Një shtëpi prej letre. Një mori gënjeshtrash, të cilat ne i kemi pranuar në mënyrë të pavetëdijshme. Kështu na duken siguritë tona gjatë krizave të mëdha. Episode të tilla na tronditin, kur shohim se sa të pasigurta janë supozimet tona.
Kjo është arsyeja pse ky vit i ngjan një batice që tërhiqet shpejt, duke na detyruar të përballemi me të vërtetat lakuriqe. Dikur ne mendonim, me arsye të mira, se globalizimi kishte sfiduar qeveritë kombëtare. Presidentët kishin si prioritet tregjet e bonove. Kryeministrat i injoruan të varfrit e vendit të tyre, por asnjëherë “Standard & Poor’s”. Ministrat e Financave u sollën si batakçinjtë e “Goldman Sachs”,apo satrapët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Manjatët e medias, biznesmenët e naftës dhe financierët, jo më pak se kritikët e majtë të kapitalizmit të globalizuar, ranë dakord që qeveritë nuk ishin më në kontroll.
Pastaj na goditi pandemia. Brenda natës, qeveritë nxorën thonjtë dhe hapën dhëmbët e mprehtë. Ato mbyllën kufijtë ajrorë dhe tokësorë, vendosën nën mbikëqyrje të fortë qytetet tona, mbyllën teatrot dhe muzetë, dhe na penguan të përcillnim për në banesën e fundit prindërit tanë që vdisnin.
Madje ato bënë atë që askush nuk e mendonte të mundur para Apokalipsit:ato anuluan ngjarjet sportive. Në këtë mënyrë u zbulua sekreti i parë:Qeveritë kanë një pushtet të pandalshëm. Ajo që zbuluam këtë vit, është se qeveritë kishin zgjedhur të mos ushtronin kompetencat e tyre të mëdha, në mënyrë që ata që globalizimi i kishte pasuruar, të mund të ushtronin kompetencat e tyre.
E vërteta e dytë, është ajo për të cilën dyshuan shumë njerëz, por ishin shumë të ndrojtur për ta thënë:“pema e parave” është një dukuri e vërtetë. Qeveritë që shpallnin paaftësinë e tyre sa herë që u kërkohej të paguanin për ndërtimin e një spitali këtu apo një shkolle atje, zbuluan papritur një mal me para për të paguar pagat e biznesit privat, për të shtetëzuar hekurudhat, për të marrë përsipër linjat ajrore, për të mbështetur prodhuesit e makinave, madje edhe për të mbështetur financiarisht palestrat dhe sallonet e bukurisë. Ajo që normalisht na thonë qeveritë, është se paratë nuk rriten në pemë.
Greqia është një rast studimi perfekt i së vërtetës së tretë që u zbulua këtë vit:Aftësia paguese është një vendim politik, të paktën në Perëndimin e pasur. Në vitin 2015, borxhi publik i Greqisë prej 320 miliardë eurosh ishte shumë mbi të ardhurat kombëtare prej vetëm 176 miliardë eurosh.
Problemet e vendit ishin lajmet në faqet e paratë mediave në të gjithë botën, dhe udhëheqësit e Evropës ankoheshin për paaftësinë tonë paguese. Sot, në mesin e një pandemie që e ka përkeqësuar më tej një ekonomi në gjendje të keqe, Greqia nuk është më një problem, edhe pse borxhi ynë publik është 33 miliardë euro më i lartë, dhe të ardhurat tona 13 miliardë euro më të ulëta se në vitin 2015.
Fuqitë e Evropës vendosen që një dekadë e tutelës financiare ndaj Greqisë ishte e mjaftueshme, ndaj zgjodhën t`a shpallnin Greqinë si një shtet me aftësi paguese. Për sa kohë që grekët zgjedhin qeveri që vazhdimisht ua transferon oligarkëve çfarëdo lloj pasurie (publike ose private) që ka mbetur, edhe Banka Qendrore Evropiane do të bëjë gjithçka që dëshiron. Ajo mund të blejë sa më shumë bono të qeverisë greke, që të ruajë paaftësinë paguese të vendit.
Sekreti i katërt që nxori në pah 2020, ishte se malet e aseteve private të përqendruara që ne vërejmë, kanë shumë pak të bëjnë me sipërmarrjen. Unë s’kam asnjë dyshim se Xhef Bezos, Elon Mask, ose Uorren Bafet kanë aftësinë për të bërë para dhe për të diktuar tregjet.
Por vetëm një përqindje e vogël e plaçkës së tyre të akumuluar, është rezultat i krijimit të vlerës. Shihni rritjen e jashtëzakonshme që nga mesi i marsit të pasurisë së 614 miliarderëve të Amerikës.
931 miliardë dollarë shtesë që ata grumbulluan, nuk erdhën nga ndonjë risi apo zgjuarsi e tyre që u dha fitime shtesë. Ata u pasuruan pasi Bankat Qendrore e përmbytën sistemin financiar me para të fabrikuara që shkaktuan rritjen e çmimeve të aseteve, dhe kësisoj edhe pasurinë e miliarderëve.
Me zhvillimin, testimin, miratimin dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinave anti-Covid, u zbulua edhe një sekret i pestë:shkenca varet nga ndihma shtetërore, dhe efektiviteti i saj varet nga pozita e saj publike. Shumë analistë janë habitur për mirë me aftësinë e tregjeve për t’iu përgjigjur shpejt nevojave të njerëzimit.
Por nuk mungon as ironia:administrata e presidentit më anti-shkencë që ka parë ndonjëherë SHBA-ja, një president që injoroi, frikësoi dhe u tall me ekspertët edhe gjatë pandemisë më të rëndë në një shekull, shpenzoi 10 miliardë dollarë për të siguruar që shkencëtarët tëkishin burimet që u duheshin.
Por ka edhe një sekret më të madh:ndërsa viti 2020 ishte një vit i artë për kapitalistët, kapitalizmi nuk është më i tillë. Si është e mundur kjo? Si mund të lulëzojnë kapitalistët, ndërsa kapitalizmi evoluon në diçka tjetër? Shumë e thjeshtë:Apostujt më të mëdhenj të kapitalizmit, si Adam Smith, e vunë theksin tek pasojat e tij të padëshiruara.
Pikërisht sepse individët që kërkojnë fitime nuk kujdesen për askënd tjetër, ata përfundojnë duke i shërbyer shoqërisë. Çelësi për të shndërruar vesin privat në virtyt publik është konkurrenca, që i nxit kapitalistët të angazhohen në veprimtari që i maksimizojnë fitimet e tyre.
Në një treg konkurrues, kjo i shërben të mirës së përbashkët duke rritur gamën dhe cilësinë e mallrave dhe shërbimeve në dispozicion ndërsa ul vazhdimisht çmimet.
Sot nuk është e vështirë të shohësh që kapitalistët mund të bëjnë shumë më mirë,edhe me më pak konkurrencë. Ky është sekreti i gjashtë që ekspozoi viti 2020. Të çliruar nga konkurrenca, kompanitë gjigante si Amazon, dolën shumë mrekullisht nga shkatërrimi i kapitalizmit dhe zëvendësimi i tij nga diçka që i ngjan tekno-feudalizmit.
Por sekreti i shtatë që zbuloi ky vit, përfaqëson një mësim me vlerë. Ndërsa arritja e ndryshimeve rrënjësore nuk është kurrë e lehtë, tani është mjaft e qartë se gjithçka mund të jetë ndryshe. Nuk ka më asnjë arsye pse duhet që t’i pranojmë gjërat ashtu siç janë. Përkundrazi, e vërteta më e rëndësishme e vitit 2020, shprehet më së miri në aforizmin elegant të Bertolt Brehtit:“Për shkak se gjërat janë ashtu siç janë, ato nuk do të mbesin ashtu siç janë. Nuk mund të mendoj për ndonjë burim më të madh shprese sesa kjo zbulesë, e ndodhur në një vit të cilin shumica nga ne do të preferonin t`a harronin.”
Shënim: Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave në Greqi, udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës. / “Project Syndicate” – Bota.al