JUNGJATJETA bashkēmendimtarë, bashkëveprimtarë, bashkëvuajtës, bashkëluftëtarë e bashkëkombës! JUNGJATJETA Familje të Dëshmorëve! JUNGJATJETA anëtarë dhe miq të dashur të Shoqërisë LËVIZJA dhe të Shoqatës së Burgosurve Politikë!
Shoqëria LËVIZJA, zakonisht në bashkëorganizim e bashkëveprim me shoqatat autoktone: Organizatat e dala nga Lufta e UÇK – së dhe me Shoqatën e të Burgosurve Politikë (edhe me institutet dhe komunat-bashkitë shqiptare andej e këndej Drinit) ka organizuar një varg veprimtarish për të kujtuar, afirmuar, publikuar dhe përuruar veprimtarinë e Lëvizjes Kombëtare dhe Çlirimtare, përgjithësisht, dhe të LPK – UÇK – së, posaçërisht.
Pjesë e veprimtarive tona ka qenë edhe vendosja dhe zbulimi i pllakave nderimore dhe përkujtimore në shtëpi, që ishin baza të Lëvizjes sonë Kombëtare e Çlirimtare, në vende ku kishte ngjarje dhe aksione të rëndësishme çlirimtare, por edhe pllaka nderimi e mirënjohjeje për figura të rëndësishme të Lëvizjes dhe Luftës Çlirimtare…
Veprimtaria e Shoqërisë LËVIZJA dhe e shoqatave autoktone nga disa qarqe, grupe dhe individë naryrisht që nuk shihet me sy të mirë!! Këto qarqe, grupe dhe individë, që fshihen pas partive politike ose pas pushtetit-sistemit, dikur ishin në anën e gabuar të historisë!! Këta ose pjella e tyre edhe në kohën tonë (25 vite pas çlirimit) nuk po mund të “akomodohen” në kushte lirie e pavarësie të kësaj pjese të Shqipërisë Verilindore!!
Disa nga këta janë të ndikuar nga propaganda intensive dhe e organizuar mirë që është bërë dhe po bëhet nga vende, qarqe dhe media armiqësore-antishqiptare…
Ka ndonjë edhe nga bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e LPK – UÇK – së, që kanë hatërmbetjet e tyre të vjetra (me dhe pa arsye…). Këta për shumëçka kanë të drejtë. E kam fjalën për periudhën e veprimtarisë, qëndresës dhe luftës çlirimtare. Por, nuk kanë të drejtë, kur “harrojnë” se LPK – UÇK – ja, me gjithë gabimet dhe dobësitë e mundshme, prodhoi një produkt: çlirimin e rreth 11 000 km² tokë shqiptare (nga pjesa e pushtuar e Shqipërisë) dhe përmirësoi si asnjëherë tjetër pozitën e popullit shqiptar nē Maqedoninë tonë… Kush e “harron” këtë fakt madhor, para të cilit zhvlerësohen dhe zhbëhen të gjitha “faktet” tjera, ka harruar vetën ose ka qenë i harruar në iluzionet jugotitiste!
Prandaj, kemi arsye dhe të drejtë të ndjehemi fitimtarë dhe krenarë, pa e harruar pjesën e parealizuar të programit! Kemi arsye dhe të drejtë t’i jemi përgjithmonë mirënjohës LPK – UÇK -së dhe popullit tonë! Kemi arsye dhe të drejtë, me ballin lartë, t’i shënojmë, nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata që u përpoqën, vepruan dhe luftuan për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë në vite dhe periudha të ndryshme. Kemi të drejtë dhe detyrim t’i jemi mirēnjohës në jetë të jetëve shtetit tonë AMË dhe atij populli që për dekada ndau kafshatën e gojës për ta bërë shtetin dhe ndihmuar pjesēn e pushtuar të kombit dhe, kur erdhi puna, derdhi edhe gjakun. Krenarë dhe të nderuar edhe me Mërgatën tonë të madhe, që ishte dhe mbeti pjesë e pandashme e përpjekjeve, veprimtarisë, Lëvizjes dhe Luftës sonë çlirimtare… Kemi detyrim dhe jemi të nderuar kur përkulemi deri në tokē para Dëshmorëve dhe Heronjve, që ranē para dhe gjatë luftës së LPK – UÇK – së në trojet e Shqipërisë Verilindore.
Natyrisht, që kemi detyrim dhe jemi të nderuar t’u jemi mirënjohës dhe falenderues drejtuesve dhe komandantëve të LPK – UÇK – së, anëtarëve, veprimtarëve dhe luftëtarëve pa dallim të Lëvizjes dhe Luftës Çlirimtare. MIRËNJOHJE SECILIT PËR AQ SA KA BËRË PËR ATDHEUN DHE KOMBIN!
Shoqëria LËVIZJA dhe shoqatat e organizatat autoktone angazhohen me përkushtim dhe janë të ndërgjegjshme që populli shqiptar ka shumë nevojë dhe interes për unitet dhe kohezion politik e shpirtëror në këto kohë të mbarsura me rreziqe këtu në rajon dhe në botë…
Në truallin tonë shqiptar dhe jashtë tij ka shumë OJQ, media, parti, religjione e sekte, organizata, qarqe, grupe e fondacione qê angazhohen dhe veprojnë ditën e natën për segmentimin dhe përçarjen e kombit shqiptar, por nuk do t’ia dalin kurrë!
Prandaj, me ballin lartë ju ftojmë që, të vini në Kishnarekën e Azem e Gani Sylës dhe të shumë veprimtarëve e luftëtarëve të këtij fshati, për të shpalosur Pllakën që i kushtohet përpjekjeve, veprimtarisë, angazhimit dhe luftës së Veteranit të Lëvizjes dhe të Luftës Çlirimtare, Azem Sylës. Ky është një rast i mirë për të kujtuar dhe nderuar bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Lēvizjes dhe të Luftës Çlirimtare, veprimtarinë dhe sakrificën e OMLK – së dhe të organizatave tjera patriotike, që u bënë themeli, trupi dhe çatia e LPK – së. T’i kujtojmë dhe nderojmë themeluesit dhe Heronjtë e Bashkimit të Madh: Kadri Zekën dhe Vëllezërit Gërvalla.
Jeni të mirë se ardhur!