Komenti

Xh. Gjini: Pak njerëzi, pak burrëri dhe pak moral i duhet edhe politikanit

PAK NJERËZI, PAK BURRËRI E PAK MORAL DUHET T’I KETË EDHE POLITIKANI
Politikani, që ka negociuar, ka firmosur dhe ka miratuar me dorën dhe votën e tij krijimin (shpikjen) e 10 komunave “serbe”, fusnotën, gjykatën speciale (antishqiptare) dhe, sidomos, krijimin e asociacionit/bashkësisë (bashkimin e atyre 10 komunave “serbe” në një entitet serb (miniserbi), nëse nuk ka forcë morale, intelektuale e njerëzore të dalë botërisht dhe të kërkojë falje për gjëmën që i ka bërë Kosovës, me firmën dhe votën e tij, të paktën do të duhej ta qepte ose ta mbyllte gojën dhe të “zhdukejë” nga skena politike.
Njeriu (po supozoj që edhe politikanët e “teatrit” tonë janë njerëz!) do të duhej të kishte pak fytyrë (moral), pak burrëri, pak njerëzi dhe pak përgjegjësi para popullit që i ka kërkuar besimin dhe votën! T’i negociosh, t’i firmosësh dhe t’i miratosh në parti, në Qeveri e pastaj edhe në Kuvendin e Republikës 10 komuna serbe në një Kosovë kaq të vogël dhe për një pakicë që s’e kalon 5 % e popullit, ta negociosh dhe ta miratosh fusnotën, gjykatën speciale për ta dënuar Luftën Çlirimtare, t’i falësh tokë Malit të Zi dhe, sidomos, krijimin e “zajednicës” dhe të kesh fytyrë të dalësh në publik, të kesh gojë për të folur në Kuvend e në media dhe të kesh dorë për të shkruar për publikun duhet të kesh deficit të plotë njerëzor, moral, kombëtar, politik e intelektual.
Kjo vlenë edhe për ata që ua kanë mbajtur “ison” këtyre politikanëve e qeveritarëve, ua kanë bërë “aminin” këtyre të zezave dhe i kanë “duartrokitur” ato pa e vrarë mendjen për gropën që po i bēnin lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe kombit shqiptar…
E njëta gjë vlen edhe për politikanin që kundërshtimin e dialogut me Serbinë, të “decentralizimit” (komunave “serbe”) dhe të “zajednicës” e kishte KRYEKAUZË për të ardhur në pushtet… Nëse pranon të themelojë “zajednicën” duhet menjëherë të “zhduket” nga skena politike dhe të fshihet e të mos paraqitet më në media ose para qytetarëve… Vendimet e politikës (të institucioneve shtetërore) nuk janë si vendimet e një personi a familjeje për të shitur a blerë një copë tokë ose për të shitur a blerë një shtëpi… Ato, vendimet e politikës kanë dhe prodhojnë efekte momentale dhe afatgjata për ose kundër një populli e territori (vendi), për jetën, mirëqenien, sigurinë dhe paqen e tij…
Kujtojeni BETIMIN e UÇK – së, Luftën që u bë dhe rënien e Dëshmorëve me këtë BETIM, pastaj ndaloni për pak çaste dhe mendoni: deri në ç’shkallë është katandisur Kosova dhe pozita e popullit të saj shqiptar me politikat, qeverisjen dhe marrëveshjet e tyre me Serbinë!!