Vështrim/Analizë

Xhevat Bislimi: “Turizmi patriotik” i mendjeve dhe medieve të korruptuara

“Turizmi patriotik” i mendjeve dhe medieve të korruptuara
Ç’nuk lexon e ç’nuk dëgjon njeriu nga mendjet, mediet dhe rrjetet e retarduara dhe të korruptuara sociale (portalet)! Këto mendje e këto media, që hanë bukën e botës, shpikën konceptin absurd, “turizëm patriotik”, për të “dëshmuar” dhe “argumentuar” tezën e tyre antishqiptare se “shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të saj paskan zgjedhur bregdetin e tyre (për ta është bregdet i huaj!) për pushime vetëm për arsye “patriotike”!! Sipas këtyre mendjeve dhe medieve me trashëgimi të bollshme jugokosovare e titiste, “ne me bukë, ata me gurë”!? Vendësit i paskan rritur çmimet vazhdimisht dhe nuk paskan treguar pikën e respektit për “turizmin patriotik”, për vëllezërit e tyre nga Shqipëria Verilindore (Kosova dhe viset e saj)!? Ja, shkruanin, thonin e propagandonin këto mendje tē retarduara, tash u hoqën vizat dhe shqiptarët e kësaj ane do të shkojnë në Greqi, s’ka më “turizëm patriotik”!!
Sipas këtyre kodoshve, të sponzorizuar nga të huajt që kanë humbur shumë terren me turizmin, edhe pushimet, turizmi duhet të përdoren për ndarjen e shqiptarëve sipas parimit të kufijve të dhunshëm politikë dhe për ta dobësuar ekonominë e shtetit tonë AMË!! Në kohë që mediet më të fuqishme botërore i bëjnë jehonë bregdetit dhe bukurive të natyrës shqiptare këta, jugokosovarët, hidhen në fushatë kundër shtetit dhe turizmit shqiptar!!
Por, njerëzit kanë mendjen dhe logjikën e tyre dhe nuk “frymëzohen” e ndikohen nga mendjet dhe mediet e degraduara dhe të mercenarizuara… Shkojnë më me dëshirë dhe më me kënaqësi në bregdetin e tyre, shkojnë aty ku është më afër, më lirë e më mirë për të pushuar, e jo për arsye “patriotike”… Edhe nëse merret parasysh ky elementi “patriotik”, përveç arsyeve tjera, s’ka asnjë të keqe. Në fund të fundit shqiptarë jemi, prandaj e duam dhe e çmojmë çdo pëllëmbë të tokës shqiptare (edhe detin) më shumë se çdo tokë tjetër.
Si për inat të kësaj fushate histerike antishqiptare sivjet shkuan edhe më shumë shqiptarë në bregdetin e tyre… Pushime të këndshme e kënaquni në bregdetin tuaj dhe midis njerëzve tuaj!