Komenti

Xh. Gjini: Shami për politikanët, qeveritarët dhe deputetët e Republikës laike që kërkojnë shami arabo – turke për nënat, bijat dhe motrat tona shqiptare

SHAMI PËR POLITIKANËT, QEVERITARËT DHE DEPUTETËT E REPUBLIKËS LAIKE QË KËRKOJNË SHAMI ARABO-TURKE PËR NËNAT, BIJAT DHE MOTRAT TONA SHQIPTARE

Në vitet që zhvilloheshin bisedimet e Vjenës (grupi negociator i “kosovarëve” me delegacionin e Serbisë) isha deputet në Kuvendin e Kosovës. Isha sidomos kundër krijimit të “komunave dhe zonave të mbrojtura serbe”, “kishës ortodokse serbe”, “asociacionit të komunave serbe”, etj., që për synim kishin krijimin e një entiteti politik serb në rreth 30 % të territorit të Kosovës (me atribute shtetërore), një miniserbi në zemër të Kosovës shqiptare – Shqipërisë!! Prandaj, gjatë një fjalimi në Kuvend pata propozuar që “grupi i negociatorëve” të zëvendësohejë me një grup grash, sepse gratë do t’i përfaqësonin dhe mbronin shumë më mirë interesat e Kosovës shqiptare…

Sot, kur Kosova shqiptare i është nënshtruar një fushate dhe dhune të paparë, të orkestruar nga qarqe e vende antishqiptare, nga njëra anë, dhe nga politikanë, qeveritarë, deputetë, intelektualë e gazetarë mercenarë e kolaboracionist, që koketojnë me klerin e mercenarizuar shqiptar, nga ana tjetër, për t’i lëshuar vend veshjes, kulturës, traditës dhe gjuhës arabo – turke, propozoj që ky soj burrash te vishen në fustana arabë dhe të mbajnë në kokat e tyre kungullore shami turko – arabe… Vajza dhe gruaja shqiptare kanë veshjen e tyre tradicionale nga maja e gishtërinjve të këmbës e deri te koka (për ato vajza e gra shqiptare që duan të mbajnë veshje tradicionale). Veshja arabo – turke nuk është prerë dhe nuk është qepur për trupin e bijave të shqipes, nuk u shkon as për shtati dhe as për fytyre. Trysnia, shantazhi dhe dhuna që po ushtrohet ndaj gruas, vajzës, gjuhës, kulturës, traditës dhe qenies shqiptare në trojet tona duhet të ndalet. Populli shqiptar respekton shume popujt tjerë dhe civilizimet e tyre, por nuk ka hequr dorë dhe kurrë nuk do të heq dorë nga gjuha, kultura, tradita – identiteti i tij për hatër të asnjë feje a zoti qoftë ai në tokë apo në qiell…

Nëse Kryeministri i Kosovës shqiptare është për institucionalizimin e shamisë arabo – turke, atëherë do të duhejë t’i tregonte dikush që 95 % e popullit në Kosovë janë shqiptarë dhe s’kanë asgjë të përbashkët me veshjen, gjuhën, kulturën dhe qytetërimin arabo – turk. Imponimi i shamisë në jetën publike e në shkollat shqiptare është fyerje dhe dhunim i ndjenjave kombëtare të popullit shqiptar, i lirive dhe i të drejtave themelore të njeriut dhe dhunim i kushtetutës dhe laicitetit të Republikës.