Lëvizja\UÇK

Prof. Dr. Emin Kabashi: Dëshmorët janë shenja të tërësisë së Atdheut

DËSHMORËT JANË SHENJA TË TËRËSISË SË ATDHEUT

(Në 24-vjetorin e rënies së Komandantë Mujë Krasniqit dhe 41 Dëshmorëve të Kombit në malet e Pashtrikut)

Atdheun nuk e bëjnë ata që ngrohen, atdheun

                                          e bëjnë  ata që digjen! Ismet Toto

Përkufizimi

Nëse gjysmat e gjeografisë kombëtare, nëse gjysmë popujt bëjnë tërësinë e kombit, nëse gjysmë kulturat bëjnë kulturën kombëtare, atëherë nuk e di pse shqiptarët luftuan në fund të shekullit njëzet dhe në fillim të shekullit njëzet e një, në tri hapësira të gjeografisë kombëtare, të copëtuara, të pushtuara, të robëruar dhe të kolonizuar, që më shumë se njëqind vjet. Atëherë, këta 41 Dëshmorë të Kombit, bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqin, na mësuan se atdheu nuk është i tëri, pa u çliruar pjesët e pushtuara të tij, pa u hequr kufijtë.

Prandaj, edhe ranë në altarin e lirisë, që atdheu të bëhet i tëri. Kjo përmasa historike e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo përmasë historike, bëhet vlerë kombëtare, vetëm kur të kryhet procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. Le të thonë çka të duan politikat ditore në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, apo edhe në qendrat e ndryshme evropiane, por procesin e madh historik të bashkimit kombëtar e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili një ditë do të bëhet domosdoshmëri historike.

Hyrje
Nuk është aspak me rëndësi çka thonë historitë e popujve të tjerë, qoftë ajo edhe historia e popullit gjerman, që e copëtuan, por ata hoqën kufijtë që Gjermania, atdheu i tyre të bëhej i plotë. Sepse, gjermanët e dinin se ashtu i ndarë, atdheu i tyre nuk ishte atdheu real. Shqiptarët, besoj që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, e dinë se atdheu i tyre nuk është i tëri. U është bërë pjesë e kujtesës historike. E dinë se nuk i lë të qetë kujtesa kombëtare, sepse, në fund të fundit, andaj, nuk është atdhe. Nuk u duhet shqiptarëve përvoja e të tjerëve, se si ta bëjnë atdheun e tyre, sepse ajo përvojë evropiane fsheh të vërtetat tragjike historike, ngase është copëtuar atdheu i një populli, se në gjeografinë kombëtare të një populli janë vënë kufij, të cilët i ruajnë të tjerët, që në atdheun e tyre të mos hyjnë lirshëm shqiptarët, pronarët e natyrshëm të gjeografisë së atdheut.

 

Më 14 dhjetor të vitit 1998, nga qindra djem dhe vajza, ushtarë dhe ushtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ranë për lirinë e kësaj pjese të atdheut, 41 Dëshmorë të Kombit, bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqin. Ranë në kufirin që ndanë tokat shqiptare, që ndanë atdheun e shqiptarëve.

Liria e atdheut të copëtuar

Programi i Rilindjes Kombëtare, që e materializoi pena gjeniale e Sami Frashërit, në traktatin e tij madhor, ‘‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’’, kur kishte folur për kufijtë e atdheut të shqiptarëve, sa duket, ai kishte harruar se edhe në kohën e tij kishte shqiptarë, që shitnin pjesë të kufijve të atdheut, qoftë edhe për lakmi të vogla. Por, ai, Sami Frashëri ynë, e dinte mirë, e kishte të qartë deri në përjetimin tragjik, se liria e atdheut të copëtuar, sjellë luftëra të reja, që ai, atdheu të bëhet tëri, në mënyrë që liria të ishte e të gjithëve, pra të ishte liri e atdheut.
Të 41 Dëshmorët e Kombit, që po i përkujtojmë sot, bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqin, e kishin shkollë të historisë së popullit, këtë dije të Sami Frashërit, sepse në shkollat që kishin kryer, as nuk i kishin mësuar, as nuk i kishin lënë t’i mësonin, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë, të cilëve as sot, pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk u vjen turp dhe flasin për lirinë, sidomos për lirinë e atdheut të copëtuar dhe, thonë se kurrë nuk kemi qenë më mirë, kurse nëpër tokat e ndara të atdheut kalojnë kufij, në të cilët kanë rënë edhe 41 Dëshmorët e Kombit, më 14 dhjetor të vitit 1998, duke sjellë armë për lirinë e kësaj pjese të gjeografisë së atdheut, të ndarë e të copëtuar, në më shumë se 5 xhuxh shtete të Ballkanit.
Plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, kur shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, brenda Pavarësisë së vitit 1912, ishin tokat e asaj që quhet Shqipëri Etnike. Komandanti Mujë Krasnqi, bashkë me 41 Dëshmorët e Kombit, kur ranë në luftën për liri, e kishin të dhënë Betimin e Ushtarit, ku thuhej se do të luftohej për çlirimin e tokave të pushtuara dhe për bashkimin kombëtar.

Prandaj, Betimi i tyre ka përmasë historike, kurse rënia e tyre është bërë shenjë e kujtesës kombëtare, pa të cilën janë rritur pesë breza të shqiptarëve, andaj e këndej kufirit të Shqipërisë londineze.

Prandaj, ata janë Dëshmorët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë Dëshmorë të Kombit shqiptar, edhe pse i copëtuar, sepse kanë rënë për lirinë dhe bashkimin e atdheut të shqiptarëve, kanë rënë për të hequr kufijtë nga atdheu i shqiptarëve.

Kufijtë e atdheut janë përmasa e kuptimit të jetës sonë

Në jetën e njeriut, kudo që është ai, nëse është pjesëtar i popullit historik, andaj edhe në jetën e popullit shqiptar, për të cilin dëshmitë historike thonë se është popull historik, nuk mund të krijohet përmasa e jetës kombëtare, nëse atdheu është i ndarë me kufij. E dinte edhe Mujë Krasniqi, e dinin edhe
të 41 Dëshmorët e Kombit, që ranë bashkë në kufirin që ndanë tokat shqiptare, se jeta shqiptare jo vetëm e kishte të mangët përmasën kombëtare të atdheut, por edhe se duhej lufta që kjo përmasë të fillonte të bëhej realitet jetësor e historik në jetën e shqiptarëve. Andaj, ishin bërë pjesë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj kishin bërë ato veprime për ta furnizuar ushtrinë me armët e mundshme, andaj duke i besuar idealit të lirisë, ata kishin rënë për tërësinë e atdheut, në mënyrë që jeta historike e shqiptarëve, ta ketë përmasën e atdheut pa kufijtë që e përgjysmojnë gjeografinë e tij. Me rënien e tyre, ata kanë krijuar përmasën kombëtare të shenjave të atdheut, edhe pse, edhe pas më shumë se 24 vjetësh, kryeqytetit aktual, të Kosovës aktuale i mungon shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, i mungon shtatorja e Komandantit Mujë Krasniqi, sepse ai ishte Komandantë i brigadës 113, e cila ka dhënë 166 Dëshmorë të Kombit.

Por ama edhe pas 24 vjetësh, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, i mungon Kompleksi Përkujtimor i Adem Jasharit në Prekaz, kur dihet se sakrifica e tyre, e Jasharëve pra, ishte e përmasave të tragjedisë kombëtare.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt të vogël, të gjithë Dëshmorët e Kombit, andaj edhe të 41 Dëshmorët e Kombit, bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqin, ata janë bërë pjesë e mendësisë së shqiptarëve, e atdheu i një populli, që është edhe komb, nuk mund të jetë i të gjithëve nëse është i ndarë me kufij. Ndryshe, cili do të ishte kuptimi i sakrificës së këtij populli që kishte ngritur një ushtri çlirimtare, pa shtet dhe pa pushtet, pa komandant të përgjithshëm, e pa fabrika armatimi, pa mundësinë e Shqipërisë politike që të merrte përsipër organizimin e luftës çlirimtare, siç do t’i kishte hije dhe siç do të ishte e drejtë historike, si dhe pa mbështetje në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, të qendrave të vendosjes së Evropës, edhe pse ajo kishte rast historike të lante ndërgjegjen e saj, për padrejtësitë historike që u kishte shkaktuar shqiptarëve, deri në atë shkallë sa i kishte lënë me gjysmë atdheu, deri në atë masë, sa nëpër atdheun e shqiptarëve kalonin kufij të disa shteteve të Ballkanit, vetëm pse shkollën e vasalitetit, të lojalitetit dhe të përuljes e kishin mësuar më mirë se shqiptarët, por edhe pse, Evropa ende, atëherë e sot, do ta ruaj lëkurën e saj.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt tjetër krejt të vogël, krejt të vogël si përmasë historike, siç ishte heqja e kufijve që ndante atdheun tonë, rënia 41 Dëshmorëve të Kombit, bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqin, më 14 dhjetor të vitit 1998, të cilët po i përkujtojmë sot, po më 14 dhjetor, është rënie me përmasë kombëtare, andaj kushdo që i ndanë Dëshmorët e Kombit, cilado politikë që i ndanë ata, është politikë antikombëtare, kurse bërësit dhe zbatuesit e asaj politike, janë antikombëtarë.

Përfundim

Brezat e shqiptarëve që po rriten, pas çlirimit të kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, një ditë do të mësojnë se politikat e ditës, kudo që bëhen ato, në Tiranë a në Prishtinë, asnjëherë nuk kanë bërë vepër të madhe kombëtare, aq më pak, kanë punuar dhe kanë vepruar për bashkimin kombëtar. Duke e ditur këtë fakt, rënia të gjithë atyre që luftuan për liri, janë Dëshmorë të Kombit, andaj edhe të 41 Dëshmorët që po i përkujtojmë sot, bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqin, janë bërë pjesë e kujtesës sonë kombëtare, po bëhen pjesë e mendësisë kombëtare se atdheu me kufij, nuk është atdhe i të gjithëve, po bëhen vetëdije historike, se politikat e ditës, përkundër marrëveshjeve që i bëjnë, me aq shumë zhurmë, nuk kanë fuqi të kryejnë procesin e madhe historik të bashkimit kombëtar, proces historik, të cilin e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për të rënët në altarin e lirisë, për familjarët e tyre, një hap i parë që do të duhej bërë me nguti, edhe pa u bërë pjesë e Bashkimit evropian, se nuk i plasi zemra Evropës për ne, do të duhej që të dy parlamentet ekzistuese të shqiptarëve, në Tiranë dhe në Prishtinë, këta Dëshmorë t’i ligjësonin me vendime konkrete se janë Dëshmorë të Kombit.
Në të kundërtën, ende vlen dhembja e madhe dhe lutja e madhe e Faik Konicës, kur klithte në kulmin e zhgënjimit kombëtar: Ruaje zot Shqipërinë nga shqiptarët!

Lavdi 41 Dëshmorëve të Kombit të rënë në kufirin që ndan tokat shqiptare!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit kudo që kanë rënë për lirinë tonë!

Prishtinë, më 14. 12. 2022