Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: Pushteti mbi gjithçka tjetër!

Botuar në DITA

Sado që herë pas here mundet që partitë politike t’iu përgjigjen nevojave të popullit, ekziston gjithnjë mundësia që ato të shndërrohen në makineri me të cilat njerëzit dinakë, ambiciozë dhe të paparim fitojnë aftësinë të minojnë pushtetin e popullit dhe të rrëmbejnë  për vete frenat e qeverisjes, duke e shkatërruar pastaj makinerinë që i ka ngritur në dominim të padrejtë” – Xhorxh Uashington

Kur në 11 dhjetor 1990 “ish-diktatori i fundit komunist” Ramiz Alia i këshilloi studentët dhe pedagogët e “revoltave” që “Për të mirën e vendit dhe të demokracisë do të ishte mirë që ju të formoni një parti politike”, duket se kënaqësinë më të madhe nuk ua dha studentëve protestues, por disa pedagogëve dhe intelektualëve që me padurim lakmonin pushtetin të nxitur ose jo nga Ramiz Alia e të tjerë në prapaskenë.

Duke marrë parasysh kushtet historike, politike dhe ekonomike të kohës mbetet e mirëkuptueshme dhe e dobishme që në këtë “parti të rekomanduar” të bënin pjesë të gjitha kategoritë shoqërore pasi pakënaqësia kundrejt regjimit që po shkonte në varreza ishte jo vetëm e kudondodhur, por edhe e përligjur. Nëse thuajse të gjitha tiparet që do të shpërfaqte ky konglomerat politik do të ishin të pritshme dhe të kuptueshme, dy prej tyre qenë sa të befta, aq edhe të dëmshme. Së pari, dalja në krye të partisë së parë opozitare, PD-së kryesisht e ish-komunistëve ekstremistë dhe, pastaj, aleanca e ngushtë e kësaj partie me gjithë lumpenin shoqëror. Janë pikërisht këto dy tipare që do t’i jepnin jetës së ardhshme politike e shoqërore shëmbëlltyrën e dy kategorive të lartpërmendura.

Dhuna fizike, egërsia në sjellje, vulgariteti i fjalimeve dhe hakmarrja jo ndaj atyre që ishin mëkatarë të së djeshmes, por ndaj kujtdo që konsiderohej pengesë e pushtetit të së ardhmes, i menduar si pushtet i përjetshëm, qenë tipare të spikatura të opozitës antikomuniste, tipare të mishëruara kryesisht nga dy kategoritë e sipërpërmendura shoqërore dhe jo nga shtresa e të përndjekurve politikë, të cilës deri diku edhe mund t’i pranoheshin ato sjellje.

Pasi erdhi në pushtet me marifete dhe artifice politike të brendshme e të jashtme, kjo opozitë e lindur nga përzierja e njohur pati guximin e paturpshëm që gradualisht të manifestonte dëshirën dhe vullnetin për të shkelur në praktikë të gjitha parimet e propaganduara teorikisht prej vetë asaj. Mospërputhja e predikimeve morale e politike me sjelljet dhe veprimet praktike qe aq e madhe saqë, brenda katër muajve pozita humbi një të tretën e votuesve, humbje e konfirmuar në zgjedhjet vendore të korrikut 1992.

Me kalimin e kohës u duk qartë që partia kryesore në pushtet dhe qeverisja e saj kishin dhe shpërfaqnin moralin dhe personalitetin e drejtuesit të saj, Sali Berishës. Ish-kriptokomunisti Sali u shndërrua në demokrat të rremë. Nuk kam ndeshur në asnjë libër historie që të ketë pasur ndonjë individ, i cili ka bërë jetë të kamufluar, hipokrite dhe hileqare deri afër të pesëdhjetave, siç e kishte bërë ai, e pastaj të shndërrohet befas dhe si me magji në njeri të sinqertë, parimor dhe engjëll mbrojtës i të tjerëve.

Personaliteti i tij i shformuar nga njëra anë dhe varfëria morale e parimore e shumicës së figurave drejtuese të asaj partie nga ana tjetër bëri që të lindnin midis tyre kontradikta që, në pamje të parë, dukeshin si parimore, të pranueshme dhe të shëndetshme. Disa prej atyre figurave si Arben Imami, Tritan Shehu, Genc Pollo, Dashamir Shehi etj., jo vetëm “u ndanë” me shefin arrogant, autoritar e diktator, siç e përshkruan ata më vonë, por edhe krijuan disa partiçka të cilat mbetën sa të vogla aq edhe të padinjitetshme. Këto partiçka, duke e parë se në sofrat e pushteteve që shkonin e vinin nuk po ngelnin as dromca për ta, filluan t’i afrohen, lëpihen dhe shërbejnë ish-shefit me të cilin ishin ndarë dikur për “parime”.

Për ata që kanë sadopak intelekt për të kuptuar dhe dinjitet të mjaftueshëm për ta pranuar, koha provoi se shumica e të larguarve, mocionistëve apo të zemëruarve ishin thjesht njerëz arrivistë, karrieristë dhe po aq të paparim sa shefi të cilin e kishin akuzuar dhe mallkuar si të tillë.

Ajo që shkaktoi pështjellimin më të madh, “kontradiktat” më të shumta dhe kacafytjen më të madhe, deri në dhunë fizike midis grupimeve brendapartiake, si ajo e 8 janarit 2022 ishte shpallja non grata e Sali Berishës nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Siç do të tregonte koha, kjo mësuese universale, trazimet, pështjellimet dhe kontradiktat nuk lindën për çështje parimore, pra se njëra palë përfaqësonte parimësinë demokratike e virtytet morale, ndërsa pala tjetër dhunuesen e tyre. Jo! Të larguarit përkohësisht nga Sali Berisha mbajtën atë qëndrim jo pse mësuan se Berisha kishte qenë “minuesi i demokracisë dhe përkrahësi i korrupsionit madhor në Shqipëri”, sepse këtë e dinte çdo shqiptar pa ua treguar Perëndimi, por sepse filluan të besojnë, dhe jo pa të drejtë, se me një njeri të padëshiruar nga kancelaritë perëndimore as mund të vinin në pushtet dhe as mund të rrinin gjatë në pushtet. Pra, atyre nuk iu dhimbseshin parimet dhe morali politik, por vajtonin pushtetin e dëshiruar që iu largohej gjithnjë tutje në horizont, sa më shumë që iu shtohej malli për të.

Dihet se anëtarët dhe mitingashët e verbër të të gjitha partive politike nuk i braktisin udhëheqësit sharlatanë, dhe i votojnë rregullisht edhe kur këto parti kalbëzohen dhe japin dhjetëra prova se janë të padenja për të qeverisur. Pas çuarjes së vendit në kaos dhe humnerë në vitin 1997, PD qëndroi tetë vjet në opozitë, dhe vitin e fundit bëri një lëvizje mashtruese kundrejt elektoratit dhe popullit. Me zgjuarsi ajo afroi disa figura të reja (KOP-in) për të krijuar iluzionin e rinovimit dhe ndryshimit. Arriti që, edhe për shkak të degradimit të qeverisjes socialiste dhe përçarjes së kësaj të fundit, të rivinte në pushtet në 2005, megjithëse nuk ishte votuar as nga gjysma e popullsisë. Koha provoi se shumica dërmuese e të ardhurve bartnin të njëjtin moral si ai i kryetarit të partisë, pasi, siç e shprehte me krenari i privilegjuari kryesor i KOP-istëve, Lulzim Basha, ata “i përkisnin shkollës politike të Sali Berishës”.

Sot, në kushtet kur qeverisja aktuale ka degraduar dhe lë shumë për të dëshiruar, ajo pjesë e shqiptarëve që nuk do t’ia dijë shumë për partitë politike, por mendon më shumë për vete dhe Shqipërinë, duke qenë edhe pjesa vendimtare në përcaktimin e drejtpeshimeve pushtet-opozitë, shpresonte se Sali Berisha do të tërhiqej në jetën private dhe, ndoshta, disa figura të reja do të trimëroheshin të dënonin sinqerisht berishizmin. Kjo rrugë ishte logjike për ta bërë partinë të denjë për t’u besuar nga elektorati. Mjerisht, zhgënjimi ishte shumë i madh. Shpresat nuk ishin tek gangsterët provincialë të tipit Flamur Noka etj., i denjë vetëm për dhunë në parlament, institucione dhe tek selia e partisë së vet. Gjithashtu, shpresat nuk ishin as tek milingonat politike të tipit Gazmend Bardhi, pa identitet politiko-gjinor, i cili në janar 2022 shprehej se “Berisha mashtrues nuk e heq dot kryqin e zi amerikan”, ndërsa sot pohon se “Nuk e kam mohuar asnjëherë që Berisha është lider historik i PD-së dhe personi më i fuqishëm brenda PD-së”. Ky individ i shkeli “parimet”, që duket se nuk i ka pasur kurrë, dhe zgjodhi të ribashkohej me “mashtruesin Berisha” meqë është më i forti (i fuqishmi), vetëm për hir të pushtetit të shpresuar me dëshpërim. Shembullin e tij e ndoqën edhe të tjerë. Lamtumirë parime! Lamtumirë moral! Lamtumirë Shqipëri dhe shqiptarë!

Në fakt, ata që ndjekin zhvillimet politike, shpresonin se individë të llojit Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku etj. do t’i jepnin një fytyrë dhe moral tjetër PD-së, për ta bërë të denjë dhe të besueshme për qeverisje. Mirëpo, çfarë po ndodh realisht? Z. Gjekmarkaj, i cili vjet pohonte se “Po fitoi linja e Berishës në parti, unë largohem nga PD-ja”, tani u rikthye në PD me Berishën kryetar dhe vetë nënkryetar, pra zëvendës i Berishës. Dje thoshte se “Nëse nuk ndryshon shkolla politike (nënkupto: berishizmi në parti) jemi të destinuar të dështojmë. Nuk mund të jetë Sali Berisha zgjidhja. A më përfaqëson sot ai si udhëheqës? Jo!”. Ndërsa këto ditë pohoi se “Sot nuk ka më ndërmjet! O me opozitën e të ardhmen evropiane (me Berishën non grata si minues i demokracisë- V.M. ), o me Qeverinë e të shkuarën tranzitive që na la peng”.

Pretekstet e tij dhe disa të tjerëve se dje kishin reaguar me instinkt dhe po rikthehen në prehrin e Berishës thjesht për të mundësuar rrëzimin e Ramës nga pushteti, mendoj se shprehin jo vetëm mungesë idealesh, por edhe miopi politike. Nuk e di se si ky zotëri, që duket pak më inteligjent dhe i arsyeshëm se shumica në PD, do ta justifikojë tani pohimin e tij të një viti më parë se “Berisha shërbehet nga një shpurë rrondokopësh folklorikë, si gati gjithmonë, një shkollë politike e bazuar mbi vetëposhtërimin. Kjo ndjesi më jep mundësi të bëj dëshmitarin e kësaj thyerjeje morale, ku e reja shembet dhe e vjetra lulëzon gërmadhash”.

Jo vetëm kaq, por zoti Gjekmarkaj iu bën thirrje edhe Bashës e disa të tjerëve “të kthehen tek partia që i ka rritur politikisht, që iu ka dhënë aq shumë…”. Sakrifikimi i çdo parimi, morali dhe vlere për hir të gjoja pragmatizmit nuk është gjë tjetër veçse sharlatanizëm pasi, siç pohon analisti dhe ish-anëtari i kryesisë së PD-së z. Fitim Zekthi, “Kjo nuk është hapje, ky nuk është bashkim. Kjo është ndotje edhe më e rëndë. Kjo është vetëm një përpjekje e “pakicës krijuese” për të ruajtur interesin e vet”.

Mungesa e çdo parimi dhe ideali tek këta njerëz shfaqet edhe në mbrojtjen pa kushte të të dënuarit për blerje votash, Fredi Beleri. Duke shpresuar me dëshpërim dhe paparim se Greqia do t’i ndihmojë të kthehen në pushtet duke sulmuar Ramën dhe duke penguar Shqipërinë të vazhdojë procesin e anëtarësimit në BE, ata përshëndesin çdo deklaratë apo shkrim shtypi të Athinës dhe shkojnë atje t’iu ankohen figurave kryesore politike greke “për dënimet e padrejta të Berishës dhe Belerit”.

Së bashku me disa analistë mërimëdhenj dhe pasionantë, përpiqen të bindin shqiptarët se Belerit i kanë rënë në qafë, se Beleri që del në përgjime duke premtuar qartë dhënien e parave kundrejt votave (dhe i jep ato) është i pafajshëm, ndërsa dikur kërkonin burgosjen e ish-kryetarit të bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako vetëm pse dy halabakë në Shijak përgjoheshin në telefon duke i thënë njëri-tjetrit se “Duhet të mbledhim ca para për Dakon sepse i duhen për zgjedhje”, pavarësisht se Dako s’ishte fare i pranishëm në biseda dhe askush nuk e di nëse i ka marrë apo s’i ka marrë paratë në fjalë. Ata kërkojnë që Damian Gjiknuri të shkojë në burg pse thoshte në telefon “tërmet, tërmet” lidhur me fitoren e dikurshme në zgjedhje, apo të shkarkohen nga detyrat disa kryetarë bashkish sepse janë deportuar shumë vite më parë nga Italia apo Greqia për mungesë leje-qëndrimi. Po këta në të njëjtën kohë kërkojnë të shpallet i pafajshëm dhe të betohet si kryetar bashkie Fredi Beleri me vota të blera.

Edhe ndihmësit mediatikë të “epopesë Beleri” kanë arritur aq larg sa pohojnë: “Megjithëse gjykata pati prova për të dënuar Belerin, ajo dështoi që e dënoi atë” (N. Sejamini), se “Pretendimet e gazetës greke “Ta Nea” për gjyqtaren Irena Gjoka, megjithëse nuk paraqiti asnjë provë për falsifikim vize greke, janë po aq të pabesueshme sa regjistrimet e Belerit duke premtuar dhënien e parave për vota, megjithëse këto regjistrime janë pranuar edhe nga Beleri dhe avokatët e tij” (A. Bushati).

Kjo opozitë dhe analistët bashkëpropagandues, pretendojnë se Rama ua ka blerë zgjedhjet çdo herë në gjithë Shqipërinë, por nuk na shpjegojnë pse atëherë Rama zgjodhi arrestimin e Belerit në vend që t’ia blinte edhe atij votat dhe kështu nuk do krijohej as sherr midis qeverisë shqiptare dhe eprorëve të Belerit në Athinë. Si mundet që një opozitë që iu bën thirrje shqiptarëve çdo ditë të “ngrihen për rivendosjen e demokracisë dhe të dinjitetit kombëtar”, të përkrahë dhe ftojë shqiptarët të votojnë për kryetar bashkie të Himarës një individ të dënuar në Greqi për armëmbajtje pa leje dhe në Shqipëri për “poshtërim të Republikës dhe simboleve të saj” dhe që premton publikisht se “do të punoj për helenizimin e Himarës”?! Madje, disa analistë si A.Bushati bëjnë thirrje që “Rama po iu vë flakën marrëdhënieve Shqipëri-Greqi… Ajo që po ndodh në Greqi (propaganda kundër Ramës) duhet parë si një laborator ku mund të farkëtohet opozitarizmi shqiptar” (!?) A thua çmimi i ndërrimit të pushtetit në Shqipëri duhet të arrijë deri në helenizimin apo serbizimin e Shqipërisë e të shqiptarëve?!

E vërteta është se Fredi Beleri është vetëm njëri nga shtetasit shqiptarë që ka blerë vota dhe ndërgjegjja qytetare nuk duhet të kërkojë mosdënimin dhe konstituimin e Belerit, por ndjekjen penale dhe dënimin e të gjithë Belerëve të tjerë si ai. Intelekti dhe ndërgjegjja qytetare duhet të kuptojnë dhe pranojnë se, siç thoshte analisti Redi Shehu “Fredi Beleri është një projekt politik”, ashtu siç kanë qenë e mbesin projekte politike edhe mbjellja e varrezave të ushtarëve grekë në jug të Shqipërisë, sjellja në krye të Kishës “autoqefale” Ortodokse Shqiptare të një prifti grek, ruajtja ende e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, si dhe Marrëveshja dëmsjellëse e Detit e vitit 2009 midis Greqisë e Shqipërisë.

Për aq kohë sa PD-ja dhe ecejaksit e saj do të kenë në krye non gratën Sali Berisha dhe në shpirt e moral politik berishizmin, për aq kohë sa rrugën ku banon “minuesi i demokracisë dhe përkrahësi i korrupsionit madhor” do ta konsiderojnë si “Rruga e Shpresës” ku duhet të falen çdo pasdite kur imam Saliu njofton namazin, ajo parti mbetet ajo që ka qenë, me të njëjtin moral dhe shkollë politike, me të njëjtin mësues dhe të njëjtët nxënës dhe bij. Si e tillë ajo, për fat të keq, duhet lënë e pa e trazuar, le “të hajë bar” në rrugën antikushtetuese të zgjedhur për t’u rikthyer në pushtet me pëllitje se janë aq trima sa do të djegin edhe Parlamentin. Pse janë të tillë, edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Blinken nuk pranoi të takojë asnjërin prej tyre kur erdhi së fundi në Shqipëri.