Vështrim/Analizë

Xhevdet Shehu: ZONJA E DOSJEVE ose një histori për dosjet e sigurimit të shtetit që as janë hapur dhe as janë mbyllur

(Kështu është kur sektorë të rëndësishëm të shtetit i besohen pjellës së kolaboracionistëve si kësaj “ZONJE” ose Tufës e sojit të tyre!! Dosjet e shtetit t’u besohen atyre që ishin kundër shtetit, në anën e pushtueve?!! T’u lihen dosjet dhe arkivat e shtetit atyre që i (sh)përdorin për propagandë kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kundër shtetit?! Cili shtet evropian do t’ua besonte dosjet dhe arkivat e shtetit pasardhësve të kolaboracionistëve e kuislingëve nazifashistë?!! Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që shtetin e kuptojnë si një mundësi përfitimesh e interesash ditore… Propaganda që është bër e po vazhdon të bëhet me gjoja “gjenocidin” që paska kryer shteti ynë Amë mbi shqiptarët kolaboracionistë, me “dhunën”, “terrorin” e “internimin” ka për qëllim, sidomos, mbulimin dhe harrimin e persekutimit, dhunës, terrorit, masakrave dhe gjenocidit që ka kryer Serbia pushtuese dhe Jugoserbia ndaj shqiptarëve autoktonë në krahinat e pushtuara të Shqipërisë, por edhe mbulimin dhe harrimin e gjenocidit që kanë kryer grekët në Shqipërinë e Poshtme (Çamëri)!! E dhimbshme dhe e patolerueshme kjo “filozofi” dhe praktikë shqiptarmohuese! Është koha që klasa politike në shtetin tonë AMË të sillet e të udhëheq me filozofi e logjikë shtetërore dhe të mos e shpërdoron shtetin për t’i kënaqur “orekset” dhe ambiciet e tyre hakmarrëse prej kolaboracionistësh dhe neonazifashistësh… (Xh. Gj.)

Në ngarendjen për të shembur gjithçka nga sistemi i shkuar, për të bërë ribërë historinë, tashmë në një kah krejt tjetër, shumë gjëra ishin të toleruara, pasi mllefi i disa dekadave kërkonte hakun e tij. E kërkonte me ngulm, si revanshin e kohës së humbur, por edhe të kauzës së humbur që kishin ndjekur e për të cilën, jo pak herë, ishin ndëshkuar.

Pasviti 1991 ishte i domosdoshëm për të bërë rishikimin, ashtu si është tani koha që gjërat të kthehen në rrjedhën e tyre.

Mbi të gjitha dinjiteti i të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, si një klasë shoqërore që kishin aspiruar ndryshe dhe që, më në fund, duhej të ishin pjesë e jetës.

Askush më shumë se kjo klasë, që kishte pritur qartësinë, nuk është përdorur më shumë politikisht dhe, nga askush tjetër, më shumë se në kurrizin e tyre, nuk ka përfituar një klasë politike, që mori përsipër të bëhej zëdhënëse e tyre dhe që, në fakt, u bë shfrytëzuese e të shkuarës së tyre.

30 vite pas vetërënies së komunizmit – askush nuk ka meritën e veçantë për shembjen e tij – , pasi janë ngritur disa institucione të veçanta, që trajtohen si të pavarura, por që shpesh herë ngjajnë si organizatat e masave të Partisë së Punës, janë bërë ligje dhe disa nga të përndjekurit kanë qenë vetë ose të afërmit e tyre, përkohësisht, në strukturat e larta të shtetit, Pjetër Arbnori, për shembull, pas 30 viteve drejton Parlamentin pluralist, zonja Topalli, po ashtu, e njohur nga familja Çoba dhe Topalli, pasi janë marrë dhjetra e më shumë vendime për kompensimin financiar të vuajtjeve të tyre, e çuditërisht përfitimet më të ndjeshme i kanë pasur kur drejtonin “armiqtë” e tyre, e majta qeverisëse; kur dosje të fjetura, të lejuara të dalin të seleksionuara kanë marrë të drejtën e qytetarisë, kur “studiues” dhe drejtues të niveleve të lartë në këto institucione që lidhen me dosjet e sigurimit të shtetit apo ngjarjeve të pas vitit 1945 kanë hedhur atë shkëndijë që u është dashur për të fshehur ose ndryshuar një të kaluar dhe ngritur një version të ri, është koha kur pikërisht kjo çështje duhet trajtuar seriozisht, sipas gjithë përvojave të njohura, pa mllefin e zakonshëm, në mënyrën më shkencore të mundshme dhe pa asnjë përcaktim nga lart.

30 vite pas lëvizjeve për ndriçimin e së djeshmes përmes vendimeve të veçanta, janë disa institucione, disa prej të cilave  nga qeverisja e së majtës, për të dëshmuar saktësisht mbi krimet, ngjarjet dhe përplasjet e ndodhura në 45 vite. Drejtuesit e tyre janë të njohur, ndonjëri prej tyre, si Agron Tufa ia mbathi jashtë shtetit pas denigrimeve dhe uzurpimeve, dhe, megjithëse për shumëkënd, në fillimet e pluralizmit mund të dukej paradoksale, edhe pse të ardhur nga familje që njiheshin si të deklasuara dhe të përndjekura politikisht, ata u vendosën aty për të saktësuar të vërtetën pikërisht nga e majta, të cilën ata e kishin shpallur armike.

Zonja Gentiana Mara Sula është njëra prej tyre. Ajo është sot kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit në vitet 1944-1991. E votuar nga 69 deputetë të së majtës në nëntorin e vitit 2016 ajo erdhi në këtë detyrë pasi për tri vite, e emëruar nga kryeministri Edi Rama ajo kishte qenë si Zëvendësministre e Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë.

E ardhur nga një familje e përndjekur prej regjimit, pasi gjyshi i saj tregtar tiranas kishte bashkëpunuar me prefektin e Tiranës, Qazim Mulletin, figurë e njohur kolaboracioniste, i cili ia kishte lënë pasurinë mikut të tij, që më pas, në rrethana të panjohura vdiq në burg, eshtrat e të cilit nuk u gjetën kurrë, zonja Sula filloi të njihej si “zonja e Dosjeve”.

Megjithëse qëndrimi i saj ideologjik dhe parimor ishte shumë larg forcës politike që e delegoi thuajse 5 vite përpara, ndaj disa çështjeve themelore të së shkuarës, sidomos ndaj luftës nacionalçlirimtare dhe qëndrimit ndaj bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, është pritur se në institucionin që drejton do të fillonte të merrte përparësi saktësia, zhvillimi normal i ngjarjeve, hapja e dosjeve dhe reagimi i drejtë ndaj tyre.

Deri tani, dosjet as nuk janë hapur, e as nuk janë mbyllur. Edhe kur janë hapur, ka qenë selektiv, i mbingarkuar dhe i tejmbushur me qëndrimet politike të një drejtuese institucioni, që, duke qenë i pavarur, duhet të qëndrojë si i tillë.

Më shumë se sa njeriu që do të kërkonte zgjidhjen e enigmës dosje, ajo vazhdon të trajtojë institucionin si vendin ku, megjithë influencën bashkëshortore, duhet të bënte të pamundurën të shkëputej nga ngjarjet vetjake dhe të bënte atë që ishte pritur: publikimin e të vërtetës.

Është e habitshme se, megjithëse në fillimet e pozitës së saj të re, besuar nga qeveria Rama me mbështetjen e Ilir Metës, rreth 70 për qind të të anketuarve kishin interes për hapjen e dosjeve dhe, megjithëse në arkiv mund të jenë mbi 200 mijë dosje, hapja e tyre nuk ka qenë më shumë se 3 apo katër përqind, dhe, shumë nga dosjet e cituara në media, të përzgjedhura, pa e saktësuar kurrë rrugën nga dolën dhe se si shkuan tek kolegët e saj tufistë, synuan të rrënonin njërën nga periudhat më të lavdishme të historisë sonë, luftën nacional çlirimtare.

Nëse të afërmit e saj u gjendën në kampin e kundërt të historisë, apo u bënë bashkëpunues me figura politike të njohura për lidhjet me fashistët apo nazizmin, ky nuk është faji i askujt tjetër. Rrënimi i së kaluarës e gjykimi i saj nuk mund të bëhet kurrë duke ngritur një mashtrim historik dhe këtë nuk mund ta bëjë as drejtuesja e një institucioni të pavarur.

Zonja Sula ka qenë pjesë e lëvizjes studentore, ashtu si mijëra të tjerë dhe regjimi bëri mirë që shumë paraardhësve të rinj nga shtresat e përndjekura, më në fund, me vonesë, u hapi dyert e shkollave të larta. Ka qenë ashtu si mijëra të tjerë dhe kjo nuk përbën tani, pas 30 viteve, as vlerë e as meritë të veçantë. Regjimi ishte i rënë dhe vetëm nostalgjikët dhe një klasë e privilegjuar mund të dëshironte vazhdimin e tij. Pra, as nuk ka pse mburret dhe as nuk ia njeh kush këtë veçanti.

Ajo është e njohur për nismën e saj për ngritjen e kampit të kujtesës së viktimave të komunizmit, të cilët, megjithë nderimin për ata që vërtetë ishin disidentë të pushtetit, tani po shtohen përditë e më shumë. Që nga viti 1991 e deri tani numri i tyre është thuajse dyfishuar, duke futur në këtë listë edhe njerëz të krimit e banditë që luftuan me armë, duke vrarë të pafajshëm.

Në një intervistë të saj të ditëve të fundit, duke folur në emër të autoritetit të dosjeve, ajo i propozoi Ministrisë së Financave që të përgatitet një propozim për pensionet e të internuarve, ku të sugjerohet edhe rregullimi i kuadrit ligjor përkatës, që u mundëson të ardhura të internuarve në diktaturë dhe të përndjekurve politikë.

Në fakt, detyrimi ligjor i Autoritetit të Dosjeve është shërbimi i dokumentacionit të ish të përndjekurve dhe familjarëve të tyre për arsye pensioni, dëmshpërblimi , etj.

U bënë 30 vite që qeveritë e ndryshme që kanë lëvizur në Shqipëri kanë dëmshpërblyer viktimat e komunizmit dhe qendrestarët ndaj regjimit komunist, të cilët kanë vuajtur në burgime të gjata, të mundimshme.

Tani kërkohet edhe pension për to dhe familjet e tyre. Pasi janë dhënë çfarë ka qenë e mundur dhe mirë është bërë, gryka e thesit kërkohet të hapet edhe më tej.

A mund të jenë të gjithë njëjtë?

A do të mund të përfitojë pension familja e Hamit Matjanit, banditit vrasës, që ngjallte terror dhe vrasjen e kishte metodë pune?

Po familja e Markagjonit, një pinjoll i së cilës erdhi e na u mburr se me dorën e njerëzit e tij kishte vrarë edhe vajzat e gratë e Mirditës, të cilat mësonin fëmijët në shkollat që kapedani i Mirditës nuk i kishte hapur kurrë për banorët e zonës?

Cili pension mund t’i takojë familjes së Bilal Kolës, i cili për katër vite rrjesht sillej bjeshkëve të Matit, me armë, për të përmbysur një regjim i cili ishte i atyre që fituan luftën?

Po familjet e diversantëve që u sulën për të djegur çfarë kishin mundur?

Zonja Sula mund të përfitojë nga ky vendim, më tepër moralisht, sepse financiarisht nuk ka nevojë, por cili qëndrim ideologjik dhe prioritar i forcës qeverisëse në Shqipëri mund ta mbështetë këtë ide?

Luftën nacionalçlirimtare nuk e hedh dot poshtë asnjë zonjë Sula e as dhjetra e qindra të tilla. Ajo ishte e atyre që aspiruan lirinë dhe që, pasi e arritën atë, në shumicën e tyre më të madhe, ishin si të tjerët apo u dënuan si të tjerët.

Nëse do të kërkohet pension shpërblesë për familjen e Preng Calit, atëherë çfarë mund të thuhet për familjen e Fejzi Micolit – Vullnetit- komandantit të batalionit të parë të brigadës së parë sulmuese, i cili, sëbashku me mbi 40 të tjerë, u vranë në pritë befasisht nga njerëzit dhe pushka e Calit?

Nëse  historia e luftës nuk ngjit më, sipas zonjës Sula, as rikthimi i bashibozukëve në atdhetarë nuk ngjit as tani e as kurrë.

Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nuk është një bunker nga ku mund të luftohet e djeshmja, por nga ku duhet qartësuar e djeshmja.

Dhe duhet bërë pa mllef, qetësisht, pa hapur plagë të reja, duke dashur të shërohet e djeshmja, duke i dhënë njerëzve pikërisht atë që duhet dhe si ka qenë saktësisht.

Në dosjet e Sigurimit të Shtetit janë edhe vrasjet e bëra nga diversantët e kohës, në jug e në veri, a duhet të hapen edhe ato?

Askush nuk ka pronësinë mbi dosjet dhe vetëm ndriçimi i tyre mund të jetë i frytshëm.

Ndryshe, duke dashur të sjellim dritë, do e terrojmë edhe më shumë.

(DITA)