Komenti

Xh. Gjini: Shoqëria shqiptare në rrëmujë

SHOQËRIA SHQIPTARE NË RRËMUJË…
Shoqëria shqiptare është marrë peng nga lloj-lloj mediash, rrymash, fetare, shërbimesh e fondacionesh të huaja, të cilat janë instaluar në Tiranë, Shkup e Prishtinë (kudo në trojet shqiptare) dhe organizojnë e zhvillojnë veprimtaritë e tyre, me karakter përgjithësisht antishqiptar, pa asnjë kufizim!! Kemi ardh në një situatë kur mediat tona (me ndonjë përjashtim) janë vënë në shërbim të ideve dhe projekteve rrënuese të identitetit tonë kulturor e gjuhësor dhe të kompaktësisë sonë shpirtërore, politike e kombëtare. Këto projekte thellësisht e përmbajtësisht antishqiptare po marrin krah edhe nga disa parti politike, nga kleri (kryesisht islam e ortodoks) dhe nga disa qarqe “intelektualësh” në shkolla, universitete dhe institute!!
Ky soj mediash, ky soj politikanësh, ky soj “intelektualësh” dhe ky soj klerikësh (hoxhallarë e priftërinj), të “kapur” dhe kushtëzuar me mënyra të ndryshme, janë angazhuar (rekrutuar) dhe po “luftojnë” me të gjitha rrugët e mjetet që i kanë në dorë që populli shqiptar ta “harrojë” çështjen e tij të pazgjidhur, të “harrojë” Atdheun e tij të copëtuar, të “harrojë” kërcënimin që përbën Serbia edhe sot, të “harrojë” identitetin e tij kombëtar, të largohet nga tradita, kultura dhe qytetërimi i tij mijëravjeçar, të largohet nga civilizimi evropian, nga dritë e diturisë, nga shkenca dhe përparimi me qëllim të (ri)kthimit në obskurantizmin mesjetar fetar (religjioz), kryesisht islam!!
Faltoret në tokën tonë shqiptare janë përdorur dhe po përdoren për propagandimin dhe përhapjen e dogmës, të ideve dhe të ideologjive antihistorike, anticivilizuese, antishkencore dhe antishqiptare me qëllim të dobësimit dhe mundësisht zhbërjes së qenies shqiptare në trojet ende shqiptare, siç kanë bërë me Sanxhakun, Plavën e Gucinë, me një pjesë të madhe të trevave shqiptare në Greqi, Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Të mos flasim për miliona shqiptarë të “myslimanizuar” – turqizuar në Turqi!!
Po jetojmë në kohën kur thirrjet, lutjet dhe ligjëratat e mbushura me ide, dogma e “tregime” arabe (islami) ose qifute (krishterimi) “transmetohen” me altoparlantë të fuqishëm mu në zemër të qyteteve dhe vendbanimeve tona shqiptare!! Ligjëratat dhe lutjet (propaganda) e tyre bëhen me altoparlantë fare pranë shkollave tona, duke penguar mbajtjen e mësimit dhe jetën e punën normale të shqiptarëve!! Nga xhamia e pushtuesit (sulltan Fatih Mehmeti), që është fare pranë gjimnazit “Sami Frashëri” (vetëm rruga i ndanë), ligjëratat dhe thirrjet (propaganda fetare) bëhen çdo ditë me altoparlantë (nga një orë e më shumë) që e bëjnë të pamundur mbajtjen normale të mësimit!! Ku janë ata mësues e arsimtarë?!! Ku janë Drejtoria e Ministria e Arsimit?! Sepse, kjo vetëm lutje e besim në zot e për zotin nuk është! Kjo veprimtari është në kundërshtim me vullnetin dhe dëshirën e Perëndisë për harmoni, punë, zhvillim, përparim, respekt, barazi e drejtësi midis njerëzve…
   Kjo praktikë dhunuese dhe shfrenuese duhet të kufizohet dhe rregullohet me ligje! Institucionet shtetërore (edhe shoqëria shqiptare) nuk guxon edhe më tej të mbeten indiferente ndaj kësaj fushate të orkestruar antishqiptare dhe anticivilizuese… Rinia jonë dhe populli ynë nuk ka pse të “frymëzohet” e “edukohet” me ideologjitë e moralin e Krishtit a të Muhametit dhe me historitë e tyre… Nuk ka pse t’u shkojë prapa atyre që i predikojnë në gjuhë të huaja… Me ata dhe historitë e tyre mund t’i frymëzojnë dhe edukojnë popujt e tyre, por jo popullin dhe rininë tonë. Ne na ka frymëzuar, edukuar dhe drejtuar ndër breza Kryeprofeti dhe Kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu… Na kanë frymëzuar dhe na frymëzojnë e edukojnë profetët dhe heronjtë tanë s: Pirro, Leka i Madh, Teuta, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Hasan Prishtina, Konstantin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Abdyl e Sami Frashëri, Shotë Galica, Luigj Gurakuqi, Avni Rrustemi, Isë Boletini, Enver Hoxha, Vojo Kushi, Hajdar Dushi, Adem Demaçi, Adem Jashari dhe Familja e tij, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, Fehmi e Xhevë Lladroci dhe qindra e mijëra Heronj e Dëshmor të penës e të pushkës, që u përpoqën, luftuan e ranë për këtë tokë e për Zotin që na krijoi dhe na do shqiptarë, asesi turq, grekë, serbë, boshnjakë, “myslimanë”, malazezë, etj.
   A mund ta merrni me mend, lexues e bashkëkombës të dashur, çfarë do të ndodhte me ne, nëse edhe shkollat, institutet, shoqatat (OJQ – të), shoqëritë kulturore dhe artistike, kafenet e muzikave, partitë, etj., ligjëratat, mësimet dhe veprimtaritë e tyre do t’i mbanin me altoparlante?!! Do të ktheheshim në një ÇMENDINË KOLEKTIVE…