Vështrim/Analizë

Prof. dr. Xhelal Gjeçovi: Dy qeveritë shqiptare që po shtrembërojnë dhe helmojnë historinë tonë duke “rehabilituar” kolaboracionistët e tradhtarët

KOHA E TURPIT KOMBËTAR: NË TIRANË përmendore për bukurinë e familjes tradhtare…
NË PRISHTINË përpjekje për rehabilitimin e kolaboracionizmit…
DY QEVERITË HELMOJNË HISTORINË TONË
Ky fillim viti na solli disa pamje të trishtueshme, që sigurisht nuk ishin të panjohura, por nuk mendohej se do të shfaqeshin në forma kaq të shëmtuara. Njëra nga këto, ajo që ndodhi në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, ngritja dhe inaugurimi me ceremoni e tam-tame që iu bë një shtatoreje për Geraldinën, na riktheu vëmendjen tek bashkëshorti, ish mbreti Ahmet Zog, pasi vetë Geraldina mund të thuhet pa frikë se ka fare pak lidhje me Shqipërinë dhe aspak ndonjë gjë për t’u përmendur.
Veçse si gruaja e një mbreti të vetëshpallur, pa origjinë e gjak mbretëror, pa asnjë cilësi e virtyt të racës arbërore, siç do ta cilësonte Abaz Ermenji, pas largimit nga vendi, ditën e 7 prilliit 1939, me nje bilanc që vazhdon të diskutohet, me disa shërbime që s’mund të mohohen, siç u veprua në regjimin komunist, por që janë pak, fare pak në krahasim me një barrë mëkatesh e prapësish, që i sollën vendit, Shqipërisë dhe Kosovës dëme të pallogaritshme.
E këtu vijnë në konsideratë, më së pari lidhjet e marrëveshjet e fshehta me Beogradin, me ndihmën e të cilit u rikthye në pushtet, e si haraç, në bazë të marrëveshjes së lidhur me Pashiqin, që do të merrte pushtetin afërsisht njëherësh me të, i dhuroi Serbisë territore të vendit, sikur të ishin pronat e babait, dy perla e njëherësh pika strategjike, Shën Naumin dhe një pjesë tjetër, pjesën më të bukur të Vermoshit. E krahas tyre, Zogu obligohej që të hiqte dorë nga përkujdesja ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe nxitja e irredentizmit. Në këtë kuadër, do të ndalohej menjëherë veprimtaria e Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës dhe do të ndiqeshin e likujdoheshin patriotët e mëdhenj, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hoxhë Kadria etj, që përbënin një shqetësim e kërcënim për Beogradin. Pas rikthimit në pushtet, do të ndërtojë marrëdhënie klienteliste me fqinjin përtej detit, Italinë Fashiste të Musolinit e në kuadër të tyre do të përgatiteshin kushtet për agresionin e pushtimin e vendit, me 7 prill 1939. Dhe për t’i vënë kapak veprimtarisë së tij, vjen më në fund dhe largimi i turpshëm nga vendi pikërisht në ditën e agresionit fashist, pasi mori me vete arin e Bankës së Shtetit, që ai e çoi në falimentim.
Nëse mund të flitet për ndonjë rol të Geraldinës, asaj duhet t’i njihet një fakt që s’është vënë në dukje deri tani. Ishte Geraldina e bukur, e hijshme, me një sjellje mondane europiane, që mahniti mbretin Faruk të Egjyptit, me origjinë shqiptare, e kjo do të lehtësonte pranimin e të shoqit dhe suitës së tij, se po të ishte për Zogun, “injorantin e Matit”, siç do ta cilësonte Konica, duke dashur që me dy fjalë të japë thelbin e kësaj figure. Përndryshe, azili do të vështirësohej e mbase dhe refuzohej, për shkak të mënyrës se si iku, pasi i bëri thirrje popullit, që një ditë më parë po demonstronte e kërkonte armë, për të mbrojtur vendin, që të rrijë i qetë e të mos dëgjojë gënjeshtrat që përhapin radiot Londra dhe Moska, pasi vendin nuk e kërcënon asnjë rrezik dhe mbrojtja e tij është e garantuar. Pas këtij momenti, që kujtoi se e qetësoi popullin, fshehurazi, pas mesnate, duke u gdhirë 7 prilli, braktisi vendin dhe sheshin e luftës, duke i lënë në mëshirën e fatit, pa drejtim dhe pa mbrojtje, duke u dhënë mundësi agresorëve fashistë që të perfundonin shpejt operacionin e të bënin fakt të kryer pushtimin, pa u lënë kohë e mundësi Fuqive të Medha që të reagonin, siç ishte në nderin e tyre, pasi këtë e priste dhe e kërkonte një komb e një vend i vogël, i pa mbrojtur e i tradhtuar, e krahas tij dhe opinioni ndërkombëtar.
Pas ndërrimit të sistemit dhe ardhjes në pushtet të PD, me interesimin dhe angazhimin direkt të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndodhi ajo që as mund të imagjinohej, një përmbysje totale e vlerësimeve mbi këtë figurë, që vetëm pak kohë më parë, vetë ai, në 80 vjetorin e Revolucionit të Qershorit e kishte damkosur si rrallëkush figurën e Ahmet Zogut, me të bëra e të pabëra, që sipas tij kishin justifikuar dhe revolucionin e udhëhequr nga Noli, që çuan në rrëzimin nga pushteti dhe largimin nga vendi.
Në situatën e krijuar do të niste dhe revanshi i demokratëve, që menduan se kishte ardhur momenti për të qëruar hesapet me historinë, duke asgjësuar vlerat e qenësishme dhe arritjet më të çmuara të së kaluarës, siç ishte dhe Lufta Nacionalçlirimtare. Veprimeve që do të ndërmereshin në këtë kuadër, do t`i paraprinte një pohim i Berishës, se historia dhe vend i kishin një borxh të madh këtij burrshteti (pra Ahmet Zogut) që s’e kish parë ndonjëherë ky vend. Kjo deklaratë do të shërbente si kushtrim per falangat e kohës, që të ndermernin një sulm të egër ndaj të kaluarës, duke rrënuar dhe shkatërruar çdo gjë që u kujtonin shqiptarëve ato kohëra. E krahas kësaj, nisi pa vonesë dhe zbatimi i një programi masash e aktivitetesh, për ndryshimin e vlerësimeve e të imazhit të kësaj figure, me ngritjen e shtatoreve, njëra në Burrel, vendlindjen e tij dhe tjetra në Tiranë, kryeqytetin e vendit, e krahas tyre dhe nje maozole për nënën mbreterëshë, për të vazhduar me emërtime rrugësh e objektesh social kulturore, që do të mernin emrin e tij. Unë e kam quajtur ato ditë, në një shkrim enkas, në një të përditshme, gjithë këtë tallava një histeri fshatareske. Por ajo nuk do te ndalej këtu, sepse më pas, qeverisja socialiste dhe Edi Rama do t’i shtojnë, për turpin e tyre, kësaj familjeje dhe një tjetër shtatore, kësaj here për Geraldinën, në një kohë që s’kemi parë një preokupim e angazhim të tillë për figurat e luftës, më së pari për dëshmoret e atdheut, në radhët e të cilëve janë plot trimëresha dhe heroina, me kontribute e sakrifica vetëmohuese për vendin e tyre.
Është e habitshme se pse mbahet ky qëndrim pajtues e komprometues nga qeveria aktuale socialiste ndaj kolaboracionizmit dhe kolaboracionistëve.
Debati mbi Xhafer Devën
Në këtë situatë të pazakonte e të pakëndshme, papritmas na shfaqet një rast i ngjashëm dhe në Kosovë, me debatin për Xhafer Devën. Shkak u bë një projekt per rikonstruksionin e shtëpisë së Devës, që thuhet se ka vlera të veçanta arkitekturore.
Po hyj drejt e në temën, që zuri vendin kryesor për ditë më radhë. Çfarë përfaqëson kjo figurë, që vazhdon të diskutohet dhe pse mendimet, edhe pas kaq vitesh vazhdojnë të jenë të ndara e jo pak dhe larg të vërtetës dhe realitetit. Kjo sigurisht nuk duhet të na çuditë. E verteta, realiteti jo gjithnjë pranohen, edhe pse shihet që ka mbështetje logjike dhe historike. Si historian i kësaj periudhe, unë nuk mund t`i shmangesha e të mos shprehja mendimin tim për Devën e figura të tjera të kësaj periudhe, për të cilet ka ende jo pak iluzione e për këtë arsye vazhdojnë të trajtohen e nderohen në botime të ndryshme, pa e njohur mirë aktivitetin e tyre.
Deva është cilësuar, jo thjesht si bashkëpuntor i nazifashizmit, se të tillë për fat të keq ka patur dhe të tjerë, por atë e dallojnë dëmet që i ka shkaktuar vendit dhe dhimbjet që i sjellë këtij populli. Deva, Mitrovica, Cakrani etj., bënin pjesë në atë grup bashkëpunëtorësh që janë cilësuar si terroristë, për krime ndaj njerëzimit, e ketu vijnë në konsideratë më së pari persekucioni, denimet dhe vrasjet e bashkëkombasve të tyre, të krahut tjetër, e sidomos roli në organizimin e masakrave të tmerrshme si ajo në Tiranë më 4 shkurt 1944, ku u vranë 84 qytetarë të pafajshëm e po kaq dhe në masakrën në Prishtinë, në kampin e përqëndrimit të ngritur aty. Njëri nga politikanët e njohur të Kosovës thotë se për ta nuk ka asnjë fakt që i komprometon e i akuzon për krime.Jo, i nderuar, e kundërta është e vërtetë. Ata janë të zhytur në krime ndaj bashkëkombasve të tyre, por jo vetëm.
Më kot përpiqet Buxhovi ta na japë një pamje tjetër të kësaj figure, kur thotë se Deva kundërshtoi edhe Hitlerin, për persekutimin e hebrejve, pasi, sipas tij, ishte kurajoz e i papajtueshëm me të keqen. Ai ështe historian,me kontribute dhe si i tillë nuk besoj se e ka këtë bindje. Megjithate, po i kujtoj një letër, që me siguri e ka parë, që Bedri Pejani njëri ndër bashkëpunëtorët e miqtë e Devës, ish kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, i drejton Hitlerit, ku me një veneracion dhe përulje të neveritshme, i shpreh mirënjohje e besnikëri pa fund, gjasme në emër të qytetarëve të Kosovës, për kujdesin dhe angazhimin personalisht në ngritjen e kompletimin e divizionit SS, për të goditur forcat çlirimtare në Kosovë dhe në Shqipëri, që synojnë, sipas tij, të turbullojnë e shkatërrojnë vendin. Realiteti, sado i hidhur duhet njohur e pranuar, që të nxiren mësime për të sotmen e të ardhmen e kombit tonë, të sfilitur jo vetem nga pushtimet por dhe nga tradhti të tilla. Por ja që shfaqet si gjithnjë Spahiu, nje intelektual kontrovers, i vetëkënaqur me padijen e tij, që ka marrë prej kohe flamurin e së keqes, të mbrojtjes së kolaboracionizmit e të kolaboracionistëve dhe merret me mend, se çfarë fryme mund të përcjellë tek studentët nje pedagog si ky.
***
Lufta e Dytë Botërore ishte një provë e madhe dhe shqiptarët e përballuan në mënyrën më të mirë të mundshme. Iluzionet e fillimit, gradualisht u kapërcyen dhe nga pervoja historike u bindën, se ajo që dëshirohet nuk vjen as nga qielli dhe as duke qëndruar duarlidhur, me shpresen se do të na e sillnin të tjerët, të huajt. Fatet e shqiptarëve do të ishin në duart e tyre dhe çdo gjë që u duhej, më së pari liria e pavarësia do të arriheshin me një angazhim dhe orientim në krahun e duhur, me aleatët, miqtë e vërtetë të shqiptarëve, si dhe në lidhje të ngushtë me Shqipërinë, vendin amë, faktor i pazëvendësueshëm, që ka qënduar gjithnjë në krah të Kosovës, pa marrë parasysh çmimin që do paguhej dhe në fakt është paguar. Kush s`e kupton këtë, tregon se ende nuk është shkëputur nga nostalgjitë për Jugosllavinë e mareshallin.
Lidhjet Kosovë-Shqipëri janë jetike për të ardhmen e dy pjesëve të vendit, të ardhmen e kombit shqiptar, që fatkeqësisht, gjatë historisë është cfilitur, sic u tha, jo vetem nga pushtimet e huaja, por dhe bashkëpunimi me ta i nacionalistëve të rreme, “baballarëve” të kombit. Teorizimet dhe kërkimet e trashëgimtarëve të tyre, sot penda të çoroditura, për të gjetur apo sajuar dallime, për t`i përdorur si argumente se në Kosovë, për shkak të ndarjes e shkëputjes në vite, qenka krijuar gjasme një komb Kosovar, i ndryshëm nga pjesa që jeton në Shqipëri, me tipare krejt të tjera, të vecanta. Pretendime te tilla absurde, jane po kaq , në mos më shumë të rrezikshme, se diskutimet për shkëmbim territoresh.
Përvoja e dy luftërave, asaj kunder nazifashistëve dhe tjetra kundër shovinistëve serbë për çlirimin e Kosovës, provoi se çlirimi i vërtetë, nuk do të vinte duke luftuar e dëbuar njerin okupator e duke pranuar tjetrin, se kinse njëri është më i mirë se tjetri, por duke mos u pajtuar e luftuar deri në fund, kundër dy të këqijave, siç kërkuan patriotët e vërtetë në Bujan, Hajdar Dushi e shokët e tyre, në vitet e Luftës Antifashiste dhe pas saj, në vitet 90-të luftëtarët e UÇK-së, që meritojnë vlerësimin maksimal të historisë. Në të kundërt mbështetja për Deven, justifikimi i krimeve të tij, është një non sens i madh, që rrezikon krijimin e një imazhi, që nuk konvenon e meriton Kosova. Në këto momente, nga intelektualët më së pari, pritej e kërkohej mbështetje e reflektim ndaj reagimit të ambasadorit gjerman dhe të vetë BE-së, ndryshe komprometohet e dëmtohet pozita dhe e ardhmja e shqiptarëve, aspiratat e tyre për t’u bërë pjesë e BE dhe NATO -s. Me ta veçse krijojmë barriera të tjera e mbetemi dhe më tej, jashtë dyerve të këtyre organizmave, që dëshirojne masivisht shqiptarët.
***
Në mbyllje, dëshiroj t’i kthehem edhe njëherë qëndrimit ndaj hebrejve, një çështje e cila është përdorur për t’i paraqitur zyrtarët e shtetit kuisling, kolaboracionistët e tipit Deva, si bartës të humanizmit e luftëtarë kundër padrejtësive. Nuk mund të jesh dakord me mendimin e Buxhovit, se këta që masakronin bashkëkombasit e tyre, sepse kishin të tjera bindje e tjetër konceptim mbi realitetin, mbrojtën e kundërshtuan ndjekjet e persekutimin e hebrejve. Po të ishte kështu, atëherë vetvetiu lind pyetja: Si shpjegohet që hebrejtë iu bashkuan Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe pas lufte, qëndruan e u integruan në jetën shoqërore dhe ekonomike në Shqipëri e nuk shkuan pas Devës, në Divizionin SS, apo dhe në formacionet politike e ushtarake të A.Kupit e dy Frashërve, Mehdiut dhe MIt`hatit, për t’iu rikthyer e shpërblyer kujdesin e mbrojtjen, që ata u paskan bërë, siç thoni ju? Është koha për reflektim dhe korrigjim shënjestre, të nderuar kolegë, e kjo pritet e kërkohet më së pari nga historianët, që kanë dëshmuar në jo pak raste kthjelltësi mendimi e kopetence profesionale.
……. shkruar nga Profesor Doc. Xhelal GJEÇOVI