Kulturë\Letërsi

Besim Zymberi: Po ju çoi udha në Jemen

Po ju çoi udha në Jemen…

(Gjyshi im thoshte se, axha i tij dhe një djalë axhe, ishin dërguar si nizamë në Jemen dhe nuk u kthyen më kurrë…)
Po ju çoi rruga në Jemenin e zi
Dhe u rastis të shihni një njeri të bardhë
Shikojeni me kujdes, çdo shenjë tek ai
Në ka flokët e zinj e cazë si të rrallë…
Po e patë, tërhiqeni mënjanë
Dhe një gjë të mos e bëni kurrë:
Të mos i flisni arapçe: selam!
Por vetëm: paqe, ku mbete, ku u trete, or burrë!
Mos e pyetni së pari: nga je…
Dhe ç’të solli këtej në shkretëtirë
Jo se ai mund të jetë pa atdhe
Dhe jo se shpirti në pluhur i ka zverdhirë…
Po e patë atje në Jemenin e zi
Diku mes përcëllimës një njeri të bardhë
Tregojani vetëm një flamur kuq e zi
Mes lotësh, do ta puthë, pa thënë asnjë fjalë
Më pas do t’ju rrëfejë mallin e tij
Pêr gjyshin, që hyri në varr me plis në kokë
Që ia kishtë thënë, kur ishte fëmijë
Se djepin e kishin në një tjetër botë
Prej nga dikur, ishte marrë ushtar
Siç paskësh urdhëruar sulltani me ferman
Dhe mes pluhurit verbues dhe rërës zjarr
Ishte degdisur andej këmbë si nizam
I kishin thënë se në të ziun Jemen
Do t’ia shëronin veremin Perandorisë
Por, si ta dinte se do të soste në xhehenem
Si zog i humbur në botën e marrëzisë
Atje mbet’ se s’u kthye më dot
Bëri shtëpi, me çerpiçë prej dheu
Dritaret ia la, që kur të derdhte lot
T’ia thante puhi e frymes prej atdheu
Po ju çoi rruga në Jemenin e zi
Dhe ju rastis të shihni një njeri të bardhë
Ta dini, se është vëllai im ai
Që krenar do t’ju thotë: po, unë jam shqiptar!
Stërgjyshi i tij dhe i urti stërgjyshi im
Ishin vëllezër, prej një babe e një nëne
Që vdiqën pa e parë njëri-tjetrin, në përmallim
Që kur u ndanë, nën një dritëz hëne…
Nuk u panë më që atëherë
Ndaj gjarpërinjtë këtu ngrenë fort kokë
Na e morën Arën e Gjatë me gjithë Zabel
Nëpër një Mot të Keq, me Stuhi, Llohë e Sqotë…
Sepse stërgjyshin tim e morën, e shpunë larg
Një pushkë, mbeti gjithnjë varur në mur
Ku mes të çarash u vizatua një tjetër hartë
Ku veç grimca pluhuri iu veshën si lëkurë
Po ju çoi rruga në Jemenin e zi
Dhe ju rastis të shihni një njeri të bardhë
Ta dini, është vëllai im ai
Një copë Diell do ta ketë në ballë…
Si erë, si dëborë e kuqe a kushedi
Sa e sa herë kendej mund ta kemi parë…