Lëvizja\UÇK

Drita Halimi – Statovci: Fjala e mbajtur në Akademinë përkujtimore për themeluesin e etnologjisë në Kosovë dhe luftëtarin e paepur për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë

 Drita Halimi-Statovci për Babain e saj, në Tryezën përkujtimore kushtuar Profesorit dhe Atdhetarit  Kadri Halimi në 100-vjetorin e lindjes, organizuar nga Instituti Albanologjik, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria „Lëvizja“, Prishtinë 21.12.2021

Jam e nderuar dhe e emocionuar për këtë organizim, për mundesinë që të dal para jush dhe të falënderohem në emër timin e të familjes, dhe të jap një kontribut të vogël për këtë Tryezë të madhe, me të cilen po e kujtojmë bashkemendimtarin dhe bashkeveprimtarin e Juaj-tonin, përkatësisht Babain tim etnologun Prof. Kadri Halimi. Në këtë mënyrë, ne si shoqëri jo vetëm që tregojmë vlera dhe respekt për figura të merituara, por edhe  ndërtojmë traditë, ndriçojmë tabllon kulturore, tabllon historike e atdhetare tonën dhe madhërojmë vlerën tonë sot, por edhe të ardhmen nesër.

Etnologu i parë shqiptar këtu në Kosovë, Profesor Kadri Halimi krijoi dhe manifestoi gjithnjë dhe njëhershëm në dy rrafshe: tregoi përkushtim shkencor dhe atdhetarizëm të mirëfilltë. Koha kur u shkollua, kur diplomoi dhe kur punoi ky dijetar e patriot prijatar ishte tejet e vështirë për vendin dhe për popullin tonë. Mjafton të përmend vetëm kufijtë e pakalueshëm dhe pamundësinë e komunikimit me kombin dhe hapësirën shqiptare në tërësinë e vet të natyrshme dhe të kursehem nga numërimi i ndalesave natyrash të ndryshme përgjithësisht dhe ato të veçantat për Kadri Halimin. Atëbotë nuk e kishim rrugën e kombit, e as integrimet evropiane për ne disi nuk ishin kuptime të kohës fare. Atëbotë për popullin e për Babain tim kishte ndalesa, kishte përgjime, biseda informative, kishte „sy të padukshëm“, kishte deportime, burgje e burgosje, kishte grila të hekurta e mure betoni. Duke i sfiduar të gjitha këto me stoicizëm e moral të lartë njerëzor, me përkushtim human e kombëtar, Kadri Halimi arriti të lë gjurmë në shkencën e etnologjisë dhe gjithëherë kulturën shqiptare ta shohë si një dhe të pandarë. Pandashëm nga kjo veprimtari, ai  arriti të kalojë në simbol të atdhetarisë e të bashkimit kombëtar. Unë nuk dëshiroj të shpjegohem më gjerë, por ia lë çdo të interesuari ta hetojë, ta konsumojë dhe ta dialogojë drejt këtë realitet, që buron nga rrethanat jetësore të kohës, buron pikërisht nga jeta e tij, nga puna dhe nga vepra që la pas etnologu, shkencëtari dhe atdhetari Prof. Kadri Halimi.

Kadri Halimi ishte njeri i pendës, ishte hulumtues dhe studiues i kulturës shqiptare, ishte njeri erudit dhe i gjithanshëm, njeri me virtyte fisnike, ishte atdhetar, guximtar dhe ishte njeri i sakrificës. Veprimtaria atdhetare i kushtonte ndalesa e ndërprerje në punën shkencore, ballafaqim me mundime psikike e fizike, shantazhe ndaj familjes, privim nga liria dhe burgosje të shumta, por asnjëherë pa u dorëzuar. Kjo ishte e bukura e jetës së Babait tim.

Në një vlerësim prej historianeje do të gjejmë se: Kadri Halimi nuk u mor me histori në kuptimin e ngushtë të fjalës, por bëri histori. Ai ishte pjesë aktive dhe madje në një moment më 1961 prijatar, siç e përkufizon me shumë sens historiografik vetë Kadri Halimi,  i “Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar”, apo një hallke  të këtij procesi historik.

Para ca vitesh, unë kam bërë përpjekje të vë bazat dokumentare për hartimin e një monografie shkencore për veteranin e etnologjisë shqiptare dhe për prijatarin e atdhetarin e devotshëm Prof. Kadri Halimin. Me këtë rast kam zgjedhur, që gjithnjë të flet dokumenti e jo ndjenja emocionale që kam për prindin. Besoj se kjo punë e imja do të shfrytëzohet në hartimin e monografisë shkencore për themeluesin e disiplinës etnologjike shkencore ndër ne, dhe për shembëlltyren e atdhetarisë e të veprimtarisë  atdhedashëse të tij.

Nga kjo perspektive sot, kur Babai im do te kishte mbushur 100 vjet jete, gjerat mund te duken pak ndryshe. Por eshte e qarte se pa ate sakrifice te vetmohueshme te asaj kohe, as kjo ngjarje sot nuk do te mund të shënohej kështu. Kjo liri qe kemi sot,  mban brenda vetes mijëra, dhjetramijëra, qindramijëra  emra njerezish, te cilët kanë dhënë krejt cka kishin, për të mbrojtur identitein, për të mbrojtur dinjitetin dhe për të mbrojtur qenien shqiptare. Kadri Halimi, sakrifikoi një karrierë të shkëlqyeshme, si etnologu i parë shqiptar në Kosovë, si një asistent universitar në Beograd në fillimet e viteve të 50ta – një e arritur e jashtëzakonshme, gati se e paimagjinueshme po të matej me barazvleren e standardeve të sotme, por që ai, më të vlefshme e kishte qenien shqiptare. Instikti per jeten vetanake  thuhet se është instikti më i fortë që ka njeriu. Athua vallë, çfarë duhet të jetë ai njeri që arrin të kalojë edhe mbi këtë forcë të brendshme?!

Në emrin tim e të familjes së Prof. Kadri Halimit ju falënderoj sinqerisht!

Prishtuinë, 21.12.2021