Zahiri në të gjallë të tij veç jetonte në mes të realitetit dhe legjendës
Nuk ndodh rrallë që njeriu të pyes veten se ku ka qenë në momentet që kanë përcaktuar kohë kthese për fatet personale dhe për vendin në përgjithësi. Më 31 janar 1997 së bashku me shokun tim Driton Avdiun ishim në Murademë të Prizrenit, tek Gazmend Vezaj dhe familja e tij. Pasi kishim shpëtuar rastësisht nga arrestimet e janarit dhe shkurtit 1997, duke qenë tek shoku ynë Blerim Krasniqi në Vlashnjë të Prizrenit, ai na dërgoi në Murademë tek familja e hallës së tij. Gazmend Vezaj me vëllezër dhe nënën sypatrembur, tipike nënë shqiptare në shërbim të lirisë, u bënë strehë e jona në një kohë shumë të vështirë për ne, kur të paktë ishin ata që besonin në rrugën e luftës së armatosur e edhe më pak ata që do të guxonin të na mbanin. Por vetë Blerimi, sot një doktor i suksesshëm, duke rrjedhë nga një familje e rezistencës, i përgatitur për të tilla situata, së bashku me ndihmën edhe të familjarëve të tij të tjerë e përgatiti tërë terrenin për strehimin tonë, e deri më vonë edhe largimin për në Shqipëri. Sigurisht pa njerëz dhe familje të tilla, dita e lirisë sonë do të ishte më e largët. Në ditët kur çdo orë na vinin lajmet për arrestimet e shokëve dhe shoqeve të LKÇK-së (Avniut, Liburnit, Dylberit, Shukrijes, Ganiut, Shabanit, Mujës, Eminin, Dulahun, Betonin, Arsimin e të tjerëve) dhe nuk e dinim se çfarë ka ndodh me Bahriun, Agronin, Fatmirin, Agimin dhe të tjerët, lajmi për vrasjen në një pritë të organizuar nga pushtuesi të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut nga erdhi si një goditje e rëndë. Zahiri që në të gjallë të tij veç jetonte në mes të realitetit dhe legjendës. E dinim se ai është një prej figurave kryesore të UÇK-së dhe aksionisti që kishte tmerruar forcat pushtuese. Arrestimeve të anëtarëve të UÇK-së dhe LKÇK-së iu shtua dhe kjo rënie e madhe e goditje e rëndë për ne. Sidoqoftë, një gjë edhe atëherë në ato kushte të thella ilegaliteti e me përkrahjen e pakursyer të miqve që na mbanin ishte e qartë për ne. Këto goditje dhe këto rënie nuk ishin si të tjerat. Këto ishin hapi i fundit para se Lëvizja jonë Çlirimtare të futej në një fazë krejt të re, atë të intensifikimit të përpjekjeve për kryengritjen e armatosur. Dëshpërimi u përcoll edhe me krenari dhe me ndjenjën e mosdorëzimit por të vazhdimit të aktivitetit e luftës. Kjo ishte fuqia e dëshmorëve. Kjo ishte drita që Zahiri, Edmondi e Hakfiki sollën tek ne me rënien e tyre të madhe. Por, kjo rënie ishte një jehonë që ushtoi jo vetëm në odën e Vezajve në Murademë që po strehonin dy djem 22 vjeçar të ndjekur nga pushtuesi, por ajo ushtoi anë e mbanë Kosovës dhe kudo ku kishte shqiptarë. Ishte një rënie e madhe që mobilizoi një gjeneratë të tërë të luftëtarëve të lirisë për të ecur deri në ditën e lirisë së Kosovës.
Sot, përulemi para veprës së tyre, duke qenë të vetëdijshëm që as dëshmorët e as ne nuk e zgjodhëm me dëshirë rrugën e luftës së armatosur. Por, nuk ishte rrugë tjetër për të ardhur deri tek liria…
Nderim e lavdi për Zahirin, Edmonidin e Hakfin!
add a comment