Botuar në DITA
Kalimi në gjykatë i çështjes së privatizimit të ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, siç pritej, shkaktoi një turbullim dhe zhurmë në jetën politike dhe shoqërore në Shqipëri. Dikush u gëzua, të tjerë u hidhëruan, ndërsa dumbabistët, ata që kanë mbi tri dekada që i shkojnë mbrapa si kone Sali Berishës duke e përkrahur në çdo marrëzi të tij, duke e brohoritur pas çdo krimi që kryente dhe duke u zgërdhirë pas çdo padrejtësie të tij, u shfaqën vrullshëm në mediat e panumërta shqiptare duke bërë avokatin për ta larë nga krimet dhe duke mallkuar kundërshtarin politik.
Vendosja e masës së sigurisë “arrest me burg” për dhëndrin e Saliut dhe bllokimi i pasaportës së Berishës që e pengon atë të dalë jashtë vendit, ngaqë dyshohet si autor i disa veprave penale që lidhen me privatizimin e sipërpërmendur, pavarësisht kënaqësisë që mund të përjetojnë disa shqiptarë, nuk përbën ndonjë akt madhor në shërbim të vendit dhe të shoqërisë. Jo, duke pasur parasysh numrin pa fund të krimeve të nxitura, organizuara, drejtuara apo kryera prej tij tash 33 vjet, ky akt juridik është në të vërtetë një amnisti për ish-Presidentin e dhunshëm dhe ish-Kryeministrin vrasës.
Në njëfarë mënyre, kjo procedurë ligjore dhe akuzë për shpërdorim detyre iu ngjan akuzave dhe arrestimeve të ish-kupolës komuniste në vitet ’90 për shpërdorim të fondeve shtetërore për kafe dhe pritje zyrtare të ndodhura para 1990.
Me gjithë bindjen time të palëkundur se Sali Berisha duhej ta kishte kaluar pjesën e mbetur të jetës në burg qysh pas vitit 1998, analiza nuk më lejon ta konsideroj sukses apo arritje të madhe vënien e tij nën akuzë për shpërdorim detyre pak vite përpara kalimit në jetën e përtejme.
Nëse nuk keni dashur, nuk keni mundur apo s’ju kanë lejuar ta akuzoni e dënoni më herët siç e ka merituar, lëreni rehat edhe këto pak vite t’i kalojë i qetë në mbretërinë e tij të budallallëkut qytetar, harbutërisë dhe maskarallëkut politik.
Për mendimin tim, përtej gëzimeve dhe hidhërimeve, dërgimi i tij në gjyq dhe publikimi i shumë të dhënave nga dosja përkatëse penale merr më shumë rëndësi për dy fakte të tjera që po i shohim të shpalosen para syve tanë.
Së pari, është uria e madhe për pasurim e shumicës dërmuese të elitës politike të mbas vitit 1990, pavarësisht krahëve politikë. Një qytetar shqiptar, që rastësisht ka ndodhur të jetë dhëndri i ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të vendit, pretendon sot se me 113 metër katror tokë të trashëguar ka arritur të bëjë dhjetëra miliona euro pasuri dhe të ketë rreth 35 prona, shtëpi, apartamente dhe parcela toke.
Edhe sikur të jenë të gjitha të ligjshme, a nuk ju duket se janë “pak” si tepër në njërin nga vendet më të varfër të Evropës?! Latifondisti më i madh i vendit në vitin 1939, Shefqet Vërlaci nuk i kishte as gjysmën e këtyre banesave. Merret lehtë me mend se sa e madhe do të ishte sot pasuria e trashëgimtarëve të pronarëve të dikurshëm sikur të ishte e vërtetë se qeverisjet e këtyre mbi tri dekadave kanë punuar për të drejtat e tyre dhe se “zhvillimi i pasurisë” do të sillte rendimente kaq të larta për secilin trashëgimtar prone.
Zoti Jamarbër Malltezi është veçse njëri nga qindra trashëgimtarë ose jo pronash, i cili ka arritur të pasurohet kaq marramendshëm dhe “ngatërrueshëm” këto tridhjetë vjet. Shumica e këtyre të pasuruarve janë shëndosh e mirë dhe të pacenuar nga ligji shqiptar, mirëpo z. Malltezi ka pasur dy “fatkeqësi”. Ai është dhëndri i politikanit të lartë Sali Berisha, i cili mbetet figura politike e mbas 1990 që iu ka më shumë borxhe shqiptarëve se asnjë tjetër.
Nga ana tjetër, megjithëse njeri me intelekt, meqë pretendon se mban titujt profesor-doktor, z. Malltezi nuk ka arritur të tregohet aq i mençur dhe largpamës sa, së bashku me bashkëshorten, vjehrrën dhe kunatin ta “mblidhnin” Babën para shumë vitesh dhe t’i luteshin duke i thënë: Deri tani ta kemi parë hairin mjaft. Të lutemi, lëre politikën këtej e tutje në mënyrë që mos të të shohim sherrin! Unë uroj që ai të shpallet i pafajshëm ligjërisht, por mjegulla morale në të cilën endet ai dhe shumë të ngjashëm zor se do të davaritet ndonjëherë.
Fakti i dytë i rëndësishëm që pasoi dërgimin e Berishës në gjyq është dumbabizmi politik dhe moral që ka shoqëruar vazhdimisht forcën politike që ai ka drejtuar gjatë këtyre dekadave. Një parti politike, e cila u shfaq në fillimin e viteve ’90 me pretendime të mëdha morale, idealiste e humane, provoi plotësisht dhe bindshëm gjatë tridhjetë vjetëve se morali i saj dominues, dhe veçanërisht i kupolës së saj drejtuese, nuk ka kurrfarë lidhjeje me predikimet, përbetimet dhe premtimet për drejtësi, liri, barazi e demokraci.
Sjelljet dhe veprimet e shumicës së aktorëve e regjisoreve të saj politikë i kanë përgënjeshtruar dhimbshëm parullat dhe angazhimet e bukura shpresëndjellëse të shpallura zhurmshëm dhe papushueshëm nga kupola e asaj partie. Fakti që shumica e anëtarësisë të saj e ka përkrahur, ndjekur, brohoritur, votuar dhe mbrojtur kupolën e vet drejtuese edhe pas akteve të dukshme korruptive, kriminale, antiligjore dhe, jo rrallë, antikombëtare, dëshmon se Partia Demokratike Shqiptare nuk ka qenë dhe nuk është një bashkim njerëzish të lirë me ideale fisnike të përbashkëta, por një amalgamë individësh me pasione të vjetra e të reja, me mendësi fisnore e krahinore dhe me interesa thjesht vetjake materiale.
Karakteristika kryesore e kësaj tufe individësh dumbabistë është besnikëria e verbër kundrejt Sali Berishës dhe bindja feudale e tyre se Baba duhet ta sundojë Shqipërinë deri në vdekje, pavarësisht mënyrës, mjeteve dhe moralit sundues. Prej fillimeve e deri sot, ata kanë besuar e besojnë se, qoftë moralisht ashtu edhe ligjërisht, veprimet dhe sjelljet e tyre amorale dhe kriminale do të mund të justifikohen e amnistohen nëpërmjet antikomunizmit.
Edhe sot që idhulli i tyre është thirrur nga organet e drejtësisë për të dhënë llogari për njërën prej veprave penale më të lehta që ka kryer gjatë karrierës politike, turma dumbabiste beson se do ta mbrojë nëpërmjet parullave dhe pretendimeve antikomuniste. Antikomunizmit ka kohë që ia kanë hequr licencën e avokatit të banditëve politikë dhe politikanëve të korruptuar.
Antikomunizmi i kësaj shpure politike pa din e iman, i shfaqur me rrëmbim në momentet kur i ashtuquajturi komunizëm pësoi infarkt ekonomik e politik, u provua se ishte dhe mbetet thjesht preteksti dhe mjeti për të arritur pushtet politik dhe ekonomik të pakufizuar. Nën parullat dhe thirrjet antikomuniste i vunë zjarrin Shqipërisë në vitet ’90, zaptuan, dogjën e shkatërruan shumicën e pronës së përbashkët të shqiptarëve, sulmuan me dhunë dhe pushtuan institucionet qendrore shtetërore, dogjën komisariate policie dhe shpërndanë armët në vitin 1997 në shërbim të luftës imagjinare Veri-Jug, manipuluan e dhunuan procese zgjedhore, vranë njerëz për të marrë pushtetin por edhe për ta mbajtur atë.
Vetë Sali Berisha, edhe këto ditë, pohoi se kishte qenë i privilegjuar gjatë regjimit komunist, por qenkej ngritur kundër tij për ideale. Se cilat ishin idealet e tij dhe shpurës që e shoqëron e tregojnë shifrat stratosferike të pasurisë së familjeve të tyre krahasuar me shumicën dërmuese të shqiptarëve.
Po të vazhdonte pozita “e privilegjuar” e Berishës nën sistemin e kaluar politik, sot ai do të mund t’iu linte trashëgim pasardhësve një apartament modest në Tiranë dhe jo dhjetëra prona me vlerë miliona euro, siç i kanë realisht.
Dumbabistët mund të pranojnë gjithçka, por jo t’iu preket Baba. Ata shfaqen pasionantë në rolin e avokatit megjithëse s’marrin vesh nga ligjet dhe as nga e drejta. Ata njohin “të drejtën” politike, por jo atë ligjore. Për ta, Baba ka gjithmonë të drejtë. Edhe kur nuk ka, ai përsëri ka të drejtë, edhe kur fyen e shpif ai dëshmon moralin më të lartë, edhe kur rreh, burgos apo vret kundërshtarë politikë, mbetet humanisti dhe demokrati më i madh i vendit, edhe kur firmos vendime në shërbim të individëve të veçantë apo kur merr në mbrojtje hapur bashkëpunëtorët e tij më të lartë të akuzuar nga drejtësia për korrupsion, ai mbetet luftëtari më i madh kundër korrupsionit, edhe kur zëvendëson gjyqtarët e prokurorët me diplomë universiteti me kursantët gjashtë mujor të Plepave ai përsëri dëshmon përkushtim për drejtësi, edhe kur refuzon të paraqitet para organeve të drejtësisë është sërish në të drejtën e vet.
Në mënyrë që të shkualifikojnë moralisht dhe ligjërisht akuzat kundrejt Babës, dumbabistët përdorin dy “armë”: Njëra është akuza politike se kinse procesin juridik e ka sajuar dhe po e drejton Rama dhe tjetra është antikomunizmi i shpëlarë e banal që pretendon se “prokurori i akuzës është ish-hetues i kohës së komunizmit” (Flamur Noka), “janë dëshmitarë që kanë mbajtur dikur arkmortin e Enver Hoxhës” (Belind Këlliçi), “duan të zëvendësojnë Republikën Parlamentare me Republikën e prokurorëve, tamam si në 1945” (J. Topalli), “Borxh nuk na ka Berisha, por Arben Kraja, Ardian Dvorani, Edi Rama… Borxhi që shtohet çdo ditë shkaktohet nga geni i pangopur i grabitësve që pushtuan këtë vend në 1944” (Gent Starzimiri, ose deputeti me kobure që donte të pengonte fizikisht ndërtimin e Parkut të Lojërave për fëmijët tek Liqeni Artificial) etj.etj.
Për mendtë që kanë dhe moralin që bartin, nuk ka çudi t’i dëgjojmë ndonjë ditë të shpallin edhe z. A. Blinken si neokomunist, meqenëse u pati shpallur Babën non grata.
Sipas konstatimit poetik të Majakovskit, se: “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini dhe kur themi Lenini nënkuptojmë partia”, dumbabistët shpallin se “Sulmi brutal politik kundër z. Sali Berisha është në fakt një sulm kundër opozitës dhe çdo qytetari” (thotë J. Topalli, e cila dikur bënte thirrje për rrëmbimin e armëve kundër pushtetit dhe kritikonte Berishën pse s’iu dha plumbin në ballë socialistëve); “U provua se reforma në drejtësi u dizajnua për të shkatërruar opozitën” (Y. Manjani); “Rama i ka hapur luftë opozitës…” (B. Këlliçi) etj.
Po pse mërziten dumbabistët me një jurist që paska qenë hetues për dy vjet para 1990 i cili ka formuluar akuzën për korrupsion të një ish-anëtari dhe sekretar byroje të PPSH-së për 25 vjet si Sali Berisha?! Pse merakosen ata se dikush që ka mbajtur për disa minuta arkmortin e Hoxhës së vdekur na qenka njëri nga dëshmitarët kundër Sali Berishës, kur vetë Saliu për dhjetë vjet ka shërbyer në Bllokun e udhëheqjes komuniste dhe ka kaluar netët e dimrit i ulur në shiltet e shtëpisë së Hoxhës së gjallë dhe ditët e verës duke vozitur fëmijët e tij në Liqenin e Pogradecit?!
Pasi besojnë se me llogje politike mund të hedhin poshtë akuzat juridike, dumbabistët na shpallin se, me demek, Rama qenka tmerruar nga aksioni opozitar i çetës së Babës dhe prandaj paska inskenuar akuzat dhe procesin kundër tij. Dhe, jo vetëm kaq, por betohen se “Me të gjitha mënyrat do e rrëzojmë Edi Ramën deri në 2025” (F. Noka) dhe se “Duhet shkuar deri në ekstrem, në grevë urie, siç ka bërë P. Arbnori në vitin 1997” (B. Leskaj) etj.etj.
Në vend që të shkojë në gjykatë sa herë thirret, siç bën Donald Tramp në SHBA, Berisha preferon të manipulojë, si gjithmonë, partinë pa vulë dhe ta përdor atë si mburojë vetjake dhe familjare. Një parti që vihet në rresht për të kundërshtuar akuzat juridike ndaj kryetarit dhe kërcënon prokurorë, gjykatës dhe vetë vendin me destabilitet, nuk është më parti politike por një bandë gangsterësh që meriton të marrë një herë e përgjithmonë ndëshkimin moral, politik e historik nga populli shqiptar.
Vetë Berisha dhe disa personazhe të tij mediatike, që ngjajnë si shëmbëlltyra të luftëtarëve të ISIS-it, fyejnë prokurorët, duke i quajtur “laro skapistë” dhe kërcënojnë se “Janë shtatëqind mijë votues të PD-së që do të ngrihen në mbrojtje të doktorit”, domethënë në mbrojtje të Babës.
E vërteta është se partia e Babës i ka përdorur deri tani të gjitha rrugët dhe mjetet e ligjshme e të paligjshme dhe nuk ia ka arritur të kthehet në pushtet. Shkaku është se ata as duan, as dinë dhe as munden të përdorin të vetmin mjet të rrëzimit të Ramës nga pushteti. Ky mjet do të ishte shpata, njëri teh i së cilës do të përbëhej nga integriteti i lartë moral dhe tehu tjetër nga kultura e lartë qytetare. Derisa ta gjejnë dhe ta mësojnë përdorimin e kësaj shpate, me gjithë mangësitë dhe gabimet alarmante të qeverisjes aktuale, dumbabistët nuk do të mundin dhe as duhet të vijnë në pushtet.