Lëvizja\UÇK

Mehmet Hajrizi: Gjzsmëshekulli i GRK – OMLK – së

GJYSMËSHEKULLI I GRK- OMLK-së

 Fjalë përshëndetëse, mbajtur para shtëpisë ku u themelua organizata çlirimtare Grupi Revolucionar i Kosovës, më 3 mars 1973

Prishtinë, më 3 mars 2023

Të nderuar pjesëmarrës të veprimtarisë mirënjohëse për GRK-OMLK në pesëdhjetë vjetorin e themelimit

Motra dhe vëllezër

Fillimisht dua t’ju falënderoj për ardhjen këtu në këtë datë të shënuar dhe në mënyrë të veçantë organizatorin Shoqëria Lëvizja, në krye me veprimtarin e shquar zotin Xhevat Bislimi.

Pllaka përkujtimore që u vendos sot në këtë shtëpi, është  shenja e parë simbolike e përkujtimit të kësaj organizate që ka lënë shumë gjurmë të thella në  jetën dhe rezistencën e shqiptarëve kundër regjimit gjakatar pushtues serb e jugosllav. E them sinqerisht e drejtpërdrejt dhe mbase përtej modestisë, por kam pritur shënimin e këtij përvjetori edhe nga ndonjë institucion shkencor dhe politik.

Sa shpejt kanë kaluar 50 vjet, sa shumë kanë ndryshuar Kosova dhe bota e sa pak ka ndryshuar fqinja jonë, Serbia!

Mbase sot nuk më bie të flas shumë, por meqë më ftuat kësaj radhe do të veçoj këtu vetëm dhjetë sfida të organizatës, dhjetë rezultate, dhjetë fakte për rëndësinë historike që ka ajo dhe së fundi nga rendi, por jo nga rëndësia, do të përkujtoj emrat e trembëdhjetë dëshmorëve të dalë nga radhët e saj.

 SFIDA

        .Përballja me një shtet dhjetëra milionësh, me sistem të sofistikuar të sigurimit.

  • Konteksti i pafavorshëm ndërkombëtar dhe jugosllav për çështjen e Kosovës.
  • Euforia e lirisë së rreme.
  • Mungesa e mbështetjes.
  • Nisja nga zero.
  • Aftësitë e kufizuara dhe papërvoja.
  • Mungesa e mjeteve materiale, teknike dhe bazave të sigurisë.
  • Rreziku i infiltrimit të UDB-së brenda organizatës.
  • Rreziku i përzgjedhjeve të gabuara të anëtarëve.
  • Shkelja e normave të disiplinës e të konspiracionit.

 

  1. REZULTATE

 

  • Formimi intelektual, patriotik dhe revolucionar i veprimtarit.
  • Strukturimi organizativ dhe sistemi i virtyteve.
  • Aksionet e para dhe shqetësimet e Goliatit.
  • Besimi në vete dhe bindja për fitoren.
  • Solidariteti i së majtës, mbështetja te njëri-tjetri.
  • Efektet e punës me masat dhe zgjimi i tyre gradual.
  • Thyerja e mitit të të plotfuqishmes UDB.
  • Traseja dhe binarët e rrugëtimit afatgjatë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
  • Veprimi nga fshehtësia në skenën e hapur, nga radhët e organizuara me masat e gjera.
  • Fronti i bashkuar- Lëvizja.

 

  1. RËNDËSIA HISTORIKE

 

  • Organizimi profesional me teknika konspirative, disiplinë të rreptë dhe metoda të avancuara.
  • Shtypi klandestin.
  • Shtrirja organizative në të gjitha territoret e pushtuara shqiptare.
  • Kultivimi i vlerave më të mira të traditës së LKSH.
  • Lidhjet me Shqipërinë.
  • Organizimi masiv i mërgatës rreth ideve të lirisë.
  • Pjesëmarrja e gruas në organizatë.
  • Kontributi përgatitor dhe organizativ i kryengritjes së vitit 1981.
  • Përvoja e shkruar që u shfrytëzua nga brezat vijues – vazhdimësia e lëvizjes.
  • Përgatitja Kosovës drejt luftës së armatosur çlirimtare.

 

  1. DËSHMORËT BËJNË HISTORINË

 

Nga radhët e GRK-OMLK kanë rënë në përpjekjet çlirimtare dhe janë shpallur dëshmorë e heronj, këta veprimtarë:

Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Bajram Bahtiri, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia, Xhevë Lladrovci, Isa Kastrati, Abdullah Tahiri, Hafir Shala (i pagjetur) dhe Avdilgafurr Luma.

Në këtë përvjetor jubilar përulemi me pietet para gjakut të derdhur për lirinë e Atdheut të tyre e tonin, duke mbajtur në piedestalin e vlerave morale dhe luftarake të popullit tonë, emrin, veprën  dhe lavdinë e tyre të përjetshme.

Njërin prej tyre, më 4 prill të vitit 1981, me plumbin në ballë e kemi mbuluar me flamurin kombëtar pikërisht këtu ku ndodhemi dhe jemi betuar në emrin e tij për t’ia marrë hakun duke e çliruar Kosovën e tij të shtrenjtë.

Këta dëshmorë janë vetë historia dhe lavdia e kësaj organizate, më e madhja në Kosovë, më e organizuara dhe me jetën e veprimtarinë më të gjatë deri atëherë.

Në këtë periudhë gjysmëshekulli janë ndarë nga jeta edhe shumë veprimtarë të tjerë, të cilët sot na mungojë, por i kujtojmë me respekt dhe nderim për kontributin që i kanë dhënë organizatës dhe lirisë së Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët e lirisë!