Lëvizja\UÇK

Fjala e Bajrush Xhemailit në zbulimin e Pllakës te shtëpia e familjes Sherifi në Tetovë

Viti 2022 është shpallur VIT i LËVIZJES nga Shoqëria LËVIZJA. 40 vite më parë organizatat patriotike shqiptare ishin bashkuar dhe kishin krijuar organizatën famëmadhe politiko – çlirimtare, Lëvizjen Popullore të Kosovës. Shënimi i këtij Viti Jubilar (40 vjetori) është bërë dhe po bëhet me veprimtari të shumta nga Shoqëria LËVIZJA  në të gjitha qytetet shqiptare, në gjithë Shqipërinë tonë të përbashkët. Sot, 40 – vjetori i LËVIZJES u shënua në Tetovë, ku u bë shpalosja e një Pllake nderimi dhe falënderimi në shtëpinë e familjes Sherifi, bazë e LPK – UÇK – së…
Të dashur bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë,
Të dashur miq dhe shokë,
E nderuar Familje Sherifi,
e veçanërisht shumë e çmuar dhe e dashur,  tezja Nifë
Të nderuar të Pranishëm,
Sot kemi ardhur në shtëpinë e Rustem dhe Hanife Sherifit, për të nderuar dhe falënderuar me shpirt dhe me zemër, për sakrificat e panumërta që bëri kjo shtëpi, për lirinë kombëtare.
         Rrrugëtimi dhe angazhimi atdhetar i kësaj shtëpie, i të zotëve të shtëpisë dhe i fëmijëve të Rustemit dhe Hanifes, pikënisje e ka vitin 1981, atëherë kur ndodhi rizgjimi i madh për të drejta më të mëdhaja të shqiptarëve në ish – Jugosllavi.
Rustemi dhe Hanifja, të lindur në Vërban, respektivisht në Sadovinë të Muhaxherëve, katunde që i ndanë vetëm një rrugë, e që gjenden në komunën e Vitisë, fati do t`i bënte bashkë dhe të krijonin familje.Rruga që i ndante dhe që i bëri bashkë, do të ishte një udhë e gjatë dhe plotë sakrifica.
      Të gjendur para një presioni politiko ekonomik, ata, si shumë shqiptarë në atë kohë, e njohur në popull si koha e Rankoviçit, do të detyroheshin të shpërnguleshin për në në Turqi.
Fati e deshti që të vendoseshin përkohësisht në Tetovë, deri në rregullim të vizave të njohur si visika, e të cilat fatmirësisht nuk u bënë kurrë ngase,  ndryshimet politike në kupolën e regjimit shtetëror jugosllav, të yshtura nga lufta e  brendshme politike e klaneve për dominim politik, sollën një frymë vetëbesimi dhe guximi edhe tek popullata shqiptare e kohës, e cila po shpërngulej me të madhe.
Në Tetovë, ata, së pari herë do të vendoseshin në Lagjen Çarshia e Epërme, në vitin 1956, në një shtëpi të vogël, të marrur me çera e, që, pak më vonë,  do të vendoseshin këtu, ku jemi sot.
2.
Demostratat e vitit 1968 në Tetovë, për liri dhe të drejta kombëtare, Rustemin dhe tre vëllezërit e tij, do t`i gjenin si pjesëmarrës të tyre e, që, fatlumënisht,   do t`iu shpëtonin arrestimeve.
Në këtë shtëpi, gjithmonë jetohej duke bashkëndje dhe duke debatuar mbi gjendjen politike të shqiptarëve. Gjithçka ndërlidhej me te drejtat e shqiptarëve.
Pikërisht kjo frymë, do të ishte orientim i shëndoshë edhe për tetë fëmijët e tyre, të cilët kush më shumë e kush më pak, me intezitet të pandalshëm, në bashkëpunim të ngushtë edhe me vëllezërit Xhemajli të Komogllavës, dhe vëllezërit heronjë – Gursel e Bajram Sylejmani të Sadovinës, do të përpiqeshin të bënin më të mirën për kombin dhe çlirim kombëtar.
Viti 1981, pjesëtarin e kësaj familje, fëmiun e tretë të Rustemit dhe Hanifes, Billallin, si 17 vjeçar, do ta gjente në detyrën e kohës, aty ku e ka zanafillën një rrugëtim i gjatë e që vazhdon edhe sot. I arrestuar dhe përjashtur nga gjimnazi i atëhershëm në Kaçanik, për aktivitete patriotike dhe liridashëse, ai do të dënohet edhe me burgim 60 ditor për kundërvajtje, të cilat do t`i vuaj në burgun e Smrekovnicës.
Kalvari i vuajtjeve për familjen Sherifi, nga aty e tutje, nuk do të ndalej, por do të shtohej vazhdimisht, ashtu siç do të shtoheshin edhe  rrezistenca e angazhimet atdhetare e politike të Familjes me shokë.
Në vitin 1985, Bilall Sherifi, sërish do të arrestohej dhe, pas hetimeve e torturave në burgjet e Tetovës, Shutkës dhe Prishtinës, do të dënohej me 15 vjet burg, nga Gjykata e Qarkut e Shkupit së bashkë me shumë atdhetarë të tjerë. Këmbëngulësia dhe vendosmëria e tij, në atë kohë do të tërbonte hetues e gjykatës!
Survejimi i Familjes Sherifi, e terrori psikologjik shtetëror, viteve në vazhdim do të intensifikohen. Kështu në prill të vitit 1988, me urdhër të Shefit të UDB –s në Tetovë, do të bëhej edhe përgjimi i telefonit të shtëpisë së tyre.
Viti 1989 do të jetë viti i brutalitetit të madh udbesk kundrejt kësaj familje.
3.
Në Kosovë, nën udhëhqejen e Lëvizjes Stundetore të kohës e, që, për prijës kishin figurat emblematike të LPK – së në atë kohë, siç ishte Afrim Zhitia e Fadil Vata me shokë, Isakun, djalin tjetër të kësaj familje, së bashku me kusheririn e tij, Muhametin, do ta gjente në demostratat e Ferizajt, të cilët kishin udhëtuar enkas, për të qenë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për liri.
UDB-ja, më 24 mars të vitit 1989, do ta nxirrte dhunshëm nga bangat e shkollës dhe do ta përplaste në burgun hetues famëkeq të Tetovës. Ai do të dënohej me 5 vite burgim, edhe pse i mitur, si 16 vjeçar. Ndërsa kusheririn e tij Muhametin me tre vite burgim, dhe të atin e Muhametit, respektivisht, vëllaun e vogël të axhës Rustë, Ismajlin, me 60 ditë burgim. Këtu po e potencojmë që Isaku në vitin 1997, nga policia sekrete e shtetit,  do të kidnapohej në rrugët e Tetovës dhe për disa ditë rresht do të merrej në bisedë informative dhe do të torturohej.
4.
Në këtë kohë, Kosova vlonte gjithandej. Veprimtarë të LPK – së përpiqeshin të ishin në nivel të detyrës, gjithkund ku mundeshin. Për të mbështetur LPK- në, nga Zvicra, do vinte në Kosovë edhe Isufi,  i cili pas tri javësh ilegalitet, do të arrestohej në Kosovë, dhe në  shtator të po atij viti do të dënohej me 6 vite burgim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Në anën tjetër, UDB kishte shtuar reprezaljet në të gjitha format. Shtëpia e Rustem dhe Hanife Sherifit ishte vendosur si në një karantinë politike. E gjendur mes dy rrugëve, ajo survejohej vazhdimisht, UDB-së i interesonte të dinte se kush hyn, e kush del në këtë shtëpi. Ata që vinin kontrolloheshin në të hyrë dhe në të dalë. Në këtë periudhë, disa anëtarë të familjes, ashtu si edhe të axhallarëve, ishin të detyruar të parqiteshin çdo të ditë në polici, për të dëshmuar se nuk janë arratisur.
Djali i madh i Rustemit, Abdullahu, në qershor të këtij viti, do të ftohej në bisedë informative dhe do të torturohej në mënyrë çnjerëzore.
Reprezaljet do të shkonin deri aty sa Bashkësia Lokale e Teqes, në atë kohë, do të debatonte për dëbim të familjes Sherifi,  nga kjo lagje, dhe të internoheshin apo zhvendoseshin gjetiu. Kjo çështje shkon deri aty, sa një ditë prej ditëve, një pushtetare maqedone, e përcjellur nga dy UDB-ashë, vjen tek dera dhe i thotë Rustemit, që: juve do t`u shpërgulim andej nga keni ardhur e, që, do të merrte aty për aty përgjigjen legjendare të Rustemit: Kurrë, nuk ka me ta mbrri ymri, ty, këtë ditë!
Dhe, ashtu mbeti! Shtëpia me anëtarët e familjes është këtu, edhe më madhështore, ndërsa pushtetarja sigurisht do të jetë dikund e harruar dhe pa shpirt.
Kjo periudhë e tmerrshme, kishte trembur pak a shumë një pjesë të miqve, dhe ata për një kohë nuk po dukeshin këndej, por ishin një pjesë e atyre që nuk trembeshin fare, dhe vinin e vizitonin Rustemin dhe Hanifen, dhe familjarët e tjerë që, sadopak, t`u merrnin flakët e shpirtit, që po u digjej.
Familja Sherifi, për këtë, i falënderon përzemërisht!
5.
Vitet e nëntëdhjeta do të sillnin ndryshim të madh politik në Europë dhe në Jugosllavi. Edhe të burgosurit e shumtë politik shqiptarë, po liroheshin nga mbajtja e dënimeve. I fundit që do të dalë nga burugu, ishte Isufi. Në  korrik të vitit 1991 ai lirohet nga Burgu i Dubravës!
Këtë shtëpi vitet e nëntëdhjeta do ta gjenin në një pozitë tjetër nga ato të tetëdhjeta. Lufta për çlirim do të merrte dimenzione të tjera, dhe takimet konsultative të anëtarëve të LPK-së do të shpeshtoheshin në këtë shtëpi.
Ndër vite, kjo do të bëhej edhe shtëpi – bazë për shumë veprimtarë të LPK – UÇK-së. Hyrje daljet e shumë veprimtarëve drejt Kosovës dhe Shqipërisë, do të kishin si vendstrehim edhe këtë shtëpi. Janë të shumtë ata që do të gjenin konak të sigurtë këtu: nga luftëtarë të thjeshtë deri tek personalitete, e që sot janë dhe heronj të Kosovës, apo që disa ishin dhe janë edhe drejtues shteti.
Ishin vëllezërit Gursel dhe Bajram Sulejmani, Abdyl Gafurr- Luma, Xhavit Haziri, Hyra Emini, Agim Bajrami, e shumë dëshmorë dhe heronjë të sotëm të Kosovës, ashtu siç gjetën strehim dhe mbështetje dhe dhjetëra e qindra tjerë, e që po t‘i përmendim me emra, do të mund të krijonim hatërmbetje tek ndokush, por mund të themi se, disa  nga ata ishin dhe janë kryetarë komunash, kryetarë partishë, deputetë, diplomatë, presidentë shteti dhe kryekuvendarë, veteranë e njerëz të vyeshëm dhe punëtorë, gjeneralë e ushtarakë të vyeshëm.
Lufta e Kosovës do ta gjente këtë shtëpi në vlugun më të madh të angazhimeve. Të gjithë anëtarët, pa përjashtim, ishin kudo ku duhej që, lufta për liri, të triumfonte. Gjjthçka ishte e vënë në dispozicion për luftëtarët e UÇK – së. Edhe pse shtëpia e mbushur edhe me refugjatë të shumtë nga Kosova, ajo mundi të jetë sukseshëm në detyrat e kohës.
Shumë anëtarë të kësaj shtëpie, ashtu sikur edhe të axhallërve, edhe në luftën e armatosur të vitit 2001 në Maqedoni, do të ishin të rreshtuar në Ushtrinë Çlrimtare Kombëtare.
Kjo shtëpi e mbruajtur me taban të fortë atdhedashurie, edhe pse e bastisur shpeshherë, e survejuar, e terrorizuar, e burgosur, e ekziluar në Zvicër, e çka jo tjetër, gjeti gjithmonë forcë për t`u ringritur, dhe për të qenë në detyrën e kohës.
Shoqëria Lëvizja dhe, ne të gjithë, e falënderojmë për kontributin dhe mbështetjen e pakursyeshme, në të gjitha mënyrat e saja.
Ne, të pranishmit, jemi shumë të nderuar e  krenarë, që gjendemi këtu, për të falënderuar, në rend të parë, zonjën e shtëpisë Hanifen, e cila gjendet këtu para neshë, për qëndresën e saj titanike, duke u përballur me kalvarin e vuajtjeve plot mundim, për dy dekada; axhën Rrustë post mortum; djemtë e tyre Abdullahun, Bilallin, Isufin, Zenunin shtyllën kryesore për të mbajtur familjen në këmbë ekonimikisht në atë kohë, Isakun, motrat Mejremen fëmijën e madh të kësaj familje e cila së bashku me dhëndrrin Xhemilin ishin shtyllë mbështetëse në kohërat më të vështira, Mevlidën dhe Makfirën, logjistikën e familjes, të cilat bënë punë kolosale në mbështetje të pakursyeshme të kauzës së familjes dhe të kombit, axhallarët dhe bashkëshortet e tyre, kusherinjët e kusherirat, nipat dhe mbesat, të cilët ndihmuan pa u ndalur dhe sakrifikun aq shumë në rezistencën tonë  për liri kombëtare.
Falemnderit  famiIje e madhe Sherifi, e rrofshit dhe, ju paqim!
Ju faleminderit!