“Hipokrizia është paturpësia për të predikuar integritet nga strofulla e korrupsionit” – Wes Fesler
Politikanë hipokritë dhe media në shërbim të tyre ia paraqesin popullit rastin në fjalë sikur një ish-mësues, i cili shkruante edhe disa poezi, ishte dënuar nga regjimi i kohës me dënim kapital dhe varur në qytetin e Kukësit vetëm “për fjalën e lirë”.
Edhe pa këtë mashtrim të stërpërsëritur, rasti i Nelës mbetet një rast fatkeq dhe i dhimbshëm kur njeriu mendon se si një qytetar i vendit tënd kaloi nga konfrontimi i mendimit në konfrontimin e dhunshëm kriminal me shtetin e tij. Nga gjithë sa propagandojnë megafonët e mashtrimeve historike, mbetet i vërtetë vetëm fakti se i ndjeri Havzi Nela u ndesh fillimisht me regjimin e kohës thjesht për faktin se ishte kundër disa masave që merrte shteti i atëhershëm, siç ishin kolektivizimi i bujqësisë, ndalimi i ushtrimit të riteve fetare dhe masat për emancipimin e femrës shqiptare.
Duke u frikësuar se qëndrimet e tij kundrejt regjimit mund të sillnin burgosjen nga shteti, bashkë me gruan e vet, u arratisën (kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme) nga Shqipëria drejt Jugosllavisë. Pasi u kthyen prej atje, iu nënshtruan burgosjes dhe internimit.
Sot, me të drejtë mund të konsiderohet padrejtësi që dikush të dënohej me shumë vite burg për arratisje nga vendi i vet, por ngjarjet dhe pasojat e tyre duhen parë gjithmonë në raport me vendin, kohën, rrethanat dhe mendësitë e kohës, të popullit dhe të qeverisjes së tij.
Në Angli dhe disa vende të tjera perëndimore homoseksualët janë tredhur apo dënuar me vite të gjatë burgimi deri nga vitet ’80 të shekullit të 20-të. Më vonë, ndryshoi kjo mendësi gjykim dhe qasje, si nga qytetarët ashtu edhe nga regjimet e këtyre vendeve. Sot jo vetëm që homoseksualizmi është i lejuar, por, madje, ato vende e “eksportojnë” atë si shprehje dhe pjesë e “lirisë dhe të drejtave të njeriut”.
Nga fundi i viteve ’80 Nela u largua nga vendi i internimit në një fshat të Kukësit dhe, i armatosur me një pistoletë pa leje, vajti në darkë tek shtëpia e një të afërmit të tij që banonte jo larg kufirit shtetëror, me qëllim që të arratisej përsëri. Qëllimi i kundërligjshëm i mysafirit mund të sillte pasoja edhe për të zotin e shtëpisë, prandaj ky njoftoi organet përkatëse të shtetit. Organet e Punëve të Brendshme dërguan punonjësin e policisë dhe të sigurimit për zonën.
Këta, bashkë me kryetarin e këshillit të fshatit shkuan në banesën ku ndodhej H.Nela dhe i kërkuan të shkonte me ta. Nela nxori armën që kishte pa leje dhe brenda në dhomën ku ndodhej qëlloi kundër përfaqësuesve të shtetit. Plumbi përshkoi fytyrën e punonjësit të policisë dhe fati e deshi që arma të bllokohej për shkaqe teknike.
Punonjësi i policisë (Sh.Sh.) i shpëtoi vdekjes, por mbeti invalid për gjithë jetën. Agresorin e arrestuan, e gjykuan dhe dënuan vdekje për veprat penale: largim nga vendi i internimit, armëmbajtje pa leje, arratisje të mbetur në tentativë dhe akte terrori (vrasje të punonjësve të shtetit, pra për shkak të detyrës).
Të gjitha këto fakte të pamohueshme, tellallët e mashtrimit dhe dishepujt e hipokrizisë nuk i përmendin, por, thjesht përsërisin si papagaj ritualin hipokrit se “H. Nela u vra për fjalën e lirë, vetëm pse ishte poet, sepse nuk donte regjimin” dhe të tjera përralla që s’lidhen me të vërtetën.
Siç thoshte Molieri, “Hipokrizia është një ves në modë, dhe të gjitha veset në modë kalojnë për virtyte”. Në kuadrin e hipokrizisë së pakufishme që ka përfshirë shoqërinë shqiptare, shumëfytyrësia e politikanëve është e padurueshme. Veçanërisht, e padurueshme dhe revoltuese është në rastin konkret, hipokrizia e atyre politikanëve shqiptarë si Sali Berisha dhe Lulzim Basha, të cilët, megjithëse kanë vrarë pa gjyq persona të paarmatosur dhe që kishin dalë në shesh me “armën” e tyre të vetme, fjalën e lirë, çdo vit nxjerrin lot krokodili për Havzi Nelën dhe mashtrojnë popullin rreth të vërtetës për të.
Nëse gruas së të ndjerit Nela, për shkaqe të pasioneve të përligjura si dhe nivelit të intelektit, nuk i merren për keq pohime të tilla si “Demokracinë dhe lirinë na e vodhi Rama, se e kemi lënë vetë atje. Edi Ramën nuk e pranoj të vijë në Kukës. Djali i kriminelit nuk mund të drejtojë Shqipërinë. Këtu jemi në diktaturë më keq se E. Hoxha.
Si i pranojnë djemtë e kriminelëve të punojnë në Parlament e kudo, ministra, në shëndetësi, polici, ushtri e sidomos drejtësi… Pse nuk kemi ne nga të përndjekurit një person në Parlament?”, hipokritët që e thërrasin atë në “mbledhje përkujtimore ” duhen damkosur.
Fjalët e mësipërme, bashkëshortja e Nelës i thoshte përpara Sali Berishës në një “takim” të organizuar enkas nga ky i fundit. Saliu, me shpresë se populli harron, i injoron faktet se personalisht ka vepruar si bandit duke vrarë pa gjyq njerëz të paarmatosur dhe po si bandit është përbetuar botërisht se kryetarin e opozitës politike “do ta asgjësoj si një bandit nëse i afrohet zyrës time”, se “do të asgjësohet kushdo që cenon edhe një postë policie”.
Vrasjet janë gjithmonë cinike, tragjike, të dhimbshme dhe, madje, të dënueshme, por vrasjet pa gjyq kundrejt individëve paqësorë dhe të paarmatosur nuk mund të krahasohen askund me vrasjen e bazuar në vendime gjyqësore kundrejt njerëzve të armatosur që kanë vrarë apo tentuar të vrasin punonjësit e shtetit për shkak të detyrës së tyre.
Vrasja e punonjësve të shtetit, në asnjë vend të botës, nuk tolerohet as justifikohet si mjet për të fituar lirinë tënde apo si reagim kundrejt shkeljes së presupozuar të të drejtave të një individi.
Ai që, në kohën kur u burgos dhe dënua H. Nela, ishte sekretar i organizatës së PPSH për spitalet e Tiranës dhe i kalonte netët e dimrit në shtëpinë e Hoxhës dhe ditët e verës duke vozitur fëmijët e këtij të fundit në Liqenin e Pogradecit, na thotë tani se “Havzi Nela ishte luftëtar lirie. Ai është një gjeni guximi, është një simbol sot me një rëndësi shumë të veçantë… I biri i Kristaq Ramës edhe sot nuk kërkon falje sepse ruan në nënvetëdijen e tij trashëgiminë atërore”.
Merreni me mend në çfarë shkalle ka arritur hipokrizia dhe pafytyrësia njerëzore. Sali Berisha dhe, bashkë me të, edhe Lulzim Basha nuk kanë kërkuar ndjesë për vrasjen e katër protestuesve paqësorë në 21 janar 2011, madje kanë pohuar disa herë se “kemi zbatuar ligjin”, çfarë do të thotë se kanë vepruar drejt moralisht dhe ligjërisht dhe se, në rrethana të ngjashme, do të bënin sërish të njëjtën gjë.
Këta njerëz pa karakter, në vend që të heshtnin, nuk lënë rast pa lehur rreth ngjarjeve apo individëve të dënuar para vitit 1990 edhe për krime botërisht të dënueshme, siç janë spiunazhi, sabotimi, terrori etj.
Vetë Basha, ministër mbikëqyrës nga tarraca e Kryeministrisë i vrasësve pa gjyq të katër protestuesve të 21 janarit, u shpreh tani se “35 vjet më parë regjimi gjakatar vari në litar në mes të Kukësit Havzi Nelën, poetin që i këndoi lirisë. Pas 21 vjet burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhtte shpirtin e tij kryelartë, që sfidoi dhe ngriti zërin kundër çdo krimi të saj, ndaj regjimi vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull.
Por, vetëm e përjetësoi guximin, atdhedashurinë dhe poezinë e H. Nelës, martirin e lirisë. Në këtë 35 vjetor përulemi dhe nderojmë poetin martir që… me mesazhet e tij të pavdekshme ndriçon rrugëtimin e pandalshëm drejt vlerave më të larta njerëzore për liri, demokraci, për Zot, Atdhe dhe familje. Lavdi përjetë Havzi Nelës!”.
Sipas këtyre horrave “me jaka të bardha”, por me mendje të errëta dhe duar të gjakosura, një njeri që tentoi të vriste tre punonjës të shtetit që thjesht po i kërkonin të vinte me ta, na qenka shembulli për t’u ndjekur “drejt vlerave më të larta njerëzore”. Pa lëre më, kur në panegjirizmat e tyre mashtruese dhe hipokrite na përziejnë edhe Zot, fe e atdhe. S. Berisha, L. Basha dhe shumë politikanë të tjerë shqiptar të sotëm duhet të falënderojnë Perëndinë që jetojnë e veprojnë në një kohë kur shqiptarët e pakënaqur, të revoltuar dhe të ndëshkuar nga padrejtësitë e tyre zgjedhin braktisjen e vendit në vend të hakmarrjes pasi, po të ishin kushte dhe rrethana të tjera, jo pak prej këtyre banditëve politikë do të kishin qenë objekte hakmarrjeje dhe viktima të zemërimit popullor.
Sali Berisha, njeriu i damkosur tashmë si “minues i demokracisë” dhe Kumbar i Korrupsionit Madhor, nuk lë rast pa dalë në mbrojtje të individëve të armatosur që konfrontohen me armë me policinë dhe shtetin, siç ishte edhe rasti i një të sëmuri psikik në Maliq ditët e fundit, mjafton që qeverisja me të cilën konfrontohen kriminelët të mos jetë qeverisja e tij.
Ndërsa ai vetë ndihet i pafajshëm dhe, madje, krenar për vrasjet pa gjyq të 21 janarit, vrasjen dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës apo rrahjet dhe gjymtimet e gazetarëve nga regjimi i tij, i kërkon Kryeministrit të kërkojë ndjesë pse babai i tij, para 35 vitesh nuk ka firmosur për faljen e jetës së H. Nelës. Nelën e kishte dënuar gjykata, ndërsa Kristaq Rama ishte një skulptor e intelektual i spikatur dhe thjesht anëtar i Presidiumit të K. Popullor, institucion analog me Presidentin e sotëm shqiptar dhe, deri diku, atë amerikan, i cili përbëhej nga 15 vetë dhe kishte si një nga atributet e tij edhe faljen e jetës së të dënuarve me vdekje nga sistemi gjyqësor. Pra, falja e jetës varej nga 15 vetë dhe jo nga një njeri i vetëm.
Rasti Nela është një rast tragjik i cili, me më shumë mend dhe skrupuj, mund të ishte parandaluar nga regjimi i kohës, por veprat penale për të cilat u dënua i ndjeri janë botërisht të dënueshme dhe nuk e bëjnë atë të pafajshëm, as hero dhe as shembull për t’u ndjekur nga brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Punonjësit e shtetit, duke përfshirë edhe policin e mbetur invalid nga veprimet e Nelës, ishin në krye të detyrës për zbatimin e ligjeve të kohës, ashtu siç kanë qenë atëherë e janë edhe sot mijëra punonjës të shtetit, të cilët nuk miratojnë ligje, por janë thjesht zbatues të tyre. Çfarë iu thonë atyre dhe familjeve të tyre sot banditët politikë Berisha e Basha, dhe jo vetëm ata, kur kërkojnë të justifikojnë vrasjen e tyre (pasi, për autorin e dënuar ata do të ishin nën tokë sot)? Po sikur të ngrihen disa shqiptarë “të marrosur” sot dhe t’i vrasin Berishën, Bashën etj. sepse iu kanë vrarë pa gjyq të afërmit e tyre, i kanë rrahur apo burgosur njerëzit me urdhër të tyre, iu kanë marrë pronat “për investime strategjike” etj.etj. mos ne të tjerët duhet të duartrokasim dhe brohorasim për krimin ndaj tyre?!
Dëshirat dhe përpjekjet e hajdutëve, të korruptuarve dhe sharlatanëve të sotëm politikë për t’u identifikuar me kundërshtarët e regjimit të djeshëm, apo për t’u bërë zëdhënës të tyre, duke u hequr si “dishepuj”, qofshin ata të pafajshëm apo kriminelë, dëshmon thjesht shkallën alarmante të pafytyrësisë dhe imoralitetit kaq shumë të përhapur e kudogjendur ndër ne sot, si shoqëri dhe si shtet.
Nëse dëshiron të përparojë, populli shqiptar duhet të jetë shumë i vëmendshëm dhe përbuzës kundrejt të gjithë atyre hienave politike që marrin trajtat e rreme dhe hipokrite, sipas shprehjes tallëse dhe sarkastike që Atë Gjergj Fishta përdorte para gati 100 vitesh për këta tipa pa fe, Atdhe, din e iman, kur thoshte:
“Mundohu me u dukë gjithmonë çka s’je/ Ma e mirë se duka s’asht gja mbi dhe!”.
Gazeta DITA