Vështrim/Analizë

Bedri Halimi: “Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B”

“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (VII)
Rrethanat që çuan te lindja e UÇK-së Si çdo fenomen shoqëror, historik dhe politik, që nuk qëndron asnjëherë i vetmuar, as i lindur papritmas, ashtu edhe lindja dhe zhvillimi i UÇK-së nuk mund të shikohet si fenomen në vete, si diçka që lindi papritur dhe po ashtu papritur kreu misionin e saj gjatë viteve 1993/99. Realisht në themele të secilit fenomen madhor, qëndrojnë qindra ose edhe mijëra ngjarje e dukuri pararendëse, e të cilat duke u akumuluar brenda rrethanave të caktuara kulmojnë me shpërthimin në një moment të caktuar historik. Së këndejmi, edhe në themele të lindjes së UÇK-së, qëndrojnë mbi 250 vite ngjarje e fenomene historiko-politike në rrjedhë të integrimit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare brenda kombit shqiptar, të cilat në saje të shtresimit dhe të akumulimit të tyre si ndërgjegje kombëtare e sollën lindjen dhe zhvillimin e UÇK-së. Me fjalë të tjera, gjatë periudhave të ndryshme historike, ndonëse nën perandori të shumta, shqiptarët dhanë shenjat vazhdimisht pa ekuivoke, se ata janë gjallë. Gjatë këtyre periudhave pati kulmime historike madhore që u përcollën përmes qindra kryengritjeve krahinore e regjionale. Natyrisht këto ngjarje të hershme nuk lidhën drejtpërdrejtë me lindjen e UÇK-së, por si kujtesë historike janë të pashkëputshme. Shumëçka ka ndryshuar në terren. As shtrirja etnike e shqiptarëve nuk është më ajo që ka qenë në periudhën e integrimit të kombit shqiptar. Kanë pësuar njësitë etnokulturore e gjeopolitike në Ballkan e veçanërisht ato shqiptare e të Shqipërisë. Andaj, në këtë drejtim lufta e UÇK-së, shikuar edhe në rrafshin etnopsikologjik dhe historik, vjen si frymëzim liridashës që nga lashtësitë historike. Këtë e ilustrojnë edhe këngët e kënduara në linja të para të luftës së UÇK-së për komandantët apo dëshmorët e rënë, së bashku me këngët tjera, si: “Jem Ilira jem Teuta”, për Skënderbeun, për Ali Pashë Tepelenën, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (“Të gjithë shqiptarët janë Mic Soloka”), për Pavarësinë e Shqipërisë, për Lëvizjen Kaçake, për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, etj. Edhe më vonë ndjenja e lirisë do të frymëzohej nga ngjarjet tjera historike dhe padrejtësitë e mëdha që iu bëheshin shqiptarëve në to, si: Kongresi i Berlinit 1878, ku për shkak të këtyre padrejtësive u organizua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pastaj konteksti historiko-politik i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 si dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Më tej Konferenca e Versajës dhe krijimi i Jugosllavisë së parë, ku shqiptarëve përsëri iu bë padrejtësi e deri te Lufta e Dytë Botërore; protokoli i Firencës dhe konferenca e Jaltës më 1943, ku u vendos që të gjitha shteteve pjesëmarrëse në luftë kundër nazifashizmit, pas mbarimit të luftës, t’u njihen kufijtë e mëparshëm dhe jo kufijtë e vënë nga fashizmi. Kjo do të thoshte se Shqipërisë, edhe pse e renditur në koalicionin antifashist, do t’i njiheshin kufijtë e mëparshëm, ata të Londrës të vitit 1913. Edhe Konferenca tjetër e paqes – ajo e Parisit më 1946, i përkrahu vendimet e mëparshme që viset shqiptare të mbeten nën ish-Jugosllavi. Kështu kjo çështje do të vazhdonte kësisoj, duke mos u trajtuar si duhet problemi i Kosovës edhe në Helsinki II (12. XI. 1991); Konferencën e paqes për Ballkanin të mbajtur në Londër më 1992, në Konferencën e Hagës më 1993 dhe në Konferencën e Dejtonit më 1995. Lufta e dytë, mbetja në Jugosllavi Gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB-së), populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të saj, ju qas luftës antifashiste duke marrë pjesë brenda Koalicionit Antifashist Botëror të kohës. Këtë e bëri duke shpresuar se pas mundjes së fashizmit, si të gjitha kombet tjera, edhe ai do të gëzojë të drejtën e tij të ligjshme për vetëvendosje dhe Bashkim Kombëtar me vendin amë – Shqipërinë. Për këtë bashkim, më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u mbajt konferenca themeluese e Këshillit Antifashist të Kosovës, organizuar në veri të Shqipërisë në fshatin Bujan, konferencë tashmë e njohur si “Konferenca e Bujanit”, në të cilën u vendos që pas luftës antifashiste-nacional çlirimtare, treva e Kosovës dhe e viseve tjera të banuara me shqiptarë të ndara padrejtësisht në kuadër të Jugosllavisë së Vjetër, të kenë të drejtë vetëvendosjeje deri në bashkëngjitje me shtetin amë – Shqipërinë. Me këtë vendim të këtij Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar të Kosovës ishin pajtuar jo vetëm përfaqësuesit shqiptarë, por edhe ata serbë e jugosllavë duke e firmosur bashkërisht dokumentin. Mirëpo, përkundër pjesëmarrjes masive të shqiptarëve në luftë, pas përfundimit të luftës, Kosova dhe viset tjera të banuara me shqiptarë (në Maqedoni e Mal të Zi), në saje të fuqive të mëdha të kohës dhe të intrigave të Titos, ato sërish mbeten po aty ku i kish lënë Kongresi i Berlinit i 1978-ës, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës e 1913-ës, dhe e Jaltës, pra në kuadër të Serbisë e Jugosllavisë. KQ i PKJ-së me Josip Broz Titon në krye, kur dëgjoi për dokumentin dhe Vendimin që ishte ndërmarrë në Bujan, në mënyrën e tij mashtruese, krerëve të Këshillit Antifashist të LNÇ-së i dërgoi një letër, duke u shprehur se “në Bujan është marrë një hap i ngutshëm, se s’është koha për të marrë vendime të tilla për kufijtë, etj.” … Menjëherë pas luftës, Tito për ta zhbërë Vendimin e drejtë historik të Konferencës së Bujanit, e vuri në shtetrrethim Kosovën dhe e realizoi dhunshëm një Konferencë tjetër, e cila do ta mohonte atë të Bujanit. Kuvendi i tillë që tashmë njihet si “Kuvend i Prizrenit”, u mbajt më 10 korrik 1945 në Prizren. Siç dihet, në këtë Kuvend, delegatët shqiptarë, dhe delegatët serbë e malazezë të cilët tani ishin shumë më shumë se përqindja reale e popullatës serbe e malazeze në Kosovë, aprovuan rezolutën, sipas të cilës Kosova “me dëshirën” e saj po deklarohej të mbetej një “Obllast” në kuadër të Serbisë federale. Delegatët që e kundërshtuan këtë rezolutë të dhunshme më vonë u eliminuan politikisht. Realisht Ushtria çetnike e Titos, tashti me yllin partizan në ballë, më 1 prill 1945, gjatë rrugës për Tivar të Malit të Zi, vrau e masakroi mbi 2000 shqiptarë të Kosovës të cilët ushtritë jugosllave i kishin mobilizuar në kuadër të luftës antifashiste. Më 1944, akademiku serbomalazez, Vaso Çubrilloviq, i dorëzoi Titos dhe Shtabit që ai kryesonte, elaboratin e tij të dytë mbi metodat e shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës e me porosi që klasa e re politike serbo-jugosllave “të mos merrej me gllabërimin e Shqipërisë, sepse ajo tanimë është kafshatë e madhe, por ta kryejnë punën me Kosovën derisa nuk është bërë vonë”. Mirëpo, Tito këtë dokument ndonëse e ruajti në fshehtësi për të mos u komprometuar para botës, ai prapëseprapë deshi t’ia tejkalojë në praktikë edhe Çubrilloviqit duke tentuar ta gëlltisë edhe Shqipërinë për ta bërë Republikë të shtatë. Një skenar tjetër antishqiptarë, të cilin e realizi OZNA qysh gjatë LDB-së ishte eliminimi fizik i antifashistëve shqiptarë si Emin Duraku, Hajdar Dushi, Xhevdet Doda e të tjerë. Eliminimi i tyre ndodhi gjatë luftës, sepse jugosllavët, duke pasur parasysh patriotizmin si dhe ngritjen politike të tyre, të cilët ishin pjesë përbërëse e udhëheqjes së LNÇ-së në Kosovë, i konsideruan të rrezikshëm për realizimin e skenarëve të tyre ndaj Kosovës. Në anën tjëtër, as krahu tjetër i patriotëve nacionalistë të Kosovës, të cilët shikuar objektivisht e historikisht kishin plot argumente që midis dy fashizmave ta luftonin atë më të keqin, në rastin konkret fashizmin serb, nuk kaloi më lehtë. Këta, jo rastësisht, jugosllavët i quanin ballistë, dhe kjo do të thoshte përkrahës të fashizmit. Brigadat jugosllave në Kosovë nuk luftuan gjithaq fashizmin italian e gjerman, por në emër të armiqve të LNÇ–së, i grinë mijëra nacionalistë shqiptarë. Natyrisht, këtë e bënin pos për t’i sakatuar shqiptarët si popull, njëkohësisht edhe për t’ua lënë atyre namin e keq para aleatëve të mëdhenj të Koalicionit Antifashist Botëror, të cilët pas përfundimit të luftës do të përcaktonin edhe kufijtë e vendeve të ndryshme, se shqiptarët nuk ishin përkrahës të koalicionit antifashist. Për ta bërë sa më të besueshme këtë përshtypje para botës, shtypi jugosllav dhe radiot e luftës asokohe propagandonin me të madhe “reaksionin ballist të shqiptarëve”, por jo edhe rezistencën e organizuar të tyre në radhët e LNÇ-së. Kësisoj armata Jugosllave dhe shërbimi sekret me emrin OZNA, në emër të pastrimit të terrenit nga mbeturinat fashiste në Kosovë, gjatë vitit 1945 bënë eliminimin e të gjithë atyre patriotëve shqiptarë të cilët nuk u pajtuan me konferencën famëkeqe të 10 korrikut 1945, të mbajtur në Prizren. Në këtë mënyrë u vranë e u masakruan me mijëra shqiptarë “armiq” siç ishin antifashistët Shaban Polluzha, NDSH-ja, e pastaj Xheladin Hana e Rifat Berisha me shokë. Vërtet biografi i Titos, Vladimir Dedijeri, shkruan se: “brenga më e madhe e Titos menjëherë pas luftës ishte Kosova”!… (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (VIII)
Sërish rreth Titos e Rankoviqit Pas luftës, në emër të çlirimit, Kosova u rrethua nga veprimtaria banditeske e njërit nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos, Aleksandër Rankoviqit, ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Ai jo vetëm i ndërsyer dhe i bekuar nga Titoja, menjëherë pas luftës, deri në vitet e gjashtëdhjeta, organizoi aksionin famëkeq “aksioni për mbledhjen e armëve” në Kosovë. Gjatë kësaj kohe, në emër të këtij aksioni, bëri kërdi mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në përgjithësi dhe sidomos ndaj atyre individëve e familjeve me vetëdije më të zgjuar kombëtare e që kishin autoritet në popull. Jugosllavët e dinin se përderisa po bënin padrejtësi ndaj shqiptarëve, një ditë ata mund të çoheshin në kryengritje. Prandaj për ta pamundësuar këtë dëshironin edhe çarmatosjen e tyre, edhe detyrimin për shpëngulje, edhe futjen e përçarjes përmes përfitimit të elementëve të luhatshme si dhe futjen e frikës në popull. Por qëllimi nuk mbaronte vetëm me kaq. Në pyetje ishte detyrimi i shqiptarëve që ta lëshonin Kosovën dhe viset tjera të banuara me shqiptarë, sepse jugosllavët e dinin, se ky popull një ditë do të vetëdijesohet dhe do të kërkojë llogari. Kështu Rankoviqi dhe Tito, përmes pastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi, synonin prishjen e raporteve ndëretnike në dobi të popullatës serbe në Kosovë, në mënyrë që duke mbetur shqiptarët minoritet, Kosova edhe de facto të mbetej provincë serbe. Kështu qindra mijëra shqiptarë u detyruan të vendosën në Republikën e Turqisë, të Shqipërisë e gjetkë ku gjenden edhe sot e kësaj dite. Në këtë drejtim është e njohur edhe shpërngulja e familjeve shqiptare me vetëdije të lartë kombëtare nga Kosova në Vojvodinë, duke i vendosur ato familje në ato vise të Vojvodinës prej nga ndiqej dhunshëm popullata gjermane atje. Nga ana tjetër, në bazë të seleksionimit titisto-rankoviqist, zgjedheshin ca shqiptarë të cilët ishin të gatshëm për kompromise dhe lojalitet ndaj pushtetit serbo-jugosllav. Detyra kryesore e njerëzve të tillë që ishin nëpër institucione shtetërore e joshtetërore të kohës, qe ruajtja e “Vëllazërim-Bashkimit”, që për shqiptarët u dëshmua se ishte ruajtje e robërisë në emër të lirisë e barazisë. Serbia dhe Jugosllavia vazhdimisht dhe pandërprerë kanë rekrutuar një rrjet shqiptarësh në kuadër të shërbimeve të tyre të fshehta shtetërore e ushtarake, duke filluar nga OZNA, Sigurimi i Shtetit jugosllav i njohur si UDB, e deri te shërbimi i fshehtë kundërinformativ ushtarak jugosllav i njohur si KOS. Qëllimi i këtyre shërbimeve ka qenë dhe është, që të luftohen shqiptarët nëpërmjet shqiptarëve, që ata të përçaheshin e të viheshin në dyshim të njëri-tjetrit dhe eventualisht të luftonin midis tyre. Duke i vënë shqiptarët në luftë të brendshme, të mos kenë mundësi asnjëherë t’ia kthejnë pushkën Serbisë e Jugosllavisë për çlirim kombëtar shqiptar. Gjatë 50 viteve të administrimit jugosllav në trojet shqiptare, si rrjedhojë e trysnive, shqiptarët, pos shtypjes etnike, u përballën edhe me varfërinë sociale si dhe me pengesat e vazhdueshme për arsimimin. Megjithatë nuk ndejtën duarkryq, dhe me rrugë ilegale, gjysmëlegale e legale, rezistuan. Që nga 1945 burgjet serbo-jugosllave qëndrojnë gjithnjë të mbushura me ajkën e djalërisë e të burrërisë shqiptare. Burgosjet, ilegalja, … Rilindja Fillimisht në burgjet serbo-jugosllave u dergjën veprimtarët e Partisë Nacional Demokratike dhe “informbyroistët” shqiptarë të cilët s’ishin pajtuar me fatin e Kosovës dhe viseve të saj. Pastaj, po ashtu u dergjën burgjeve që nga vitet e 50 e deri më 1990, kur u lirua Adem Demaçi me veprimtarët e Organizatës për Bashkim Kombëtar, që e kishte themeluar ai. Fryt i punës ilegale dhe gjysmë ilegale ishin Demonstratat e vitit 1968, në të cilat u kërkua përdorimi i lirshëm i flamurit kombëtar, të drejtat e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare në shkallën universitare, dhe statusi i Kosovës republikë. Pushtuesi jugosllav, demonstratën e 68-ës e shtypi me reprezalje. Shumë njerëz u plagosën, pati edhe vrasje. Për shkak të këtyre ngjarjeve qindra të rinjë pjesëmarrës të demonstratave u dënuan me dënime kapitale deri në pesëmbëdhjetë vjet burg. Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme, të vetëdijshme se vetëm me forma unitariste e fashisoide të veprimit nuk do të mund t’ia dalin me shqiptarët, pas përdorimit të kërbaqit u detyruan të bëjnë edhe lëshime: kësisoj e lejuan përdorimin e flamurit kombëtar për shqiptarët, lejuan shkollimin e lartë në gjuhën shqipe, si dhe lejuan që në amandamentet e Kushtetutës së vitit 1974, e cila ishte në shqyrtim e sipër, pozicioni i Kosovës të avancohej juridikisht, duke u konsideruar edhe pjesë e Serbisë e edhe njësi konstituive e federatës jugosllave, gjë që vlente edhe për Vojvodinën. Faktorët e vërtetë që kryetarin e atëhershëm jugosllav – Titon dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë Kardelin, Bakariqin e të tjerë, i detyruan që në kuadër të kushtetutës së 1974-tës, Kosovës t’i japin karakter politiko-juridik më të avancuar ishin të shumtë: E para, Titoja kishte zbuluar komplotin serb të ministrit të tij të brendshëm Aleksandër Rankoviq, i cili duke u lidhur me Rusinë kishte mundësi t’ia hajë kokën atij. Për këtë arsye, në mbledhjen e mbajtur në ishujt Brione me 1966, nën kërcënim e rrethim të ushtrisë dhe sigurimit të fshehtë personal që kishte, e eliminoi Rankoviqin. Këtë gjë nuk e bëri për t’i shpëtuar shqiptarët, por për ta shpëtuar kokën e tij. Me largimin e Rankoviqit u fuqizua klani Kroato-Slloven brenda federatës. Kështu, ai po stabilizonte krijesën e tij jugosllave, me qëllimin e vetëm për t’ia zgjatur jetën federatës. Me largimin e Rakoviqit, Titoja e goditi klanin Serbo-Rus, me qëllim të përfitimit dhe afrimit ndaj Perëndimit, nga do të merrte miliarda dollarë hua. Duke e goditur Rankoviqin, ai dëshironte ndër të tjera që edhe t’i “shpëlajë” duart e veta (para opinionit shqiptar dhe para botës), të futura në krim ndaj shqiptarëve, si dhe për të krijuar përshtypjen si “shpëtimtar” i tyre. Kësisoj të gjitha fajet mbi krimet në Kosovë për t’ju hudhur Rankoviqit, edhe pse dihej botërisht, se po ky Titë (pa Rankoviqin) më 1953 në kuadër të marrëveshjes “xhentëlmene” me ministrin e jashtëm turk, kishte hartuar planin lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, kreator i të cilit ishte ai vetë. Pason periudha e jugosllavizimit të shqiptarëve në Kosovë dhe vise të saj. Kjo synohej të arrihej përmes kulturës jugosllave, që për shqiptarët ishte një frymë kozmopolite, e cila kishte për qëllim zhveshjen e identitetit kombëtar të individit. Duhet përmendur në këtë rast edhe lirinë e kufizuar të krijimtarisë në çdo sferë të artit, shkencës e kulturës shqiptare. Nga mesi i viteve 70-ta, ideja serbomadhe përmbysi idenë e jugosllavizimit. Më 1976 doli “Libri i Bardhë” me të cilin sanksionohej e ardhmja e Kosovës në përbërje e shkrirje të Serbisë së Madhe. Si rrjedhojë, kemi ringjalljen e aktivitetit ilegal të rinisë shqiptare. Organizatat PKMSHLJ, OMLK, LNQKVSHJ, LPRK…; rezultuan me ngjarjet madhështore të vitit 1981, të cilat ishin artikulim më i qartë i zërit shqiptar për liri, vetëvendosje e barazi. Këto ngjarje përfundimisht e ndërprenë procesin e jugosllavizimit të popullit shqiptar. Dhuna në “shtetin paralel” Gjatë kohës që po zhvilloheshin luftime të ashpra në Slloveni, Kroaci e Bosnje; në Kosovë ndodhnin vazhdimisht: thirrjet në biseda informative, ndjekjet e të rinjve gjoja për shërbim ushtarak, thirrjet që u bëheshin të rinjve për rekrutim ushtarak, në kohën pra, që zhvilloheshin luftime në Bosnje e Koraci, rrënimi i bazës ekonomike të shqiptarëve, largimi nga puna i punëtorëve shqiptarë, shkatërrimi i atij sistemi politik, kulturor, arsimor, shkencor e ekonomik që ekzistonte, marrja e Kushtetutës së vitit 1974 me dhunë më 1989, burgosjet dhe ndjekjet masive të veprimtarëve shqiptarë etj… Lufta si domosdoshmëri Me rastin e shpërthimit të luftës në Kosovë, kemi përsëritjen e Bosnjës, vrasjet masive, dhunimet masive, likuidimet, rrëmbimet, burgosjet, djegiet, shkatërrimet, minimet e terrenit, shpërnguljet masive… Meqenëse dhuna e egër serbe vazhdimisht vinte duke u shtuar, kjo gjë natyrshëm ngjalli reaksion te shqiptarët, prej nga do të integrohet rezistenca e armatosur. Së këndejmi, UÇK-ja lindi për shkak të dhunës sistematike që ka përdorur Serbia ndaj shqiptarëve, por edhe shterpësia e politikës pacifiste, për ta zgjidhur çeshtjen e Kosovës (sidomos pas Dejtonit), si dhe indolenca e opinionit politik ndërkombëtar. Të gjithë këta faktorë, detyruan lindjen e UÇK-së si ndërgjegje ekzistenciale dhe çlirimtare shqiptare. (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (IX)
UÇK-ja arsyet… Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli nga gjiri i këtij populli, për ta mbrojtur në radhë të parë substancën biologjike shqiptare të Kosovës, të cilës i kanosej rreziku i shfarosjes fizike dhe për t’i mbrojtur trojet shqiptare, të cilat ishin vënë nën kthetrat e shovinizmit serb. Realisht, pas veprimeve të para publike të UÇK-së më 1993 përgjigja serbe ndaj veprimeve çlirimtare kombëtare, u shoqërua me arrestime dhe burgosje nën akuzën e terrorizmit shqiptar. Kështu u burgosën sërish anëtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, të Frontit për Çlirim Kombëtar, të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës etj. Mbushja e burgjeve serbe, me veprimtarë të rinj shqiptarë, vrasjet, përzënia nga puna dhe mohimi i të drejtave në të gjitha sferat e jetës, ndikoi që ideja për çlirimin e vendit me luftë të armatosur të bëhet jo vetëm arsyeshmëri, por edhe domosdoshmëri shqiptare. Vendimin për formimin e UÇK-së e mori LPK-ja, por radhëve të UÇK-së do t’i rrekeshin vazhdimisht edhe personalitete të tjera, të cilët me kalimin e kohës e kishin kuptuar se rezistenca paqësore ishte politikë jo vetëm e pafrytshme e nënshtrim, por edhe vetshkatërrim. Ndaj, të kota ishin insinuatat, e atëhershme, se “mbrapa UÇK-së qëndron shërbimi sekret serb”. Kjo gjellë u gatua që ta hante opinioni shqiptar, për të hequr dorë nga rruga e lirisë dhe për t’u pajtuar me robërinë. Lufta e UÇK-së ishte faktori sublim, i cili çështjen e Kosovës e çoi në Rambuje. Pra, gryka e pushkës dhe gjaku i derdhur në altarin e lirisë. UÇK-ja e solli NATO-n në Kosovë, dhe UÇK-ja ishte këmbësoria e saj, aleate në luftën kundër Sadamit të Ballkanit e Evropës – Millosheviqit. Edhe përkundër kësaj që u tha, Buxhovi duke bërë fjalë për këtë periudhë, gjatë zhvillimeve të luftës autori konstaton edhe këtë “Në këtë luftë, nga anë të ndryshme, tashmë po luftohet shteti dhe siç po shihet, aty ku ndiqen dhe vriten intelektualët, do të luftohet edhe liria”… Këtu nuk përmend Buxhovi Serbinë pra për autorin respektivisht personazhin e autorit këtu “luftohet shteti”! Ndërkohë që Kosova ishte e okupuar, pra ishim nën robëri. Dhe Buxhovi vazhdon të konstaton se po u luftuaka ‘shteti’ (pa liri – vërejtja jonë). Si duket i vetëdijshëm autori se materien e ka bluar shumë trashë, ndonjëherë e lëshon edhe ndonjë frazë fillestare të ndonjë paragrafi, për të dalë sërish te qëllimi i tij, si: “Nuk përjashtohet mundësia se edhe Beogradi të ketë futur komandat revolucionare të maskuara me uniforma të UÇK-së, për t’i qëruar përfundimisht hesapet me intelektualët dhe aktivistët, të cilët prej vitesh ishin përfshirë në konceptim dhe veprimtarinë e lëvizjes institucionale,… por nuk mund të mohohet fakti se mentaliteti “revolucionar” është pjesë e lëvizjes ilegale e pranishme në disa qarqe të diasporës shqiptare e përqëndruar në Gjermani e Zvicër”. Deklaratat e gjeneralit serb i thirrë në ndihmë… Dhe përsëri jo vetëm kaq! Për të përforcuar propagandën e tij kundër pjesëtarëve të UÇK-së, Buxhovi e thirrë në ndihmë duke potencuar edhe pohime të burimeve serbe si: “Një gjeneral serb në Prishtinë, në një konferencë për shtyp me përfaqsues të mediave botërore, doli me disa të dhëna tepër shqetësuese, sipas të cilave “komandat terroriste” për të cilat tha se ishin militantë marksistë, leninistë, nga lëvizja ilegale e diasporës të drejtuar nga oficerë enveristë të armatës shqiptare, gjatë pranverës dhe verës së atij viti, në të ashtuquajtura zona të lira (përmendi Drenicën, Dukagjinin dhe një pjesë të Hasit), kishin vrarë 123 qytetarë të përkatësisë shqiptare… E një pjesë e të cilëve ishin marrë përtej kufirit me Shqipërinë “si plaçkë lufte” ”. Dik Martin që e ‘përmendka përsonazhi’ i tij, nuk distancohet as Buxhovi Dhe po sipas këtij gjenerali të cilin na e sjellë autori paska përmendur “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri dhe një në afërsi të Tiranës (spitali i dikurshëm ushtarak) prej nga organet njerëzore, përmes aeroportit të Tiranës transportoheshin jashtë. Ç’ti themi kësaj? Ky është monstruozitet i llojit të veçantë nga Buxhovi që e këndon të njëjtën melodi me Kosaçevin, pra me Moskën dhe Beogradin. Mbi bazë të kësaj akuze Dik Marti e tronditi botën, e cila akuzë tani përfundoi deri në formimin e Gjykatës Speciale. Ndërkaq argumentet për Trafikim me qenie njerëzore u heshtën sepse nuk mund të prodhoheshin argumente të tilla. Madje që në kohën e deklarimit të Dik Martit për këto akuza, disa profesionistë të fushës së mjekësisë – serbë nga Serbia u patën deklaruar hapur për pamundësinë për të ndodhur një gjë e tillë sipas parimeve shkencore. Çka thoshte specialisti i Mjekësisë Ligjore nga Beogradi – Zoran Stankoviq për mundësinë e trafikimit me organe njerëzore? Specialisti i mjekësisë ligjore nga Beogradi – Zoran Stankoviq, duke folur për trafikimin me organe njerëzore në vitin 1999 nga ana e UÇK-së, ka thënë se: “një gjë e tillë është e pamundshme”, sepse sipas tij “në këtë punë duhet të marrin pjesë kirurgë të mirë, një ekip multidiciplinar me të paktën pesëdhjetë njerëz”, për të vazhduar pastaj “që organi të merret nga trupi duhet të jetë në gjendje pa vetëdije duke dhënë sedativë apo anestetikë. Janë iluzione teoritë se, ata së pari janë vrarë dhe të vdekur i kanë dërguar deri në vendin ku janë marrë organet”. Çka thoshte kirurgu serb, koloneli, prof. dr. Goran Kronja kirurg në Spitalin Ushtarak të Beogradit, lidhur me mundësinë e trafikimit me organe njerëzore? Koloneli serb, prof dr. Goran Kronja, kirurg në Spitalin ushtarak të Beogradit, lidhur me mundësinë e trafikimit me qenie njerëzore në Shqipëri, në revistën “VREME”, nr.1135, të datës 04.10.2012, në artikullin e përgatitur nga Millosh Vasiq, thekson: Prokurori për krime lufte, Vladimir Vukçeviq, thotë se lidhur me dëshminë e atij dëshmitari, “ata janë konsultuar me shumë ekspertë mjekësorë me qëllim që të na thonë nëse është e mundur të kryhet gjithçka ashtu siç flet dëshmitari, para së gjithash nuk duhet përzier transplantimin dhe këtë intervenim ku e vetmja gjë e rëndësishme është që të merret organi dhe ta paketosh në mënyrë të sigurtë”… Megjithatë, “paketimi i sigurt” është diçka tjetër: nga rrëfimi i dëshmitarit, thotë doktor Kronja, del se nuk ka kurrëfar “paketim të sigurt” dhe nuk mund të ketë, gjë që është e qartë për çdo teleshikues të vëmendshëm dhe lexues gazete, e lëre më “shumë ekspertë mjekësorë”. “Ka edhe një detaj tjetër të rëndësishëm logjistik: e gjithë kjo për tregtinë e organeve, “shtëpinë e verdhë” etj., gjoja ka ndodhur në Shqipërinë e Veriut gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Aeroporti më i afërt është në Tiranë, dhe organi “i paketuar në mënyrë të sigurt” , duhet t’i sillet marrësit sa më shpejt që të jetë e mundur. Nga Kukësi dhe Burimi (“shtëpia e verdhë”) deri në Tiranë, në atë kohë duheshin dhjetë orë për të vozitur me një automjet të mirë, sepse rrugët ishin katastrof të këqija. Për këtë, këtij autori (Millosh Vasiq) i ka thënë me hollësi një ish-major i forcave speciale nga një nga vendet e NATO-s, i cili më pas ka shërbyer atje, e më pas është bërë diplomat: “Duhej të kishit një helmetë në kokë, sepse vazhdimisht goditje çatinë e automjetit”, thotë ai. “Për transportin eventual me helikopter të organeve të njeriut, në anën shqiptare nuk kishte helikopter, atëherë fluturonim vetëm ne”. Por kush donte t’ia dinte atë botë për këto gjëra? Po kujt do t’ia dinte kur mes tyre ka edhe ndonjë shqiptar si Buxhovi që qoftë edhe tërdhorazi e biberos “romanin” e tij me xhevahirët e Dik Martit. Buxhovi në rolin e prokurorit Kurse për vrasjet enigmatike të pasluftës në Kosovë, në këtë libër përmendet, “si emërues i përbashkët i të gjitha pistave shfaqej SHIK (shërbim klandestin informativ) i themeluar gjatë luftës në kuadër të UÇK-së të shumtën nga radhët e militantëve të LPK-së, shërbim ky që kishte vazhduar… edhe gjatë administrimit ndërkombëtar në Kosovë e deri në vitin 2008…”. Madje ky shërbim sipas të dhënave të këtij libri duhej “ta kishte pasur edhe mbështetjen e jashtme, veçmas nga SHISH (shërbimi informativ i Shqipërisë)…”. Pra kur i duhet Buxhovit gjërat i lidhë me Tiranë. Kur i duhet i lidhë me Beogradin e nëse i duhet sërish, atëherë e lidhë edhe Tiranën me Beogradin. (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (X)
Deklarim i çuditshëm përmes gojës së personazhit ‘Vrasësi i Penduar’ rreth shpalljes së pavarësisë “17 shkurti 2008 paraqet një ngjarje historike për Kosovën (shpallja e pavarësisë), por njëherësh paraqet edhe një datë tragjike për të, meqë në këtë ditë, autorët e krimit, me “Oreolin e çlirimtarëve” dhe ndihmën e disa qarqeve ndërkombëtare, do të legjitimojnë shtetin si një pronë të patjetërsueshme të tyre!…”. Qoftë e thënë kjo realisht nga goja e ‘vrasësit të penduar’ apo nga goja e autorit, është tepër domethënëse si për misionin e autorit rreth këtij libri për mohimin e gjithçkaje kombëtare në emër të kombëtares, si për predikimin qëllimkeq të aktit të shpalljes së pavarësisë, si për përmendjen e vetë vrasësit të penduar si personazh, loja e të cilit ende nuk ka përfunduar, por në këtë rast autorit i duhet në ndihmë të qëllimit të tij, edhe një personazh i tillë. Edhe fëmijët shqiptarë në perëndim kundër “shtetit paralel”! Në funksion të realizimit të qëllimit të autorit, ai do të sjellë edhe këtë pohim sipas tij analitik: “Si ishte e mundur që një kategori e të rinjve që në moshë të re (10-15-vjeçare) të ikur nga dhuna serbe nga ambientet rurale nga fillimi i viteve të 90-ta e këtej, brenda 10 apo më pak vitesh të qëndrimit në Gjermani, të përfshirë në sistemin arsimor dhe edukativ gjerman të frymëzoheshin me një urrejtje të tillë kundër shtetit paralel dhe frymës intelektuale, kur do të duhej të ishte e kundërta”? Pra, jo kundër Serbisë, por kundër “shtetit paralel”. Merre me mend çfarë përrallis Buxhovi, në këtë të ashtuquajtur roman. Dhe përsëri këtu vijmë te momenti se lufta ishte e domosdoshme, ngase nga qielli nuk do të vinte liria kurrë sipas konceptit të rezistencës paqësore. Ndërkohë dihej që vetë sllavët mes vete nuk mundën të merren vesh pa luftë brenda Jugosllavisë. Prandaj, cila do të duhej të ishte arsyeja që shqiptarët ta besonin se liria do të pikte nga qielli? Krahasim morbid Levizjes me fundamentalizmin islamik Dhe për ta njollosur luftën çlirimtare, Jusuf Buxhovi e thërreh në ndihmë sociologun Zigfrid H. i cili paskësh bërë një krahasim të indokrinimit të natyrës ideologjike (propagandës) për bashkim me Shqipërinë enveriste, sipas të cilit qenka i ngjashëm me atë të natyrës fundamentaliste që klerikët fanatikë vahabi zhvilluakan brenda refugjatëve turq dhe të tjerëve nga vendet islamike. A ka nevojë për koment ky krahasim kaq banal dhe kaq keqdashës? Lufta kishte karakter çlirimtar dhe jo ideologjik, pra luftohej duke u vrarë ushtarët në fushëbetejë për largimin e ushtarëve serbë nga Kosova, dhe jo për të sjellë farë komunizmi mes shqiptarëve, ndërkohë që komunizimi nuk ekziston në tërë Evropën. Kush ia ha këtë çorbë Jusuf Buxhovit? Prandaj me të drejtë Vaclav Havel ka deklaruar se “më të këqinj se komunistët, janë vetëm komunistët antikomunistë”. Kurse Jusuf Buxhovi ishte siç dihej njëri ndër partizanët e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. “Rituali i anatemës së tradhëtisë”… Duke i përdorur shpesh, pra duke i përsëritur gjërat e përgjithësuara me qëllim të dezinformimit rreth kauzës, autorit, nuk e di për cilat arsyera i djeg kaq shumë “rituali i anatemës së tradhëtisë, me shfrime nacionaliste…” që sipas autorit këto mbretërojnë edhe në tubimet maratonike që janë përcjellë me “aktivitete kulturore (një përzierje e kiçit muzikor folklorik me recitime patetike-patriotike dhe skeqe të ngjashme që ngjallin dalldi kolektive)”. Pra këtu Buxhovin e pengojnë edhe pikat muzikore edhe recitimet, sipas të cilit janë të një niveli të ulët artistik. Ndërkaq harron se në rrethanat kur janë bërë këto, primare nuk ishte kultivimi i vlerave të larta artistike, por lufta dhe çlirimi i Kosovës. Disi ngjashëm edhe Buxhovi e bën me këtë libër, nuk i shikon vlerat artistike fare, por gjërat i përzien si ‘mielli i…’, ngase në fokus nuk e ka artin dhe as kulturën, por misionin politik. Prandaj Buxhovin e kanë penguar edhe klubet, klubet e shqiptarëve pra, të cilat kanë ekzistuar edhe gjatë kohës kur Buxhovi ishte korrespondent i “Rilindjes”, sepse në këto klube paskësh pasur mundësi të depërtojë armiku i Jugosllavisë, i socializimit e qeverisjes jugosllave. Sërish dërdëllisje me organet njerëzore… Aq kompetenca në “lirinë e krijimtarisë” i jep vetes Buxhovi, sa që paraqitet njeri i gjithëdijshëm, sikur të kish qenë në çdo ngjarje anekënd Kosovës. Prandaj shkruan për to, për të gjitha pra, por shkruan sipas orekseve të tij, dëshirave dhe synimeve. Por meqë nuk e ka fuqinë e një “supermeni” që të ketë qenë gjithkund, ai për realizimin e qëllimeve të tij, thirrë në ndihmë edhe mendime të të ashtuquajturve psikiatër gjerman, të cilët paskan mbledhur “shumë e shumë rrëfime tronditëse të të rinjve që kishin kaluar nëpër ecejaket e luftës së Kosovës, por edhe të paraluftës (qëndrimit në Shqipëri), që del se kishte qenë një përzierje kriminale-mafioze ndër më të paparat deri atëherë në ato anë ku disa pacientëve nën tretmanin e mbikëqyrjes së mbyllur shumëvjeçare, krahas shumë e shumë fiksimeve makabre, në halucinacione u përvijohen edhe trafikantët e organeve njerëzore”. Këto gjëra autori i thotë përmes një personazhi Rajan H., psikiatër. Pra kur i duhet autorit që gjërat t’i gjykojë, formon menjëherë një trup gjykues me: sociolog, psikolog, psikiatër, kriminolog… Dhe ky është “baca mjeshtër” i të gjithëve. Prandaj edhe përmes gojës së politologut Matias R. si personazh e thotë “Historikisht, gjatë dy shekujve të fundit, Serbia ua ka prezantuar shqiptarëve heronjtë e tradhëtarët në përputhje me interesat e veta dhe se edhe këtë herë po ndodh kështu…”. Marrja me pasojën e jo me shkakun Buxhovin e pengojnë shumëçka, madje edhe lufta e kaçakëve, sipas të cilëve Beogradi ia doli që me… “ofensivat policore ushtarake kundër kaçakëve dhe jatakëve të tyre, që rëndom drejtoheshin kundër popullatës së pambrojtur, që për pasojë kishin shpërnguljen e detyrueshme të tyre për në Turqi dhe gjetiu…” A ka nevojë të komentohet kjo kur autori kapet për pasojën dhe jo për shkakun? Po sipas tij duke thirrë në ndihmë personazh të huaj del se: “Beogradi ka përcaktuar rrugën e Shqipërisë kah lindja… dhe se Hoxha ishte një krijesë e Beogradit…, i cili paskësh bërë çmos që ky të mbetej në krye të shtetit shqiptar si stalinist, ndërsa Shqipëria si një gulag trishtues europian”. Në këtë drejtim autorin e pengon edhe propaganda ideologjike e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë, ku paska ndikuar që në Kosovë të forcohet rryma enveriste. Por rreth propagandës titiste nuk thotë asnjë fjalë, rreth qëllimeve të titizmit nuk thotë asnjë fjalë, sepse vetë autori ishte ushtar i titizmit, madje njëri ndër pararojet e titizmit në Kosovë. Prandaj këtë e pengon Lëvizja Kombëtare Shqiptare gjatë kohës së komunizmit jugosllav ku thotë: “në këto kushte nga ilegaliteti shfaqet edhe lëvizja revolucionare për bashkim me Shqipërinë, që nuk ishte tjetër pos formë e përsëritur e iridentizimit ideologjik, sipas recetave internacionaliste në kuadër të doktrinës së njohur ideologjike për “vetëvendosjen e popujve” brenda kampit socialist”… Përmendja formale e NDSH-së Në disa raste e përmend NDSH-në, por jo ngaqë ka ndonjë simpati për të, por me qëllim për t’ia kundërvënë ‘grupeve të majta’, prandaj edhe konkludon: “Të fiksuar nga ideologjia si dhe kornizat ku duhej kërkuar hapësirë për interesat kombëtare, me dashje apo pa dashje të tillët ishin kthyer në agjitatorë të regjimit të Tiranës, prej nga ata i merrnin qëndrimet e gatshme që duhej të kishin karshi ngjarjeve në Kosovë, siç ishte ajo rreth kërkesës për Republikën e Kosovës në përbërje të Federatës Jugosllave, e manifestuan me demonstratat e mëdha shqiptare në Kosovë gjatë nëntorit të vitit 1968 dhe e rishfaqur në demonstratat e vitit 1981”. Së pari, këtu autori e pranon se demonstratat paskëshin qenë të mëdha, dhe nëse shqiptarët do të kishin të gjitha të drejtat siç në shumë vende pohon gjatë këtij libri, masiviteti i pjesmarrjes së shqiptarëve në protesta nuk do të ishte aq i madh. Së dyti, hipotetikisht ta zëmë, sikur dikush paskësh marrë instruksione apo qenka shndërruar në agjitatorë të regjimit të Tiranës, del konkludimi se e kundërta e kësaj do të duhej të shëndrroheshin në agjitatorë të titizmit siç ishte Buxhovi, pra autori i këtij libri dhe rrjedhimisht do të duhej të merrnin instruksione nga Buxhovët, pararoja e titizmit në Jugosllavi. Prandaj Buxhovit i djeg edhe përkrahja e Shqipërisë në “kërkesat për Republikën e Kosovës, duke e quajtur atë “të drejtë” të pakontestueshme të shqiptarëve të Kosovës për barazi”. Dhe menjëherë e jep vetë arsyen Buxhovi, sikur tash të jetonte në periudhën e ngjarjeve të vitit 1981, ku thotë: “Por, edhe kthesa për Republikën e Kosovës në përbërje të Federatës Jugosllave, u kushtëzua me ideologjinë staliniste. Kjo kërkesë duhej të kthehej në armë të re të përkrahësve të tij në Jugosllavi”… Kush nuk e ka të qartë përpos atyre që qëllimisht nuk duan ta kenë të qartë, se atëbotë, askund nuk është kërkuar Republikë Staliniste, por Republikë e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave? E Buxhovi është si Buxhovi, nuk lë gur pa lëvizur, vetëm e vetëm që çdo gjë të rrotullojë së prapthti. Por logjika e tij shkon edhe më larg kur thotë: “Një fatalitet për shqiptarët, sipas skenarit të Beogradit, me ç’rast stalinistët dhe enveristët u kthyen në heronjë, ndërsa intelektualët që themeluan institucionet kombëtare në Prishtinë gjatë viteve 70-ta dhe 80-ta dhe ia dolën që ta afirmojnë idenë për barazi në Federatën Jugosllave, u shpallën tradhëtarë”… Dhe këtij mendimi, kur flet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, ia pason mendimin e njëjtë të zhvendosur në kohën tjetër kur thotë “Në Kosovë perëndimi fitoi një luftë gjeostrategjike e cila me fitorën e enveristëve dhe neostalinistëve ndaj intelektualëve properëndimor që ia vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ardhjen e tyre në pushtet rrezikon një humbje gjeopolitike?…” Gjithashtu rreth ngjarjeve të vitit ’81 mendimi i Buxhovit është i njëjtë me mendimin e akademikut serb Mihailo Markoviq. (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XI)
Ngjashmëritë e rastit apo të qëllimshme? Në një intervistë të bërë nga Baton Haxhiu me Mihailo Markoviqin – ideologun e PSS (siç e thekson edhe vetë), e cila është botuar në revistën “KOHA”, nr. 54/95, 29 mars 1995, f.13, në këtë intervistë, Mihailo Markoviq pos tjerash thotë: ”Udhëheqësit shqiptarë të cilët organizuan demostratat e vitit 1981 bënë gabim të madh historik….Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”. Pra të njëjtat qëndrime, të Mihailo Markoviqit, i jep pas kaq vitesh edhe Buxhovi, në romanin e tij. Ngjashmëria po shihet, po cili është dallimi mes qëndrimit për ngjarjet e vitit 1981 mes akademikut serb Mihailo Markoviqit dhe Jusuf Buxhovit? Pozita ekonomike e Kosovës në periudhën e Jugosllavisë socialiste Sa i përket të arriturave “të mëdha” dhe barazisë së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, edhe pas kushtetutës së vitit 1974 po sjellim të dhënat ekonomike në vijim… Edhe përkundër faktit se Kosova ishte e pasur, me minerale të shumta, toka pjellore shumë të përshtatshme për bujqësi si edhe një popullsi aktive për punë, prapëseprapë, Kosova si edhe viset me popullsi shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi ishin krahinat më të prapambetura në ish-Jugosllavi. Kjo prapambetje është rrjedhim i politikës diskriminuese që është ndjekur ndaj këtyre trevave. Pasuritë minerale të Kosovës janë veçanërisht të rëndësishme. Rezervat e qymyrit linjit, arrinin në rreth 12 miliardë tonë dhe përbënin 68.8% të të gjitha rezervave të këtij lloji në Jugosllavi. Në Kosovë gjendeshin 30% të rezervave energjetike të Jugosllavisë, 22.3% të rezervave të nikelit, 52% të rezervave të plumbit dhe të zinkut, 51.8% të rezervave të magnezit. Gjithashtu në sasi të konsiderueshme janë kromi, argjendi, boksidet, mangani, hekuri, antimoni, zhiva, bakri e kallaji. Nuk mungojnë as mineralet e rralla si kobalti, indiumi, kadmiumi, germaniumi etj., pa folur më tej për metaloidet, ndër të cilat numërohen mbi 20 lloje me vlera të mëdha industriale. Megjithëse dispononte pasuri kaq të mëdha minerale dhe energjetike, që përbëjnë 10% e të gjithë pasurive natyrore të Jugosllavisë, (ndonëse ishte vetëm 4.2% të sipërfaqes së saj) dhe si pasojë kushte shumë të favorshme për zhvillimin mbi këtë bazë të industrisë dhe të bujqësisë, Kosova ishte gjithnjë rajoni më i prapambetur i Jugosllavisë. Sikurse shihet, Kosova përdorej kryesisht si një burim për furnizimin e viseve të tjera të Jugosllavisë me lëndë të para të përpunuara ose pjesërisht të përpunuara, me energji elektrike bile edhe me fuqi punëtore të lirë. Në të njëjtën kohë ajo ishte kthyer në një treg të leverdisshëm për shitjen e mallrave të gatshme industriale të republikave më të zhvilluara. Prapambetja dhe struktura ekonomike e pavolitshme e Kosovës kushtëzohej jo vetëm nga gjendja e trashëguar, sikurse pohonin në Beograd. Po kryesorja ishte politika e interesave të ngushta të kapitalit të madh që ndodhej kryesisht në republikat e zhvilluara jugosllave, të cilat bënin investime në sektorët që nuk i leverdisnin ekonomisë kosovare. Në këtë mënyrë nga një nivel i produktit shoqëror dhe i të ardhurave kombëtare për frymë 2 herë më i ulët se mesatarja jugosllave në periudhën e pasluftës dytë, Kosova ra në vitet e fundit të viteve 70-ta në një nivel 4 herë më të ulët. Gjatë të njëjtës periudhë 40 vjeçare Kosova, e cila në vitet e para të pasluftës ishte në produktin shoqëror dhe në të ardhurat kombëtare për frymë në nivel të njëjtë me atë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjë Hercegovinës, ra një një nivel 2.5 herë më të ulët në krahasim me këto republika. Kurse, në krahasim me republikën më të zhvilluar, të Sllovenisë, kjo diferencë u thellua, nga 3.3 herë në vitin 1947, në 7.5 herë në vitin 1981. Atëbotë gjatë 15 viteve të fundit, deri më 1981, premtimet zyrtare që ishin dhënë për të penguar këtë tendencë duke rritur produktin shoqëror të Kosovës me një ritëm vjetor 60% më të lartë se mesatarja e Jugosllavisë, kurrë nuk u realizuan. Përkundrazi ritmi ka qenë 50% më i ulët se kjo mesatare. Pra prirja e zhvillimit të ekonomisë kosovare shkonte në të kundërtën e parashikimeve të bëra. Rrjedhimisht dallimet dhe prapambetja e Kosovës në krahasim me ekonomitë e republikave jugosllave dhe të Krahinës së Vojvodinës shkonin duke u thelluar. Përcaktuese për prapambetjen e Kosovës ishte në radhë të parë, politika e investimeve, nëpërmjet së cilës realizohej shfrytëzimi i saj ekonomik. Degët bazike kanë thithur gjithnjë mjetet kryesore të investimeve, që nga ana e tyre asnjëherë s’kanë qenë të mjaftueshme. Deri në gjysmën e dytë të viteve 50 investimet në ekonominë e Kosovës pothuajse munguan, kurse më pas u përdor sistemi i kreditimit në vend të financimit buxhetor. Në këtë mënyrë deri nga mesi i viteve 60 Kosova ndërtoi me mjete pa detyrim kthimi vetëm 8% të objekteve të saj ekonomike, ndërkohë që në viset e tjera me këtë mënyrë u ngritën 27% e objekteve. Me gjithë parashikimet që bëheshin, në Kosovë nuk u realizuan asnjëherë fondet e caktuara për investime. Nga shuma prej 94 miliardë dinarësh, e caktuar për investime në pesëvjeçarin 1975-1980 u realizuan vetëm 51 miliardë e 220 milionë dinarë, domethënë rreth 56% e tyre. Struktura e shpërndarjes së investimeve kishte mbetur e pandryshuar. As kur Kosovës iu njoh statusi i rajonit më të pazhvilluar të Jugosllavisë dhe iu premtuan si kurrë më parë investime të shumta në degët rentabile të industrisë përpunuese, gjendja nuk ndryshoi. Në këtë periudhë, Kosova mori mjete jo vetëm shuma më të pakta nga sa iu premtuan, por edhe rreth 16% më të pakta se në pesëvjeçarin e mëparshëm. Edhe gjatë viteve 1970 e më tej, ekonomia kosovare ka qenë në gjendje të përballojë me mjetet e veta financiare vetëm 5-10% të investimeve, tregues ky disa herë më i ulët se mesatarja jugosllave. Në këtë mënyrë ekonomia kosovare ishte vënë në një gjendje krejtësisht të varur nga Serbia e Federata dhe ishte e zhytur në borxhe. Ngarkesa e Kosovës me borxhe vlerësohej afro 3 herë më e madhe se mesatarja jugosllave e këtij treguesi. Për çdo 100 dinarë të investuar, ajo duhej të ndante 97 dinarë për shlyerjen e borxheve, një e treta e të cilave ishin thjesht kamata. Në këto kushte edhe ata shqiptarë që punonin, mund të siguronin në përgjithësi vetëm një nivel jetese shumë të ulët për familjet e tyre. Përveç kësaj, të ardhurat personale që nga 1979 po pakësoheshin vazhdimisht, 5-6% në vit dhe ndodheshin në nivelin e para 20 vjetëve. Të gjitha këto që u thanë, dhe shumë të tjera që duhet thënë, tregojnë qartë pozitën e pafavorshme të shqiptarëve nën Jugosllavi, ku duhet potencuar dhe shtypja e egër që u bëhej përmes formave të ndryshme të represionit, detyrimit për shpërngulje për Turqi, ndalimit të shkollimit në gjuhën shqipe, censurës së pamëshirshme të kulturës kombëtare, etj. Kështu që në pranverën e vitit 1981 u shkye përfundimisht maska e gënjeshtrave mashtruese mbi parajsën e socializmit vetëqeverisës dhe lidhjes komuniste të Jugosllavisë. Kësisoj djemtë dhe vajzat më të guximshme të Kosovës e jashtë saj, u organizuan në radhët e lëvizjes ilegale, të cilët ua sqaronin këtij populli gjendjen e rëndë dhe pabarazinë e madhe në të cilën ishte katandisur Kosova, duke u shfrytëzuar resurset e saja natyrore e njerëzore. Dhe më 11 mars të vitit 1981 situata shpërtheu. Ishte kjo lëvizja e parë politike në Evropën lindore e cila së bashku me Solidarnostin polak, që ia hoqën maskën e “barazisë” së vëllazërim- bashkimit, i cili ishte vetëm një parullë boshe për t’ju hedhur hi syve të popullit, për bashkëjetesë të dhunshme nën shfrytëzim. Atëbotë, këto ngjarje masës iu servuan si shprehje e revoltës së studentëve për kushte më të mira. Pushteti i atëhershëm komunist, u mundua ta fshehte gjendjen reale në të cilën ndodheshin shqiptarët nën Jugosllavi. Mu atëherë, kur pushteti titist, kishte menduar se ia kishte arritur qëllimit për ta mashtruar sërish popullin, më 25 mars të vitit 1981 në Prizren shpërthyen demonstratat, ku në këtë rast doli pikërisht rinia e Prizrenit, e që kryesisht mbizotëronin studentët e SHLP-së “Xhevdet Doda”, si dhe nxënës të shkollave të mesme, ku dalloheshin në këtë drejtim shkolla e mesme teknike “Gani Qavdërbasha” dhe gjimnazi që atëherë quhej “Jovanka Radivojeviq – Kica”. Në këtë rast, jo vetëm që iu dha përkrahje ngjarjeve të 11 marsit, por atyre iu dhanë edhe konotacion të qartë politik, sepse nga studentët dhe nxënësit përpos kërkesave të karakterit social, kishte edhe kërkesa të karakterit politik si: “duam barazi”, “kushtetutë”, “Kosova Republikë” etj. Natyrisht se pushteti i atëhershëm u alarmua dhe reagoi egërsisht menjëherë me policë, të cilët rrahën e arrestuan shumë të rinj shqiptarë, shumë nga të cilët më vonë do të dënoheshin me vite të tëra burgu. Demonstratat e Prizrenit të 25 marsit të vitit 1981, janë të rëndësishme, sepse jo vetëm që masën e madhe të njerëzve që kishin dalur atë të mërkurë në Pazar (dhe po vështronte e hutuar), por edhe të tjerët që nuk ishin aty, i bënë që të mendojnë politikisht. Këto ngjarje janë të rëndësishme edhe për faktin se i dhanë kurajë studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët të nesërmen më 26 mars, ditën kur po vinte stafeta e Titos – që proklamohej si simbol i bashkim-vëllazërimit, e që për shqiptarët në fakt ishte simbol i mashtrimit, (të cilëve tentohej tu paraqitej deri në nivelin e besëtytnisë), studentët e festuan me demonstrata të fuqishme të cilëve iu bashkuan edhe punëtorët dhe popullata e gjerë. Ngjarje të tilla ndodhen në shumë qytete të Kosovës. Ngjarjet e vitit 1981 padyshim se nuk janë fillimi i rezistencës shqiptare, por gjithsesi janë ngjarjet që paraqesin formën më të artikuluar të rezistencës shqiptare pas luftës së dytë botërore deri në atë kohë, duke ia trandur kështu themelet e Jugosllavisë së atëhershme. Në këto ngjarje më e papërgatitura ishte inteligjenca e Kosovës, prandaj edhe nuk u hodh në mbrojtje të kërkesave të drejta të studentëve dhe të punëtorëve. Burokracia politike e Kosovës e ndikuar nga kërcënimi i shovinizmit dhe hegjemonisë serbe, u hodh në gjykim të ashpër të këtyre ngjarjeve duke i cilësuar ato njëjtë, ashtu siç i cilësonte politika antishqiptare jugosllave e kohës, si nacionaliste, separatiste, irredentiste, armiqësore, të drejtuara kundër sistemit socialist vetëqeverisës jugosllav, e për minimin e pushtetit politik të klasës punëtore, për prishjen e bashkim-vëllazërimit, etj. Kësisoj ngjarjet madhështore të vitit 1981, ishin burim frymëzimi edhe për ngjarjet e mëvonshme të vitit 1989 e deri te pranvera e vitit 1998. Muaji mars për shqiptarët, nuk është vetëm muaji i fillimit të pranverës. Marsi është muaji i fillimit të shpresave shqiptare, i rezistencës, për liri. Në marsin e vitit 1981, u tranden themelet e të ashtuquajturës Jugosllavi. Në marsin e vitit 1989, u derdh lumë gjaku në mbrojtje të asaj autonomie që e kishte Kosova, e cila edhe aq sa ishte dhe e tillë çfarë ishte e përgjysmuar, iu mor shqiptarëve me tanksa. Kurse në marsin e vitit 1998, me rënien e Adem Jasharit në altarin e lirisë, përfundimisht u ndërpre procesi i vdekjes së heshtur të Kosovës. (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XII)
Krahasime të paqëndrueshme ideologjike Ndërkaq sa i përket krahasimit ideologjik pas luftës së fundit të Kosovës, është krahasim që nuk mund ta hajë askush këtë çorbë të Buxhovit. Krahasime të tilla bëjnë vetëm njerëzit që merren me prostitucion politik, prandaj Buxhovi ripërsërit gjëra në frymën dhe mbrojtjen e titizimit edhe në këtë mënyrë: “Rreth ndikimit të enverizmit të lëvizjes ilegale të Kosovës, menjëherë pas luftës e deri në vitët 70-ta, si dhe irredentizmit ideologjik, që i parë nga këndvështrimi fakteve të shërbimeve informative perëndimore, shpjegohej lehtë me konceptin e Serbisë, se ngritja e Kosovës në nivel të Federatës Jugosllave, siç ndodhi me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, si dhe forcimi i subjektivitetit të saj ekonomik, arsimor e kulturor dhe në fushat e tjera ku shqiptarët nga pakica kombëtare u ngritën në një faktor të rëndësishëm etnik me fuqi politike, duhej të pengohej e madje edhe të luftohej me “alternativën” enveriste-staliniste siç ndodhi nga viti 1981, siç do të ndodh edhe gjatë luftës së fundit.” Për të gjithë këtë konstatim padyshim përgjigjen e ka te faktorët që çuan deri te ngjarjet e vitit 1981, që u potencua më lartë. Prandaj Buxhovi mund të vajtojë sa të dojë, madje edhe mund të trillojë, por nuk mund t’i zhbëjë argumentet e zhvillimit ekonomik të Kosovës në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse. Për Buxhovin “Nëse shumë indikacione flasin për atë se fitili i demonstratave të vitit 1981 u ndezë nga Beogradi, me çka i krijoheshin rrethanat për ta filluar procesin e rrënimit të rrugës së Titos e me këtë të merrnin frenat e një jugosllavie sipas interesit serb, siç u pa edhe nga puçi i Millosheviqit ndaj kushtetutës së vitit 1974, si dhe sistemi i gjithmbarshëm federativ, atëherë është fare afër mendësh se po kjo linjë, inicoi dhe drejtoi raportet e brendshme shqiptare midis lëvizjes institucionale të drejtuar nga intelektualët më të njohur të vendit që krijuan shtetin paralel dhe forcave majtiste nga lëvizja ilegale marksiste-leniniste brenda dhe jashtë vendit, në dobi të këtyre të fundit, aq më tepër kur kjo luftë e përgjakshme është zhvendosur në Shqipëri…” Ky krahasim i Buxhovit, padyshim është antihistorik dhe i ngjashëm me mendimin e akademikut serb Mihailo Markoviq. Por hilja shtesë në këtë rast është se harrohet fakti që u zhvilluan tri luftëra para luftës në Kosovë, dhe për këtë “Lëvizja majtiste” nuk është fajtore. Pastaj flet duke përsëritur gjërat e “shtetit paralel” (nën okupim), pa liri, dhe luftën për çlirim duke ia atribuar interesave të “grupeve majtiste”. Dhe jo vetëm kaq! Por këtu, përmendet edhe Shqipëria, pa nevojë fare, ndonëse politika serbe në vazhdimësi para opinionit ndërkombëtar e ka sulmuar Shipërinë për përzierje dhe përkrahje të luftës në Kosovë. Relativizimi i dhunimeve në Kosovë Por Buxhovi nuk harron të përmend ndonjë deklarim të ndonjë zyrtari serb, kur ndonjë shqiptari ia kishin dhunuar gruan dhe po tentonin t’ia dhunonin vajzat e mitura, terroristët pra; ky shqiptar ia paska mbrojtur nderin e shtëpisë duke vrarë dy prej tyre dhe njërin duke e plagosur. Prandaj zyrtari serb deklaron: “Fjala është për një grup terroristësh të njohur për organet tona që ka operuar për tre muaj nëpër Dushkajë, duke terrorizuar qytetarët e pafajshëm, duke kërkuar të holla në emër të luftës… të tillët, hynin nëpër shtëpi, silleshin me brutalitet ndaj atyre që nuk bashkëpunonin me ta dhe ky bashkëpunim do të thoshte nënshtrim i plotë urdhrave të tyre, me ç’rast ata, krahas plaçkës në emër të luftës, vinin në shënjestër vajzat, të cilat kërkonin t’i mobilizonin për “luftë”, shumë prej të cilave pastaj shfrytëzoheshin për prostitucion jashtë vendit… Ato që nuk pranonin këtë farë lloj “mobilizimi” dhunoheshin haptas…”. Ky konstatim mund të jetë ose trillim morbid i Jusuf Buxhovit, trillim i organeve serbe, apo edhe veprim me porosi nga organet serbe për të krijuar imazhin se luftëtarët e lirisë përkatësisht pjesëtarët e UÇK-së bëjnë vepra të tilla. Përmes saj edhe të relativizojnë apo edhe “zhbëjnë” dhunimet serbe në Kosovë. Po Buxhovi sërish jo që nuk e di realitetin, por don të krijojë realitet të ri, me gjëra dhe forma të pamundura. Monstruoziteti i konstruksioneve antikombëtare të Jusuf Buxhovit nuk përfundon me këto që u thanë më lartë, por mendja e tij pjellë edhe këso “xhevahirësh”: “Por më e keqja e kësaj përshtatjeje ishte se në pjesën tonë tashmë nuk kishte pushtet, qoftë edhe ai i “shtetit paralel” me të cilin ishim mësuar, ngaqë gjithë ata që ishin përfshi në të, ndiqeshin herë pas here nga patrollat e policisë serbe, e herë nga grupet e armatosura e me maska, që thoshin se ishin pjesëtarë të UÇK-së, dhe po ashtu ndiqeshin nga grupe të armatosura, që ndonëse për nga uniformat dukeshin si paramilitarë serb, flisnin shqip dhe thoshin se u takonin “Njësive të vetëmbrojtjes vendore” nga Oseku, që i komandonte njëfarë Mushk Jakupi”. Këtu Buxhovi e sjellë analizën 3 me 1, pra tre llojë fajtorësh i identifikon me një fajtor, për të lënë përshtypjen e besueshmërisë se gjërat e tilla ka mundur të bëjë vetëm UÇK-ja. Pra këtu sipas Buxhovit fajësohet policia serbe, UÇK-ja dhe pjesëtarët e Mushk Jakupit. Trillim të tillë, nuk do të provonte asnjë regjisor, madje as në kinematografinë serbe, e madje as në organizimet kulturore gjatë luftës siç i potencon vetë Buxhovi. Por Buxhovit i duhet ky konstatim, sepse i ka dhënë vetes detyrë, apo i kanë dhënë detyrë, e që rezultati është i njëjtë. Dhe jo vetëm kaq! Buxhovi lëshon edhe këtë konstatim “Disa, madje thoshin se plumbi i parë është për rugovistët, ndërsa i dyti për shkijet…”, paska thënë sipas tij dikush nga UÇK-ja! Por meqë Buxhovi ditka kaq shumë, dhe paskësh kaq shumë argumente, dhe burime informimi, përse nuk lajmërohet vullnetar në Gjykatën Speciale të Hagës, ashtu siç ka qenë pjesëmarrës në rastin e marrjes në pyetje të bashkëluftëtarit të Jusuf Gërvallës – Hysen Gegës nga Inspektorët serbë? Harron ku mbeti “shteti paralel” Buxhovi në librin e tij deklaron “Përfundimi i luftës në Kroaci me fitoren e kroatëve si dhe asajë në Bosne dhe Hercegovinë, ia hapën rrugën Kosovës, ku duhej ta kishin vendin gjithë ata që kishin luftue nëpër fronte të huaja…” këtë konstatim e pranon pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit. Po harron të sqarojë se ku mbeti tani shteti paralel, dhe funksionimi i tij. Për të gjitha këto, Buxhovi kërcen degë më degë, dhe kërkon që luftën ta bën institucionalisht, e kur do të bëhej kjo institucionalisht nuk na e sqaron. Por kjo i ngjason asaj batutës gjatë LNÇ-së në Tiranë që përmendet në një film të Kinematografisë Shqiptare, ku një gocë e cila ishte e dezinformuar për prindin e të dashurit të saj, kërkoi sqarim për këtë nga i dashuri. I dashuri që ishte djali i një pjesëmarrësi të luftës i thotë të dashurës së tij, se: “Kur im atë luftoi kundër nazifashizmit, yt atë shiste qofte në Tiranë”… Buxhovi s’i do maskat – është trim paqësor Buxhovin e pengoi shumë paraqitja e maskave, pra e pjesëtarëve me maska të UÇK-së, ndërkohë që në anën tjetër deklaron se “Njësitet e vetëmbrojtjes mbikqyreshin nga ushtarak profesionist që i caktonte Shtabi i Zonës së Dukagjinit. Ata doemos i nënshtroheshin autoriteteve të institucioneve vendore dhe nuk ishte e thonë që me veshë uniforma…”! Po kjo çfarë domethënë? Nëse homogjeniteti për luftë paskësh qenë në shkallë kaq të lartë, natyrisht se nuk do të kishte pasur nevojë për maska, por meqë legaliteti i luftëtarëve të vetëmbrojtjes paskësh qenë kaq i lartë atëherë ata s’paskan pasë nevojë as për uniforma! Po deklaratat kundër UÇK-së se “Disa spekulime flasin për krijimin e saj (UÇK-së) nga shërbimet sekrete serbe”, a flasin homogjenitet? Më tej Buxhovi konkludon: “Të rinjët mblisheshin te kafe “Liqeni”. Atyre u bashkoheshin të tjerë nga rrethina, që në një farë mënyre ishin të përfshirë në rrjedhat e luftës…” pra edhe të përfshirë në rrjedha të luftës, edhe mblidheshin te kafe “Liqeni”! Çka domethënë kjo? Kjo i ngjason dëshmisë së dikujt në Hagë në procesin e Ramush Haradinaj, ku në pyetjen se a ka pasur forca serbe në rrethinën e Liqenit të Radoniqit, ai ishte përgjigjur se nuk kemi pasur informata. Ndërkohë që dokumentet flasin që ka pasur forca serbe në këtë pjesë, madje dihen me emra dhe mbiemra sipas hierarkisë komanduese. Dhe në funksion të pasusit të mësipërm pohon edhe këtë “Në orët e hershmë të mbrëmjes, kur të rinjtë po vallëzonin, një predhë, që nuk u pa se nga erdhi ra aty afër të rinjëve tanë, i mori jetën njanit… dhe plagosi rëndë tri vajza”. Pra ‘edhe akullore edhe qokollatë’! Edhe e angazhuar në luftë paska qenë kjo rini sipas Buxhovit, edhe kanë shkuar të vallëzojnë ‘në kafenenë e preferuar’. Më tej po në këtë logjikë autori konkludon se koloneli kishte qu fjalë mos me hy në fesat me “Komisarët me maska, e as me shumë komandant që krekosen nëpër oda e ahengje, por as mos me heqë dorë nga “vetëmbrojtja” dhe organizimi institucional i luftës… ne po luftojmë për liri e shtet…”. Pra, siç shihet, Buxhovi përsëri don, ‘edhe akullore edhe qokollatë’ si në filmin shqiptarë “Dy herë mat”, por pa e menduar se ‘mat’ po i bën vetës së tij dhe konceptit të tij. (Vazhdon…)
“Misioni B” i Jusuf Buxhovit përmes të ashtuquajturit roman “Dosja B” (XIII)
Përsëritjet e qëllimshme
Dhe këto xhevahire të tij i përsërit herë pas here duke i potencuar se UÇK-ja po kërkuaka zgjidhje ideologjike për Kosovën, të ngjashme me atë të pas Luftës së Dytë Botërore kur Kosova u aneksua nga Serbia. Këso krahasimesh të paqëndrueshme e antihistorike, të llojit të veçantë, bën disa herë gjatë librit, ndonëse Buxhovi sado që paraqitet si ‘historian i gjithëdijshëm’ ose nuk e njeh ose nuk don ta njoh zhvillimin real të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore. Shumë alergji ka Buxhovi ndaj Shqipërisë Shumë alergji ka Buxhovi ndaj Shqipërisë. Tepër alergji. Sa që nuk mund të merret me mend. Por nuk e dimë këtë alergji e ka për periudhën e LNÇ-së më shumë apo për periudhën e UÇK-së. Por kësi ‘partizani’ të vendosur për të mohuar qoftë LNÇ-në qoftë UÇK-në, është e vështirë për të njohur madje edhe në mesin e serbëve. Dhe sërish, Buxhovi klith në faqen 222, duke i mveshur një personazhi të caktuar “Pra, ne kërkojmë liri, demokraci e aq më pak komunizëm…” Çka thonë të huajtë për UÇK-në: Xhejmi Shia për UÇK-në Ditën e 24-të të operacioneve të NATO-s mbi RFJ-në, më 16 prill 1999, në konferencën e rregullt për gazetarët, Xhejmi Shia deklaron: “Edhe përkundër barbarizmit të egër të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë dhe ndaj njësiteve të UÇK-së, rezistenca e UÇK-së është e fortë. UÇK-ja është në gjendje të bëjë sulme mjaft efikase ndaj forcave serbe. Edhe tani numri i regrutëve të UÇK-së është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Sulmet e egra serbe, megjithatë nuk e kanë mposhtur rezistencën dhe organizimin e UÇK-së. Vullnetarë të shumtë nga të gjitha anët e botës, më shumë vullnetarë se të ftuar për mobilizim, po iu bashkëngjiten njësiteve në Kosovë. Çdo operacion i forcave serbe në Kosovë, ka rezultat shtimin e regrutëve të rinj shqiptarë në UÇK”. Ndërkaq, më 17 prill, në selinë e NATO-s në Bruksel, zëdhënësi i saj, Xhejmi Shia thotë: “Forcat e UÇK-së, iu kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme policisë speciale, paramilitarëve dhe ushtrisë jugosllavo-serbe, madje, UÇK-ja ka arritur që dje të hapë me sukses një korridor të konsiderueshëm në kufirin Shqipëri-Kosovë, Tropojë-Junik”. Bill Klinton për UÇK-në Kurse, kryetari amerikan, Bill Klinton në klasën e vitit 1999 të Akademisë së Aviacionit Luftarak Amerikan, në Kolorado Springs, i cili duke folur për ushtarët amerikanë që po luftojnë kundër akteve jonjerëzore të Millosheviqit dhe ushtrisë serbe në Kosovë deklaron: “Po ashtu, e vetmja forcë sot në tokë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo që nuk u shkatërrua nga Millosheviqi, por dita-ditës po arrin suksese. Pra, Millosheviqi nuk e eliminoi UÇK-në, përkundrazi ajo po reziston me të madhe“. Medlin Ollbrajt për UÇK-në Më 8 qershor në Köln, sekretarja e shtetit amerikan znj. Ollbrajt shprehu simpatinë e saj për rezistencën e UÇK-së, duke theksuar se: “Ishte ajo e cila sensibilizoi opinionin demokratik ndërkombëtar, opinion i cili u vu i tëri në shërbim të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe për mbrojtje të vlerave të civilizimit demokratik në Kosovë e më gjerë”. Çka thotë Ukshin Hoti për UÇK-në? Nga burgu Ukshin Hoti për UÇK-në, ndër të tjera i shkruan Kadaresë: “E besoj se nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ajo, UÇK-ja, solli me vete jo vetëm ndikimin rrënjësor në realitetin politik shqiptar dhe jashtëshqiptar”… Edhe disa të huaj për UÇK-në Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)” shkruan: “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova, bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo, kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanjacioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët”… (Misha Glenny: Historia e Ballkanit 1804-1999 – nacionalizmi, lufta dhe fuqitë e mëdha, Toena, Tiranë 2007, f. 653). Më pas autori vazhdon: “Mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja, që Millosheviqi thuajse me siguri i kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj. Së dyti, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizimi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni. ”(Po aty, f. 655). Serge Metais, në librin “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës” shkruan: “Sigurisht, opinioni publik perëndimor ishte i ndjeshëm ndaj padrejtësisë që po u bëhej shqiptarëve, mirëpo për të ky nuk ishte veçse një nga rastet e panumërta të padrejtësive në këtë botë. Dhe, për sa kohë që nuk kishte përleshje të përgjakshme, Kosova nuk kishte as se si të zinte faqet e para të gazetave, as se si të mallëngjente me të vërtetë ndokënd. U deshtë të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi (dhe pamjet e saj të përhapura përmes telëvizionit), në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998”. (Serge Metais: “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Botimet 55, Tiranë 2006, f. 394). Për Noel Malcolm-in, “meritat” për formimin e UÇK-së i përkisnin politikës shtypëse të Millosheviqit. Ai në parathënien e librit të cituar “Kosova – një histori e shkurtër”, shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, përpjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e së cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme. ” (Noel Malcolm, “Kosova – një histori e shkurtër”, “Koha”, Prishtinë 2001, f. xxiii). John G. Stoessinnger, i cili në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së”. (John G. Stoessinnger: “Përse kombet shkojnë në luftë”, ISN, Tiranë, 2007, f. 153). James Pettifer: “UÇK-ja është popullsia e Kosovës, as më shumë e as më pak. Ajo përbëhej prej idealistësh, cinikësh, burrash, grash, pleqsh, të rinjsh, të dëshpëruarish dhe shpresë-mëdhenjsh. Të tilla janë të gjitha lëvizjet e rezistencës [. . . ] Shekspiri na tregon se hakmarrja disa herë mund të jetë e vetmja formë e drejtësisë”. (J. Pettifer: Vepër e cituar, f. 281). Kurse, për gatishmërinë e njerëzve të UÇK-së shkruan: “Gatishmëria e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e njerëzve që punonin me ta për të dhënë jetën kishte arritur brenda dy vjetësh më tepër sesa Lidhja Demokratike në dhjetë vjet”. (Po aty, f. 303). Presidenti Bill Clinton në librin e tij “Jeta ime”, thotë: “Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije, ishte një njeri fjalëbutë, që kishte zakonin të vinte një shall rreth qafës. Isha i bindur se mund të arrinim një marrëveshje paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për fraksionin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. (Bill Clinton: Jeta ime; Dudaj, Tiranë, 2005, f. 713). Sikur të ishte ashtu si thotë Buxhovi, as këta nuk do të shkruanin kështu, e as vendet përbërëse të NATO-s, në krye me SHBA-të, nuk do ta mbështesnin aq fuqishëm luftën e drejtë të popullit shqiptar të Kosovës. Pra asnjëri nga këta, nuk ka dhënë asnjëherë të vetme, asnjë konstatim të tillë, prandaj Buxhovit i duhet thënë: “Medice cura te ibsum” (mjek shëro më parë veten). (Vazhdon…)