Gratë dhe femijët u hodhën në zjarr
Pas Plavës e Gucisë furtuna e terrorit kaploi Rugovën dhe gjithë Rrafshin e Dukagjinit dhe të Kosovës me Llap e Gollak. Shtypja e kryengritjes së pranverës së vitit 1919 u shoqërua me kthimin e fshatrave të tëra në gërmadha dhe vrasjen në masë të popullsisë së pambrojtur. Në fshatin Qupevë, të bërë hi e pluhur, burrat e lidhur duarsh me njëri-tjetrin, u pushkatuan me mitraloz, kurse gratë me fëmijë u hodhën në zjarr dhe u dogjën për së gjalli.
Viti 1921 nis me një shkallëzim të dytë të terrorit dhe të masakrave të pashembullta. Rrebeshi filloi me operacionet ndëshkimore të pandërprera të ushtrisë, xhandarmërisë dhe të çetnikëve të rekrutuar në çetat e organizuara që të mposhtin qëndresën shqiptare me armë dhe të shfarosin tërë një popullatë. Mijëra njerëz të vrarë, qindra fshatra të djegura dhe të plaçkitura, qindra familje të internuara, prona të panumërta të konfiskuara me anë të reformës agrare kolonizuese për të shtrënguar shqiptarët të braktisnin vatrat e tyre, të shpërnguleshin në Anadoll dhe në Shqipëri ose të merreshin me punë hamallësh nëpër rrugët e Beogradit dhe të qyteteve të tjera të Jugosllavisë.
Me zëdhënien që qeveria e Beogradit shpalli në shtyp në shkurt 1921, si dhe me shpalljen e komisarit të jashtëzakonshëm qeveritar në Kosove, Mihajlo Ceroviç, terrori mbi popullin shqiptar në shkallë shfarosjeje u legalizua plotësisht. Çarmatimi që filloi në janar 1921 me pretekstin e vendosjes së “rregullit dhe qetësisë” dhe që përfshiu të gjitha anët e Kosovës i dërgonte Kryeministrisë së shtetit shqiptar, theksohej se në Podgur, Rugove, Plave dhe Guci, serbo-malazezët dogjën me qindra shtëpi dhe përshkuan me bajoneta me mijëra të pafajshëm. Në anën e Vushtrrisë, Drenicës, Llapit dhe Gollakut tymi i zjarrit të fshatrave të djegura kishte kapluar qiellin. Vetëm në nahinë e Pejës u dogjën 420 shtëpi dhe u masakruan 231 veta. Në Rugovë iu vu zjarri 13 fshatrave me 410 shtëpi dhe u vranë 846 vetë; në Istog u dogjën 52 shtëpi dhe u vranë 187 vetë. Masakra u krye nën komandën e Miliç Kërstës. Kjo plojë përlau edhe fshatrat Shushicë, Uçë, Rakosh, Kerrninë, Padalishtë, Suhogërrllë dhe Runik. Pasi Bellopoja u bë rrafsh me tokë, 30 vetë të masakruar me bajoneta u hodhën në zjarr. Në anën e Gjakovës u dogjën më shumë se 30 fshatra.
Lidhja e Kombeve e verbër para terrorit serbo-malazias
Ekspeditat ndëshkuese e përshkuan Llapin dhe Gollakun anë e përtej, duke djegë e pjekë. Nga 55 shtëpi të fshatit Popovë mbetën në këmbë vetëm pesë. Vrasja e 31 fshatarëve, pa kursyer fëmijët e vegjël, gratë, pleqtë dhe plakat, u shoqërua me plaçkitjen e gjithë pasurisë. Në Keçekollë u dogjën shtëpitë e katër rnëhallave dhe u vranë 111 vetë. Nga e gjithë familja e vrarë e Avdi Musliut me 14 anëtarë shpëtoi vetëm një vajzë 7 vjeçe. Gazeta e kohës “Hak” dhe “Pravda” shkruanin se në fshatin Qerovë u vranë 490 vetë, ndërsa në Prapashticë u dogjën dhe u plaçkitën 80 shtëpi dhe u vranë 1020 veta. Kjo shifër e viktimave mbase mund të jetë e fryrë. Në Sharban u dogjën 28 shtëpi, u plaçkit tërë pasuria dhe u vranë 34 vetë. Përfaqësia e shtetit shqiptar, më 26 prill 1921 e bënte Lidhjen e Kombeve me dije se në Kosovë vriten njerëz pa gjyq, bëhen plaçkitje dhe çnderime grash dhe vajzash. Vetëm brenda tre muajve të fundit më shumë se 2.000 shqiptarë u vranë ose vdiqën nga torturat.
Bardh Zeneli që e jetoi kasaphanën si fëmijë
Internimi i qindra familjeve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare ishte edhe një metodë tjetër barbare që kishte për qëllim mbjelljen e frikës, shpejtimin e procesit të shpërnguljes dhe realizimin sa më të shpejtë të politikës kolonizuese. Komisari Ceroviç, i veshur me autorizime të pakufizuara, përkrye shpalljes së tij e deklaronte të rebeluar çdo shqiptar, i cili për shkak të terrorit arratisej në mal ose strehohej në Shqipëri. Haraçin e madh e paguante jo vetëm familja e tij, po edhe miqtë. Ata nxirreshin jashtë ligjit dhe internoheshin zakonisht në Nish, të gjithë së bashku – gra e fëmijë, pleq e plaka – dhe vendoseshin në barraka të ngushta dhe të papastërta, të dënuar të vdisnin nga sëmundjet. Edhe një Pavle Joviçeviq nuk mund të mos e pranonte se në këto barraka nga sëmundja vdisnin edhe fëmijët e vegjël.
Në fillim të muajit korrik 1921 vala e terrorit të vazhdueshëm që nuk kishte lënë pa përfshirë gati asnjë fshat të Kosovës, përlau edhe Jabllanicën e Dushkajës, zonë kjo kryesisht malore me pak tokë buke, në verilindje të Gjakovës. Në qoftë se në burimet arkivore jugosllave kjo masakër zihet ngoje vetëm me dy – tre rreshta, Sadri Adem Kasumaj, i cili asokohe ishte djalë 15 vjeç, e përshkruan plojën në hollësi.
Më 9 korrik 1921, herët në mëngjes, ekspedita ndëshkuese e ushtrisë dhe xhandarmërisë, e prirë nga banda çetnike dhe vullnetarët serbo-malazias të anës së Pejës, Deçanit, Klinës, Gjakovës dhe Istogut, e rrethoi Jabllanicën nga të gjitha anët. Burrat u thirrën që të mblidhen që të gjithë në mes të fshatit se do të vinte aty edhe Osman Aga, kryetar i komunës së Cërmjanit. U bë bastisja e shtëpive që asnjë mashkull të mos mbetej brenda. Më pastaj fshatarët u akuzuan rëndë si strehues të kaçakëve në krye me Azem Galicën. Pasoi plaçkitja e shtëpive dhe e bagëtisë, lidhja e fshatarëve me shoka dhe rripa. Masakra nisi me vrasjen e Osman Agës pas shpine. Gjashtëdhjetë meshkuj, të lidhur, nga mosha 13 vjeç e sipër i dërguan jashtë fshatit në Kodrën e madhe dhe i pushkatuan të gjithë. Shpëtuan vetëm dy vetë të mbetur nën të vrarit. Kufomat e viktimave u varrosën pas pesë – gjashtë ditësh nga fshatrat përreth.
Pas masakrës së Jabllanicës ushtria, xhandarmëria, çetnikët dhe vullnetarët serbo-malazias ia mësynë Kralanit krejtësisht të braktisur, vranë kryeplakun Sali Brahimin 60 vjeç, plaçkitën dhe dogjën fshatin. Ekspeditat ndëshkuese vazhduan plojën në fshatrat e tjera të Kosovës gjithnjë deri në mbarim të vitit 1921. Masakrat mbi popullin shqiptar do të vazhdojnë valë – valë gjithnjë deri më 1941 – me shkatërrimin e Jugosllavisë.
Nuk ka anë të Kosovës që nuk është e mbjellë me varre shqiptarësh – të veçanta dhe kolektive, të dukshme dhe të padukshme, pa emra. Janë këto viktima të panumërta të gjenocidit serbo-malazias nga viti 1912 e këndej, që Kosovës martire t’i shkulej rrënja shqiptare. Këto mizori mbushin tërë një arkiv voluminoz të quajtur Magna crimen. Ajo lypset t`i paraqitet Gjykatës së Hagës, anipse me vonesë të madhe.
|