Komenti

Xh. Gjini: 17 shkurti ditë gëzimi apo ditë betimi për shqiptarët

17 SHKURTI DITË GËZIMI APO DITË BETIMI PËR TË JETËSUAR POROSINË E TË PARËVE TANË, POROSINË E DËSHMORËVE DHE HERONJVE TANË – VULLNETIN E NJË KOMBI PËR TË JETUAR I LIRË NË TOKËN E TIJ DHE I BASHKUAR NË NJË SHTET – SHQIPËRI?

Në Qershorin e vitit 1999 Kosova (pa viset e saj shqiptare, në kufijtë e imponuar nga pushtuesi), pas gati një shekulli përpjekjesh, luftërash dhe flijimesh, de fakto u çlirua nga pushtimi i Serbisë. Kjo ishte fitorja më e madhe e kombit shqiptar, pas krijimit të shtetit shqiptar në më pak se një të tretën e Shqipërisë… Shqipëria Verilindore, gati dy të tretat e  Shqipërisë, ishte pushtuar nga Serbia dhe Mali i Zi në vitet 1876 – 1912, kurse Shqipëria e Poshtme ishte pushtuar nga Greqia.

Lufta Çlirimtare e LPK – UÇK – së kishte në programin e saj dhe luftonte për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Me këtë përmbajtje ishte edhe BETIMI i UÇK – së: Çlirimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe ribashkimi i tyre në një shtet të vetëm dhe me Flamurin kuqezi. Ndërhyrja e NATO – s me bombardime nga qielli ndihmoi dhe shpejtoi përfundimin e luftës me një rezolutë të OKB – së dhe me një marrëveshje “teknike” në Kumanovën shqiptare. Ndërhyrja e NATO – s “pezulloi” edhe Luftën e UÇK- së për çlirimin e viseve shqiptare të Kosovës…

Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli shkëputjen – pavarësimin e Kosovës (në kufijtë e krahinës autonome) nga Serbia. Prania e Fuqive të Mëdha dhe klasa e “dobët” politike nuk lejuan që Kosova t’i bashkohejë shtetit të saj. Me bisedimet e Vjenës Kosova pa vise u bë shtet i (pa)varur…

Pavarësia e Kosovës dhe e çdo pëllëmbe të tokës së Shqipërisë ishte shpallur më 28 Nëntor 1912. Prandaj, 17 shkurti 2023, për shqiptarët brenda dhe jashtë Atdheut, duhet të jetë DITË E KUJTESËS dhe DITË E BETIMIT për t’u përpjekur dhe angazhuar me të gjitha mënyrat dhe mjetet për përmbushjen e vullnetit  shekullor të popullit shqiptar: BASHKIMIN NË NJË SHTET DHE NJË SHQIPËRI KUQEZI…