TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Parku Kombëtar i Valbonës me male e lugina mbresëlënëse është një ndër më të frekuentuarit nga turistët vendas e të huaj.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut të Kukësit, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “20 571 vizitorë, nga të cilët 14 250 ishin të huaj e vizituan Valbonën nga janari deri në fund të qershorit”.
“Për turistët e shumtë që vizitojnë Valbonën ka terrene dhe atraksione të reja ende për t’u eksploruar, duke nxitur kështu aventurat turistike si dhe iniciativat vendase, për të ofruar kushte dhe shërbime dinjitoze, në prezantimin e zonës”, theksoi Gjana.
Gjana shprehet se “turistët e huaj, të cilët e pëlqejnë shumë alpinizmin, kanë përshkuar edhe shtegun turistik nga Valbona në Theth”.
Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj.
Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.
Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqime tradicionale, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka duhet dhe një peizazh stinor mahnitës.
Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.
Njëra kalon nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe tjetra nga Prizreni, Gjakova, Valbonë. /j.p/