treti, ai u interesua për dy shkollat në gjuhën maqedonase që arsimtarët maqedonas për shkak të prishjes së marrëdhënieve u larguan. Këtë – tha ai – e kam ngritur edhe në Qeverinë Federale (Beograd). Pastaj na foli për shkollat shqipe duke treguar se në fillim kanë pasur vështirësi për arsimtarë, tekste etj. Por, tani e kanë zgjedhur edhe vendin mirë dhe nuk është çudi që insistimi i kryetarit të Këshillit të Bitolit për të na vizituar neve shkollën 8-vjeçare shqip në Bitol, të jetë bërë me urdhër nga lart. Por, siç do të flasim me poshtë, ajo shkollë nuk ishte aspak e mirë. Pas kësaj, Kolishevski, u interesua për ndërtimet dhe bujqësinë në Shqipëri dhe ne i treguam mbi zhvillimin e vendit tonë në përgjithësi. E pyetem si duket bujqësia në Maqedoni, i cili e paraqiti të mirë gjendjen, i them ç’bëhet për kolektivizimet, na tha se kemi 700 kooperativa bujqësore, kur i them sa kooperativa janë ndërtuar vitin e kaluar, ai u përgjigj: “Neve nuk e ndjekim bujqësinë me statistika, qeveria nuk ndjek si përpara bujqësinë, të them të drejtën kemi shpëtuar nga kokëçarja”.
Me sistemin që kemi neve sot në ekonomi, fshatari po fiton më tepër nga periudha kur ne e udhëhiqnim me plane tjera. Në fakt ata nuk po tregojnë kujdes për këtë sektor të rëndësishëm. Në udhëtimin Nish deri në Shkup, Shkup-Bitol-Prishtinë, pamë vetëm dy traktorë në fusha, ishte faza e zjarrit e punës për mbjelljet pranverore dhe kudo punohej me plugje që tërhiqen prej kafshëve.
Kolishevski na foli për shokun Enver se e njihte, se e ka pritur kur ka udhëtuar për në Beograd. Na foli për shoqen Nexhmije se u lind në Bitol etj. Pas kësaj ai kaloi në marrëdhëniet midis dy vendeve. Duke paraqitur mendimin e tij se Shqipëria si Republikë është mbrapa, dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen. Deri më sot janë përfunduar një seri çështjesh të tjera, kemi ngritur dhe zgjidhja e tyre kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve tona. Mbas takimit me Kolishevskin ne vizituam disa kuriozitete të qytetit të Shkupit, një muze dhe një kish te vjetër e cila mbahet si muze për arkitekturën e saj të vjetër.
Më 25 prill, ne vizituam Bitolin. Atje na priti kryetari i Këshillit të qytetit Bitol, i cili u tregua i afruar. Në Bitol ne vizituam fabrikën e lëkurave e cila është me makineri moderne. Këtu përpunohej lëkura dhe dilte prodhimi i gatshëm për këpucë, kishte gjithashtu repartin e gëzofëve, repartin e qepjes së palltove të gjata, bluza etj., prej lëkure, prodhimin e nxirrte me kualitet të mirë. Kjo fabrikë ka të drejta për zhvillimin e tregtisë me shtetet e tjera dhe eksporton në: Poloni, Gjermanin Federale etj. Në Bitol gjithashtu pamë një kooperativë bujqësore e cila nuk ishte shumë e pasur. Ekonomia e kësaj përbëhej prej blegtorisë, frutikulturës dhe barishtes. Organizimi i punës dhe bazat në të cilën është ngritur ajo, janë të njëllojta në ato të Vojvodinës për të cilën kemi folur. Drejtori i kooperativës bujqësore dhe disa anëtarë, na priten mjaft mirë, na shpjeguan gjendjen ekonomike të kooperativës, pyeten shumë dhe dëgjuan me kujdes mbi ngritjen e kooperativave ndër ne, mbi organizimin e punës dhe shpërblimin në kooperativat bujqësore në Shqipëri. Mbasi u larguam nga kooperativa, kryetari i Këshillit të qytetit të Bitolit na u lut shumë të vizitonim shkollën 8-vjeçare shqipe, e cila ishte para nesh, dhe ne vendosem ta vizitojmë. Ishte koha kur nxënësit ishin larguar. Aty gjetëm drejtoreshën e shkollës, Shaje Sulejmani, nga Dibra, e cila ka studiuar në Shqipëri. Ishte gjithashtu inspektori i arsimit, kryetari i Këshillit të qytetit së bashku me përkthyesin e tij nga maqedonishtja në shqip, dhe ne. Kryetari mbasi na prezantoi me drejtoreshën, i tha asaj të na flas si vetë shkolla. Drejtoresha duke na folur për shkollën, na tha: “Kemi 8 klasa 350 nxënës. Ndërtesën e kemi siç e shihni të vjetër, por kemi oborr të gjerë. Në edukimin e fëmijëve bëhen pra përpjekje, por kemi pasur vështirësi sepse së pari na kanë ikur nxënës gjatë vitit arsimor dhe aq më shumë arsimtarë për në Turqi”. Ne pyetëm drejtoreshën se kur kanë ikur për në Turqi nxënësit dhe arsimtarët, ajo tha se gjatë këtij viti arsimor dhe se vazhdojnë të ikin. Drejtoresha na tregoi mbi lëndët që bëjnë në shkollë e pastaj vizituam disa klasa në të cilat ka mungesë pastërtie të madhe prej asaj që ndërtesa është mjaft e vjetër dhe asnjë meremetim nuk ishte bërë. Në Bitol ne pamë gjithashtu kamionët dhe rimorkiot të cilat qëndronin në fushë ku dielli dhe shiu i dëmton. Kryetari i qytetit tha, po të dëshironi, ne kemi shoferë që t’ua sjellin deri në kufirin tuaj dhe atje t’i marrin shoferët tonë. Në të ikur, kryetari na tha se kemi kërkuar që skuadra e futbollit të Bitolit të lozi me Korçën dhe Tiranën. Nga Shqipëria na erdhi përgjigja pozitive, por, tashti nuk po na jap pëlqimin qendra jonë sportive nga Beogradi.
Një rast si ky qe iniciativa dhe dëshira që është për aktivitet sportivë dhe kultural e që pengohet nga qendra, është edhe propozimi që i bëri kësaj Legate drejtori i Teatrit të Prishtinës nëpërmjet Myrteza Pezës, i cili ftonte Teatrin e Tiranës për të ardhur në Prishtinë. Më vonë, udhëheqja e Prishtinës ndërhyn dhe drejtori i Teatrit të Prishtinës e anuloi propozimin duke thënë se gjoja nuk është situata etj.
Më 26 prill vizituam Fabrikën e Fijes së Pambukut në Prishtinë, Muzeun e Qytetit të Prishtinës dhe një kishë të vjetër e cila ishte si muze. Më 27 prill vizituam Kombinatin Metalurgjik të Trepçës e pastaj qytetin e Pejës, kurse më 28 udhëtuam dhe arritëm në Beograd. Më 27 prill, para se të vizitonim Trepçën, i bëmë vizitë protokollare kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Krahinës, i cili insistoi dhe na priti për darkë. Për sa i përket gjendjes ekonomike dhe kulturale që ne konstatuam gjatë udhëtimit në këtë krahinë, çfarë pamë në objektet ekonomike si dhe ç’na tha Fadil Hoxha në lidhje me këto gjëra, kemi folur në relacionet e veçanta.
Fadil Hoxha na priti në zyrën e Këshillit, na afroi pije dhe kafe. Në zyrë Fadili u tregua i ndrojtur në bisedime. Ai shfaqi kënaqësi në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për ftesën e dy arsimtarëve për në Shqipëri, për aktivitetet sportive etj. Fadili tha unë i di këto gjëra, por do t’u lutesha që aktiviteti kulturor, sportiv etj., të fillojë më përpara me vendet e tjera të Jugosllavisë dhe më vonë me Kosovën. Mirë është – tha ai – edhe materiali si revista “Nova Albania” t’u dërgohet shtëpive të kulturës në krahinën tonë. I them – ne nuk kuptojmë, shkëmbimi i aktivitetit kulturor midis vendeve tona nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi ndihmon, gjithashtu revista që u kemi dërguar ne u dërgojmë shumë instituteve kulturore tjera dhe ata na kanë falënderuar për këtë. Fadili tha se mirë është që me krahinën tonë aktiviteti të fillojë më vonë, sepse, nuk është situata. Në drekë pastaj, Fadili pasi duhet të ishte takuar e biseduar me Mugoshen dhe Ajticin, kishte marrë gjithashtu edhe anëtarin e Këshillit që merret me arsimin në Kosovë. Ai kaloi me tej duke nxjerr se Jugosllavia ka qenë e pafajshme, se BRSS-ja dhe demokracitë popullore likuiduan gjithë akuzat kundër Jugosllavisë, u rehabilitua Rajku, Kostovi etj. Në Shqipëri,- tha ai, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe procesi i Kocit akoma qëndron etj. Mbas Kongresit të 20-të, tha ai – ne kemi pritur, tani presim nga Kongresi i Tetë i Partisë. Duke iu përgjigjur, ne i themi – ju po të keni ndjekur Radio Tiranën dhe shtypin tonë, do të kishit tjetër mendim mbi marrëdhëniet midis vendeve tona, mbi gjendjen në vendin tonë etj., sepse më duket nuk u kanë informuar mirë dhe ashtu siç është. Duke vazhduar, unë i thashë: “Partia dhe Qeveria jonë kanë aprovuar plotësisht deklaratën e Beogradit dhe në përputhje me këtë deklaratë, Qeveria jonë ka zhvilluar dhe po zhvillon marrëdhëniet me Jugosllavinë, deri më sot një sërë çështjesh janë zgjidhur. Vendimet e Kongresit të Partisë së BRSS-së, Partia dhe populli ynë i ka çmuar pa masë dhe i konsideron shumë të rëndësishme. Mësimet e Kongresit të 20-të e ndihmojnë shumë Partinë dhe popullin tonë në rrugën për arritjen e fitoreve më të mëdha. Kongresi i Tretë i Partisë tonë, gjithashtu është i rëndësishëm për neve, sepse ai do të aprovojë direktivat për planin e dytë pesëvjeçar, do të dëgjojë raportin mbi aktivitetin e KQ-së, do të aprovojë ndryshimet në statusin e Partisë dhe pikërisht pse ka rëndësi populli ynë është mobilizuar për ta pritur me duar plot. Ne nuk kuptojmë ç’prisni juve. Politika e Partisë dhe Qeverisë tonë është e qartë, shumë deklarata kanë bërë udhëheqësit tonë mbi marrëdhënien me Jugosllavinë, edhe ato, sa më kanë thënë shokët e sekretariatit, i kanë çmuar. Nuk kuptojmë pse përmendet Koci Xoxi, ai ka të drejtë të përzihet. Pra, bisedimi me Fadilin kaloi, që mbronim tonën dhe ata të tyre, dhe për këtë i thashë, është bërë ç’është bërë, më mirë të mbetet, tashti të punojmë për të zhvilluar marrëdhëniet e dy vendeve”.
Gjatë udhëtimit për të vizituar qendrat e ndryshme ata na dhanë për të na shoqëruar Ali Mulën si funksionar i Këshillit Ekzekutiv, në fakt ai ishte gazetar në Prishtinë, dinte shqip dhe është vëllai i Avni Mulës. Në bisedim me të tregohej shumë i ftohët. Gjatë rrugës prej Peje në Mitrovicë, na u lut një fshatar për ta marrë me makinë, dhe pasi e pyetem Avni Mulën, e morëm. Fshatari pasi mori vesh se ishim të Legatës Shqiptare, u gëzua shumë dhe filloi të fliste me simpati për Brigadën III Sulmuese. Gjithashtu, shprehu kënaqësi për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, por prapë nxori frikën nga autoritetet jugosllave, e ai tha: “Ta heq qeleshen se po më panë do të më thërras UDB-ja dhe kam për ta pirë ca kohë”. Ne i thamë mos ke frikë, me Jugosllavinë jemi miq etj. Ai vazhdoi: “Ashtu është, por, UDB-ja nuk pyet për këtë”. Pa i thënë gjë fshatarit, ai na tha: “More shokë, shumë po kërkojnë për të shkuar”. Ne i thamë se nuk kanë ikur dhe ne e dimë se e pyetem Avni Mulën nëse është e vërtetë kjo, dhe ai na tha se pak kanë ikur, por e di që ka shumë kërkesa si nga turqit ashtu dhe nga shqiptarët për të shkuar në Turqi, ne i thamë a i lënë të ikin, Mula u përgjigj, – se tek neve në Jugosllavi ekziston e drejta e njeriut dhe çdo qytetar vendos vetë, shteti nuk e ndalon, por e lejon të vejë në vendet kapitaliste e të tjera. Mula tha, – parimisht nuk është, por shteti nuk mund të pengojë për arsye se është dhënë e drejta që të vendosin vetë.
Si në Maqedoni ashtu dhe në Prishtinë, pritja nga ana formale protokollare, ka qenë e mirë. Në Maqedoni ne jemi pritur më mirë dhe janë treguar më të afërt, vizitat tona i publikoi shtypi maqedonas si dhe Birba me politikën. Në Kosovë pritja ka qenë e ftohët dhe nuk u publikua, pra atyre as nuk u pëlqen udhëtimi jonë në këtë krahinë. Gjatë udhëtimit në Maqedoni dhe Kosovë ne pamë mirë që organet jugosllave na kanë ndjekur në disa qytete, kështu p.sh.: një shtetas shqiptar që ka kërkuar riatdhesim njoftoi shoferin e Legatës dhe e pyeti se me kë ka ardhur në Legatë. Kur erdhi në hotel të pyeste, e mbërthyen tre veta të UDB-së dhe i bënë presion mbi të që të mos takohej me diplomatët shqiptarë. Po kështu, ne konstatuam në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë.
Siç ju kemi njoftuar dhe më parë, nga Maqedonia dhe më pak nga Kosova, akoma largohen nga minoriteti shqiptar për Turqi dhe këtë e kemi vërtetuar jo vetëm nga vizitorët e kësaj Legate, por edhe nga udhëtimi jonë që bëmë në muajin prill të këtij viti në Maqedoni dhe Kosovë. Një gjë e tillë pak a shumë del edhe nga gazeta “Nova Makedonia”. Të dhënat tona në këtë drejtim janë:
- Nga vizitorë të ndryshëm që gjatë këtij viti kanë vizituar këtë Legatë ka dalë se nga Maqedonia vazhdimisht ka pasur dhe ka, largim për në Turqi, ku midis të larguarve ka edhe turq, por shumica e tyre janë shqiptarë me shtetësi jugosllave. Një sheqerxhi në Beograd, duke qenë në Legatë, më17 prill 1956, midis të tjerave, tha: “Nga Maqedonia vazhdimisht ka shpërngulje për në Turqi. Ju këtë duhet ta keni parë edhe nga gazeta “Nova Makedonia”, e cila mund të themi se nuk ka mundur që të mos ketë të publikuar emrat e atyre që u është aprovuar lënia e shtetësisë jugosllave. Të gjithë këta janë për në Turqi. Pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë, por kanë mundur ta ndërrojnë atë në mënyra të ndryshme dhe janë konsideruar si turq. Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, nga Gostivari janë larguar për në Turqi rreth 200 familje. Nga Tetova janë larguar më shumë dhe numri i tyre arrin deri në 300 familje. Më poshtë, vazhdoi ai: “Më parë ka qenë më lehtë për të shkuar në Turqi, me gjithë se edhe tani nuk është shumë e vështirë për ta bërë këtë. Para tre muajve çdo shqiptar që ka dashur të shkonte në Turqi është paraqitur para organeve të Punëve të Brendshme, të cilat menjëherë në letrat e njoftimit të tyre dhe konkretisht në rubrikat “ndryshime të ngjarjeve” me kërkesa të para kanë bërë ndryshime se janë turq, kjo gjë i është dhënë kujtdo. Ata të Ministrisë së Brendshme u thoshim se çfarë doni të thoni jeni të lirë, po deshët mund t’ju bëjmë edhe egjiptianë. Tani një vendim i tillë është ndërmarr, megjithatë prapë nuk është vështirë nga që me dy dëshmitarë, gjyqi merr vendim se është turk dhe këtë vendim ia paraqesin organeve të Punëve të Brendshme, të cilat menjëherë e vlerësojnë si turk dhe e lejojnë të largohet për në Turqi. Të dhënat e këtij vizitori janë të ngjashme me ato që Legata ka pasur me parë dhe se një pjesë të mirë të këtyre të dhënave i kemi vërtetuar edhe me vizitorë të tjerë. Kështu, p.sh.: shtetasi shqiptar, Halil Bejta, sot arsimtar në një katund afër Kumanovës, për të cilin kemi bërë veprimet e nevojshme për nënshtetësinë kur ka qenë para disa ditëve në Legatë, na tha gjithashtu se nga Maqedonia ka shumë shqiptarë që janë kthyer tani si turq, por ka edhe shumë shqiptarë që janë kthyer në turq. Përveç kësaj, vazhdoi Halil Bejta, edhe ata që janë turq shumica e tyre kanë qenë në Shqipëri, por që me regjistrimet e ndryshme të popullsisë që janë bërë në Jugosllavi gjatë luftës dhe deri në vitin 1953 janë regjistruar në kombësi turke, pa qenë nevoja e paraqitjes të ndonjë dokumenti. Ka pasur raste të ndryshme kur shqiptarë e kanë humbur letërnjoftimin e ri, kombësinë e kanë deklaruar si turke. Ka pasur edhe vizitorë të tjerë që kanë thënë rreth shkuarjes në Turqi.
- Gjatë udhëtimit në muajin prill në Maqedoni dhe Kosovë, nga fshatra të ndryshme kemi mësuar gjithashtu se më shumë shkojnë në Turqi nga Maqedonia, por ka edhe nga Kosova. Gjithashtu shtetasi shqiptar Arif Hajri, kur ishim në Shkup na tha se, shumë shqiptarë shkojnë në Turqi, kryesisht na tregojnë rreshtin e madh që qëndronte para konsullatës turke në Shkup, duke pritur që të hapeshin zyrat dhe po deshët tha, shkoni dhe pyetni. Me të vërtetë ne banuam në Hotelin “Arapsha Kuca” në Shkup që është përballë konsullatës turke. Kur u hap dera, të gjithë njëherësh u futen në shoqërinë e konsullatës dhe që andej me radhë futeshin brenda. Para se të futeshin në oborr, Çaushi duke parkuar makinën para hotelit pyeti disa prej tyre që qëndronin në rresht, dhe iu përgjigjen – turq, kur Çaushi iu tha, ju flisni shqip, ata iu përgjigjen – ne shqiptarë jemi po duam të shkojmë në Turqi. Një tjetër që e pyeti Nyslini, se ç’kombësi kishte, ai iu përgjigj se jam turk, por kur Myslimi iu tha “turce bilersum”, ai iu përgjigj: “jo bre, unë nuk di turqisht, por shkoj në Turqi se kam dëgjuar se atje është më mirë dhe se atje kam edhe nga farefisi im”.
Siç kemi folur edhe kur vizituan shkollën 8-vjeçare shqip në Bitol, drejtoresha e kësaj shkolle Shaje Sylejmani nga Dibra, në prezencën e kryetarit të Këshillit të Qytetit, Bitol, Geogevski George dhe të nëpunësit të Këshillit të Qytetit, që kryetari e kishte marrë si përkthyes sepse dinte shqip, duke folur në lidhje me shkollën përveç të tjerash tha se: “kemi pasur vështirësi, së pari na kanë ikur nxënës për në Turqi gjatë vitit arsimor 1955-1956, kështu që është pakësuar numri i nxënësve, së dyti kemi pasur largime bile dhe gjatë këtij viti për në Turqi nga radhët e arsimtarëve të shkollës tonë”. Pasi e pyetem se nxënësit dhe arsimtarët ç’kombësi kanë pasur, ajo u përgjigj se në këtë shkollë mësojnë vetëm shqiptarë dhe mësuesit janë shqiptarë. Kryetari i Këshillit që e dëgjojë bisedën e bërë, nuk tha asnjë fjalë.
Kur kemi qenë në Kosovë siç flitet më lart, kemi qenë të shoqëruar nga Ali Mula. Në bisedën më të rreth shkuarjeve në Turqi, na tha se edhe nga Kosova kanë ikur për në Turqi dhe se ka shumë kërkesa të tjera. Shumica e këtyre janë nga Prishtina dhe Mitrovica. Këta janë turq, por ka edhe shqiptarë. Kur pyetem se a lejohen të shkojnë shqiptarët, ai na tha se tek neve populli ka një demokraci të gjerë dhe është i lirë të shkojë ku të dojë, shteti nuk e ndalon. Një fshatar nga rrethi i Pejës, i cili na u lut ta merrnim në makinë deri në Mitrovicë, ashtu siç folëm më lart, vërtetoi largimin nga Kosova për në Turqi. Këtë, ai e tha në prezencën e shoqëruesit, i cili e aprovoi dhe i bëri komentin duke e konsideruar të drejtë.
- Në shtypin e Maqedonisë “Nova Makedonia”, shpeshherë publikohen emrat e personave që u është aprovuar lënia e shtetësisë jugosllave. Në masë, emrat e këtyre personave janë myslimanë. Sigurisht midis tyre mund të ketë turq, por duhet të ketë dhe shumë shqiptarë. Për të mos i vënë të gjithë numrat e gazetave që publikojnë këto të dhëna, theksojmë se është e vazhdueshme.
- Konsullata turke në Shkup zhvillon një aktivitet të gjerë në këtë drejtim. Vetë fakti i rreshtave të mëdha që presin pranë saj tregon këtë. Konsullata turke nuk pengon shkuarjen për në Turqi, bile as që na kanë thënë se ajo u lëshon shqiptarëve të ndryshëm me kërkesën e tyre vërtetime se figuron i regjistruar si turk dhe në bazë të kësaj, organet jugosllave japin menjëherë shtetësinë turke.
Këto janë të dhënat e fundit që ka kjo Legatë në lidhje me shkuarjen në Turqi. Të dhëna zyrtare ne nuk kemi.
Ministri, Bato Karafili
[1] Mungon emri i kryetarit të Këshillit.
(Vazhdon)