Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: Arben Ahmetaj dhe moçali politik

Botuar në DITA

Ndryshe nga shumica e shqiptarëve të njoftuar për transmetimin e një interviste me ish-zv/kryeministrin Ahmetaj, unë nuk prisja asgjë të re dhe, sidomos, asgjë të ndjeshme nga ajo intervistë. Arsyeja e këtij gjykimi rrjedh ngaqë kam pasur dhe kam bindjen se shumica dërmuese e klasës politike, ashtu si, fatkeqësisht, edhe e shoqërisë shqiptare, është e korruptuar, e zvetënuar moralisht dhe e çoroditur qytetarisht.

Pas gati 35 vjet lufte imorale kundër çdo ndjenje idealiste, çdo sakrifice individuale në shërbim të shoqërisë dhe kundër kujtdo që propagandon apo përfaqëson ato ideale e sjellje dhe, nga ana tjetër, po kaq gjatë hyjnizimeve të “lirisë dhe iniciativës private”, pa kurrfarë kufizimesh dhe kufijsh etikë dhe ligjor, pas lartësimit të hajnave dhe ligjshkelësve, favorizimit të batakçinjve në jetën e përditshme shoqërore, mediatike dhe politike, ne kemi korrur ato që kemi mbjellë. Madje, nuk e kemi korrur ende të gjithën.

Nëse z. Arben Ahmetaj do të ishte një politikan idealist dhe i përkushtuar ndaj vendit e popullit, kam bindjen se nuk do të kishte pasur shanse të mbërrinte në postet që i ishin dhënë, ose do të largohej shpejt prej aty, duke i dhënë mundësinë t’i bënte të ditur opinionit të gjitha lojërat e pista që luhen në prapaskenat politike dhe qeverisëse. Mirëpo, ai nuk i përket asaj race.

Prandaj, edhe intervista ishte thjesht një marrëveshje win-win (me përfitime të dyanshme) midis intervistuesit dhe të intervistuarit. I pari do të plotësonte një detyrë dhe shërbim politik kundrejt “çetës” tjetër politike, kleptokrate e non grata, ndërsa i dyti do të përpiqej të krijonte një “provë” për kërkesën e vet për azil politik në shtetin ku jeton prej pak muajve.

Pas transmetimit të intervistës, ndërsa pala “e paditur”, pra qeverisja heshti në shenjë mospërfilljeje, çeta e imam Saliut fërkoi duart dhe thirri “eureka!”, me demek se iu erdhi zogu në dorë.

E vërteta është se z. Ahmetaj është thjesht vetëm njëri prej politikanëve të korruptuar që gjenden me shumicë në të gjithë krahët politikë. Kjo është edhe arsyeja që, në intervistën e tij, ai ishte sipërfaqësor, alibik, i pandershëm dhe i padobishëm. Megjithatë, ato pak gjëra që tha, nuk janë krejt të pavlera.

Së pari, ato na forcojnë dyshimet, hamendjet dhe bindjet tona për shkallën e degradimit moral të establishmentit tonë politik. Ai s’bëri gjë tjetër veçse na e afroi akoma më shumë erën e keqe të gjirizeve tona politike, të quajtura parti apo qeverisje politike, gjirize prej nga ka dalë edhe ai vetë.

Një qeverisje që bëri aleancë dhe pjesë të vetën individin dhe partiçkën kundër të cilëve kishte protestuar kur ishte në opozitë duke i akuzuar me të drejtë për korrupsion, nuk mund të jetë një qeverisje as e imunizuar nga korrupsioni dhe as vetëluftuese e korrupsionit.

Nga ana tjetër, vendosja në pozicione kyçe financiare e një njeriu si Ahmetaj që, profesionalisht dhe praktikisht s’e lidhte asgjë me administrimin e buxhetit të shtetit, ka qenë gjithmonë e dyshimtë për ata që ndjekin me vëmendje proceset qeverisëse. Ku ishin paratë dhe administrimi i tyre, aty ishte i diplomuari për anglisht dhe jo ekonomisti i shquar, a thua se Shqipëria nuk kishte dhe nuk ka të tillë.

Pyetjet logjike që lindin në këto raste janë: për çfarë arsyesh u zgjodh dhe u “gradua” në pozicione të tilla një individ i tillë? Çfarë ndikoi që ky njeri për gati një dekadë të ishte njëri prej njerëzve më të besuar të kryeministrit shqiptar? Dhe, cilat ishin arsyet e vërteta të “ftohjes” dhe armiqësimit midis dy figurave më të larta qeverisëse të vendit?!

Duhet thënë se intervista e z. Ahmetaj ishte intelektualisht e dobët, moralisht e mjerë dhe kombëtarisht e padobishme. Duke qenë vetë pjesë e allishverisheve qeverisëse, ai nuk kishte se si të ishte konkret dhe i sinqertë në përgjigjet e tij.

Rrëfimet e tij emocionale, të paargumentuara ligjërisht dhe të paprovuara faktikisht, thjesht synonin ta paraqitnin viktimë të regjimit dhe të mundësonin fitimin e statusit politik jashtë vendit. Edhe pse e tillë, siç e thashë më sipër, ajo nuk ishte krejt e pavlerë.

Me të drejtë, intervistuesi e pyeti pse këta individë zemërohen, rebelohen dhe akuzojnë vetëm pasi humbin përkrahjen e eprorëve dhe privilegjet e fituara nga postet shtetërore. Edhe sot, ne ende nuk e dimë saktësisht pse z. Ahmetaj u kthye nga i preferuari dhe i besuari i Kryeministrit në armik dhe “viktimë” e tij. Pohimet e tij të vagullta rreth incineratorëve dhe interesave që fshihen pas tyre nuk qartësuan askënd.

Që afera e incineratorëve, ashtu si shumë afera të tjera koncesionesh apo PPP-sh mban erë të qelbur korrupsioni dhe amoraliteti, kjo dihet nga njerëzit e mirëinformuar, por nga ish-zv/kryeministri priteshin fakte dhe dokumente komprometuese që do të provonin atë që ka ndodhur në dëm të shoqërisë dhe përgjegjësinë e atyre që kanë luajtur fijet në prapaskenë.
Ish-zv/kryeministri nuk bëri asgjë publike në këto drejtime dhe, realisht, as nuk duhej pritur ta bënte sepse ai ka heshtur shumë gjatë, megjithëse ka qenë aty ku “piqej hallva”.

Duket se edhe atij i ka pëlqyer kjo “ëmbëlsirë”. Ai u arratis dhe foli kur e pa se “po ia fusin”, ashtu siç kanë bërë homologët e tij gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar. Edhe i ndjeri Ylli Vejsiu, ish-ministër i PD-së, priti të vinte viti 1997 për t’i thënë Sali Berishës: “Ti je një kriminel dhe bashkë do të shihemi në gjykatë”. Mirëpo, as u panë në gjykatë dhe as i bëri ndonjëherë të njohura faktet dhe provat që e kishin bindur se eprori i tij ishte një kriminel. Iku nga jeta pa na treguar pse kishte bashkëjetuar aq gjatë me “botën e krimit”.

Sidoqoftë, mund të veçoj katër gjëra të vërteta dhe domethënëse nga intervista e z. Ahmetaj.

Së pari, ai foli për “gjashtëdhjetë milion euro” që “nuk dihet nga kanë vajtur”. Unë jam i prirë të besoj se ato pará vërtetë “kanë humbur” ose, më saktë janë vjedhur, ashtu siç janë shpërdoruar e vjedhur qindra milion euro këto tridhjetë vjet nga të gjitha qeverisjet. Edhe në ndërtimin e Rrugës së Kombit patën “humbur” 230 milion euro dhe ministri i atëhershëm i transportit L. Basha, sot “kryedemokrat” as në atë kohë nuk dha llogari dhe, madje, sot na shfaqet si kalorës i luftës kundër korrupsionit.

Unë besoj se z. Ahmetaj e di se ku kanë shkuar 60 milion euro dhe kush ndodhet pas tyre, por ai s’ka as burrërinë dhe as integritetin moral t’ia tregojë ato popullit dhe organeve ligjzbatuese. Megjithatë, mendoj se SPAK duhet ta takojë atje ku është dhe pyesë hollësisht këtë lajmëtar dhe bashkautor të të këqijave tona.

Së dyti, z. Ahmetaj tha se “tjetër është PS dhe tjetër Edi Rama”. Kjo është deri diku e vërtetë, por vetëm kur flasim për PS-në si parti e majtë dhe jo PS-në aktuale. PS-ja aktuale ka mendësinë, sjelljen dhe pamjen e Ramës. Këtë e vëmë re te zyrtarë vendorë që vishen me kilota dhe sillen njëlloj si “princi”.

Nga ana tjetër, shumica e zyrtarëve vendor, por edhe qendror, shfaqen të butë e dashamirës, por që nuk kryejnë thuajse asnjë punë në shërbim të qytetarëve. Partia Socialiste aktuale qëndron edhe më djathtas se vetë e djathta, por ajo vazhdon të votohet në shumicë për dy arsye thelbësore: Ende nuk duket në horizont një parti tjetër prestigjioze e majtë që t’i përfaqësojë. Nga ana tjetër, përballë PS-së ndodhet më shumë një çetë cubash sesa një parti politike e denjë.

Një parti, qeverisja e së cilës paguan me 150-200 euro në muaj pensionistët dhe, nga ana tjetër, iu jep dhjetëra apo qindra milion euro gjithfarë horrave të vetëshpallur biznesmenë, apo administrata e së cilës “i humbet” popullit nga buxheti i përbashkët dhjetëra milion euro çdo vit, mund të jetë gjithçka por jo parti e majtë që përfaqëson shtresat e ulëta dhe të mesme.

Së treti, i arratisuri Ahmetaj foli edhe për qeveritarë e kryeqeveritarë që iu ankoheshin ambasadave të huaja në Tiranë për zv/kryeministrin. Kjo është një sëmundje e vjetër dhe e turpshme e politikës shqiptare, e manifestuar gjatë monarkisë, regjimit hoxhist, por edhe tani. Edhe atëherë kishte ministra dhe ambasadorë apo figura të larta politike e partiake që iu ankoheshin të huajve për Mbretin, Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë apo Kryeministrin etj.

Ky është tregues i integritetit të ulët moral, i dinjitetit të paplotë dhe i mungesës së përgjegjësisë politike e shtetërore të individëve që sillen e veprojnë ashtu. Veprime të tilla ulin ndjeshëm dinjitetin shtetëror e kombëtar, pa folur për dinjitetin e vetë autorëve të “pëshpëritjeve”.

Së katërti, i intervistuari foli edhe për aleancën politikë-biznes (oligarki)-media, aleancë që vepron në sinkron kur ua kërkon nevoja të godasin dikë. Kjo aleancë nuk të vret fizikisht, por të vret moralisht, të vret karakterin nëse e ke dhe ta keqpërdor mungesën e tij kur nuk e ke. Dhe, e bën këtë jo në shërbim të shoqërisë, por në shërbim të aleancës dhe marrëveshjes së heshtur “më jep-të të jap”.

Përveçse nuk pati integritetin për të dhënë fakte për aferën e incineratorëve dhe as për të treguar hapur kush dhe pse urdhëroi marrjen e 17 firmave për njëzet e katër orë për një tender, z. Ahmetaj na shiti një gënjeshtër të madhe. Në shërbim të kërkesës për azil politik dhe në përputhje me çfarë iu ka pretenduar autoriteteve të vendit ku jeton, ai na pohoi, krejt turbull dhe pabesueshëm, se e paskan kërcënuar atë dhe fëmijët e tij tri herë, herë tek liqeni e herë të tjera tek lumi apo nga burgu.

Kjo meseleja e “kërcënimeve nga burgu” është bërë pjesë e përrallave të treguara edhe nga të tjerë dhe është shumë vetëdiskredituese. Jo vetëm që nuk është bindëse të ketë ndodhur, por sajuesit dhe pohuesit të gënjeshtrës mund t’i bëhet pyetja: si u binde dhe si e vërteton ti se personi kërcënues në telefon ishte ai që u prezantua dhe se telefonata ishte vërtetë nga ambientet e burgjeve?

Për çfarë do të kërcënohej z. Ahmetaj për jetën e vet apo të familjarëve? Për të mos thënë këto që tha kur ai dhe familja e tij janë jashtë rrezikut ?! Ato që ai tha janë hiçmosgjë dhe s’ua dridh qerpikun “të akuzuarve”. Pastaj, këta “të majtët” tanë kanë dëshmuar se, vërtetë, mund të ta fusin dorën në xhep por, po ua kape dorën këta ikin vrap dhe të shajnë nga mbrapa “kanalit”, në ndryshim nga blloku politik përballë, të cilët po i kape me duar në xhepin tënd të tregojnë armën dhe përpiqen të të pengojnë edhe t’iu tregosh të tjerëve.

Përfundimisht, intervista e z. Ahmetaj është thjesht një dëshmi tjetër se sa i thellë dhe i qelbur është moçali moral i “elitës” politike shqiptare. Intervista e tij nuk mund t’i shërbejë si atu në luftën për pushtet as çetës non grata e cila ka qenë zënë shumë herë me presh në duar, ka vrarë ata që kanë protestuar kundër vjedhjes së xhepave të tyre dhe, madje, edhe ka kërcënuar se vrasje kriminale do bëjë sa herë të kundërshtohet.

Për këto arsye edhe është shpallur non grata dhe tani s’i ka mbetur tjetër veçse të mblidhet e lutet përditë tek tyrbja e imam Saliut.