Vështrim/Analizë

Xhelal Gjeçovi: Po i trazon ambicia për të marrë rolin e prijësit të shqiptarëve?

Boruar në DITA

Nuk besoj se ndokush e kishte parashikuar se, pas kaq viteve në liri e demokraci do të shihnim tronditje të raporteve të Kosovës me Shqipërinë. Sidoqoftë, sot ndodhemi para këtij fakti, që duhet analizuar me maturi, pa e dramatizuar, por dhe pa e lënë të kalojë, sikur nuk ekziston.

Politikanët në dy pjesët duket diçka i mundon e nuk i lë të qetë. Është, mesa duket egoja, ambicia për të marrë rolin e prijësit të shqiptarëve. Një dukuri e tillë vërehet sidomos në sjelljen e kryeministrit të Kosovës, në pamjen pompoze që prezanton dhe rëndësinë që i jep vetes në daljet publike, përfshi dhe në aktivitetet e iniciuara nga BE, siç janë bisedimet në mes Kosovës e Serbisë, ku nuk kuptohet nëse i ka thirrur BE apo i ka mbledhur Kurti.

Të duket sikur je përpara një militanti e jo të një burrështeti që i ka rënë barra për të drejtuar shtetin e një vendi dhe etape të vështirë, siç është ajo e pavarësisë, shtetformimit e demokracisë.

Demokracia ka avantazhe të pakrahasueshme me të gjitha sistemet e tjera të qeverisjes, që njeh historia. Por edhe ajo ka problemet e veta. Hapësirat e saj shpesh shfrytëzohen nga militantë partiakë, që rastësisht apo me meritë dalin në krye të lëvizjeve për demokraci e pas fitores se saj, me rregullat që vendosin e hapësirat që krijojnë, e sigurisht dhe marifetet që mësojnë, arrijnë të marrin pushtetin, pa pyetur nëse i kanë kualitetet e duhura për të përballuar problemet e qeverisjes.

***

Në konfuzionin që mbuloi vendin me rënien e sistemit të kaluar, njeri ndër studentët njëherësh, lider i lëvizjes studentore, desh u bë kryetar i PD. Demokracia nuk e pengonte, përkundrazi, e favorizonte, pavarësisht mungesës së arsimimit të duhur. Atë do ta merrte, jo me një, por me dy apo tre diploma.

Kësisoj automatikisht do të kishte të drejtën të formonte e drejtonte qeverinë, që do të ndryshonte vendin. O tempora o mores!, do të thoshte Dritëro Agolli.

I njëjti proces ka ndodhur, pak a shumë dhe në Kosovë, për t`i ardhur më në fund radha Albinit, që të drejtojë Kosovën, një vend me probleme të shumta, të trashëguara e të tjera të krijuara në proces. Duket se e njëjta dorë i ka ujdisur e i ka përgatitur për të na i sjellë si “dhuratë”, për t`u certifikuar më pas si njëri ndër faktorët e qëndrimit kaq gjatë në gjendje stanjacioni, e shoqëruar me huti, peripeci e qëndrime që nuk ishin parë e njohur në historinë tonë.

Para ca kohe Kurti deklaroi se të drejtën për të folur për Kosovën e ka vetëm lidershipi i saj e askush tjetër, që nga analistë të ndryshëm u pa si një trokitje për politikanët e Tiranës. Nga leximi binte në sy mosnjohja e historisë së vendit, me veçantitë e secilës pjesë, si dhe raportet në mes tyre, në të shkuarën e në ditët tona, gjëra këto, në dukje elementare, por të domosdoshme për të kuptuar secili vendin e takatin që ka, që Kosova të mos shihet si domen i ndokujt e as thjesht Krahinë Kosovare, por më shumë se kaq, Shqiptare.

Dritëroi, që kishte një ndjeshmëri e dashuri si rrallëkush, jo të stisur si shumë kush, Kosovën e quante “Republika e Shqipërisë përtej Drinit”. Kur u pyet, në një aktivitet, nëse ishte i saktë përdorimi i këtij termi, iu kundërpërgjigj me pyetjen, “e pse jo?”.Termin Kosovë ia ngjitën serbo-mëdhenjtë, pikërisht që të fshihej e të mos mbetej asnjë gjurmë, asnjë lidhje, asnjë shenjë që u kujton Shqipërinë, vendin amë.

Në këtë lidhje, në këtë korrelacion, primatin në mënyrë të pa diskutueshme, e ka Shqipëria. Nuk është thjesht raporti shumicë-pakicë, që dhe ajo ka ndikimin e vet. Por mbi të gjitha sepse këtu janë rrënjët, fillesat, simbolet e varret e të parëve dhe për këtë arsye quhet vendi amë. Për rrjedhojë, ajo ka e do të ketë gjithnjë të drejtën e fjalës, për zhvillimet në krahinë ku banon gati gjysma e kombit të ndarë me dhunë. E, për këtë, s’ka nevojë t`i marrë dorën askujt.

Obligimi i shtetit shqiptar, për t`u kujdesur për bashkatdhetarët jashtë, është fiksuar si detyrim ligjor, kushtetues në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Me sa duket, Kurti ka nevojë të mësojë historinë e Shqipërisë. Shkollimi në atë kohë, qoftë në Prishtinë apo në Beograd s’ia ka mundësuar dot dhe vetë ai duket ka preferuar një karrierë të shpejtë, fitimprurëse, të cilën e dinte, se do t’ia mundësonte politika, angazhimi në politikë, një llogari bërë dhe e provuar, nga e cila askush s`doli i humbur, veç i fituar e i pasuruar, por i zvogëluar e i deformuar në shpirt e në karakter.

Prandaj, e ka të vështirë të kuptojë dhe të pranojë ai lidhjet, korrelacionin e pjesës, krahinës, me të tërën, me vendin, që në të ardhmen, kur procesi t’i afrohet finishit, bashkimit të pjesëve me trungun, me rrënjët, me Shqipërinë, boshllëku do ta ndjehet edhe më shumë.

Tingëllojnë disi anakronike, por ky është realiteti, është vet njeriu, qenia e tij, me kompleksin e interesave e problematikave që e rrethojnë, shumica e të cilave janë jashtë kontekstit historik dhe hidhen qëllimisht në tregun mediatik për të larguar vëmendjen nga problemet që rëndojnë jetën e qytetarëve, siç është për momentin dhe zgjidhja e çështjes së bashkimit kombëtar, që nënkupton më së pari bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Një proces që do të realizohet pa sforcime e bubullima, si ato që lëshon Basha, pa doganë, në Kuvendin e  Shqipërisë, kur është në delir e don të bëjë të fortin e lagjes. Bashkimi do të arrihet në kuadër të thellimit të integrimeve, që do të përfshijnë vendin e rajonin, kur kufijtë s’do të kenë vizatimin që kanë sot.

Ky ndryshim nuk është afër e as i lehtë; nuk është një problem i shtruar për zgjidhje, por i së ardhmes, një aspiratë, që gjithsesi duhet mbajtur gjallë, që Kosova të mos njohë kurrë kthim prapa, por të ecë përpara, duke mos harruar objektivin, perspektivën. Politikanët kanë për detyrë, që të mendojnë dhe për këtë.

Ndërsa Albini del e thotë se Kosova nuk e do bashkimin me Shqipërinë! Sikur po kërkohet sot dhe realizimi ose jo, është në dorën e tij.

Në rrethana të tilla është pa kuptim kursi i përplasjes, i provokimit e mënjanimit të Shqipërisë, e në këtë kuadër dhe sfumimit të rolit të saj, por dhe aleatëve e miqve të shqiptarëve, duke mos kursyer as SHBA, me të cilët është e lidhur pazgjidhshmërisht e sotmja dhe e ardhmja e kombit shqiptar.

Përballë këtyre zhvillimeve, institucionet ndërkombëtare, në të cilët, SHBA kanë një peshë e rol të veçantë, shtuan kontaktet me Shqipërinë, gjatë të cilave u bindën, se tek  qeveria saj kishin një partner serioz, me të cilin, ndryshe nga Serbia e Kosova, mund të komunikohej e të merrej informacioni i duhur, që të ndërtohej strategjia për zhvillimet në rajonin problematik të Ballkanit. Me këtë rritje të interesimit e te besimit, rrjedhim logjik, do të vinte zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB, duke qenë njëherësh dhe anëtare e NATO-s, e Këshillit të Europës dhe kandidate potenciale për anëtare e BE.

Në vend që të shihej, siç ishte, një zhvillim pozitiv e shans dhe për Kosovën, nga lidershipi i saj mesa duket u pa me xhelozi. Albinit i dukej se po lihej në hije e po humbiste primatin në çështjen e Kosovës, një kartë e luajtur për të rritur më së pari prestigjin e vet, ashtu siç veprohet e përdoret zakonisht nga politikanët shqiptarë.

Në rrethana të tilla, opinioni do të shohë në vazhdimësi hapa të pamenduara, që ushqenin një populizëm primitiv pa dobi. Të tilla ishin refuzimi për të takuar Ramën në Prishtinë, që në situatën e krijuar në veri të Kosovës. Më tej do të shohim të tjera ngjarje pakuptim e të panevojshme, qe mund e duheshin evituar, siç ishte dhe pjesëmarrja e Vetëvendosjes  në zgjedhjet parlamentare të radhës në Shqipëri. PS fitojë bindshëm, opozita humbi thellë e vetëvendosja që desh të bëhej bishti i saj u rendit nga fundi, me një numër të pa përfillshëm votash. Rama iu kundërpërgjigj në stilin e vet, me emërime në administratën publike të kandidaturave nga Kosova, si ministrin e jashtëm, atë të arsimit e, së fundi kreun e shërbimit informativ. A thua nuk kishte  Shqipëria  kandidatura për këto shërbime? Sa të duash, me duzina.

Por në këtë rast, me këtë hap, mesa duket synohej që të kuptohet, se dhe qytetarët nga Kosova kanë të drejtën e emërimit në detyra të tilla  të rëndësishme në Shqipëri, sepse është  dhe vendi i tyre.

***

Në botën e sotme të trazuar e me rreziqe, historia dhe vlerësimi i saj nuk mbyllen me një arritje, qoftë dhe ajo e pavarësisë, padyshim më e madhja. Aq më shumë kur dihet se si u arrit dhe si mund të rrojë e t’u qëndrojë sfidave të historisë. Jeta është  në vazhdim dhe dy pjesët e vendit në provë, në raport me njëra-tjetrën dhe me aleatët. E theksoj me aleatet, sidomos SHBA, aleatin strategjik e jetik për ne, po të kemi parasysh veçoritë e procesit historik në vazhdim. Rezultatet që solli, janë, sigurisht të pa kthyeshme, por ende në zhvillim, pra në provë, për shumë kohë, të shoqëruar me jo pak probleme e rreziqe, çka e bëjnë të domosdoshëm, praninë e mbështetjen e Shqipërisë  dhe aleatëve.

Atëherë, a ka kuptim shpërfillja, moskoordinimi e mospranimi i sugjerimeve e kërkesave të tyre? Të çudit fakti, që ish-diplomati Agim Nesho, që ka shërbyer disa vite në SHBA, e vlerëson luftën donkishoteske të lidershipit kosovar, me të gjithë, duke mos kursyer as SHBA.

Në një prononcim të kohëve të fundit, ai deklaron, se është fat për Kosovën që ka një udhëheqje të tillë, patriote dhe të mençur(!), që mbron si askush interesat e Kosovës. A thua vërtetë e ka këtë mendim? A nuk e sheh reagimin e aleatëve, pasojat e përplasjes me ta, izolimin që sa vjen e behet më i vështirë? E, përse gjithë kjo sakrificë, që rendon jetën e qytetarëve, për t`u hequr sovranist, një term që nuk mund të merret i shkëputur nga integrimet e sotme, ndryshe shndërrohet në një slogan bosh, e akoma me keq dhe spekulativ, që mund të dëmtojë e të rrezikojë dhe pavarësinë.

Veçanërisht raportet me Shqipërinë, duhen trajtuar jo thjesht me përparësi, siç thuhet për propagandë, por me gjithë vëmendjen e dashurinë që ajo meriton. Për këtë na duhet historia, njohja e saj, që ta çmojmë e ta duam Shqipërinë. Ndryshe nga filozofia, që mendimtarët në të kaluarën e quanin mëma e dijes, për ne e tillë mund të konsiderohet historia, që na ka shoqëruar e mbajtur gjallë, si popull e si komb, na ka edukuar me nacionalizëm e patriotizëm, me dashurinë për mëmëdheun, për Shqipërinë, atdheun e përbashkët të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Kosovarët duhet të ndjehen krenarë. Është krahinë shqiptare dhe banorët, qytetarë të saj dyzetë karatësh, të shkëputur ne 13-tën në mënyrë të dhunshme, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha Europiane, për të kënaqur lakmitë e fqinjëve zullumqarë, satelitë të tyre. Një ndarje e imponuar, që kurrë s`u njoh e s`u pranua nga shqiptarët. Përkundrazi kombi shqiptar, edhe pas kësaj gjëme, mbeti unik, me shikim nga Kosova, i përkushtuar e i vendosur që padrejtësisë t’i jepej fund, përmes korrigjimit e vënies në vend, që prona, territori i grabitur, të shkojë tek i zoti.

Për shkak të fatit historik të dhimbshëm, Kosova është parë nga shqiptarët si një vend i shenjtë. Kësisoj, dashuria për Kosovën s’ka mbetur thjesht stoli, por është materializuar e shfaqur, si uragan i fuqishëm, fuqia e të cilit qëndronte pikërisht te bashkimi i shqiptarëve pa dallim me devizën e rilindësve “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Çuditërisht, në këto momente dramatike për kombin shqiptar, për Kosovën dhe Shqipërinë, shfaqet si hienë, filozofi nga Mitrovica, N. Spahiu, që me ato që parashtron ne mediume, duket se s’ia ka haberin kësaj dije, teksa shfaqet si propagandist i ideve reaksionare, antishqiptare, që synojnë të goditin, pikërisht lidhjet Kosovë-Shqipëri, palcën kurrizore të qëndresës dhe ekzistencës sonë si popull e si komb.

Vetëm një njeri pa mend mund t`i dalë zot dhe të përfshihet ne propagandimin e ideve të saj përçarëse, të formuluar në ofiçinat e propagandës së armiqve të kombit shqiptar. Sipas tyre, rrjedhojë e ndarjes në vite nga vendi amë, në Kosovë qenka krijuar një komb i ri, me tipare krejt të ndryshme, nga ai që jeton në Shqipëri, duke i dhënë fund pretendimeve për një komb unik që nuk ekziston. Në përputhje me këtë duhet të ndryshojë dhe politika, e në këtë kuadër dhe qasja e Shqipërisë ndaj Kosovës, se këtu e ka gjithë hallin, duke i dhënë fund paternalizmit, ndërhyrjes, siç e quan Spahiu përkujdesjen, që sipas tij ka sjellë deformim të demokracisë dhe cenim të sovranitetit.

Të çuditin disa televizione në Shqipëri që, ndryshe nga ato në Kosove e ftojnë Spahiun, pa i vënë përballë oponencën e duhur, duke e lënë të lirë që të shfryjë mllefet ndaj Shqipërisë. Është një lojë e vjetër dhe e njohur kjo që kërkon të na shesë Spahiu, e përdorur me zell përgjithësisht nga intelektualët e përkëdhelur në Jugosllavinë e mareshalit Tito, që për t`i bere qejfin atij, kërkonin gjasme në emër të popullit te Kosovës, që Shqipëria të heq dorë nga ky lloj interesimi dhe të shikoje hallet e veta, pasi ajo ka shtetin e vet, ka “bashkim-vëllazërimin”.

A nuk ngjan ajo me pohimin e Kurtit se askush nuk ka drejtë të flasë për Kosovën veç lidershipit të saj(!).

***

Në fakt,qendrimet e shtetit shqiptar ndaj Kosovës kanë qenë gjithnjë, para e pas 90-tës, korrekte, një mbështetje e palëkundur e çështjes  dhe e  aspiratave kombëtare. Të tilla janë edhe sot,prandaj rezervat,dyshimet apo aludimet janë pa baza. Shqipëria ka mbështetur çdo iniciativë, që i shërben  ruajtjes e forcimit të  pavarësisë, stabilitetit e integritetit territorial të Kosovës, por dhe paqes e stabilitetit në rajon.

Sa më shpejt të shkëputeni nga iluzionet dhe t`i qaseni realitetit, aq më mirë do të jetë  për Serbinë, se Kosova është aty në vendin e vet, ku kanë jetuar në shekuj të parët e tyre dhe nuk ka ndërmend të lëvizë që andej. Në këtë linjë ishte dhe përgjigja që Kurti i dha kryeministres së Serbisë në mbledhjen e fundit te udhëheqësve te Ballkanit Perëndimor, të inicuar nga BE.

Deklarata e Ramës, sidomos ngjalli polemika, me sulme të ashpra ndaj presidentit Vuçiç pasi,sipas kokave të nxehta serbe, ajo ishte rrjedhojë e faktit që ai ishte shitur e vënë në shërbim të Ramës. Çuditërisht,të njëjtat akuza do të dëgjoheshin dhe në Prishtinë, me sulme e provokime për Ramën, me pretendimin se “ka marrë anën e Serbisë dhe të Vuçiçit dhe i ka kthye krahët Kosovës e për këtë arsye nuk e duan në Kosove”-, siç u shpreh Edita Tahiri, një figurë e njohur e politikes kosovare, në një emision të Grida Dumës, në një televizion në Tiranë, e cila, me kujdes, me shumë me mimikë se me fjalë la të kuptohej se një pohim i tillë ishte i tepërt, i diskutueshëm, pasi nuk pasqyron realitetin dhe nuk  kontribuon në kapërcimin e mospajtimeve.

Rastet e veçanta, të mos përputhjes së mendimeve, nuk duhen përgjithësuar e amplifikuar. Duhet kuptuar pozita dhe obligimet e Shqipërisë në marrëdhënie me jashtë e sigurisht dhe natyra e kryeministrit. Projekti për asosacionin e komunave me shumicë serbe, që ngjalli reagime në Prishtinë ishte në përputhje me to.

Një tjetër mund të mos ndiqte këtë rrugë, por dobi Kosova nuk do të kishte. Në fund të fundit, është çështje konceptimi e zgjedhjeje, por dhe takati, njeri e përballon, tjetri jo. Sidoqoftë, nuk duhet qëndruar e gozhduar vetëm këtu, në se i takonte ose jo, në se duhej konsultuar para se ta çonte projektin në BE e në Uashington, kur dihet fare mirë se,me qëndrimet e tyre, politikanët e Kosovës e kishin mbyllur derën e konsultimit e komunikimit normal. Raste të tilla duhen gjykuar me bonsens e jo  “majë më majë”.

Përfaqësuesi i larte i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Eskobar, në një komunikim me gazetarët në Uashington deklaroi se qëndrimet e kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës janë korrekte. Ato i shërbejnë çtensionimit të situatës dhe dialogut që duhet t`i qasen dy vendet, Serbia e Kosova.

***

Kosova s’është thjeshtë një çështje politike, që mund të përdoret për pazare e interesa  politike, të marrjes e mbajtjes së pushtetit. Ajo është më së pari një çështje kombëtare, që e ka në thelbin, në adn-në e vet lidhjen e bashkimin e dy pjesëve, siç i ka bërë natyra. Nuk kanë ku e çojnë njëra tjetrën. Kështu kanë lindur së bashku dhe s`ka forcë që i ndan e i përçan.

Të veçuara, pa njëra-tjetrën ato nuk mund te kuptohen, madje do të pengonin e rrezikonin dhe pushtetin, me të cilin janë të dashuruar politikanët tanë, që kanë dhënë prova se e shohin dhe e përdorin më së  shumti për interesa private, pasurimi vetiak, dhe të miqve e shokëve, e fare pak në shërbim të qytetarëve. Këtu, në këtë terren shfaqen dhe sherret e mosmarrëveshjet në mes tyre, që interferojnë dhe në vendet që drejtojnë, duke krijuar pengesa e probleme në çështjen e unitetit e bashkimit kombëtar.

Vaso Pasha, njëri ndër rilindësit e shquar u drejtonte bashkëkombësve, më shumë se një shekull më parë me  thirrjen se “jemi pak more mjerë, për t’u ndarë e përçarë”. Kjo ide e kërkesë përbën themelin e veprës së rilindësit të ditëve të sotme, Akademik Rexhep Qoses, se uniteti e bashkimi janë fuqia e jone si popull e si komb, qe na bën optimistë e besimplotë se e ardhmja është e shqiptarëve dhe realizimi i aspiratave kombëtare një ditë do të bëhet realitet dhe atë do ta bëjnë  gjeneratat e reja të Kosovës e të Shqipërisë, së bashku, se s`bën, se s’ka rrugë tjetër.

Lum ai qe e kupton dhe e mbështet këtë proces e mjerë ai që i kundërvihet, duke u identifikuar si kundërshtar i bashkimit.