PËR ATA QË E DUAN SHUMË ALBIN KURTIN – KRYEMINISTRIN
Të qenit në opozitë dhe të qenit në pushtet nuk është e njëjta gjë… Kur je në opozitë duhet të vraposh pas njerëzve për t’ua mbushur mendjen që të të votojnë (zakonisht me “kauza” populiste dhe me premtime marramendëse, të dëshirueshme nga njerëzit me shumë kërkesa e pak mundësi). Kurse, kur vjen në pushtet njerëzit vrapojnë e shtyhen me brryla kush të jetë më afër të parit për ta bindur se e adhuron dhe është i gatshëm t’i shërbejë me tërë qenien e tij! Këta bëjnë pjesë, përgjithësisht, te grupi (komuniteti) i atyre njerëzve që “adhurimin” dhe “besnikrinë” e tyre ia kanë falur edhe pushtetarëve e partive tjera në pushtet… Janë njerëzit që përmes partisë e pushtetit kërkojnë dhe angazhohen me “pasion” e me njëmij hile e poshtërsira t’i mbrojnë interesat e tyre të fituara po në këtë mënyrë e rrugë, por edhe t’i rrisin përfitimet për vete dhe për familjet e tyre… Për këtë fenomen, për këtë mendësi dhe për këtë “komunitet” dhe marrëdhëniet e tij me pushtetin mund të flitet e të shkruhet gjatë, por po i bie më shkurt për të dhënë porosinë (mesazhin) që kisha në mendje kur mendova të shkruaj këtë koment.
Aktualisht Kryetar partie dhe Kryeministër është Albin Kurti. Njeri sa i “dashur” dhe i adhuruar nga pasuesit – partizanët e tij po aq i “urryer” dhe i kundërshtuar nga partitë opozitare dhe partizanët e tyre. Por, dëmin më të madh Albinit po ia bëjnë ata që i thurrin himne dhe elozhe dhe e hiperbolizojnë figurën dhe veprimtarinë e tij aq sa as ai të mos e njeh vetëveten! Disa nga këta (pakica) e bëjnë nga padija, nga naiviteti dhe nga mungesa e kulturës dhe traditës politike e qytetare. Të tjerët (shumica) e bëjnë thjeshtë dhe vetëm për hesapet e tyre… Po të vinte dikush tjetër në pushtet të parët që do ta “braktisnin” Albinin do të ishin këta…
Mendimi im është që anëtarët e vetëdijshëm të partisë (sidomos), por edhe ata që s’e kane votuar partinë e Albinit (gjithë shoqëria) duhet të jenë të angazhuar dhe ta ndjekin e mbikëqyrin punën dhe politikat e Qeverisë – Albinit çdo orë e çdo ditë për të kuptuar nëse po mbahen premtimet, nëse po zbatohet programi dhe angazhimi i partisë, për çka edhe është votuar. Kritika korrekte dhe konstruktive për mospunën ose punën e mjaftueshme, për qëndrimet, projektet e politikat e gabuara ekonomike, tatimore, energjetike, arsimore, shëndetësore, sociale, etj. do t’i bënin mirë Albinit dhe Qeverisë së tij e jo himnizimi, hiperbolizimi dhe lëvdatat e dalldisura nga militantët e paditur e naivë ose nga profiterët e matrapazët. Kjo sa u përket politikave të brendshme…
Kurse për politikat e jashtme dhe posaçërisht për dialogun dhe marrëdhëniet me Serbinë shoviniste anëtarët dhe partizanët e ditur e të ndërgjegjshëm të LVV – së, sidomos, por edhe gjithë shoqëria shqiptare, këtu dhe në mërgim, duhet t’i bëjnë kërkesa dhe presion permanent Albinit Kryeministër dhe Qeverisë së tij që t’u qëndrojnë besnik dhe pa u luhatur angazhimeve, premtimeve, qëndrimeve dhe kauzave për të cilat përpiqejë, bënte fushatë, protestonte, sakrifikonte dhe luftonte me militantët më të ndershëm e patriotë sa ishte në opozitë… Kjo jo vetëm që i bënë mirë Albinit të atyre që e duan shumë, por kjo është jetike për pavarësimin – shkëputjen e plotë të Kosovës së Shqipërisë nga Serbia, është detyrim kushtetues, qytetar e kombëtar për secilin shqiptar.
Shembulli i “valvitjes” së flamurit të LDK-së në zyrën e presidencës dhe heshtja si mumjet e anëtarëve të LVV – së nuk është në nderin dhe dinjitetin e kësaj force politike dhe as në nderin e dinjitetin e opozitës së ldkizuar, etj., etj..
add a comment