Shqipëria/Aktualitet

Xh. Gjini: Dolën nga shtypi dy fjalorë me shumë interes

FJALORË TË VEÇANTË DHE ME SHUMË INTERES (Dolën nga shtypi edhe dy fjalorë)
Dje, ishim në Kryeqendrën politike e kombëtare të shqiptarëve, në Tiranë. “Detyra” e parë ishte që të dërgonim Fjalorin Enciklopedik Ushtarak Shqiptar, që u shtyp në Prishtinën shqiptare, tek i “zoti”. Ky është Fjalori i parë i kësaj fushe. Përgatitja – hartimi i tij kishte nisur me vendim të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 1985. Për këtë vepër të veçantë dhe me interes të veçantë shteti ynë shqiptar kishte angazhuar rreth 450 autorë e bashkautorë të fushave të ndryshme… Ishin krijuar 17 redaksi me 3 – 6 anëtarë secila, Redaksia Operative me 20 anëtarë dhe Redaksia e Përgjithshme me 12 anëtarë. Mirëpo, në vitin 1992, pushteti “demokratik” i Sali Berishës, me “reformat” e tij, siç e zhbëri Ushtrinë (gati ta zhbënte edhe shtetin!) e zhbëri edhe punën e këtyre redaksive dhe fjalori mbeti pa u përfunduar!!
Të kota ishin kërkesat, nismat, shkrimet kritike, etj. për mbështetjen dhe përfundimin e Fjalorit! Të gjithë bëheshin të shurdhër në këtë çështje. Pas tri dekadash (1992 – 2022), me përkushtimin, këmbënguljen dhe punën profesionale të Prof. Hasan Çipurit (Kolonel në pension) dhe Dr. Shk. Kudret Mitës (Kolonel në pension) dhe të bashkëpunētorëve dhe mbështetësve të tyre, Fjalori Enciklopedik Ushtarak Shqiptar u përfundua dhe doli nga shtypi… Isha i nderuar që më ra për hise që këtë Fjalor ta marrë nga Jeton Kelmendi (Prof. Dr.) dhe ta shpie në Tiranë tek i zoti, Kudret Mita, te Dilaver Goxhaj e miq të tjerë. Me porosi të tyre disa ekzemplarë ua kam dhënë edhe Ministrisë së Mbrojtjes (Prishtinë), Institutit Albanologjik, Institutit të Historisë, dy copë për bashkëkombësit tanë në Shkup, etj. Kurse në Tiranë njëri nga më të merituarit për përfundimin dhe botimin e Fjalorit, Kudret Mita, ia dhuroi një ekzemplar bacës Gjokë (studiues dhe autor i shumë librave), një ia dha Drejtorit të Arkivit në M. e Mbrojtjes, Teki Kurtit, një Dilaverit, etj.
FJALORI i dytë i veçantë dhe me shumë vlerë, që sapo u botua, është Fjalori Etimologjik i Gjokë Dabajt: “Iliro – Epiro – Albanizmat në gjuhët sllave”. Me këtë fjalor etimologjik-libër autori ka për synim të dëshmojë se gjuha shqipe, në marrëdhënie me gjuhët sllave edhe u ka dhënë atyre gjuhëve shumë e jo vetëm ka marrë, siç mbizotëron mendimi “shkencor”. Fjalori etimologjik i Gjokë Dabajt do të tërheq vëmendjen dhe do të zgjojë kurreshtjen edhe të studiuesve të huaj për vendin që zënë fjalët e shumta shqipe (ilire, epirote) në gjuhët sllave. Kjo përpjekje dhe vepër e Gj. Dabajt do të jetë nxitje për studiuesit e rinj që t’i futen më me guxim dhe zell hulumtimit dhe studimit për të provuar se gjuha jonë shqipe ka “kontribuar” mjaft për mbushjen e fondit të fjalëve edhe në gjuhët sllave dhe se shumë fjalë që vlerësoheshin, pa u thelluar shumë, si fjalë “sllave”, “turke”, “latine”, “greke”… janë fjalë të gjuhës shqipe.
Me miqtë tanë: studiues, pedagogë, krijues dhe mbi të gjitha atdhetarë biseduamë edhe për Konferencën Shkencore që do të mbahet nga fundi i vitit për 40 – vjetorin e bashkimit politik të organizatave patriotike-krijimit të LPK-së dhe për çështje tjera aktuale…