Vështrim/Analizë

Xhevat Gjini: Besëprerë me Atdheun dhe Popullin e tyre e besnikë – puthadorë me aleatët

BESËPRERË ME ATDHEUN DHE POPULLIN E TYRE E BESNIKË – PUTHADORË ME ALEATËT
   Populli shqiptar historikisht është shquar me karakterin, vlerat dhe kualitetet e tij atdhedashëse, liridashëse, qëndresëtare e luftarake. Përballja e tij me perandoritë më të fuqishme që kishte bota dhe gjithë rrugëtimi i tij shekullor ka dëshmuar energjitë e pashterrshme dhe përtritëse që kishte dhe ka populli ynë…
   Fatkeqësia e popullit tonë ka qenë dhe mbetet paria e tij, klasa e tij politike!! Pris, strateg, politikan e diplomat i shquar i popullit tonë ishte Aleksandri – Leka i Madh, Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali dhe në historinë e re, Enver Hoxha.
   Ndër shekuj paria ose klasa politike shqiptare ishte kryesisht servile, e pabesë me popullin e saj dhe besnike si qeni me pushtuesin dhe me “aleatët”!! Gjatë gati pesë shekujve pushtim, pas Lavdisë së Gjergj Kastriotit, për popullin tonë u riciklua një klasë politike – pari kolaboracioniste dhe shërbëtore e bindur e pushtuesve osmanē… Koncepti dhe filozofia politike e kësaj parie filootomane e solli popullin shqiptar buzë “falimentimit”! Lidhjen e fatit të kësaj parie halldupe e të pabesë me fatine e Perandorisë Otomane populli shqiptar e pagoi me humbjen e tri të katërtave të tokave të tij!
   Rilindja Kombëtare, Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit, Kryengritjet e viteve 1910, 1911 e 1912 e shpëtuan një copë Shqipëri dhe e krijuan një shtet të vogël që, me vet ekzistencën e tij, u bë garancia dhe siguria e ringjalljes dhe ruajtjes së qenies shqiptare edhe jashtë kufijve të tij, në krahinat e pushtuara nga serbo-malazezët dhe nga Greqia.
   Periudha e Enver Hoxhës e ngriti në majat më të larta emrin shqiptar dhe Shqipëri, shtetin tonë Amë, gjuhën, kulturën, letërsinë, artin, ekonominë, shkencën, diplomacinë, ushtrinë… Në kohën e Tij Lëvizja Kombëtare Shqiptare për çlirimin e tokave të pushtuara nga Jugoserbia shënoi një rritje, organizim dhe sukses të panjohur më parë. Çlirimi i një pjese të tokave të pushtuara në fund të shek. XX ishte rezultat kryekëput i kësa LËVIZJEJE të periudhës së Enver Hoxhës…
   Çlirimi me luftë të armatosur (ndryshe nuk çlirohej kurrë…) i Kosovës me kufijtë që kishte imponuar me dhunë Jugoserbia ishte e arritura më e madhe historike e kombit shqiptar pas krijimit të shtetit tonë, Shqipërisë Londineze.
   Mirëpo, ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, penguan dhe pezulluan përkohësisht çlirimin e gjithë Kosovës shqiptare dhe ribashkimin e Shqipërisë. Me qëllim që të pengohet edhe për një kohë zgjidhja e plotë e çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha “krijuan” një klasë politike hibride, lakmiçare, të korruptuar, me të kaluar kolaboracioniste, të paaftë e të shantazhuar dhe, para së gjithash, e besueshme për ta (shërbëtore e bindur), por e pabesë dhe mashtruese me popullin e saj!!
   Me këtë klasë politike të tredhur qendrat e vendosjes botërore avancuan projektin e tyre në dëm të lirisë dhe pavarësisë-shkëputjes së plotë të Kosovës nga Serbia!! Projekti i tyre antishqiptar nisi me krijimin e “enklavave (minave) serbe” në Kosovën shqiptare!! Në emër të “miqësisë së përjetëshme, të shenjtë”, etj. (koncepte servilësh, hajvanësh priëitivë e profiterësh…) klasa politike kozmopolite e Kosovës e pranoi me zemër në dorë enklavizimin e tokës së çliruar me lumenj gjaku!! Por, siç thotë populli ynë “dardha ka bishtin mbrapa”! Bota (aleatët) për arsyet e saj gjeopolitike e gjeostrategjike dhe, sidomos për ta “betonuar” të ardhmen multietnike të Kosovës, vazhdoi me fazën tjetër të projektit: “decentralizimin” ose më saktë ngritjen e enklavave në “komuna serbe”, në përputhje të plotë me planin e Serbisë për Kosovën!! Mbështetja kryesore për zbatimin e këtij plani antishqiptar u bë Veriu i Kosovës (i shpikur nga prania ndërkombëtare për ta shantazhuar lirinë dhe shkëputjen e plotë të Kosovës nga Serbia!) dhe klasa politike hibride, kolaboracioniste, e paaftë, e pabesë dhe servile e Kosovës!!
   Tregimin e plotë lexuesi i vëmendshëm e di, por nga përsëritja mësojmë ne dhe mësojnë edhe ata që s’çanin kokën për “proceset” në Kosovë.
   Klasa politike e Prishtinës, e mbytur në pasuri, lavdi, poshtërsi, korrupcion, “pushtet” (mbi partitë e tyre) dhe në pabesira hoqi dorë nga vullneti shekullor i popullit të saj dhe nga e drejta e njohur ndërkombëtarisht për t’u bashkuar me shtetin e saj!! Jo vetëm kaq! Por me “dhimbje” e “keqardhje” pranoi krijimin e komunave “serbe” në Kosovën shqiptare, pranoi dhe firmosi ndarjen e Mitrovicës, me dëshirën e besnikërinë e padëgjuar për t’u shërbyer aleatëve!! Në emër të besës dhe shenjtërisë së miqësisë kjo klasë politike nga pesë komuna “serbe”, sa ishin paraparë me planin e Ahtisarit, i bëri 10 komuna “serbe” në Kosovën e vogël!! E po, thonë që oreksi rritet duke ngrënë! Serbisë po i rritej oreksi nga koncesionet idioteske që po i bënte Prishtina zyrtare…, kurse miqve po u rritej shpresa se mund ta “përfitonin” Serbinë duke ia plotësuar kërkesat në dëm të Kosovës shqiptare!!
   Logjika e “dialogut” pa fillim e mbarim dhe e koncesioneve për Serbinë e çoi punën edhe te rihapja e “pakos së Ahtisarit”!! Nisi një fazë e re “dashurie” për dialogim në Bruksel!!? Klasa e marrosur politike, që kishte hequr dorë edhe nga flamuri kombëtar (në përputhje me filozofinë dhe logjikën politike kolaboracioniste të LDK – së dhe kryetarit të saj “historik!), pranoi dhe nënshkroi edhe marrëveshjen për krijimin e një entiteti politik serb në Republikēn e Kosovës (“Zajednicën”)!! Ky entitet serb do të përfshinte rreth 30 % të territorit të Kosovës!!
   Kjo klasë e pabesë politike kishte pranuar edhe degradimin e madh të Republikës me vendosjen e “fusnotës”!! Sepse, siç thonin atëherë, kështu po kërkojnë “miqtë” tanë!!?? Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i jepte plotësisht të drejtë Kosovës, nuk pati vlerë për klasën politike e shtetërore të Kosovës që miratoi me dëshirë të zezën fusnotë!!
   Po kjo klasë politike e privoi Kosovën nga ajo pak ekonomi dhe industri që kishte dhe i bëri rrushekumbulla pasuritë e saj, duke i trafikuar e kontrabanduar në emër të “privatizimit”!! Edhe në këtë fushë nuk munguan bashkëpunimi dhe besa me praninë ndërkombëtare (UNMIK, etj.) dhe me “miqësinë e shenjtëruar”!!
   Degradimi i shkollës, universiteteve (për shkencë nuk flitet fare!), i kulturës, artit, shëndetësisë… janë “merita” të pakontestueshme të kësaj klase politike dhe të miqve të tyre të shenjtëruar!! Nuk mund t’u mohohet edhe “merita” për zbrazjen e Kosovës nga rinia shqiptare… Një braktisje të këtillë “vullnetare” nga populli i saj Kosova nuk e ka njohur as në kohët më të zeza!!
   Si për ta “finalizuar” projektin antishqiptar, për të mos ua qartur qejfin miqve dhe për t’i qëndruar besnikë dashurisë platonike me miqtë, erdhi si “qershia mbi tortë” edhe Gjykata Speciale!! Të tjerat i pamë e po i shohim çdo ditë!!
   Është kjo klasë politike, bashkë me mediat e mercenarizuara, që pa u skuqur fare po çirret edhe sot dhe po angazhohet me gjithë potencialin e saj antishqiptar për “pajtim” pa kushte me Serbinë dhe për plotësimin e kërkesave të saj shoviniste!!
   Edhe për një analist mediokër është e qartë se interesat e kësaj klase politike nuk shkojnë përtej interesit të saj për t’u rikthyer në pushtet (qoftë edhe me krijimin e “zajednicës” ose humbjen e Veriut)!! Etja për pak pushtet e për shumë pasuri ua ka errësuar mendjen dhe ua ka rrēnuar ndërgjegjien kombëtare!!
   Kosovës dhe kombit shqiptar (në gjithë gjeografinë shqiptare- Shqipërinë) i duhet klasë politike, inteligjenci, gazetari dhe shkollë që ka besë, detyrim dhe dashuri të përjetëshme për Atdheun dhe Popullin!
   Besë, miqësi, dashuri dhe aleancë të shenjtë e të përjetëshme midis shteteve e popujve të ndryshëm historia nuk ka njohur… Ajo klasë politike që “predikon” miqësi e besë të shenjtë e të përjetëshme me shtete e popuj tjerë, o është injorante, o është hipokrite, e korruptuar, e shantazhueshme dhe e pabesë me Atdheun dhe Popullin e saj…
   Kosova sot ka përballë Serbinë… Prandaj, kush nuk zë anën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit për t’i kundërshtuar me të gjitha mënyrat dhe mjetet pretendimet shoviniste të Serbisë, qoftë edhe pavetëdijshëm, mbetet në anë e gabuar të historisë.
   Kosova është në të drejtën e saj për vendosjen e ligjshmërisë, kontrollit dhe sovranitetit të saj në çdo pēllēmbë të territorit të njohur dhe pranuar edhe nga miqtë tanë dhe nga 115 shtete. Kush ia mohon këtë të drejtë elementare Kosovës dhe kombit shqiptar zor se mund të quhet mik!?
   Ajo që duhet bërë nga klasa politike dhe shtetërore e Kosovës është mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i hapave me shtetin tonë AMË (domosdoshmëri) dhe me miqtë tanë për shkëputjen e plotë nga Serbia dhe ndikimi i saj. Dëbimi i pranisë së Serbisë dhe ndikimit të saj në Kosovë nuk ka alternativë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë dhe për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare në Iliri.
   Kombi shqiptar ka paguar shumë për hesape të Fuqive të Mëdha! Me vendime të tyre është copëtuar Shqipëria në 5 shtete!! Për hesape dhe me vendime të tyre tri të katërtat e Shqipërisë janë pushtuar e spastruar nga shtetet që u krijuan në tokat tona!!
   Mbrojtja e Kosovës shqiptare dhe e të drejtës së saj sot është jo vetëm detyrë mbi detyrat tjera për avancimin e çështjes shqiptare dhe të pozitës së kombit tonë në rajon e më gjerë, por edhe për paqen, sigurinë e stabilitetin dhe interesin edhe të popujve fqinj.