Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: Mendim për LËVIZJEN

SA PËR TË THËNË NJË MENDIM
Ka ndonjë (ish)anëtar që vazhdon të besojë me fanatizëm se Lëvizja Popullore e Kosovës ishte një prroskë, me pak ujë, që kalonte vetëm nëpër oborrin e tij! Këta ish shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë (në fakt ndonjëri prej tyre) edhe pas kaq dekadash nuk janë qartësuar dhe nuk e kanë kuptuar se Lumi i madh, që quhej Lëvizja Popullore e Kosovës (përtej saj: Lëviza Kombëtare Shqiptare), ishte krijuar nga mijëra prroska në Atdheun tonë (pjesa e pushtuar dhe pjesa e lirë) dhe në dhera të huaja – mërgim (anembanë botës). Po të kishte qenë Lëvizja Popullore e Kosovës një prroskë që kalonte vetëm në oborrin e ndonjërit nuk do t’ia dilte kurrë t’i ujiste, siç i ujiti, idetë dhe ndjenjat liridashëse – çlirimtare e fitimtare…
Çuditërisht (më shumë për keqardhje) ndonjëri nga këta pak veta vazhdon të besojë se dielli i LPK – së ka lindur në çastin kur ka hyrë vet në LPK dhe ka perënduar për të mos lindur më në çastin që është larguar!!? Ndonjë si këta donkishotër po lufton si “luan” në rrjetet sociale për ta “mbrojtur” LPK – në si prroskë të tij nga ata që LPK – në e njihnin dhe e dinin si një lum i madh i krijuar nga mijëra prroska që e furnizonin me ujin që i ujiste, i mbante në jetë dhe i materializonte idealet dhe idetë liridashëse – çlirimtare e fitimtare…
Ndonjëri si këta vazhdon të besojë naivisht se LPK – ja ishte një shpikje e ndonjë mendjeje të ndritur apo dhuratë nga perëndia e jo rezultat dhe vazhdimësi e mendjes, përpjekjeve, mundit dhe sakrificës së disa brezave dhe, në një masë gati vendimtare, rezultat i ekzistencës dhe mbështetjes së shtetit tonë shqiptar… Prandaj, të këtillët duhet ta kuptojnë se edhe Shoqëria LËVIZJA, nëse jo nga mijëra, është krijuar dhe mbahet në jetë nga qindra prroska…
Lutemi që ndonjëri si këta, që po luftojnë në rrjete sociale, duke zhgërryer e nxirë “letra” e më shumë “portretin” e tyre dhe duke helmuar mendjen dhe shpirtin e tyre, të shpëtojnë pa pasoja në këtë luftë me mullinjtë e erës! Amen!