REPUBLIKAT TONA LAIKE APO FETARE
prishtinë, 25 dhjetor 2018 (ripublikim)
Rrënjët laike, ilire e arbërore të kombit shqiptar
Në nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (dita e Kushtetutës është Ditë Feste në Kosovën shqiptare!!) është shkruar shprehimisht e pa ekuivoke: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”. Kështu diçka shkruan edhe në kushtetutën e shtetit shqiptar, Republikës së Shqipërisë (një e katërta e Shqipërisë). Shoqëria shqiptare historikisht ka qenë laike. Shqiptari as në mesjetë nuk deklarohejë sipas përkatësisë fetare apo besimit, siç bënin popujt e Evropës në kohën kur Kisha i ndiqte me egërsinë më të madhe shkencëtarët dhe njerëzit përparimtarë, të cilët i torturonte për vdekje, i digjte të gjallë dhe ua ndalonte e zhdukte veprat e tyre. Sepse, në fund të fundit, e gjithë historia e fesë është luftë kundër zhvillimit të mendimit shkencor e progresit të shoqërisë njerëzore. Ndërsa, për shqiptarin ishte e qartë edhe në atë kohë se besimi (feja, religjioni) është çështje tërësisht personale. Liria e ndërgjegjes dhe e besimit është e garantuar. Dikush i beson një feje, dikush një tjetre e dikush një sekti, etj. Dikush nuk beson fare në dogmën fetare. Shumica absolute e shqiptarëve (sot edhe e popujve evropian) nuk e praktikojnë fenë-religjionin. Te shqiptarët edhe sot më shumë gjenë elemente të besimit pagan se sa të besimit të krishter apo islam.
Rrënjët e popullit-kombit shqiptar janë: gjuha, flamuri, gjaku, toka, trashëgimia materiale e shpirtërore… Rrënja e kombit shqiptar është Kryetrimi dhe Kryeprofeti i lashtësisë, Aleksandri i Madh-Leka, Pirrua, Teuta, Akili, Zeusi dhe perënditë autoktone pellazge-ilire, etj. Rrënjët e kombit shqiptar janë te Kuvendi i Lezhës, te Kryetrimi dhe Kryeprofeti i Mesjetës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, dhe bashkëluftëtarët e tij, te Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Kanuni i Lekë Dukagjinit, etj. Rrënjët e kombit tonë janë te Besëlidhja Shqiptare e Prizrenit, te Rilindja Kombëtare, te Jeronim De Rada, te Zef Jubani, Naum Veçilharxhi, Marko Boçari, Hoxhë Tahsini, Konstantin Kristoforidhi, Tringa Smajli, vëllezërit Frashëri (Abdyli, Naimi e Samiu), motrat Qiriazi, etj. Rrënjët tona janë te kryengritjet e viteve 1910, 1911 e 1912, te Kuvendi i Vlorës (Shpallja e Pavarësisë), te Kryeheroi dhe Kryeprofeti i Pavarësisë, Ismail Qemali, te Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, atë Stath Melani, Isa Boletini, Nikolla Naço, Bajram Curri, Fan Noli, Hoxhë Kadri Prishtina, Sotir Peci, Shotë Galica, Atë Shtjefën Gjeçovi, Idriz Seferi, etj. Rrënjët shqiptare janë te Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe te Kryeheroi dhe Kryeprofeti i saj, Enver Hoxha dhe bashkëluftëtarët e Tij. Në kohën tonë rrënjët e shqiptarisë e të kombit janë te Lëvizja Kombëtare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe Simboli i Qëndresës sonë kombëtare, Adem Demaçi, te Lëvizja Popullore e Kosovës dhe te Ushtritë Çlirimtare të krijuara prej saj: UÇK, UÇ Kombëtare dhe UÇPMB. Rrënjët tona shqiptare janë te Kryeheroi dhe Kryeprofeti i ditëve tona, Adem Jashari, dhe bashkëluftëtarët e Tij, etj. A mund të maten me këta kryeprofetër e profetër shqiptarë profetët e krishterimit e të islamit?! Në asnjë mënyrë. A mund të matet me SHQIPTARINË ose të kenë peshë më të madhe se SHQIPTARIA krishterimi, islami apo ndonjë fe-religjion tjetër? Në asnjë mënyrë. Nderim, simpati dhe mirëkuptim për çdo gjuhë, kulturë, art, letërsi, fe e komb të huaj, por asnjëra para gjuhës, kulturës, artit, letërsisë e kombit shqiptar. Asnjë vend para Shqipërisë tonë. SHQIPËRIA E PARA!
“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ishte deviza e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. E tillë duhet të jetë edhe sot e përgjithmonë për shqiptarët kudo në botë dhe për Shqipërinë e katër vilajeteve. Si mund të ta shes dikush gjuhën, kulturën, traditën e mënyrën e tij të jetesës si gjuhë, kulturë, traditë e mënyrë jetese të Zotit?!! Duhet të jesh tepër naiv ose krejt i marrë të besosh se një gjuhë, popull, kulturë, etj., qenka e Zotit, ndërsa kjo jona e huaj për Zotin!… Po shqiptarin, gjuhën e kulturën e tij kush i krijoi?! A nuk janë vepra dhe krijesa të Zotit? Kush thotë “jo” mohon veten dhe Zotin! Kush lutet në gjuhë të huaj, kush gëzon e kush lind e varroset në gjuhë të huaj mund të jetë ç’të duash tjetër veç besimtar i Zoti dhe i dashuri i Tij jo, kurrë… Të qenit shqiptar, të folurit, të shkruarit e të jetuarit shqip ishte dhe është vullnet suprem i Zotit (në logjikën fetare). Kjo është me derë mbyllur! Prandaj, kushdo që predikon ndryshe dhe në gjuhë të huaj është kundër vullnetit të Zotit, kundër kombit dhe vendit të tij. Rrjedhimisht të tillët nuk duhet përkrahur nga besimtarët shqiptarë. Të tillët nuk duhet të kenë “konak” në shtëpitë, lagjet dhe vendbanimet tona shqiptare. Një parti politike, një institucion e një politikan, ashtu si një fe, një faltore e një klerik që nuk ka fytyrë shqiptare e nuk i shërben këtij populli e këtij vendi nuk na duhet sot dhe nuk na duhet as nesër…
Ata që kërkojnë rrënjët e shqiptarisë dhe të kombit shqiptar te religjionet e huaja, te ideologjitë dhe perënditë e huaja lodhen kot: kurrë nuk do t’i gjejnë. Sepse, ata që kërkonin rrënjët e tyre te islami-turqnia, sot janë “turq”, “myslimanë”, “boshnjakë”, etj. Dhe nuk flasin gjuhën shqipe! Njësoj si ata që kërkonin rrënjët e tyre te ortodoksizmi apo katolicizmi sot janë “grekë”, “maqedonë”, “serbë”, “italianë”, “malazezë” “kroatë”, “bullgarë”, etj., por jo shqiptarë dhe nuk flasin shqip. Prandaj, ata që kërkojnë rrënjët e kombit shqiptar në kopsht e “tokë” të huaj do të mbesin pa rrënjët e tyre dhe do të përfundojnë si miliona shqiptarë të tjetërsuar në lloj-lloj kombesh e gjuhësh të huaja!
Këto ditë ka qarkulluar në rrjetet sociale një intervistë që Kryeministri, Edi Rama, paska dhënë për një agjenci turke të lajmeve (Anatoli agjenci), ku paska thënë (sipas kësaj që po lexojmë!) se “rrënjët e kombit shqiptar janë në islam e se burojnë nga islami”. Meqë, nuk e njoh turqishten nuk pata mundësi me e vërtetu këtë “konstatim” kaq antishqiptar, antishkencor dhe antihistorik të Edi Ramës. Por edhe nuk kam parë ndonjë reagim të tij që do ta demantonte këtë mendim të tij monstruoz! Edi Rama (nëse është “konstatim” i tij!) dhe të gjithë ata që propagandojnë këtë tezë dhe teza të ngjashme si kjo për kombin shqiptar do të bënin mirë të hulumtonin nga i kanë rrënjët e tyre se veç shqiptare nuk i kanë…
Feja e shqiptarit është shqiptaria
Siç e thamë në krye të këtij shkrimi, dy shtetet e Shqipërisë: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, madje edhe Republika e Maqedonisë (pjesa më e madhe shqiptare dhe në tokë të Shqipërisë), sipas kushtetutave të tyre janë shtete laike. Mirëpo, de fakto po shndërrohen në republika fetare, kryesisht islamike!!! Kjo nuk po ndodh pse kështu po duan shqiptarët, por pse kështu po do Turqia neootomane, Serbia neofashiste dhe fqinjët tjerë shovinistë bashkë me aleatët e tyre! Ndërtimi i xhamive politike (turko-arabe!) dhe antishqiptare në Kosovë ishte ndërmarrje e organizuar nga Beogradi pas Pranverës së vitit 1981. Kjo ndërmarrje antishqiptare, kuptohet, u realizua suksesshëm me bashkëpunëtorët e Serbisë në Kosovën shqiptare! Njësoj edhe në Maqedoninë shqiptare dhe më vonë në shtetin shqiptar të sunduar (dhunuar) nga Sali Berisha dhe banda e tij! Lufta Çlirimtare dukej që do t’i ndërgjegjësonte përfundimisht elitat e shoqërisë shqiptare… Mirëpo, ndodhi ajo që po vazhdon edhe sot!
Qindra organizata (jo)qeveritare vërshuan në Kosovën e sapoçliruar nga thundrra e pushtuesëve serbë! Gati të gjitha me një mision e me një qëllim: vrasjen e ndjenjës kombëtare dhe deshqiptarizimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare! Sidomos të Kosovës! Sikur na thonë për çdo ditë: “mund të jeni çka do tjetër vetëm shqiptarë jo”!!! “Kosovarë”, “myslimanë”, “turq”, “maqedonë”, “torbesh-goranë”, “boshnjakë”, “malazezë”, etj., mund të bëhen shqiptarët në Atdheun e shqiponjave dhe jashtë tij, pa asnjë kufizim (madje u imponohet e joshen që të bëhen)! Më agresive dhe më e organizuar është trysnia, agjitacioni, propaganda, shantazhi e dhuna psikologjike në emër të islamit, por për qëllime tërësisht jo fetare e jo religjioze! Prapa kësaj ndërmarrjeje “myslimanizuese-turqizuese” qëndron kryesisht shteti turk erdoganist (hapur e fshehur) përmes organizatës (jo)qeveritare “TIKA” dhe organizatave e misioneve tjera “humanitare-bëmirëse” e “kulturore”, përmes shërbimeve sekrete, klerit e formave tjera të ndikimit… Turqia pas luftës ka ndërtuar vetëm në Kosovën shqiptare rreth 1 000 xhami të karakterit politik dhe antishqiptar! Ndërtimi i tyre vazhdon edhe sot! Në këtë projekt antishqiptar janë përfshi dhe kanë kontribu edhe disa shtete arabe dhe Serbia e qarqe tjera antishqiptare. Pjesë e pandashme e këtij projekti, përveç klerit e bashkëpunëtorëve të rekrutuar shqipfolës, janë bërë edhe institucionet qendrore dhe vendore! Nuk ka parti, nuk ka komunë, ministri dhe institucion që nuk dërgon “urime” për festa e nuk bën fushatë fetare!!! Pjesë e kësaj fushate janë bërë edhe mediet e shkruara dhe elektronike! Madje edhe televizione e radio publike! Mund të them se kjo fushatë fetare, e mbështetur nga mediet dhe nga shteti, po merr përmasat e një terrori të mirëfilltë psikologjik e shpirtëror! Feja predikohet kryesisht në gjuhën arabe dhe aty-këtu edhe në gjuhën turke! Në Sanxhakun e Tregut të Ri, dikur krahinë shqiptare, feja predikohet në gjuhën serbo-malazeze, ndërsa shqiptarët janë shndërruar në “myslimanë” e “boshnjakë”, që nuk flasin shqip! Njësoj edhe në Tivarin dikur shqiptar, në Podgoricë e në shumë qytete dikur shqiptare në Mal të Zi predikimet bëhen në gjuhën serbo-malazeze, ndrësa shqiptarët janë bërë “malazezë”!! Njësoj me shqiptarët në Greqi e në Maqedoni! S’ke çka thua për miliona shqiptarë në Turqi, që edhe nëse flasin akoma shqip deklarohen e shumë ndjehen(!) turq!
Ndërsa në Kosovë dhe viset tjera shqiptare, në vitin 1951, Beogradi me dekret kishte krijuar “kombësinë turke” për t’i bërë shqiptarët “turq”! Për këtë punë shteti pushtues jugoserb kishte hapur shumë shkolla turke për shqiptarët! Një pjesë të mirë të punës për asimilimin e shqiptarëve e bënin imamët e rekrutuar për turqizimin e shqiptarëve! Qindra mijëra familje shqiptare, me marrëveshjet jugosllavo-turke, u dëbuan në Turqi si “turq”! Megjithatë, invazioni i kulturës, gjuhës dhe traditës turke vazhdon i papenguar në mbarë gjeografinë shqiptare!! Krah i fuqishëm dhe i turpshëm i këtij invazioni-imperializmi turk janë bërë shtetet tona dhe institucionet e tyre kukulla! Këtu nuk do të flas për kishën ortodokse shoviniste serbe dhe për politikat neofashiste serbe, sepse nuk janë objekt i këtij shkrimi dhe, sepse kam shkruar shumë here për marrëdhëniet me Serbinë pas Luftës dhe për politikat koncesioniste të qeverive dhe politikanëve shqiptarë në këto marrëdhënie! Klasa politike e shtetërore shqiptare (sidomos e Tiranës dhe Prishtinës!) janë bërë kërcënim serioz dhe po rrezikojnë lirinë, pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës… Ata, me paaftësinë, servilizmin dhe kolaboracionizmin e tyre kozmopolit e bënë pas Lufte Serbinë partnere në çështjen e Kosovës shqiptare dhe pranuan se Kosova ishte e Serbisë, i është marrë asaj! Nuk u mbrojtë dhe nuk u këmbëngul për të vërtetën që dihet botërisht: Kosova ishte e Shqipërisë. Asaj iu mor me forcë dhe u mbajt e pushtuar gati një shekull… Dhe jo vetëm Kosova me kufijtë e sotëm!
Besimi-feja apo religjioni nuk përbën problem në vetvete. Problem përbën, dhe është shumë problem, përdorimi i besimit-religjionit për qëllime të pastërta politike dhe shoviniste nga qendra, qarqe e shtete të huaja! Ky problem bëhet më i madh dhe kërcënues për identitetin kombëtar, për imazhin e kombit tonë në botë dhe për zhvillimin e përparimin e kombit, atëherë kur bëhen palë në këtë projekt kaq të dëmshëm edhe shtetet shqiptare (Republika e Kosovës, R. e Sh. e R. e M.)! Shqetësimi vjen e rritet kur shikon se edhe elitat kulturore (nëse kemi elita!) janë “blerë” dhe bëhen altoparlante të kësaj ndërmarrjeje antishqiptare ose heshtin!! Keq jemi edhe me shkollën! Trysni e madhe po ushtrohet edhe ndaj saj! Në shkollën shqiptare, sikur edhe në institucionet tjera të shteteve dhe të shoqërisë shqiptare, po gjejnë vend e po predikojnë edhe ata që falen, luten e jetojnë si grekë, si turq e si arabë, etj.! Ka tendencë që në Kosovë dhe në vise tjera shqiptare të dominojnë shkollat e huaja, që po marrin “primatin” pikërisht nga shtetet tona shqiptare! Planprogramet e shkollave tona po “përshtaten” gjithnjë e më shumë sipas kërkesave dhe shijeve të pushtuesëve shekullorë! Në këtë garë për ndikim kanë hyrë edhe mjaft vende e qeveri perëndimore që kanë interesa të tyre në Atdheun tonë… Prandaj, nuk do ta ketë të lehtë kombi shqiptar përballjen me këto influenca të karakterit kryesisht shovinist e imperialist. Këto janë arsye të mjaftueshme që rinia shqiptare, inteligjencia, kleri atdhetar, politikanët dhe gjithë kombi të mbahen fortë pas devizës së Rilindjes Kombëtare: “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është SHQIPTARIA” dhe pas kryeprofetëve e profetëve tanë. Shtetet tona, nëse janë tonat dhe synojnë bashkimin e kombit në një shtet, që është interes afatgjatë edhe i popujve fqinj dhe i paqes në rajon, duhet të hartojnë politika e programe për zhvillimin ekonomik dhe zhdukjen e kushteve që mundësojnë rritjen e ndikimit të kulturave, gjuhëve, ideologjive, feve e arteve të huaja…
Xhevat Bislimi
add a comment